Në kujtesë të skënderbegasve

1918
Rexhep Gani Alimemaj
Shkolla Ushtarake “Skënderbej” në 73 vjetorin e krijimit
73 vjet më parë më 28 mars 1945, për herë të parë u hapën portat e fidanishtes së ushtrisë shqiptare. Të parët që u ulën në bankat e saj, ishin 200 pionierë që vinin nga radhët e reparteve partizane. Ndër ta ishin edhe pesë vajza, si Veronika Muzaka, Katerina Prifti, Xhevaire Golemi, Bukurie Malo etj. Komandanti i parë i shkollës Thoma Frashëri thirri një staf të zgjedhur pedagog e komandues, me të cilët përshkroi historinë e ditëve dhe viteve të para të jetës së shkollës. Kanë mbetur të nderuar në kujtesën e skënderbegasve, emrat e kuadrove të parë, drejtor shkolle Dule Pashai, komandant Isuf Babaj, Shuapi Laze, Filip Stefani, Kadri Mullai, Miço Kola, si dhe mësuesit Pavlina Grabocka, Kadri Kopliku, Selman Tafa, Hamdi Cani, Arqile Kondi etj. Viti i parë stërvitor nuk dallonte shumë nga një betejë luftarake. Nuk kishte asnjë laborator, asnjë bazë material, por kishte shumë vullnet e këmbëngulje. Plot vështirësi ishin dhe vitet në vijim, por falë punës pasionante plot përkushtim të kuadrove Thoma Frashëri, Xhemal Shehu, Luto Haxhiu, Sotir Polena, Stavri Angjeli, Fiqiri Shtëpani, Sadete Kasa, Bajram Shatku etj. Çdo gjë u kapërcye duke kristalizuar përvojën e një shkolle me standard. Më 19 nëntor 1946 për herë të parë kuadratet e skënderbegasve parakaluan në bulevardin e Tiranës, duke fituar admirimin e të gjithë qytetarëve. Nuk ishte e rastit që ky parakalim u nderua me flamurin e paradës për bukurinë, gjallërinë e estetikën e demonstrimit. Në vitin 1953 shkolla u pajis me laboratorin e fizikës dhe të kimisë. Në vitin 1954 e diplomuan maturantët e parë, për të cilët unë isha skënderbegas në vitin e dytë gjimnaz. Kujtoj se nga 19 prej tyre që vazhduan studimet në Shkollën e Lartë Ushtarake, gjashtë ndër ta nisën Fakultetin e Mjekësisë. Komandant i këtij brezi ishte Agim Tepelena. Vitet që pasuan sollën zgjerimin e infrastrukturës me ndërtesa e laboratorë të rinj, me kabinete e mjete mësimore bashkëkohore. Shkolla ushtarake “Skënderbej” ka qenë e njohur në historinë e arsimit të mesëm për cilësinë e mësimdhënies dhe nivelin e lartë të përvetësimit nga efektivi. Nga e kaluara nuk trashëguam sa një shkollë ushtarake, prandaj ajo do të ishte një organizim i ri, si në formë, ashtu dhe në brendinë e në qëllimin e saj. Në përgatitjen ushtarake, rëndësi kishte stërvitja rreshtore e taktike dhe përgatitja fizike. Në shkurt të vitit 1947, shkolla e pionierëve mori emrin Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Skënderbegasit ish partizanë të zbukuruar në gjokset e tyre me medaljen e “Trimërisë” dhe me krenari tregonin se ata kishin qenë pjesëmarrës në një epope të lavdishme të popullit tonë. Ashtu si në luftë kalonin nga fitorja në fitore, edhe në shkollë kalonin nga suksesi në sukses.

Krenar për shkollën ushtarake “Skënderbej”
Gjithmonë kam pyetur veten se ç’është ajo forcë magjike që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë na shton mallin e dashurinë për shkollën ushtarake “Skënderbej”, së cilës të gjithë ne që kemi kaluar në bankat e saj, vitet e moshës më të bukur. I detyrojmë brumosjen tonë si kuadro e qytetarë e mbi të gjitha edukimin me veti të larta morale, ku duke gdhendur në zemrat tona me germa të arta, kryefjalën Shqipëri! Na ka dhënë shumë në drejtën që duke përballuar me kurajë rrebeshet e jetës, jo vetëm që të mos turpërohemi asnjëherë, por dhe të ndjehemi krenar. Kjo shkollë si një nënë e mirë dhe e kujdesshme, na mori qysh fëmijë në gjirin e saj të ngrohtë e duke na mbajtur përdore, na tregoi rrugën e ndershme se nga duhet kaluar, për të kryer me ndërgjegje të lartë detyrat para popullit e Atdheut. I jemi veçanërisht mirënjohës për kulturën me të cilën na pajisi, karakterin burrëror, përkushtimin dhe iniciativën në punë, kalitjen fizike-ushtarake dhe shpirtin e pastër poetik.

