Në vendin tim asgjë nuk ka ndryshuar

853
Agron MEMA

Flet Mandela Shqiptar, Xhemal Bali 
Xhemal Bali është një Mandelë shqiptar që çapitet lehtë në rrugëtimin e jetës dhe hedh kujtimet e tija në një libër që përgatit dhe zgjedh gazetën “Telegraf” për të publikuar herë pas here kujtimet e tija. Ky është shkrimi i pestë që vjen tek “Telegraf”. Xhemal Bali ka kryer plot 26 vite e 28 ditë burg, si armik i popullit dhe partisë, ndaj themi se është një Mandelë që ka zgjedhur qetësinë e viteve të jetës në Sarandë. Xhemal Bali është arrestuar në vitin 1961 dhe është liruar në vitin 1987 me një ridënim prej 17 vitesh për Promemorien antikomuniste dërguar Enver Hoxhës në vitin 1967 (promemoria është botuar sipas origjinalit në gazetën “Telegraf”. Por këtë radhë, kur e pyetëm, se si ndjehen klasa e persekutuar pas kaq viteve demokraci, ai na zgjati një fletë ku qe shkruar fjalimi i tij më 28 maj 2008, në kampin famëkeq të Spaçit dhe me qetësinë që e karakterizon na tha: “Nëse shikoni ndryshime pas kaq vitesh, as mos e botoni e as mos pyesni. Ne po e përcjellim atë TEKSTUALISHT: 

Të dashur vëllezër, motra, bashkëvuajtës të gjithë siç jemi dhe kudo ku jeni, brenda dhe jashtë vendit! Ju përshëndes nga vargmali i Munellës, nga kjo gropë e Spaçit ku na solli djallëzia komuniste qysh në prillin e vitit 1963 dhe deri në përfundimin e kuçedrës së kuqe më 1991. Një vend i pa njohur as nga njerëzit më të thjeshtë, as nga kronistë dhe udhëtarë. Por ky vend u bë i njohur dhe me emër në Shqipëri, sepse komunizmi këtu solli njerëz që kërkonin dritë dhe liri, kërkonin që Shqipëria të ishte pjesë përbërëse e Evropës dhe pikërisht këtu shpërtheu zëri i qindra të burgosurve politikë që kërkuan të zbatohej e drejta e Kartës së Evropës dhe parimet bazë të demokracisë. Kushdo që ka qenë në këtë gropë të zezë më 21-22 dhe 23 maj 1973 e ka të incizuar në memorien e kujtesës imazhin e atyre ditëve, të gjithë ngjarjen si në një film dokumentar. Mllefi i të burgosurve politikë të Spaçit kishte kohë që ishte grumbulluar në shpirtin e tyre dhe ndjenjat e tyre të frymëzuara edhe nga Konferenca e Helsinkit ku morën pjesë shtetet evropiane dhe Amerika me Kanadanë që përtej Oqeanit, ndërsa vendi i Shqipërisë mbeti bosh nga mospjesëmarrja e saj në konferencë. Shqipëria, jo vetëm që nuk mori pjesë, por qëndronte intolerante dhe kryeneçe, me mospërfillje ndaj të gjitha shteteve pjesëmarrëse. Shkaku për shpërthimin e revoltës ndodhi nga largimi prej birucës i Pal Zefit, i cili e kishte mbaruar masën e dënimit që i kishte dhënë komanda me një muaj izolim në birucë. Por njerëzit e komandës me në krye operativin Fejzi Liçaj donin ta merrnin përsëri në birucë me violencë, por kur të burgosurit panë se si policët po torturonin një të burgosur, ngjarja kaloi në mospërmbajtje. U përleshën të burgosurit me policinë. Ngjarja mori karakter politik. Tre ditë na izoluan pa bukë dhe pa ujë. Pas 29 vjetëve që hapësira e tokës shqiptare kumbonte nga thirrjet dhe brohoritjet e krijuara artificialisht për partinë dhe Enver Hoxhën, tani