Luftulla Peza: Çeta e parë kundër fashizmit në Evropë

2270
Sigal

 Organizatat e dëshmorëve sot funksionojnë si leva të PS, për të siguruar vota

 

Më 16 mars 2019 mbushen 78 vjet nga lufta e parë kundra fashistëve italianë në Pezë, ku ranë duke luftuar heroikisht dëshmorët e parë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare: Hasan Peza, Muharrem Haka, Sadi Sinani, Vath Korriku dhe Xhafer Durishti. Në Luftën e 16 marsit 1941 fashistët patën humbje të madhe, 84 oficerë dhe ushtarë të vrarë, që tronditi pushtetin e tyre. Kjo luftë qe shkëndija dhe shpresa për liri e të gjithë shqiptarëve. 
Sipas studimeve të ish komandantit në njësitë ushtarake të Pezës dhe veteranit Sherbet Karruli “Pezën e shkelën rreth 75.000 nazifashistë dhe më shumë se 700 prej tyre u vranë në Pezë, Peza i dha Atdheut 327 dëshmorë, nga të cilët 24 ishin gra dhe vajza”.

Megjithëse për heroizmin e saj të rrallë, gjakun e madh të derdhur dhe peshën e rëndësishme, që mbajti në Luftën Nacional-Çlirimtare, Peza e ka merituar plotësisht të kishte titullin e lartë “Heroinë e Popullit”, ky nder i lartë asaj nuk ju dha asnjëherë, sepse udhëheqja komuniste shqiptare e ruajti këtë titull vetëm për krahinat jugore të Shqipërisë, nga ku kishin origjinën e tyre. Përveç Babë Myslim Pezës asnjë nga luftëtarët e Pezës nuk u nderua me titullin e lartë “Hero i Popullit”, megjithëse ata rrokën të parët pushkën kundra fashizmit, themeluan Çetën Antifashiste dhe luftuan me heroizëm të lartë gjatë pesë vjetëve të LANÇ.

Organizata e familjeve të dëshmorëve funksionojnë si leva të PS për t’i siguruar votat, lapidarët dhe përmendoret e dëshmorëve janë të dëmtuara

Edhe në kohën tonë nderimi për dëshmorët është i vakët, lapidarët dhe përmendoret e tyre janë të dëmtuara, përkujtimet janë të rralla. Dëshmorëve nuk u janë kthyer pronat e shtetëzuara nga regjimi totalitar, familjet e tyre vuajnë nga varfëria. Organizata e Familjeve të Dëshmorëve funksionon si levë e PS për t’i siguruar votat e sundimit dhe si e tillë nuk bën përpjekjet e duhura për mirëmbajtjen e përmendoreve të dëshmorëve dhe të LANÇ, asnjë përpjekje për një jetë më të mirë të popullit shqiptar. Amaneti i Dëshmorëve të Kombit është mjaft i qartë: Për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur, për popullin që të jetojë në begati dhe lumturi!

Pushtimi fashist, më 7 Prill 1939 e shndërroi Shqipërinë në një koloni italiane dhe aleate e bllokut fashis në Luftën e Dytë Botërore. Qeveria shqiptare u shndërrua në kukull dhe shërbëtore e fashizmit italian. Prandaj toka shqiptare shërbeu si truall për të sulmuar Greqinë (1940). Në Shqipërinë e okupuar atdhetarë të ndryshëm nuk e pranonin gjendjen dhe filluan të organizohen në emër të Atdheut. Në mesin e tyre spikat Myslim Peza (1897-1984), i cili menjëherë pas kthimit nga arratisja më 1939, filloi të mbledhë rreth vetes atdhetarë dhe kundërshtarë të fashizmit, me të cilët më 5 qershor 1940 themeloi të famshmen Çetën Antifashiste të Pezës, e para njësi e armatosur antifashiste në Shqipëri dhe Evropë. Fashistët dhe qeveritarët tradhtar të Tiranës u munduan shumë, që këtë luftëtar të madh dhe shokët e tij ti bënin bashkëpunëtor, por më kot. Më 13 mars 1941 forcat e Çetës së Pezës sulmuan një autokolonë italiane, duke i sjellë dëmtime të mëdha si dhe prenë lidhjen telefonike me Romën, kablin nëntokësor, që kalon në Pezë të Vogël. Italianët u bindën, që Myslim Peza dhe Çeta e Pezës përbënin për ta rrezik të madh, prandaj vendosën që ti asgjësonin me një goditje të fuqishme dhe sekrete.

Fashistët e sulmuan Pezëm mëngjesin e 16 marsit 1941 me forca të shumta, më tepër se 700 karabinierë të zgjedhur,për ta asgjësuar dhe për të mbytur qëndresën shqiptare që në embrion.

