Maksi Fejzulla dhe Kujtim Boriçi/ Doli nga shtypi , pjesa e katërt e kolanës “Skënderbegasit ndër vite”

941
Sigal

Maksi Fejzulla dhe Kujtim Boriçi/ Doli nga shtypi , pjesa e katërt e kolanës “Skënderbegasit ndër vite”. Rustem Peçi: Një libër monument, kujtese dhe krenarie. Mikado Shakohoxha: Autorët i kanë dhënë shkollës “Emrin dhe shkëlqimin e pashuar”. Ja Shefat e Shtabit dhe gjeneralët

 

Njoftim nga Autorët

Në prag të 28 marsit, ditës së 71 vjetorit të çeljes së Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, doli nga shtypi,  pjesa e katërt e kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”, i autorëve Maksim Fejzulla & Kujtim Boriçi. Për shkak të pandemisë, ceremonia do të bëhet me përmirësimin e situatës, datë e cila do njoftohet!

Mirënjohje dhe falënderim!

Nga autorët: Maksi FEJZULLA & Kujtim BORIÇI

Kur përfundon çdo libër, për më tepër kur janë voluminozë e me tematikë delikate, sikundër janë dhe volumet e kolanës “Skënderbegasit ndër vite”, më tepër se sa lodhja e stërmundimi shumë planesh deri në printimin e materialit, me stres e me merak për autorin, është cilësia e produktit, si do të pritet ai nga lexuesi. Kështu ndodh dhe me ne autorët e kësaj kolane. Tre volumet e parë, e kaluan me sukses këtë ‘provë’ e sigurisht ne e ndjemë dhe kënaqësinë që të jep kjo punë voluminoze edhe e lodhshme. Shpresojmë dhe jemi të sigurt, se kështu do të ndodhë dhe me pjesën e katërt që keni sot në duar. Dhe këtë garanci e bindje, e mbështesim kryesisht në faktin se këtë ‘barrë të rëndë’, na e kanë lehtësuar tej mase dhjetëra e qindra kolegë, miq e bashkëpunëtorë që kanë dhënë kontributin e tyre në përgatitjen e tij. Dhe për këtë kontribut tejet të çmuar, jo vetëm për ne, por sidomos për përgjegjësinë e tyre për të lënë të dokumentuar brezave historinë e shkollës së lavdishme “Skënderbej” e skënderbegasve që kanë qenë e mbeten shtresa vitale e shoqërisë sonë, ne i falënderojmë nga zemra. Sigurisht që numri i tyre është i madh, por ne po përmendim disa prej tyre:Thoma Kondurin, President i SHKURSH; historianin i njohur ushtarak, Prof. Dr. Bernard Zotaj; kolegun, ushtarakun dhe shkrimtarin e njohur Shpend Topallaj; prof. Dr. Zaho Golemin; shkrimtarin dhe publicistin ushtarak Ferit Fixha; Kryetarin e Komitetit të Veteranëve të Shqipërisë, Rustem Peçin; ushtarakun madhor dhe kryetarin e Nderit të SHKURSH, kolonel Zyhdi Krojin; drejtorin e gazetës “Telegraf”, Engjëll Musai; Ushtarakun e njohur dhe shkrimtarin Gani Elezi; gazetarin dhe shkrimtarin e njohur ushtarak Pandeli Bardhi; poetin e publicistin e njohur në SHBA, Veri Talushllarin; pedagogun e palodhur, Prof. Agim Gjini; kolegen dhe poeten ushtarake Dava Lleshi; kolonel Viktor Përshqefën; Profesorin dhe ikonën e sportit tonë Et’hem Ibrahimi; kolonel Xhemal Imerin; gazetarin e njohur e kryeredaktorin e gazetës ‘Veterani’, Halil Rama; kolegen dhe pedagogen e njohur Liliana Konomi-Mero; kolegun, ushtarakun dhe aktivistin e palodhur në Greqi, Aqif Bozhiqi; gazetarin e njohur ushtarak dhe kryeredaktor i revistës “Pavdekësia”, Xheladin Çelmetën; ushtarakun dhe intelektualin e palodhur Subi Hida; publicistin e gazetarin Gëzim Loka; kolonel Ndue Markun; publicistin Petrit Gjoka; drejtuesit dhe punonjësit e Arkivit Qendror të Ushtrisë; kolegët në SHBA, Mihal Jano e Dirka Xhakolli; ushtaraken e poeten Vasilika Babo etj. Gjithashtu, mirënjohje e veçantë për drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë që e mbështetën këtë projekt, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjeneral Bardhyl Kollçaku dhe Zëvendësshefen e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Manushaqe Shehu, që e mbështesin këtë projekt.

