Arbitrat nga sistemi, risia sekrete që po mbulon mangësitë

377
Nga Andrea KOLA
FSHF-DUKURIA/ Duke iu referuar vetëm javës së 26-të të Kategorisë Superiore, ja si shfaqen efektet e një projekti 
Duke qenë se gjatë javës së 26-të të Kategorisë Superiore arbitrat u bënë protagonistë në disa ndeshje, njëherësh edhe duke kujtuar mënyrën se si ata përcaktohen nga sektori përkatës në FSHF, sjellim si fillim idenë se, efektet e kësaj risie po rezultojnë me mangësi. Për kujtesë, në FSHF aplikohet një rregull, i cili synon që të evitojë keqkuptimet, ngacmimet, tentativat për manipulim etj. Kështu, emrat e arbitrave për ndeshjet e Superiores publikohen vetëm në ditën e ndeshjes, madje nëpërmjet një sistemi elektronik. Parë në këtë mënyrë, ky duket një rregull normal, ndoshta duke parë edhe ritmikën e garës, apo edhe maninë shqiptare, që arbitrat telefonohen, takohen, manipulohen apo kërcënohen. Ka ndodhur shpesh kështu, ndaj në këtë këndvështrim, kjo nuk është një formë e keqe. Por, ky rregull në dukje konspirativ, rrallë herë zbatohet si i tillë, aq më shumë në Kategorinë Superiore ku përgjegjësia e ndeshjeve është më e lartë, sepse edhe nga sistemi, emrat ka rezultuar të dalin shumë shpejt në “ajër”. Ky është një rregull që funksionon vetëm për futbollin shqiptar, sepse në kampionatet e vendeve të tjera në Rajon dhe Evropë, zyrtarët e ndeshjeve të futbollit njoftohen 24 orë para zhvillimit të tyre. Gjithsesi, për të dalë te ideja e kësaj dukurie, efektet e kësaj risie kanë rezultuar me mangësi. 

Së pari, sepse asnjëherë nuk kanë qenë të pa mësuar emrat e tyre një ditë para çdo ndeshjeje. 

Së dyti, sepse kjo formë e caktimit të arbitrave, po iu jep atyre shumë krahë në kuptimin e zbatueshmërisë së rregullores nga ana e tyre. Sepse shpesh ata po shfaqen sikur caktohen nga “Galaktika”, ndërsa në fushë e jashtë saj, deklarojnë edhe për presione një ditë më parë, ose orë më parë se të fillojë ndeshja. Pra, prej tyre “tradhtohet” sistemi, që së bashku edhe me performancën në fushë, “çimentohen” si mangësia më evidente. Dhe risia tjetër që është paksa e dyshimtë për tregun mediatik, e më pas për të gjithë ata që janë të interesuar për futbollin shqiptar, është fakti se, asnjëherë nuk publikohen komunikata zyrtare për dënimet që Komisioni i Gjykimit në FSHF merr për arbitra të veçantë apo edhe për aktivitetin e këtij sektori për emra të veçantë në të tilla raste. Natyrisht që, kur ka raste sikundër edhe në javën e 26-të të Kategorisë Superiore, këto duhet të tregojnë edhe standard, por edhe profesionalizëm, sepse po të zbresësh në nivele e kategori në të ulëta, nga veprimet e arbitrave mund të konkurrosh edhe për çmimin “Guinnes”. Kësisoj, sistemi që FSHF-ja ka përdorur në vitet e fundit për caktimin e arbitrave, nuk i ka ndihmuar ata që ta ndërtojnë sa më realisht psikologjinë e gjykimit të skuadrave në fjalë. Gabimet e tyre e prishin bukurinë dhe imazhin e futbollit, ndaj më mirë është që një arbitër të ndëshkohet, se sa futbolli të marrë tatëpjetën nga skandalet e tyre. Kujdes, se arbitrat shqiptarë janë bërë sikur po vijnë nga Spanja apo Italia, ndërsa në fushë ndonjë herë duken sikur vijnë nga Bangladeshi!
Ky është një rregull që funksionon vetëm për futbollin shqiptar, sepse në kampionatet e vendeve të tjera në Rajon dhe Evropë, zyrtarët e ndeshjeve të futbollit njoftohen 24 orë para zhvillimit të tyre
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 27-të
Datë 28 mars 2018
Flamurtari-Kukësi
Kamza-Partizani
Luftëtari-Lushnja
Teuta-Laçi
Vllaznia-Skënderbeu

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 26 60
2. Kukësi 26 45
3. Laçi 26 42
4. Luftëtari 26 37
5. Flamurtari 26 37
6. Partizani 26 36 
7. Kamza 26 34
8. Vllaznia 26 27
9. Teuta 26 26
10. Lushnja 26 10