Babë Myslimi e kishte marrë njoftimin nga miku i tij Adem Xhepa, me një letër, që e solli në Pezë miku tjetër i familjes Osman Tafmizi. Lajmi ishte se fashistët do ta sulmonin Pezën ditët e ardhshme. Prandaj ai i shpërndau forcat e çetës në disa grupe, që u vendosën në lagjet përreth qendrës së Pezës: Pajonë, Bec, Çelmetje dhe pjesa më e madhe mbeti në qendër të Pezës.

Më 16 mars 1941 mbi 700 trupa të zgjedhura fashiste, të armatosura rëndë dhe të stërvitura mjaft mirë, e sulmuan Pezës që pa gdhirë nga Tirana. Armiku erdhi me shpresën, që ti rrethonte forcat e Pezës, dhe ti asgjësonte lehtë, por kjo nuk u doli. Rojet pezake, në breg të lumit, pranë shtëpive të pezajve, i vunë re lëvizjet e armikut që me natë dhe njoftuan Babë Myslimin.

Siç më ka treguar nëna ime më pas, në shtëpinë tonë, ngjitur me atë të Babë Myslimit, erdhi dikush dhe trokiti tek xhami i dritares. Babai u ngrit me jë herë dhe hapi dritaren. Një zë erdhi nga errësira:

-Hasan vishu shpejt dhe eja, se po na rrethojnë!

Mamaja ndezi llambën e vajgurit, babai u vesh me shpejtësi, erdhi më përqafoi, më puthi fort në faqet, ballë, gushë dhe ndjeva lotët e tij të ngrohtë, që më rrëshqitnin faqeve. Përqafojë edhe mamanë dhe doli. Edhe ajo uli kokën dhe filloi të qajë me dënesë, e ndjente rrezikun e madh, që po afrohej. Isha i vogël, nuk kuptoja gjë, por edhe sot, që po shkruaj këto rreshta më mbushen sytë me lot, sepse ikja e babait atë natë, do të na sillte shkatërrimin e familjes sonë.

Të gjithë luftëtarët u ngritën dhe u mblodhën në sheshin para shtëpive tona në qendër të Pezës, rreth Babë Myslimit. Ishin rreth 60 burra, shumica të rij, por dhe pa armë. Ai i përshëndeti të gjithë me fjalët:

– “Shokë dhe miq! Italianët duan të na rrethojnë, prandaj duhet të zëmë shpejt Kodrën e Postës. Prej andej i kemi italianët në pëllëmbë të dorës.

-Hasan, merr Lezin dhe Rrem Zgurën dhe sa më shpejt zini Kodrën e Postës. Mos u trembni, lufta është luftë, por ne do të fitojmë. Hajde pra, na qoftë për hajër. Rroftë Shqipëria!

Duke u ngjitur për në Kodrën e Postës, që ndodhet 200-300 m. mbi shtëpitë e pezajve, grupi i Hasanit u ndesh me fashistët e parë, që po shkonin ta zinin atë. Në errësirën e natës krismat e pushkëve të tyre shënuan fillimin e betejës. Fashistët, pasi lanë dy të vrarë, duke bërtitur ua mbathën këmbëve.

Myslim Peza me luftëtarët e tij, viti 1942

Pezakët luftuan heroikisht me Babë Myslimin në krye

 

Babë Myslimit me shokët e tij më pas zunë pozicionet në Kodrën e Postës dhe i kishin fashistët poshtë në breg të lumit, prandaj kishin filluar t’i qëronin me radhë. Në të gdhirë lufta u ndez e ashpër. Forcat armike shumë herë më të mëdha në numër dhe me armë moderne, kishin zënë pozicion në pyllin e Rrëkonjës mbi Pellgun e Bekës dhe mundoheshin ta rrethonin çetën (Fig. 2). Por tri njësi të çetës, të komanduara nga xha Kasemi dhe Kajo Karafili dhe çelmetasit, ishin jashtë rrethimit dhe e godisnin armikun mbas shpine. Ata ruanin shtegun e hapur për kalimin e çetës.