Rustem Peçi: “Skënderbegasit ndër vite…”, një libër monument kujtese dhe krenarie

Rustem Peçi, ish-skënderbegas i viteve 1946-1952, është një nga kuadrot madhorë të Shqipërisë, ku krahas të tjerave, ka qenë për 11 vite rresht edhe komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Aktualisht është kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës.  Në prononcimin e tij mbi  librin “Skënderbegasit ndër vite…”. ai deklaron: Një libër i plotë në disa vëllime që sjell dokumente origjinale të kohës dhe dëshmi të brezave të bashkëkohësve, një monument kujtese dhe krenarie për historinë e shkollës ushtarake “Skënderbej”, një nga shkollat më elitare në Ballkan e më gjerë për kohën, një dokument me vlerë për historianë e lexues të thjeshtë, një gur i fuqishëm mbijetese e lavdie, që bën krenar jo vetëm 36 mijë skënderbegas që mësuan e u përgatitën në këtë vatër, familjet e tyre, por edhe dhjetëra mijë ushtarakë të tjerë që  si idealistë e atdhetarë, ruajtën e ruajnë të shenjtë betimin për flamurn e atdheun! Kështu do ta përmblidhja në pak fjalë esencën e librit disa volume, “Skënderbegasit ndër vite…”,  të dy ish-skënderbegas, studentëve të mi, Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla.

 

 

Me “Skënderbegasit ndër vite”, Boriçi e Fejzulla i kanë dhënë kësaj shkolle ‘Emrin e madh dhe shkëlqimin e pashuar’!

Dr. Doc. Mikado Shakohoxha

Kryetar i shoqatës “Skënderbegasi

 

Gjatë viteve të fundit, letërsia dokumentare, shkrimet për të kaluarën dhe monografitë, kanë pasur një shpërthim, shpesh herë të papërmbajtshëm, kryesisht në numër, ndërkohë që në disa raste janë vënë në dyshim edhe referenca themelore morale që mbajnë në këmbë një shoqëri dhe që përbëjnë thelbin e marrëveshjeve sociale. Sigurisht që këto kanë mbushur një boshllëk prej vitesh, duke ngjallë interes për lexuesin e kësaj fushe; pse jo, edhe për të afërmit e tyre. Edhe shkolla “Skënderbej”, si pjesë e pandarë e këtij realiteti e në krye të tij, në korsinë e krijimtarisë, ka shumë autorë të suksesshëm që kanë qenë nxënës të kësaj shkolle me emër në Shqipëri.

Kolana e librave “Skënderbegasit ndër vite…”, (ky që kemi në duar volumi i katërt), i autorëve Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla, është përpjekja më e kompletuar për shkollën “Skënderbej” për historinë e saj, që erdhi pas një pune shumëvjeçare të mundimshme, takimeve të shumta, rrahje mendimesh , debatesh, punës në arkiva, debateve. “Skënderbegasit ndër vite…”, nuk është një libër i radhës, por një libër i veçantë, i mirëseardhur, gjithëpërfshirës, i dyerve dhe dritareve të hapura; nga mund të dalësh ose të shikosh jo vetëm shkollën “Skënderbej” dhe skënderbegasit, por dhe shkolla e akademi prestigjioze, brenda dhe jashtë vendit, njësi e reparte të ushtrisë, struktura shtetërore, shoqëri civile, sportistë elitarë, artistë krijues etj, me interesa të gjera.