dëgjohej zëri “Poshtë Komunizmi!” dhe thirrjet e shfrenuara kundër diktaturës dhe diktatorit Enver Hoxha. U hodhën përtokë të gjitha stendat me parulla e citate komuniste dhe u zëvendësuan me parulla të tjera si: “Rroftë Sigurimi Evropian!, Ecim dhe neve pas Evropës dhe të tjera si këto. U mor beze e kuqe në vatrën e kulturës së kampit dhe Mersin Vlashi pikturoi shqiponjën dhe flamuri u vendos në tarracën e pallatit, pa yllin e kuq përsipër shqiponjës pas 29 vitesh, ashtu siç u hoqën sëpatat e simbolit fashist, tani i kishte ardhur radha yllit, simbolit të komunizmit. Flamurin që valëvitej e ruanin Gjetë Kardeli, Neim Pashaj, Ndrec Çoku etj. I gjithë kampi u elektrizua duke hedhur parulla kundër komunizmit. Buçiste vendi nga thirrjet e të burgosurve. Dëgjohej zëri i Adem Pojanit, vëllezërve Bedri Çoku e Çaush Çoku, Xhelal Maleci, Hysen Xhani, Luan Burimi, Rexhep Lazrit e qindra zëra bashkoheshin me njëri-tjetrin dhe përhapeshin në atmosferën shqiptare. Për ta shtypur revoltën erdhën gjierarkët e ministrisë së brendshme të drejtuar nga Feçor Shehu, Kasëm Kaçi, Bako Dervishi me makinat e blinduara ushtarake, Xhorxhi Robo, lukuni hetuesish ose panterat e zeza si Kapllan Sako, Dilaver Bengasi, Lirim Pullumbi, Llambi Gegeni, Irfan Shaqiri, Koço Josifi, Rustem Çipi e dhjetëra gjerararkë të tjerë. Më në fund hyri brenda , i rrethuar nga një kompani policësh, Feçor Shehu. Ai kokosh pa bisht, dridhej dhe përdridhej, shprehte urrejtjen e madhe mbi të burgosurit politikë, sepse kishin përgojuar diktatorin dhe ulur “moralin e partisë”. Po ky gjierark i kuq nuk dinte as vet se çfarë do të pësonte mbi kurriz dhe kokën e tij nga diktatura dhe diktatori. Kishin sjellë tonelata hekur, zinxhirë, dryna të mëdhenj. Na arrestuan të gjithëve dhe një pjesë të madhe nga ne e çuan në Tiranë, ku jiu nënshtruam një hetuesie të tmerrshme. Pastaj na sollën në Rrëshen dhe na dënuan grupe-grupe me prokuror Zef Dedën dhe kryetar gjyqi Filip Lakon, të cilëve demokracia e sotme do t’u ketë rezervuar ndonjë post të rëndësishëm, shtu siç u ka rezervuar lukunisë së Fehmi Avdiut, Njazi Jahos, ky i fundit ish prokuror në akuzën time në Elbasan me NR: Vendimi 18, datë 27/10/1967, Xhevat Hana dhe e gjithë lukunia që mbronte komunizmin dhe sajonte e luftonte deri në vdekje refleksionet për demokraci. Tani ata janë ulur prapë në rrafshin e demokracisë, prandaj t’i shohin shqiptarët persekutorët e djeshëm që drejtojnë demokracinë e sotme. Na dënuan jo më pak se 15-25 vjet riburgim në gjyqet që u zhvilluan në Rrëshen. Iu nënshtruam një represioni të tmerrshëm. Ndërsa katër personave ua bënë gjyqin qysh më 23 maj me prokuror Dhori Panaritin, ku katër djem në lulen e rinisë, të pa martuar, pa krijuar familje Dervish Bejko, Hajri Pashaj, Pal Zefi dhe Skënder Daja u dënuan dhe u ekzekutuan me pushkatim. I ekzekutuan në orët e vona të natës, në malet e thepisur dhe pyjet e dendura të Mirditës. Më pas u pushkatuan edhe tre intelektualë të vlefshëm për familjet e tyre dhe demokracinë, Vangjel Lezho, Xhelal Koprenca dhe Fadil Kokomani.