Skema e Luftës së 16 marsit 1941 në Pezë

 1-Shtëpia Hasan dhe Abdurrahim Pezës,

2-Shtëpia e Shyqyri dhe Myslim Pezës,

3-Teqja e Baba Hasanit,

4-Shtëpia e Ahmet Hoxhollit,

5-Shtëpia e Behexhet Hoxhollit,

6-Posta milicore e Pezës,

7-Vendosja e forcave kryesore të Çetës së Pezës,

8-Vendosja e forcave kryesore fashiste,

9-Njësiti i Kajan Karafilit,

10-Forcat vullnetare të Çelmetjeve,

11-Njësiti i xha Kasemit, vendi ku ra xha Kasemi,

12-shtëpia e Metë Kodrës,

13-Vendi ku luftoi dhe ra dëshmori Hasan Peza,

14-Vendi ku u plagos Skënder Peza,

15-Rruga e ndjekur nga gratë dhe fëmijët për të çarë rrethimin,

16-Pozicioni i luftimit të H. Pezës,

17-Vendi i vrasje së Sadi Sinanit,

18-Vendi ku ra Vath Korriku,

19-Vendi ku ra Xhafer Durishti.(viz. L.H.Peza)

Me vështirësi kaluam lumin, të kapur dorë më dorë, por u bëmë qull dhe na hyri ftohti në palcë. Tek sharra e Pellgut të Bekës ishin shtrirë tre italianë të vrarë. Kur grupi i grave dhe fëmijëve ndodhej në sharrën e pellgut të Bekës, italianët filluan të shtinin mbi to. Në të gjitha anët kishte tym baroti, shi i madh dhe dëgjoheshin krisma armësh dhe kjo na ndihmoi të shpejtonin hapin dhe të fshiheshim prapa një guri të madh, që ishte në të dalë të sharrës. Plumbat fishkëllenin mbi kokat e tona si pikat e shiut dhe fëmijët e vegjël nuk pranin së qari. Tre djemtë më të vegjël do të vdisnin pas disa ditësh në pyjet e Pezës nga ftohti dhe uria. Ishin djemtë e Baba Myslimit, Shyqyri Pezës dhe Xha Dyrrit. Babai im Hasani kishte zënë vend mbas një shkëmbi nën majën e Kodrës së Postës dhe shtinte pa ndërprerje mbi fashistët. Ishte rreth pesëdhjetë metra mbi gurin e madh, ku ishim strehuar gratë me fëmijët e vegjël, u ngrit në këmbë dhe thirri:

-“Lufta nuk bëhet kundra fëmijëve dhe grave, por ndaj burrave”!

Aty mbi shkëmb e pashë për herë të fundit babanë tim të ngritur në këmbë me pushkën lart mbi krye dhe dëgjova zërin e tij kumbues, që ende më tingëllon në vesh.

Luftëtarët e parë të Çetës Antifashiste të Pezës (1939) dhe disa nga heronjtë e Pezës (*Dëshmorë të Kombit)[1]

 

Lufta ishte e ashpër dhe secila nga palët ndërluftuese mundohej të merrte parësinë. Tanët, rreth 60 burra dhe gra, trima të rrallë dhe të vendosur gjer në vdekje, kishin armatim të lehtë, por trimëri të rrallë dhe vullnet të hekurt për fitore. Përballë tyre, armiku, prej më se 700 burrash të veshur, armatosur dhe stërvitur mirë, përdorte mitraloza të rëndë dhe murtaja, por të gjithë të frikësuar ruanin kokat. Në ndihmë kishin edhe tre avionë, që i binin kryq e tërthor Luginës së Pezës dhe shpesh gjuanin mbi pozicionet e luftëtarëve pezakë. Kur fashistët ndërprenë zjarrin, grupi i grave dhe i fëmijëve mori drejtimin për tek shtëpia e Ahmet Kodrës, në anë të fshatit. Duke pirë kafen e qerasur nga i zoti i shtëpisë, mamaja ndjeu një dhimbje therëse në gjoks, menjëherë çoi dorën aty dhe thirri:
“Ah! M’u vra Hasani!” Të gjithë u habitën dhe u munduan ta qetësojnë, por më kot. Ajo me lot në sy thirri edhe një herë: “Po, e ndjeva këtu në shpirt”. Më tërhoqi fort pas vetes dhe ndjeva lotët e saj të ngrohtë të më rrëshqasin në faqe. Sytë m’u mbushën me lot. Ajo në të vërtetë nuk e dinte ç’kishte ndodhur dhe se burrin e saj e kishte parë për herë të fundit aty mbi shkëmb me pushkë në dorë.

Babë Myslimi mblodhi shokët e tij në një breg dhe iu foli shkurtimisht:
“Vëllezër, ju përgëzoj, luftuat si trimat e rrallë dhe fashistëve u thyem hundët.

Nisëm luftën tonë të shenjtë çlirimtare, që do ta çojmë deri në fund, me çlirimin e plotë të vendit tonë. Në këtë betejë të madhe, duke luftuar si luanë, ranë edhe pesë shokët tanë të parë: Hasan Peza, Muharrem Haka, Sadi Sinani, Vath Korriku dhe Xhafer Durishti. Lavdi dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Por dhe mjaft fashistë lanë kokën këtu në Pezë dhe do të lenë të tjera.