 

Pak nga historiku i shkollës “Skënderbej”

 

Ende pa mbaruar Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, lindi e nevojshme që kthimi i ushtrisë partizane në ushtri të rregullt, të kërkonte masa urgjente për përgatitjen e oficerëve të rinj për të stërvitur, drejtua e komanduar këtë ushtri që tashmë, do të kishte mision tjetër, ruajtjen e lirisë dhe pavarësisë tokësore të Shqipërisë, përballë sulmeve të mundshme. Kuadrot që drejtuan luftën dhe ishin po ato në ditët e para të lirisë pas 29 nëntorit 1944,, referuar dokumenteve në Arkivin Qendror të Shtetit dhe në Arkivin Qendror të Ushtrisë, ishin të tri kategori:

a-Oficerë të regjimit të kaluar, kryesisht të moshave të mëdha, që i ishin bashkëngjitur Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ky numër ishte relativisht i vogël.

b-Oficerë dhe oficere komandues e të sektorit politik (në këtë të fundit dhe femra) që u bënë komandantë e komisarë nga nevoja në frontin e luftës. Këta ishin shumica e kuadrove.

c-Kuadro të emëruar provizorisht në ditët e para të pas-çlirimit të vendit.

Pra, për nevoja kuadri oficer, u hap më 28 mars të vitit 1945, në Tiranë “Shkolla e Pionierëve të Luftës” që më vonë do të merrte emrin shkolla “Skënderbej”. Duhet theksuar se kondigjenti i parë, (200 vetë) ishte i përbërë nga partizanë të ardhur direkt nga fronti i luftës dhe arsimimi i tyre ishte i ndryshëm: dikush kishte vetëm shkollim fillestar, dikush tjetër dinte shkrim e këndim dhe diçka që kishin mësuar në kushtet e luftës, e pak, shumë pak, me arsim të mesëm. Kështu që, për shkak të arsimimit, por kryesisht edhe për nevojat që kishte ushtria e re për oficerë, në vitet e para të shkollës së kadetëve, bëheshin titullime ‘oficer aktiv’ në mënyrë selektive dhe i sapoemëruari në muaj apo dhe një vit apo dy vite, dërgohej në detyrë.

Në arkivat zyrtare të cituar më sipër, është vështirë që të gjendet një fond i veçantë i kompletuar vetëm për shkollën “Skënderbej”, pasi nuk ka një të tillë dhe, dokumentet janë sistemuar në kohë, në vite e sipas problematikave. Ndër materialet që ndodhen në fondet e mësipërme, që janë shfrytëzuar për të sjellë në këtë volum disa të dhëna për historikun e këtij institucioni, janë siguruar në: Dosja sekrete Nr 29, viti 1999. Titulli:”Historiku i Repartit Ushtarak Nr. 2222 (Shkolla Ushtarake ‘Skënderbej’), 107 faqe; Dosja sekrete Nr 6, viti 1999 : Informacion mbi përfundimin e vitit shkollor 1990-1991); Dosja sekrete Nr 5, viti 1991 : Detyra për mbarëvajtjen e procesit mësimor…”; “Urdhri mbi mbylljen e aktivitetit të Shkollës Ushtarake ‘Skënderbej’”; Regjistrin Themeltar të Punonjësve të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” për vitet 1946-1993 (sekret), Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë etj.

 

Një përmbledhje e shkurtër me data dhe evenimente:

– Në ditën e krijimit të saj më 28 mars 1945, “Shkolla e Pionierëve të Luftës”, mes dyqind vetëve, kishte dhe një grup prej nëntë vajzash.

-Me urdhër të Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura, Nr. A 1-85, datë 11 shkurt 1947, shkolla e pionierëve të luftës, u quajt Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”.

-Dislokimi i shkollës “Skënderbej” ka qenë: Fillimisht, nga 28 marsi i vitit 1945,në garnizonin ushtarak të Laprakës. Më pas u vendos tek Regjimenti i Ndërlidhjes e së fundmi u vendos tek kompleksi i shkollave ushtarake.

-Nga dita e parë e hapjes, deri në vitin 1953, programi bazë që zhvillohej në shkollë ishte program shtatëvjeçar.

-Matura e parë e shkollës “Skënderbej”, është ajo e vitit 1953.

-Në vitin 1953 u vendos që shkolla “Skënderbej” të bëhej shkollë plotësisht e mesme e arsimit të përgjithshëm, duke përfshirë në të edhe lëndë të karakterit ushtarak. Shkolla kishte program 4 vjeçar të gërshetuar me fushime dimërore e verore 15-30 ditë për çdo vit.

-Shkolla “Skënderbej” furnizonte me kontigjente shkollat e tjera ushtarake të vendit, Shkollën e Bashkuar, Shkollën e Marinës dhe Shkollën e Detarisë.