Kjo është fytyra e vërtetë e komunizmit që ka vrarë me mijëra burra trima, intelektualë të përmasave evropiane dhe miliona vite burg që kemi punuar nëpër Shqipëri për të ndërtuar “parajsën” komuniste. Ky, ndoshta është faji i të parëve tanë që lejuan atë shëmtirë të hidhte rrënjë në vendin tonë për 50 vjet. Por edhe pas 1991-shit është prapë faji ynë dhe i të gjithëve dhe askush nuk duhet t’i shmanget; fajësisë dhe përgjegjësisë nga ne, për ardhjen e makinës totalitare përsëri në fuqi. U shkatërrua sistemi socialist më 1991. Pasuria ra e gjitha përtokë, ku askush nuk mbante përgjegjësi. E rrëmbeu hajduti, njeriu i 100 kallëpeve, kjo, sepse qeveritarëve nuk u interesonte të prishej forma e qeverisjes së tyre dhe më vonë bënë hakmarrje politike me ligje absurde që pasuria mos të kthehej më kurrë tek i zoti i grabitur. Klasa e re ndërtoi një kapitalizëm për vete të saj dhe politikanët,që i shërbenin, kjo me paratë e bankave, të akumuluara nga puna dhe djersa e popullit shqiptar që s’u pagua kurrë për punën e bërë. Shikoni ndarjen e sotme klasore në dy grupe, deri tek korporatat e mëdha të ndërtimeve fantastike, bankat, ekonomia totale e gjithë vendit ka rënë në duart e qeveritarëve mafiozë, në bashkëpunim me të huajt. Për një kohë të shkurtër shikon sheikë shqiptarë që ua kalojnë sheikëve të Kuvajtit, Arabisë Saudite, fellahëve egjiptianë dhe maraxhave indianë. Sheh njerëz të vrarë nga jeta që punuan të ndërtonin socializmin, në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën. Ja ku i çoi filozofia e kazmës dhe pushkës, tek furra e bukës në radhë e me lista dhe tek barakat me dhoga. Sa tinëzarë, hipokritë dhe të pabesë u treguan me të burgosurit politikë, që kjo klasë e tërë u martirizua me teorinë dhe praktikën e komunizmit për 50 vjet duke vrarë e shkatërruar mijëra familje, plakje pa krijuar familje, duke i rënë Shqipërisë kryq e tërthor në punët më të rënda, që nga bonifikimet e deri në ndërtime qytetesh e thellësi galerish. Këta uzurpatorë, demagogë, hileqarë, zullumqarë, hipokritë, s’kanë të ngopur nga urrejtja e tyre ideologjike, duke qeshur e përqeshur nga dikasteret, kryeministria, tribuna e parlamentit. 

Qeveritarët mbas viteve 1991 dhe në vazhdim, pikë të dobët të urrejtjes së tyre na kanë pasur dhe na kanë neve, të burgosurve politikë, se ne jemi antikomunistë dhe dihet se kush e ka luftuar atë. Qeveritarët, pas 1991-it, nuk kanë dashur kurrë ta dëgjojnë zërin tonë dhe emrin tonë, si të pushkatuarve, atyre që kanë vuajtur, atyre që kanë vdekur dhe neve që jemi të gjallë, sepse ata kanë dashur dhe duan të jetë merita e tyre të gjitha ndryshimet mbas vitit 1991. Ata dinë të drejtojnë komunizmin, por ata dinë dhe ta rrëzojnë atë. Ata dinë të ndërtojnë kapitalizëm dhe të krijojnë pluralizëm. Mirëpo në themelet e tokës shqiptare është gjaku, djersa, mundimi ynë dhe mbi tokë është puna dhe pasuria që kemi ndërtuar nën peshën –hije të rëndë të diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. E treguan shumë qartë, se me ne të burgosurit politikë, si ata që u shpallën demokratë e si ata socialistë me forcat e tyre politike, apo emërime të tjera socialdemokrate me programe perëndimore. Ata janë pjellë e të njëjtës nënë. Gjarpri gjarprin nuk e helmon kurrë. Gjatë viteve 1991-1992 u treguan hipokritë, tinëzarë, demagogë të mëdhenj, që në atë kohë ne të mos organizoheshim dhe me mbështetjen e perëndimorëve, t’ua merrnim atyre pushtetin. Atëherë na e patën frikën dhe përzien disa figura si më të njohura nga dora jonë, por të zgjedhur pa rrezikshmëri dhe të manipulueshëm. Pastaj në opinion lëshuan demagogjinë e propagandës së tyre: Premto shumë dhe mos realizo asnjë gjë, kjo me qëllim të kalonin krizat politike dhe të kapej përsëri pushteti. Në ato vite u njohën në sferën e pluralizmit dhe dy emrat e forcave politike, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, që komunizmi kishte bërë ndaj tyre politikë diskriminuese për 50 vite, vrasje, burgime, internime, konfiskime, akuza nga më monstruozet për të demaskuar edhe demokracitë perëndimore dhe për t’i bërë qejfin Rusisë Sovjetike, duke treguar se neve bëjmë kurban të gjithë shqiptarët dhe viktimë të gjithë Shqipërinë, vetëm ta kemi mirë me ju për mbajtjen e pushtetit absolut në duart e tyre. Dhe ashtu u bë për 50 vjet. 

