Ndërtimet pa leje poshtë digave, ja ku rrezikohen jetët njerëzore

1045
Leonard VEIZI
INTERVISTA II/ Akademiku Farudin Hoxha, parashtron rrezikun që mund të vijë nga amortizimi i digave ujëmbledhëse 
(vijon nga numri i kaluar)
Një pjesë e mirë e jetës së tij ai e ka kaluar në kantieret e ndërtimit të digave të mëdha. Ndaj dhe sot, e ndjen krejt organike të shqetësohet për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Dhe duket se ky shqetësim vjen pikërisht në çastin e duhur. Atëherë kur nuk ka ndodhur asgjë. Megjithatë, këmbanat e alarmit tashmë kanë rënë. Por, për fatin tonë të mirë, jemi ende në kohën kur gjithçka mund të mbahet nën kontroll, nëse ndërhyet atje ku duhet dhe ashtu siç duhet. Sepse, nëse katastrofa ndodh, humbasin jetë njerëzish dhe shkatërrohen të mirat materiale, çdo gjë tjetër do të ishte i kotë. 
Ato nuk janë pak por 650 diga në të gjithë Shqipërinë nga të cilat 306 prej tyre njihen si diga të mëdha. Por duket se e keqja nuk është vetëm tek administrimi dhe mirëmbajtja e tyre, por dhe tek ndërtimet e pakontrolluara që shumë shtetas shqiptarë, kanë bërë në rrethinat e tyre. Në këto kushte edhe rreziku bëhet më i madh. Të gjitha këto si dhe masat që duhet të merren për të pasur nën kontroll situatën, flet ekskluzivisht për “Telegraf” njeriu i hekurt i ndërtimit të digave, akademiku Farudin Hoxha:

Cili është niveli i mirëmbajtjes së digave vitet e fundit?
Me keqardhje digat dhe ujëmbledhësit e tyre, nga viti 1990 e këtej, tranzicionin e shoqërisë tonë e kanë përjetuar me shumë probleme të mëdha për qenien e tyre. Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive, kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Në to, për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi. Një pjesë e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt kërkon nga shfrytëzuesit të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të digave, për të garantuar sigurinë dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejt i të mirave që ato japin dhe i pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen. 

Ku qëndron defekti më i madh në administrimin e digave?
Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat që vijnë prej saj, të mbeten një rrezik real potencial shumë i madh. Mosha relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i pakët për to, ka bërë që një pjesë e elementëve përbërës të tyre, të kenë humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike të portave, saracineskave, e pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë premisa për ndodhi të rrezikshme në këto vepra.

Ku është më alarmante kjo gjendje?
Gjendjen e sigurisë se digave veçanërisht në sektorin e bujqësisë e rëndoi edhe më shumë kalimi i tyre në nën administrimin dhe shfrytëzimin e shoqatave të Përdorimit të Ujit, të cilat jo vetëm që kanë qenë fare të papërgatitura për këtë detyrë, por nuk kanë treguar as më të voglin interes për mirëmbajtjen e tyre. Me përjashtime shumë të rralla, shoqata dhe organizatat që sot merren me përdorimin e ujit, nuk kanë mjetet dhe mekanizmat e domosdoshëm për të shfrytëzuar e mirëmbajtur objekte të tilla. Digat dhe rezervuarët teknikisht duhet të menaxhohen nga specialiste që përgatitjen e duhur, ndërsa organizatat e mësipërme të jenë blerës të ujit.

A ka diga që tanimë kanë dalë jashtë funksionit? 
Shumë diga të bujqësisë, me rezervuarët që kanë krijuar kanë humbur aftësinë ujitëse të tyre për shkak të mbushjes së rezervuarëve me sedimente të ngurta. Në të tilla raste, një dëmtim apo prishje eventuale e digës, do të shkaktonte përmbytje me pasoja të rënda për njerëzit dhe të mirat materiale sepse rrjedha ujore mund të kalojë dhe mbi digë, veçanërisht kur ka reshje të mëdha. Për digat që kanë humbur aftësinë ujitëse për shkakun që thamë më sipër duhet domosdoshmërisht të bëhen studimet dhe projektet përkatëse për abandonimin e tyre. Studimi dhe projektimi për abandonimin e digave është një proces teknik i vështirë, sepse lidhet me shumë faktorë që duhet të merren parasysh. Mendoj se ka ardhur koha që atyre me akte dhe vendime ligjore t’u ndryshohet qëllimi fillestar i destinuar, duke i konsideruar vepra jo ujitëse, por me funksione të tjera.