Respekt për Sadete Kasën, Stavri Angjelin dhe Ismet Bellovën
Mësuesit ishin shumë të përgatitur, shumica kishin mbaruar studimet e larta jashtë shtetit si në Itali, në Austri, në Francë në vitet 1930-1940 dhe pas çlirimit në Bashkimin Sovjetik, në Poloni, në Hungari, në Çeki etj. Unë kujtoj me mirënjohje e respekt të gjithë mësuesit që na dhanë mësim gjatë atyre viteve të parë të shkollës. Por veçanërisht në kujtesë Sadete Kasa, do të thosha e madhja Sadete, ishte pedagoge brilante, një mësuese e re, e pasionuar pas lëndës së letërsisë. Ngeleshim me gojë hapur kur ajo zhvillonte mësimin e saj. Ku e gjente atë pasion? Ç’e shtynte të transformohej në Pushkin, Molier e në Homer?! Respekt, o mësuesja jonë e atyre viteve. Gjatë shpjegimit të mësimit, lëvizte në klasë, na vinte te banka ku ishim ulur, na përkëdhelte flokët e ne rriteshim më shumë, hiqnim emocionet dhe ngushtoheshin distancat që janë të zakonshme midis mësuesit dhe nxënësit. Në fillim të vitit 1948, shkolla “Skënderbej” kishte një kryedrejtor shembullor, deri sa doli në pension, Stavri Angjelin. Ky ishte një drejtor i papërsëritshëm, nuk ngriti një herë zërin ai njeri! Gjithmonë midis nxënësve. Me duart mbi spaletat tona. Edhe ne e respektonim siç e meritonte. Faleminderit, faleminderit u themi edhe sot këtyre njerëzve pavarësisht se nuk jetojnë më! Duke përgatitur djem me të tilla cilësi kjo shkollë u bë, jo vetëm fidanishtja e ushtrisë, siç jemi mësuar ta quajmë. I paharruar për ne skënderbegasit ngelet mësuesi i edukimit fizik Ismet Bellova, i cili zhvillonte shumë veprimtari, të cilat i zhvillonte me pasion. Paradite e pasdite e gjeje në këndet e pasura sportive, në fushën e futbollit, në palestër etj. ai na mësonte deri edhe vallëzim. Shumë gjëra të fizikut tonë ia dedikojmë punës së këtij njeriu shembullor. Kalitja që na bënte ndikoi në përballimin e vështirësive gjatë detyrave të ndryshme që kryem. Sa herë që e takojmë i përulemi me nderim e respekt. Jetë të gjatë i dashur dhe i nderuar mësues e profesor Ismet Bellova. Zëri yt le të çajë për shumë kohë në efir transmetime sportive.

Kur festuam përvjetorin dhe pritëm Zhukovin
Më kujtohet mirë mbledhja solemne me rastin e 12-vjetorit të krijimit të shkollës në vitin 1957. Në shkollë u organizua një ceremoni e bukur ku morën pjesë dhe gjeneralët Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Rrahman Përllaku, Hito Çako, Et’hem Gjinushi etj. Në sallën e kinemasë së shkollës përshëndeti gjeneral kolonel Beqir Balluku. Më pas gjeneralët dolën në një fotografi, e cila u botua në gazetën “Luftëtari”, për të ilustruar shkrimin “Skënderbegasit në festë”. Në vitin 1957 erdhi për vizitë në Shqipëri, Marshalli i Bashkimit Sovjetik Zhukov, marshalli legjendar katër herë Hero i Bashkimi Sovjetik, njeri që së bashku me Stalinin, përballuan nazizmin gjerman në vitet e Lufëts së Dytë Botërore. Ai bëri një vizitë në shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe Shkollën e Bashkuar, ku e pritën siç e meritonte një marshall hero. Atij i pëlqeu shumë shkolla, ambienti i bollshëm, gjelbërimi, rregulli dhe gjithçka që pa. ndaj unë jam krenar për shkollën time të mesme ushtarake “Skënderbej”. Unë aty i kam kaluar 5 vjet në bankat e saj. Kam kaluar vitet më të bukura të moshës aty dhe ia dedikoj brumosjen time si kuadro e qytetar e mbi të gjitha edukimin me veti të tilla morale, duke gdhendur në zemrën time me germa të arta. 

Matura e klasës “B” në vitin 1958
Shkolla u bë gjimnazi më cilësor në kryeqytet dhe në tërë Republikën. Kultura me të cilën u pajisën skënderbegasit dhe që u plotësua në shkollat e tjera civile e ushtarake dhe akademi brenda dhe jashtë vendit, ku shumë prej tyre arritën rezultate të shkëlqyera, rrezatoi dhe më pas me tërë forcën e vet, në tërë repartet dhe efektivat e ushtrisë. Në vite nxënësit e kësaj shkolle u bënë kuadro të shquar të të gjitha rangjeve, në drejtimin e llojeve të ndryshme të armëve, si tokësorë, ajror dhe detarë. Me dhjetëra janë ata që kanë fituara tituj dhe grada shkencore, apo janë bërë shkrimtarë të dëgjuar. Kujtoj me dashuri e respekt shokët e klasës në vite të shkollës. Pamje nga matura e klasës “B” në vitin 1958, kontingjent i Ministrisë së Mbrojtjes: Rexhep Alimemaj, Shaban Xhebraj, Kutel Çino, Asqeri Emini, Azem Lamaj, Bajram Kafeja, Hysen Serani, Kujtim Lumani, Luto Memushi, Juf Bobçi, Hasan Jonuzi, Vaskë Ziu, Llukan Prifti, Idel Prifti. Kontigjent i Ministrisë së Brendshme: Dhiogjen Gjergji, Tajar Ramadani, Rustem Shakaj, Abedin Demiri, Aleks Mero, Asqeri Kapaj, Braho Llapi, Eqerem Barba, Jorgo Moçka, Sotiraq Gjylameti. Në atë shkollë, me ata eprorë dhe mësues, mësuam të ruanim traditat, kulturën, të zbatonim ligjet. Ata s’ishin thjesht eprorë dhe mësues, por edhe prindër, motra, vëllezër, shokë dhe edukatorë, pa të cilën nuk do ishim bërë kuadro të mirë, nuk do të përballonim dot mallin ndaj familjeve tona. Për të përballuar këto e të tjera, na brumose, ti o shkollë dhe ju të nderuar eprorë e mësues. Ky edukimi yt, qëndroi e do të qëndrojë gjatë tek ne, të jesh e sigurt për këtë.
Sigal