Përfaqësuesit e Ballit dhe Legalitetit , në mënyrë revolucionare edhe pse nuk kishin ndonjë lloj peshe këta deputetë në parlament, i eliminuan gradualisht me marionetat e tyre të komanduara. Problemi i të burgosurve politikë është vendosur në listat e zeza për mos u zgjidhur kurrë, vetëm bëjnë demagogji për konsum politik, të tërheqin vëmendjen e atyre që kanë mbetur ene gjallë. Qeveritarët, me zgjatjen e demagogjisë dhe moshës së pleqërisë së kësaj shtrese, e cila është në përfundim të jetës biologjike nga mosha, kërkojnë të dalin përsëri të fituar. Dhe të fituar dalin nga llogaria që kanë bërë. Ata bëjnë fushata elektorale dhe fondet i përdorin për qëllime dhe interesa personale, me vizita nëpër shtete të botës anë e mbanë, aq sa kthehen të nesërmen nisen prapë për udhëtim. Edhe sikur malet më të larta të Shqipërisë të jenë male me para do qenë mbaruar me këta politikanë dhe administratë të korruptuar që kanë gënjyer e mashtruar, kanë derdhur e po derdhin lot krokodili, analogë me babanë e tyre kur dilte para popullit sentimental dhe i përlotur, edhe këta aktorë të rinj lozin dramat e të tjerëve si Enveri i tyre. Kanë 16-17 vjet që e treguan veten shumë mirë se cilët janë. 

Edhe çështja e pronës është e pazgjidhshme dhe nuk do të zgjidhet kurrë, se njerëzit që e kanë pasur kanë vdekur e po vdesin. Të rinjtë nuk e njohin pronën e tyre të trashëguar, se ju mungon informacioni dhe pengesat e pa kapërcyeshme ligjo-burokratike, ndaj pronar në shumicën e rasteve janë hajdutët, grabitësit, kolonët të ardhur nga territore të largëta të vendit dhe të vendosur në vendet urbane dhe turistike të vendit tonë. Politikanët shqiptarë me veprimet e tyre të pa matura dhe me arrogancën e pushtetit e kanë çuar urrejtjen dhe pakënaqësinë në shoqërinë shqiptare, atje ku nuk mban më. Ata i duan dhe i përkrahin sejmenët që mbajnë rreth vetes, duke krijuar privilegje dhe ata janë njerëzit që të bëjnë gjëmën. Ata e quajtën veten socialistë evropianë kur fitojnë socialistët dhe quhen demokratë, që nga koha e Xhorxh Uashingtonit, kur fitojnë demokratët. Ata harrojnë të thonë, se janë bijtë dhe bijat, ose shumë të afërm të atyre që zhytën Shqipërinë në një luftë të ashpër klasore. 
Flitet për korrupsion; kur një pari është në pushtet, bërtet tjetra?! Në opozitë bërtasin se na mbyti korrupsioni, po kur opozita vjen në pushtet, harrohen premtimet, se do të merren masa që të dalin para përgjegjësisë dhe drejtësisë të korruptuarit, do të luftohet korrupsioni se s’ka më si më përpara etj. Për fatin e keq të popullit, këta vijnë të uritur dhe të babëzitur për para dhe pasuri. Sa marrin zyrat dhe vulat, ahere lëshohen me tërë urinë e tyre duke u mbështetur tek forca e pushtetit dhe zhvatin hallexhinjtë që bredhin me dokumente në duar. Korrupsioni dhe degjenerimi politik është produkt i dy forcave të mëdha që mbajnë pushtetin. Kur dobësohet morali i njërës, zbret nga pushteti dhe ndihmon forcën tjetër të marrë pushtetin dhe që të dyja e mbajnë me të njëjtin parametër. Forcat që bien lënë zyrat dhe vulat, por paratë dhe pasurinë e grabitur e marrin me vete. Shqipëria, vendi i çudirave të mëdha. Kishim dëgjuar dhe lexuar për Indinë që është vendi i çudirave, por çuditë shqiptare kalojnë çdo imagjinatë dhe parafytyrim njerëzor. Në një vend ku ka lindur dhe është rritur njeriu, ku ka punuar dhe ka dhënë maksimumin e forcave të tij, ku ka vënë në dispozicion të shoqërisë nderin, moralin, personalitetin e tij, të familjes, ka investuar gjithçka për demokracinë edhe pse ka vuajtur nga padrejtësia e pushteteve, prapë kërkon drejtësi dhe tolerancë prej një shoqërie humane. Ndërsa kriminelit, hajdutit, intrigantit nuk i duhet gjë, vetëm rrëmben gjithçka nga