-Sipas dokumenteve, nga viti 1960 e në vazhdim, 60% e studentëve të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve vinin nga Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Pra, nga viti i parë i krijimit të saj e deri në mbyllje me Vendimin e Këshillit të Mbrojtjes Nr. 3, datë 17.8.1992, ishte furnizuesja kryesore e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, Akademisë Ajrore dhe asaj të detarisë…

-Thoma Frashëri, ka qenë komandanti i parë i Shkollës së Pionierëve.

-Në ditën e parë të pasçlirimit (10 Korrik 1945) të festimit të përvjetorit të krijimit të ushtrisë, kuadratet e skënderbegasve parakaluan në bulevardin e Tiranës për herë të parë para Enver Hoxhës e udhëheqësve, duke u duartrokitur nga qytetarët.

-Në vitin shkollor 1949-1950, rritet numri i skënderbegasve, dhe shkolla transferohet në Laprakë.

-Ceremonia e fillimi i vitit mësimor 1951-1952 u bë në Vlorë, në përkujtimin e 40 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

-Në maj të vitit 1967, Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSH i dha shkollës Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të III-të për rezultate të larta e të qëndrueshme sportive.

-Për herë të parë, në vitin shkollor 1967-1968, kontigjente të maturantëve të shkollës, vijuan studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin e Fiskulturës “Vojo Kushi”.

-Më 23 qershor të vitit 1968, Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë, dekoron organizatën e BRPSH të Shkollës “Skënderbej” me Urdhrin e Punës së Klasit të Parë.

-Më datë 28 shkurt të vitit 1974, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, i dha organizatës së rinisë së Shkollës Ushtarake “Skënderbej” Urdhrin e Punës së Klasit të I-rë

Skënderbegas, oficerë madhorë të ushtrisë Shqiptare

 

(Shefa e Shtabit të Përgjithshëm dhe gjeneralët)

 

Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, ka nxjerrë mbi 32 mijë maturantë, ndër të cilët mbi 35 gjeneralë dhe shefa të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Shkolla e mesme ushtarake “Skenderbej” u hap menjëherë pas çlirimit të vendit, me 28 Mars 1945. Pjesa më e madhe e nxënësve ishin të rinj që vinin nga lufta Nacional-Çlirimtare. Të gjithë ushtarakët shqiptarë kanë kaluar nga dyert e kësaj shkolle dhe kanë marrë këtu formimin bazë të shkencës ushtarake. Ushtarakët e dalë nga shkolla “Skënderbej” janë shquar brenda dhe jashtë vendit. Shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej” u mbyll në vitin 1992. Gjatë viteve 1945-1992 shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej” ka nxjerrë 32 mijë oficerë, 35 gjeneralë, njëkohësisht thuajse të gjithë shefat e shtabeve të Forcave të Armatosura pas vitit 1950. Që nga viti 1945 e deri tani në vitin 2015, Forcat e Armatosura janë drejtuar nga 23 personalitete ushtarake nga të cilat, ku pothuajse të gjithë kanë mbaruar shkollën ushtarake “Skënderbej”. Më poshtë po botojmë listën e shefave të Shtabit te Forcave të Armatosura të ushtrisë shqiptare nga viti 1945 e në vazhdim. Gjeneral Spiro Moisiu (10 korrik 1943-gusht 1946); Mehmet Shehu (gusht 1946); Gjeneral lejtënant Beqir Balluku (1952); Gjeneral lejtënant Arif Mema (1954); Gjeneral lejtënant Petrit Dume (1956); Sami Meçollari (1974); Veli Llakaj (1975-1982); Kiço Mustaqi (1982-shkurt 1991); Kolonel Halim Abazi (shkurt-qershor 1991) ; Gjeneral major Kostaq Karoli (qershor ‘91-gusht ‘92); Gjeneral Ilia Vasho (1992-1994); Gjeneral me katër yje Sheme Kosova (1994-1997); Gjeneral major Adem Çopani (mars-gusht 1997); Gjeneral brigade Aleks Andoni (1997-2000); Gjeneral lejtënant Pëllumb Qazimi; Gjeneral major Luan Hoxha (tetor 2006-qershor 2008); Gjeneral major Maksim Malaj (qershor 2008-korrik 2011); Gjeneral major Xhemal Gjunkshi (gusht 2011-nëntor 2013); Gjeneral major Jeronim Bazo (nëndor 2014); Gjeneral Bardhyl Kollçaku (gusht 2017 e në vazhdim).