Mustafa Koçerri/ Përkushtimi dhe sakrificat e ushtarakëve ende nuk po vlerësohen dhe paguhen nga qeveria

796
Sigal

Pa dashur të ngre vlerat e ushtarakëve që i kanë shërbyer Atdheut për shumë e shumë vite që nga çlirimi i vendit e deri më sot, po përmend më poshtë disa nga shumë reparte e nënreparte para viteve ‘90, ku shumë prej tyre kanë sakrifikuar me plotë kuptimin e fjalës duke punuar me përkushtim ditën dhe natën.

     Në mesin e kreshtës së malit të Tomorit në lartësinë 2400 m mbi nivelin e detit, për shumë vite ka qenë e vendosur një pikë e ndërlidhjes, kuptohet në këtë lartësi edhe në behar gjen borë,pa le në dimër që godina e gjithë mbulohej krejtësisht. Për shkak të kushteve të vështira,një nënoficer nga fshati Ujanik i Skraparit dhe disa ushtar në këtë nënrepart kanë dhënë jetën duke humbur në borë.

     Në maj të malit të Buretos në Libohovë të Gjirokastër, në kushte të vështira ishte çuar rruga e makinës për të instaluar në pozicione tuneli baterinë e topave të artilerisë tokësore, dhe bashkë me topat edhe sasinë e municionit të nevojshëm e me rezervë në rast se e kërkonte nevoja të përdorej.

     Në malin e Sopotit ( Faqia e Madhe), në pllajat e sheshet e tij ka qenë e vendosur një nënrepart me mitraloza kundërajror në tarracën e godinës. Edhe në muajin maj kur më ka qëlluar të shkoj për arsye pune, bora ishte e pranishme, kushtet e jetesës së nënoficerit dhe ushtarit që shërbenin ishin shumë të vështira.

     Në Dragan të Librazhdit, në pjesën lindore të malit të Shebenikut, kompania me ushtar, jetonte dhe stërvitej në kushte të vështira të motit, terrenit por edhe të situatave të tensionuara që kaloheshin me ish Jugosllavinë. Në këtë zonë ishin edhe shumë reparte të tjera si ai në malin e Zylit, të Gurit, të Shebenikut, në Xhurë etj., të cilat shumë kohë e kalonin të izoluara qoftë edhe me qendrën më të afërt të banuar.

      Posta e kufirit e vendosur në fshatin Gjinavec të Gollobordës,në faqen verore të malit të Raducit, edhe pse në dimër e zinte bora ajo nuk lëvizte nga vendi, por shërbente me përkushtim.

       Bateria e artilerisë tokësore dhe reparti i ndërlidhjes të vendosur në fshatrat e krahinës së Shishtavecit të Kukësit, pjesën më të madhe të vitit e kalonin me të ftoftë e borë. Njëri nga oficerët që shërbente në repartin e ndërlidhjes e kishte marrë me vete familjen dhe ajo jetonte në një dhomë që e kishin sistemuar në fshatin Topojan disa orë larg repartit.

      Reparti i vendosur në lartësinë mbi 1000 m,në fshatin Cerem të Tropojës jetonte dhe stërvitej në kushte të vështira, të motit dhe terrenit,ai kryente detyra në mbështetje të postave të kufirit.

      Në një teren të vështir ishte vendosur reparti i këmbësorisë në luginën e Thethit, por kushtet e vështira përballoheshin me sakrificë dhe detyrat kryheshin  me përpikëri.

       Të gjitha bateritë e artilerisë kundërajrore, të cilat do ti gjeje në të gjitha kodrat rreth qytetit të Tiranës por edhe në qytetet e tjera si dhe në ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë si digat e hidrocentraleve,uzinave ushtarake dhe uzinave të tjera të ekonomisë, aeroporteve etj, oficeri stërvitej, hante dhe flinte bashkë me ushtarët. Për shkak të gatishmërisë së lartë që kishin këto reparte e oficerët shpesh as leje të zakonshme nuk merrnin.

     Midis shumë baterive të artilerisë bregdetare duke filluar nga ajo që ka qenë e vendosur në Velipojë të Shkodrës dhe deri te ajo në Butrint të Sarandës do të veçoja dhe përmendja për shkallën e lartë të vështirësisë  gjashtë bateritë e vendosura në Ishullin e Sazanit ( tre në veri të ishullit, një në perëndim, një në lindje dhe një në jug) si dhe tre bateritë e vendosura në pjesën perëndimore të Gadishullit të Karaburunit dhe më konkretisht në vendin e quajtur Shën Jan, Shpella e Haxhialisë dhe Kepi i Gjuzës. Shumë kuadro të kësaj arme janë dalluar për punën e bërë për evoluimin dhe modernizimin e armës së artilerisë bregdetare,për rritjen e efektshmërisë të zjarrit të saj.