Po digat e hidrocentraleve të mëdhenj, sa të sigurta janë?
Digat e HEC-ve dhe veçanërisht ato të kaskadës se lumit Drin janë ndërtuar me teknologjinë e kohës dhe paraqiten mjaft më të sigurta. Kujdesi për to ka qenë më i madh. Megjithatë në këto vepra ka probleme të cilat cenojnë sigurinë e tyre, veçanërisht në veprat anekse, siç janë shkarkuesit e prurjeve të mëdha dhe gërryerjet ne anën e poshtme të tyre. 

Sa kanë ndikuar lëvizjet demografikë që kanë bërë ndërtime në afërsi të digave?
Problem i madh që duhet pasur parasysh me prioritet absolut, të cilit po me prioritet absolut duhet t’i jepet zgjidhje është ngritja e qendrave të reja të banimit në luginat poshtë digave. Kjo lëvizje e pakontrolluar e popullsisë, për të cilin sipas nesh përgjegjësi mban pushteti qendror e sidomos ai lokal, ka bërë që këta njerëz, të cilët kanë ardhur dhe janë vendosur në këto vende për një jetë më të mirë t’i ekspozohen një rreziku të madh, duke u vendosur me banim ne hapësirat nën digat ekzistuese. 

Janë bërë studime në këtë drejtim?
Në kohën kur këto diga janë projektuar, nuk është marrë parasysh prania e qendrave të banuara sepse ato nuk ekzistonin dhe nuk parashikoheshin të ndërtoheshin. Këto raste duhet të shihen nga shfrytëzuesit e digave dhe pushteti lokal një për një, dhe të jepet zgjidhja e duhur për parandalimin e katastrofave të mundshme, mbi të gjitha të atyre njerëzore. Për shkaqet e përmendura më lartë lidhur me rreziqet që paraqet qëndrueshmëria e këtyre digave duhet që me akte ligjore të posaçme të rishihet klasa e veprës dhe e si dhe të parashikohen punimet shtesë që duhen kryer për rritjen e sigurisë së tyre.

Cili është roli i pushtetit lokal në këto raste?
Pushteti lokal, nëpërmjet strukturave të tij jo vetëm që duhet të ushtrojë kontrolle periodike për të parë në vend zbatimin e ligjshmërisë për mënyrën e shfrytëzimit të këtyre veprave dhe mirëmbajtjen e tyre, por mbi të gjitha për gjendjen fizike të tyre dhe sa të sigurta janë, sepse ato mbartin rrezik potencial të përhershëm për katastrofa njerëzore dhe ekonomike. Këto duhet të jenë gjithnjë nën kontroll dhe në vëzhgim të përhershëm ashtu siç veprohet në çdo vend të botës që ka vepra të tilla, aq më shumë tani që akte terroriste mbajnë nën kërcënim mjaft vende të globit. Në këtë proces nuk mund të jenë indiferent dhe publiku u gjerë, deri tek qytetari i thjeshtë. Ata kanë gjithashtu mënyrat dhe rrugët për të kontribuar në ruajtjen e kësaj pasurie dhe për mënjanimin e katastrofave të ndryshme.

A njihen shumë raste të katastrofave të kësaj natyre në botë?
Prishjet e digave dhe pasojat katastrofike të ndodhura në vende të ndryshme të botës nuk janë të pakta. Analiza e shkaqeve dhe nxjerrja e mësimeve për t’i mënjanuar ato duhet të jenë objekt i punës së specialistëve të kësaj fushe dhe veçanërisht i atyre që merren me administrimin dhe shfrytëzimin e tyre. 