Rroftë Atdheu jonë i dashur Shqipëria!”.

Kur mbarojë lufta u mësua, që atë ditë në Pezë ishin vrarë 84 oficerë dhe ushtarë italianë!

Njeri nga oficerët fashistë, nënkolonel Karlo Gorie, shkruante ndër të tjera atë ditë në Pezë në raportin e tij për komandën e vet:

Një grup të arratisurish zbriti nga kreshta e Çelmetajve dhe duke iu përgjigjur thirrjes së të shtënave të pushkëve si dhe të britmave të kryetarëve të tyre, që ndodheshin në Pezë, u futën si pykë pa u parë mes njerëzve të togerit Konduro… U gjendëm të rrethuar, sepse luftëtarët e Myslim Pezës, ca rebelë të vërtetë, që nuk mund t’u hamë hakun si luftëtarë, na kishin zënë të gjitha pusitë, kodrat dhe shtigjet. Prapa çdo guri ishte një pushkë me grykë të drejtuar nga ne. Ky vend na ka mallkuar dhe po na ha të gjallë” (AQSh, fondi 258, viti 1941,dosja 143)

Ne fëmijët dhe gratë me fëmijët e vegjël disa ditë kemi ndenjtë nën një dëllenjë të madhe, pranë shtëpisë së Mustafa Shabhasës, në Pojan. Aty bashkë nën dëllenjën shekullore kemi ndenjur disa ditë moma ime Ismetja dhe unë, Zenepe Peza, e shoqja e Babë Myslimit me djalin e vogël tre muajsh bashkë me Dijen, vajzën e saj, Haxhire Peza, e shoqja e xha Dyrrit, xhajës tim, me djalin e vogël tre muajsh, që luftëtarët e Çetës ia kishin vënë emrin Bashkim, për nder të bashkimit të popullit tonë në luftë kundra fashizmit, për çlirimin e vendit. Bashkë me te ishin edhe fëmijët e tjerë të xha Dyrrit: Lemçja, Nazmia, Ganiu, Lefteria, Hamidea. Me ne ishte edhe Feridja, e shoqja e Shyqyri Pezës bashkë me djalin e vogël disa muajsh dhe vajza e saj Luçia. Me ne ishte edhe qeni i jonë i shtëpisë Lapi, i cili nga një herë lehte dhe të gjithë i bërtisnin. Më në fund Lapin e mori Musta tek shtëpia e tij

Ishim të rraskapitur, të lagur dhe të uritur. Musta përpiqej me të gjitha forcat e tij, por ne ishim shumë dhe shtëpia e tij ruhej nga xhandarët. Fëmijët e vegjël qanin dhe nënat mundoheshin t’i qetësonin.

Fashistët të tërbuar Mustën e arrestojnë bashkë me të birin Shabanin dhe prej tyre donin të dinin ku është fshehur Myslim Peza dhe luftëtarët e tij. Musta iu përgjegj:

Myslim Peza nuk fshihet nën fustanin e grave, atë e keni në mal, shkoni e kapeni”.

Kur të birin e vunë para pushkatimit, Musta i thirri:

Mbaje kokën nalt bir ! Mos u përkul përpara këtyre qenve, sepse neve po derdhim gjakun për lirinë e Atdheu tonët”.

Gjatë këtyre ditëve vdiqën të tre bebet e vogla pezake, nga kushtet e këqija dhe uria: Bashkimi, biri i xha Dyrrit, Naimi, i biri i Bab Myslimi dhe djali i vogël i Shyqyri Pezës.

Pak kohë pas kësaj, nëna ime Ismete Peza, Haxhire Peza, Zenepe Peza dhe Dije Peza u bashkuan me luftëtarët e tjerë në repartet luftarake të Pezës, për të luftuar armikun.

Pëllëmbë dhe gjak dhe kudo heroizma, kjo është historia e Pezës. Prandaj Peza u kthye në

legjendë dhe e tillë mbetet edhe sot në zemrat e shqiptarëve. Ajo u bë frymëzim për poetë, shkrimtarë, historianë, shkencëtar, artistë, rapsodë dhe miliona njerëz të thjeshtë në jetën e përditshme.

Poeti Aleks Çaçi (1916-1989) në poemën e tij mbi Pezën, e ngriti mjaft lart fuqinë e saj të pathyeshme ndaj fashistëve:

Fryn murrlani mbi malësi, por s’i tund

Çfryn armiku me furi, por s’i mund ,

Shkrin si kripa çdo fuqi që ai ka,
Sepse Peza është bërë një kala!