     Volume të mëdha punimesh kanë kryer repartet xheniere si në Tiranë dhe në rrethet e tjera në objekte ushtarake, ku midis të tjerave do të përmendja ato të vend komandoje të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, punimet në Palermo, Shëngjin, në Laç, në aeroportin e Gjadrit, tunelet për rezervat e shtetit dhe ato të ushtrisë e shume e shumë të tjera, të cilat kanë qenë të shpërndara në disa rrethe. Ushtarakëve që kanë punuar në këto objekte ju është dashur të derdhin shume dhe shumë djersë, duke rrezikuar shpesh edhe jetën e tyre për shkak të kushteve të vështira dhe specifikën që ka me përdorimin e lëndëve plasëse.

     Të vendosur jo vetëm në zonat fushore si në vijën bregdetare,por edhe në Korçë, Shkodër, Gjirokastër si dhe në luginat e ngushta në zonat veriore dhe veri lindore, repartet dhe njësit e tankeve, në saj të punës së palodhur dhe drejtimit të mirë të kuadrove drejtues, kanë përballuar vështirësi të mëdha, si ato të gatishmërisë, terrenit, por edhe të specifikave që ka patur kjo armë e fuqishme.

     Disa net ka fjetur i mbështjell me një fletë çadër oficeri topograf,në majën e Hekurave në Tropojë, për të kryer matjet në pikën e triangolacionit të klasit të parë, e cila ishte vendosur në këtë mal. Ata dilnin me shërbim në të gjithë territorin e vendit nga muaji prill deri në tetor-nëntor, duke shkelur me këmbë të gjithë territorin e vendit dhe hedhur me saktësi të lartë në hartat që përgatiteshin dhe botoheshin me shumë kujdes në institut. Përveç vështirësive  të tjera atyre u shtoheshin edhe ato të jetesës në çadra për shumë e shumë vite deri sa punonin në teren.

     Edhe në ditët e sotme ushtarakët tanë si ata që shërbejnë këtu brenda vendit e në mënyrë të veçantë ata që shërbejnë në Afganistan, Irak e në vende të tjera përfaqësojnë me dinjitet flamurin e Shqipërisë, duke kryer më së miri detyrat e ngarkuara.

     Si këta shembuj që përmenda më lartë ka edhe shumë e shumë të tjerë të cilët flasin për shkallën e lartë të vështirësive por edhe të përgjegjësisë së tyre për kryerjen e detyrave me përkushtim në shërbim të Atdheut.

      Por ushtarakut i bëhej jeta edhe më e vështirë në rastet kur ai transferohej nga veriu në jug,ose nga një repart në tjetrin. Edhe ato pak plaçka që kishte i shkatërroheshin gjatë transportimit të tyre. Të njëjtat vështirësi kalonin edhe familjet e tyre të cilat i linin mbrapa,duke krijuar probleme si për punësim, kujdesen dhe shkollimin e fëmijëve.

    Shumë oficer që shërbenin në repartet e izoluara por edhe në qytete me nxjerrjen e tyre në lirim, nuk u mendua për strehimin, kompensim të mjaftueshëm pensioni e stabilizimin e tyre në punë megjithëse shteti kishte investuar jo pak për ta. Në këto kushte ata u detyruan të bëjnë punë të ndryshme edhe të rëndomta, për të siguruar minimumin jetik të familjeve të tyre.

     A meritojnë trajtim të veçantë ushtarakët e vendit tonë. Përgjigja natyrshëm është që po. Kështu e kanë të gjitha shtetet e botës. Megjithëse jemi vend anëtar i NATOS, pagesa e ushtarakëve tanë është e pakrahasueshme me atë që marrin ushtarakët e vendeve të tjera.

      Me vendosjen e demokracisë në Parlamentin e parë pluralist u miratua Statusi i ushtarakut, por që nuk u vu në zbatim i plotë asnjëherë, bile disa herë i janë bërë edhe ndryshime duke e cenuar dhe pakësuar të drejtat dhe përfitimet. Për këto padrejtësi, shumë ushtarak i janë drejtuar gjykatave dhe kanë fituar të drejtën që kanë kërkuar. Çështja e padrejtësive ndaj ushtarakëve ka shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo u ka dhënë të drejtë, por që ende nuk po gjen zbatim.

    Ligji u jep të drejtën ushtarakëve,por ai ende është në dorën e “Maliqit”dhe ai bën si të dojë vet.

    Rasti më flagrant është ai ku qeveria e mëparshme me një akt normat i uli pensionet e parakohshëm me afro 8000 lekë të reja, duke i çuar në 11000 lekë dhe kërcënuar në Parlament se do tua heqim fare. Po si mund të rroj një familje me kaq pak të ardhura.