Mendoni se duke përmendur fakte të tilla ngjallet më shumë panik?
Përmendja e katastrofave nuk synon ngjalljen e panikut, por shikimin e realitetit në sy, me qëllim që të ndërgjegjësohemi të gjithë për vlerat e mëdha që kemi në përdorim dhe për pasojat e rënda që mund të shkaktojmë. Të gjithë, brenda kuadrit ligjor, jemi detyruar të punojmë dhe të kontribuojmë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin optimal të kësaj pasurie.
KATASTROFAT
Si janë përmbytur Italia e Franca
Duket e pabesueshme por është e vërtetë. Shpërthim të digave ujëmbledhëse ka pasur dhe në vendet e zhvilluara Evropiane madje dhe në Amerikë. Duke iu referuar rasteve të tilla akademik Farudin Hoxha thotë: “Nuk duhet harruar se katastrofa me pasoja shumë të rënda ekonomike, dhe veçanërisht njerëzore, nuk kanë kursyer as vendet më të zhvilluara si SHBA, France, Itali, Spanjë etj., ku kultura e studimit, projektim-it, ndërtimit dhe veçanërisht e shfrytëzimit dhe e mirëmbajtjes së digave, është në një nivel shumë më të lartë, të pakrahasueshëm me atë në vendin tonë. Në kushtet e realitetit shqiptar, nga ana e institucioneve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në projektimin, ndërtimin, ndërtimin administrimin dhe shfrytëzimin e kontrollin e digave/dambav, duhet të kenë një përgjegjshmëri të lartë në punë. Byrotë e projektimit dhe ndërmarrjet e ndërtimit duhet të përdorin teknika dhe teknologji bashkëkohore. Administruesit dhe shfrytëzuesit e këtyre veprave duhet të rrisin nivelin cilësor të specialistëve dhe të ngrenë kulturën e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tyre si dhe të jenë korrekt në zbatimin e rregullave e udhëzimeve përkatëse që ka legjislacioni në vendin tonë. Organet e kontrollit duhet të ushtrojnë kontroll cilësor, të bëjnë punën sensibilizuese, por mbi të gjitha të kërkojnë zbatimin me rigorozitet të ligjit Për administrimin dhe shfrytëzimin e këtyre veprave, njerëzit duhet të zgjidhen. Ata duhet të jenë specialistë të profilit, nga më të mirët që ka vendi. Këto vepra nuk janë për t’i gjetur punë njeriut, por për t’i gjetur njeriun punës”.
EPILOGU
Të ndryshohet legjislacioni në fushën e administrimit të digave
“Në këtë intervistë u përpoqëm të vëmë në dukje disa nga çështjet më të mprehta që janë sot në fushën e ujërave të ëmbla dhe trajtimin e tyre me rezervuarët që krijohen nga ndërtimi i digave, vlera e tyre dhe rreziqet që paraqesin. Është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që në një intervistë si kjo të trajtohen dhe të shterohen të gjitha problemet që shqetësojnë. Në përmbyllje të kësaj interviste do të dëshiroja të theksoja se mbështetur në përvojën e grumbulluar në këto 15-20 vitet e fundit ndoshta është e nevojshme të analizohet puna e kryer si dhe legjislacioni e ndërtimi institucional në këtë fushë me synimin që të eliminohen ato të meta të cilat nuk janë të pakta dhe që sot pengojnë për të bërë vepra plotësisht të sigurta dhe shumë më të dobishme. Kjo është një nga temat më të rrahura e më të diskutuara në forume e kongrese ndërkombëtare e Botërore. Është e domosdoshme që legjislacioni në fushën e administrimit të shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes së digave, jo vetëm të përputhet me atë të rezervave ujore, por kërkesat ndaj shfrytëzuesve administratorëve dhe përdoruesve të tyre si dhe përgjegjësit e detyrimit që ata duhet të kenë duhet të të bëhen shumë më të mëdha dhe mjaft më të rrepta”, thotë akademik Farudin Hoxha gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”.
Mali i Zi ka dy TECe. Sllovenia ka tre Tece.Greqia ka Tece pa fund.Greqia Tecet ia ka ndërtuar Gjermania Perëndimore, rusia. Greqia ka ndër qymyrët më të mirë në Europë. 
Po qymyri ynë a është i kërkuar. Nuk janë të interesuar të huajt që të vazhdojnë punën?
Jo.Sepse sot i bëhet luftë qymyrit.Sot qymyri duhet eliminuar nga përdorimi.Prandaj edhe termocentralet sot nuk janë të kohës, dhe nuk ndërtohen me përjashtim të atyre vendeve që janë superfuqi si Amerika, Kina,Rusia, Turqi.Sepse termocentralet përdoren për prodhim të energjisë elektrike dhe për prodhim të armëve. Ndaj ka humbur intersi për qymyrin shqiptar. Edhe vetë ne nuk kemi më Tece. 
Sot litet shumë për ujin e pijshëm. Vërtet jemi shumë të lakmuar për ujin?
Italia e Jugut ka tre orë ujë në ditë në verë. Ne alarmohemi kur nuk kemi disa orë ujë. Uji është problem botëror. Italia është gëlqerorë siç është Gjirokastra.Gjirokastra nuk ka një pus, por sterra. Pusi ëshët kur uji del nga gërmimi, ndërsa sterra mbledh ujin e shiut. Gjirokastra është një nga vendet më ekstreme në Shqipëri që ka verë të nxehtë dhe dimër të ashpër.Reshjet më të mëdha në Shqipëri janë në alpet e veriut dhe në zonën e Jugut. Alpet e veriut shkojnë deri në 3300 mm shi në vit. Gjirokastra shkon deri në 2000 mm shi në vit.