ajo që ka mbetur. Ne, të burgosurit politikë dhe e gjithë klasa e shpronësuar, jemi parë gjithmonë me sytë dhe ndjenjën e urrejtjes nga politika shqiptare. Por neve e kemi urryer dhe do ta urrejmë më tepër, se mësimet na i kanë dhënë vet ata. Ne e kemi urryer atë sistem dhe s’u trembëm dhe s’u mbrapsëm kurrë edhe pse na vrau e na dëmtoi shumë. Edhe kur filluan të frynin erëra të buta për të shkrirë akujt e ngrirë të Evropës më 1973, politika shqiptare, kryeneçe dhe intolerante, qëndroi fanatike duke mbrojtur utopizmin në mosmarrje pjesë në Konferencën e Helsinkit. Ndërsa ne, të burgosurit politikë, edhe pse ishim nën kthetrat e përgjakura të politikës shqiptare, shpërthyem në revoltë në ferrin e Spaçit, se ishim pjesë përbërëse evropiane. Historikisht është vërtetuar se, popujt nuk i kanë drejtuar kurrë as heronjtë e as filozofët, por njerëzit e errësirës, ata që veprojnë në kulisa, në kohë lufte revolucionare, ose kthesa të mëdha politike. Shumë njerëz largpamës mbeten robër të botëkuptimit të të tjerëve tradicionalisht. Ndryshimet e mëdha të komunizmit më 1990, ndryshonin ekuilibrin ideologjik-ekonomik, ato u ndalën para kapërcimit të kufijve politikë dhe ideologjikë, ashtu dhe psikologjikë, të një shteti teokratik, i cili nga vetë struktura e tij, refuzonte të ndryshonte ekuilibrin e forcave që kishin kultivuar drejtë një perandorie të kuqe. Sa për fuqinë revolucionare, për aftësi që të zhvendosnin një formë organizimi të shoqërisë me një tjetër, kjo nuk u shkonte nëpër mend kurrë, se komunizmi do të konsumohej dhe do të ndryshonte. Prandaj asnjëri nuk meriton të mbetet në histori për cilësi të larta si burrë shteti, sepse gjatë ekzistencës së komunizmit i kanë bërë mbrojtje dhe hosanara dhe ky është faji i të gjithëve që e kanë ruajtur dhe mbrojtur atë si dhuratë të shenjtë. Asnjë individë , apo grup individësh mos ta mburrin veten pas vitit 1991 se është faktor primar në rrëzimin e komunizmit. Komunizmin e rrëzoi koha, konsumimi i tij mbi popujt me kombësi të ndryshme, me temperament psikologjik, kulturor –ekonomik, me një histori rrjedhëse në shekuj mbi zhvillimet e tij tradicionale. Komunizmit iu bë një farë modifikimi në ideologji, ekonomi, kulturë, në zhvillimin e përgjithshëm, por ai nuk mundte dot më të rezistonte pavarësisht modifikimit; aq sa mund të modifikohet zhapiku me krokodilin edhe pse sipas renditjes biologjike futen në një familje, krokodili ngelet krokodil dhe zhapiku, zhapik. Luani ngelet luan në xhungël dhe macja, mace poshtë sofrës apo tavolinës. Nëse do të kishte burra trima me histori harakiri dhe të kishin rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës me revolucion ose me evolucion të shpejtuar dhe sidoqoftë mbas vitit 1960, burrë ose grup burrash, do të kishin merita të mëdha prej popullit të tyre. Ashtu siç u ngritën revolucionarët grekë të vitit 1970-’71 që rrëzuan monarkinë e vendosur qysh më 1833, mbas revolucionit të vitit 1821. Ndofta Greqia përjetoi ngjarje të rënda, por monarkia u zhduk dhe fitoi republika, organizimi i kohës në të gjithë botën. Ashtu siç u zhduk monarkia franceze qysh më 1793 me revolucione dhe luftëra deri më 1848 kur fitoi republika për mos t’u kthyer më monarkia. Çdo regjim ka besimtarët dhe nostalgjikët e vet fanatikë, por historia e zhvillimeve ecën gjithmonë përpara, sado që pengohet. Ma merr mendja se njerëzit nuk do të merren më me ikona dhe bronze, por me realitetet e kohës. E qartë është, që Shqipëria ngeli gjithmonë një vullkan në shpërthim, krateri rri gjithmonë i hapur, herë nxjerr tym dhe herë llavë dhe kurrë nuk ka për t’u shuar… Ju faleminderit për ardhjen e vështirë në vendin e vuajtjeve të mëdha! 

Xhemal BALI Spaç, më 21 maj 2008
Sigal