    Pensioni i parakohshëm i ushtarakut afron me atë të një kooperativisti, bile ai i ish kooperativave në zonën fushore mund të jetë edhe më i madh. Por ish kooperativistët qëndrojnë shumë më lartë, pasi ata u trajtuan nga shteti me ligjin 7501 duke ju dhënë të gjithëve tokë dhe morën edhe pjesën që u takonte nga blegtoria ,ndërsa ushtarakët repartet që ata ndërtuan dhe shërbyen tërë jetën nuk ua dhanë për kontributin e dhënë por as edhe ti blinin me lekë.(me përjashtime shumë të rralla). Ato i morën njerëzit e privilegjuar e të preferuar të pushtetarëve, duke u kryer afera të pista në kurriz të këtyre njerëzve që i kanë shërbyer Atdheut. Po kështu u veprua edhe me armatimet e municionet e shumta, ku babëzia për fitim bëri të ndodhin edhe tragjedi si ajo e Gërdecit.

     Para disa muajsh ka dal në pension pleqërie ish ushtaraku Ali Hysenaj nga Vlora i cili edhe sot është pa shtëpi, gruan e ka pa pension dhe jeton me qira. Ai tregon se pensioni me gjithë suplementin i ka dal 27400 lekë, ndërkohë që ka patur 38 vjet të siguruar, ka shërbyer 22 vjet e nëntë muaj oficer dhe nga këto mbi 8 vjet në repartet e ushtrisë në zonën e kufirit në Tropojë, Has dhe Kukës. Ai shpreh mendimin se koeficientet për llogaritjen e pensionit janë shumë të ulët dhe nuk merren për bazë edhe detyrat e mëparshme por ajo e vitit të fundit, ku për shkak të riorganizimit të ushtrisë shumë ushtarak janë ulur në detyrë.

     Midis shumë premtimeve të tjerave në fushatën elektorale të vitit të kaluar nga forca politike që sot është në pushtet u premtua në disa takime me ushtarakët se do të zbatojmë ligjin për pensionet e ushtarakëve, do të kthejmë spitalin ushtarak dhe shtëpinë e ushtarake këtu në Tiranë në gjendjen e mëparshme. Ushtarakët shpresuan dhe shpresojnë te këto premtime të bëra.

     Por kanë kaluar 300 ditë dhe jo vetëm nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë nga goja e Ministres së Mbrojtjes e cila duhet të jetë e para që të mbrojë të drejtat e ushtarakëve aktiv dhe në lirim, por edhe në tërësi nga Qeveria, se a po punohet për zbatimin e tyre në jetë, pasi akti normativa nuk është anuluar, se në spitalin ushtarak ushtaraku trajtohet njëlloj si qytetarët e tjerë.

     Ja si shprehej para disa ditësh një  ish ushtarak i dalë në pension:”Shkoj shpesh për vizitë në Spitalin Ushtarak,por vetëm emri i ka mbetur spitali ushtarakëve, nuk duan ta dinë se ke shërbyer në ushtri, më e theksuar kjo është në sektorin e radiografisë, radioskopisë, skanerit, të cilat bëhen të gjitha me lekë, duke të thënë nuk u njohim që keni qenë oficerë, kaloni në sportel… “

     Me pak fjalë spitali që ka qenë për ushtarakët, është kthyer dhe vazhdon edhe pas ardhjes në pushtet të të majtëve, të mbush xhepat e disave, duke i rrjepur edhe ata për të cilin është ndërtuar dhe ka funksionuar ky spital.

      Në se administrate e sotme shtetërore është e pastër ajo nuk duhet ta ketë të vështirë për ta kthyer spitalin në gjendjen e mëparshme për shërbimin e ushtarakëve dhe të familjeve të tyre, në të kundërtën në se ajo është e molepsur në këto afera, ajo nuk mund ta bëjë, dhe kuptohet premtimi në fushatë ka qenë sa për të marrë votat dhe për të ardhur në pushtet.

    E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shtëpinë e ushtarakëve në Tiranë, të cilës i kishte ardhur radha e fundit pas atyre nëpër rrethe. Por nëpër rrethe në se ato i morën individ të lidhur me funksionar të shtetit, këtë në Tiranë e mori vet partia që ishte në pushtet. Kjo tregon se ministrat për sa kohë qëndrojnë në pushtet mendojnë për ato vite dhe për veten e tyre,e jo për perspektivën e dikasterit që drejtojnë. Kjo shtëpi e ushtarakëve ishte e fundit, ajo kishte dhe duhet të kryente disa funksione në shërbim të ushtrisë, ushtarakëve,familjeve të tyre dhe në tërësi edhe për qytetarët. Ajo shtëpi duhet ti kthehet Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarake të saj, dhe nuk duhet të mbetet premtim në letra.

     Me shtresën e ushtarakëve në lirim, me këta atdhetar të devotshëm që tërë jetën e tyre e në mënyrë të veçantë rininë, ia kushtuan mbrojtjes së Atdheut, qeveritë janë sjellë shumë keq, pasi janë ato që nuk zbatojnë ligjet e të drejtat që ata kanë fituar.