-A do ketë përparësi energjia diellore?
Çdo gjë që transformohet ka rendiment tjetër. Energjia e diellit është energjia më e madhe që ka globi. Që të marrësh energjinë e diellit do ta marrësh në formë nxehtësie. Mund ta marrim me panele diellore. Në botë vendet e pazhvilluara harxhojnë më shumë energji për konsum familjar se sa vendet e zhvilluara. Për konsum familjar vendet e pazhvilluara harxhojnë 60% të energjisë. Vendet e zhvilluara pa dyshim që konsumojnë më tepër, por për industrinë. Ne në ditë nuk i arrijmë dot 2 mijë kilovatorë për banorë. Gjermania konsumon 15 mijë pra 8 fishin tonë. Pra ne harxhojmë më shumë për konsum familjar në krahasim me vendet e zhvilluara. Ato kanë metarlugji që prodhon 365 ditë të vitit, sepse metarlugjia nuk mund të ndërpritet. Ata punojnë me turne dhe nuk kanë ndërprerje pune. Që të prodhosh një ton metal do 5 mijë kilovatorë. Vendet e mëdhaja që prodhojnë shumë çelik harxhojnë shumë kilovatorë. Ne harxhojmë më shumë për konsum familjar sepse nuk kemi industri, prodhim. Ai prodhon 10 fishin tonë.

-Tendenca sot është për energjinë elektrikë ga hidocentralet, termocentralet apo diellore?
Energjia duhet të prodhohet nga burime të rinovueshme.p.sh.Uji është burim që ne e konsumojmë por ai vazhdimisht rinovohet, kjo quhet e rinovueshme. Sepse bie shi dhe uji rivjen. Por edhe era është burim i rinovueshëm. Burim i parinovueshëm është qymyri, druri. Nuk është e lehtë të prodhohet energjia, ajo don teknologjinë e tyre. Dielli është burimi më i madh i energjisë në rruzullin tokësorë.Ne nuk shfrytëzojmë as 1% të energjisë diellore. Por edhe me aq sa ne shfrytëzojmë mbulojmë dhe kursejmë një pjesë të mirë të energjisë.Për konsum familjar ajo është energjia më e lehtë.Kemi edhe energjinë e ujit të ngrohur siç janë llixhat. Nqs ajo vjen në shtëpi ëshët kursim I madh. Njerëzit sot duhet ta shfrytëzojnë që të kursejnë. Njerëzimi ka nevojë të madhe për energji dhe është një nga defiçitet që ka sot njerëzimi, dhe që do të vuajë shumë më tepër në të ardhmen për energjinë dhe për ujin e pishëm.Në rruzullin tokësor 2-3 % është ujë i ëmbël dhe përqindja tjetër është ujë i kripur. Për ujë të pishëm sa vjen dhe shtohet kërkesa.Problemet që ka njerëzimi janë të mëdhaja.

Kush janë lënë në mëshirë të atit në Shqipëri, cilat rezerva natyrore?
Pyjet. Pyjet janë metalurgji prodhimesh. Sa kalon Qafë-Thanën dhe futesh në Maqedoni është natyrë tjetër.Sepse çdo zonë ka rojtarët e vet. Kjo varet nga mirëmbajtësit e pyllit.Ata kanë mirëmbajtje të çdo peme me numër.Pylli është një kombinat i madh pa fund. Pylli ka mishin dhe lëkurën e kafshëve të egra pa fund, si derrin, kaprrolli, dhelprën. Në lezhë ka pasur derra të egra pa fund dhe tani aty nuk janë më sepse filluan të presin pyllin. 

-Prerja e këtyre a ka ndikuar shumë në Shqipëri?
Ka ndikuar në pyje.Toka është një betonarme. Rënëjt e pemëve e bëjnë të patundur tokën.Toka rrin në krye.Pylli nuk është vetëm që e bën zero eurozionin..Pylli është një rezervuar i madh i lagështisë dhe i ujit.Në vendet ku ka pyje në behar vazhdon e rrjedh uji. Pylli është një kompleks industrial që ka disa uzina dhe disa fabrika.Duke filluar nga kërpudhat, që nuk shiten në Shqipëri, ndërsa në vendet e perëndimit ato janë me shumicë.Aty ku ka pyje ka reshje.Pyjet në zonat tona malore janë të zhveshura.

– Po lumenjtë e jugut janë më të pastër se sat ë Shqipërisë së mesme?
Ndotja ka filluar në të gjithë Shqipërinë.Mbeturinat e spitaleve të Gjirokastrës janë në lumin Drin . Dhe thonë kush futet në lumin Drin njerëzit janë mbushur me plagë, dhe janë shtruar në spital. Për këtë emisionet televizive të kenë një propagandë të paktën dy orë në ditë. Këto nuk janë vetëm edukuese por kanë edhe sensin shkencor brenda.
Sigal