Ish-aviatori Niazi Nelaj: Vizita e papritur e Petrit Dumes në Kinë, në shtator 1962 dhe porosia e Edip Ohrit

1271
Sigal

Flet ish-aviatori Niazi Nelaj: Ne ngrimë kur pamë bukurinë e një vajze, poshtë na priste Petrit Dume

-Vizita e papritur e Petrit Dumes, në shtator 1962, në Kinë

– Edip Ohri ju tha kinezëve që studentët shqiptarë, të mos kenë privilegje në ushqim dhe fjetje

Biblioteka e shkollës së aviacionit në Kinë ishte mbushur me veprat e  Karl Marksit e të Frederik Engelsit

-Në Kinë lexoheshin shumë veprat e Maos dhe të Enverit

Albert Z. ZHOLI

Pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me ish-BS në vitin 1961, shumica e studentëve ushtarakë që ishin në këtë vend u zhvendosën në Kinë. Kina ishte një vend ende pa atë shkëlqim ekonomik dhe me bujqësi të prapambetur. Studentët ushtarakë u ndeshën me shumë probleme si në akomodim , por edhe në ushqim. Rusia ndryshonte si nata me ditën me Kinën. Për të pasur një panoramë më të qartë se si studionin, akomodoheshin dhe stërviteshin studentët tanë ushtarakë në Kinë, biseduam me ish-pilotin, student në Kinë z. Niazi Nelaj.

Ju pas prishjes së marrëdhënieve me BS-nw, ju çuan për të mësuar në Kinë. Si ju pritën në këtë vend dhe si ishte klima në raport me Rusinë?

Po, është e vërtetë. Aty shkuam dhe pse askush nuk e kishte dëshirë. Ishte 8 janar i vitit 1962. Me  të mbërritur  në shkollën e aviacionit, vendasit  na rezervuan  një ceremoni  mirëseardhje, fantastike. Në jetën tonë nuk kishim parë të tillë pritje. Pa krijuar bezdi, më poshtë do të përpiqem të kujtoj mënyrën e organizimit  të  atij prezantimi, i cili ngjan me mitingjet  të organizuara mirë nga disa parti politike, në ditët tona. Siç thonë në anët tona: “ishin shkulur, me kuç e me maç”. Vendasit, ushtarakë e civilë, ishin rreshtuar  në të dyja anët e rrugës që të çonte në shkollë. Mjaft  pritës mbanin në duar  vegla muzikore kineze. Dominonin gonget karakteristike dhe disa vegla të përmasave të mëdha, të çuditshme, në të parë e në tingujt që nxirrnin. Kur fërkoheshin me njëra-tjetrën ato lëshonin  një tingull metalik  të “çjerrë”, që  “të shponte “, në tru. Të tjerë u binin veglave të tjera, të cilat nuk i kishim parë më përpara. Nuk kishte rëndësi harmonia e tingujve dhe melodia, mjafton të bënin zhurmë. Tek ata që kishin dalë për të na pritur dominonte mosha  e re (kam parasysh rreth 30 vjeç) . Të gjithë qeshnin, apo na dukej neve sikur qeshnin, mbasi dhëmbët i mbanin përjashta. Ajo që më shokoi ishte uniforma që kishin veshur ata që na pritën. Kishim parë  e kishim veshur uniformën  e ushtarakëve sovjetikë, shqiptarë  e të vendeve të tjerë  “miq” dhe ishim mësuar të shikonim  ushtarakë të cilët e donin shumë uniformën dhe kujdeseshin që të ishin sa më të pashëm. Ata që na pritën ishin të veshur, siç kishin mundur dhe uniformat e tyre dukeshin si një mozaik, me ngjyra e forma të çuditshme. Aty pashë, për herë të parë uniformë “hibrid”;  gjysma e ushtarakut ishte veshur me uniformë  ushtarake; gjysma tjetër – me rroba civile.  Do të përpiqem të  jem më konkret. Përgjithësisht, si ushtarakët dhe civilët, veshjet i kishin prej doku.  Dominonte ngjyra kaki. Në radhët e pritësve, kishte meshkuj, por dhe mjaft femra. Në përgjithësi, njerëzit, pavarësisht nga seksi, ishin të veshur me pantallona e me xhaketa. Ushtarakët mbanin në kokë kapele, me strehë ose kokore;  civilët – sipas dëshirës.  Meqenëse ishte ftohët,  të gjithë e kishin kokën të mbuluar, me diçka.  Edhe neve, që vinim nga vende të nxehta e ishim nisur nga Shqipëria, në fund të nëntorit të vitit të shkuar,  me veshje të lehta, në Pekin  na pajisën me disa pallto të gjata, ngjyrë të errët dhe ngjanim  si konviktorë.  Palltot  tona ishin të gjata, deri në mesin e kërcirit, (rreth 25 cm. nga toka) të ngrohta, dhe prej një cope cilësore. Ato na shpëtuan nga të ftohtit e atyre ditëve të acarta. Më tërhoqi  vëmendjen veshja  e femrave  ushtarake. Asnjëra  prej tyre nuk ishte pilot. Ato kishin veshur disa xhupa, kaki, me mbulesë doku, të thurur me shtresë  pambuku  përbrenda, si ato “peliçet “që thurnin me dorë, dikur, nënat tona.  Xhupat e tyre ishin të gjatë deri tek vithet e i mbanin të mbërthyer.  Së jashtmi  nuk vihej re gjoksi i tyre dhe, në pamje të parë, një rishtar, siç ishim ne në atë vend, e kishte të vështirë të orientohej drejt, nëse kishte të bënte me një mashkull,  apo me një femër. Them kështu, i nisur nga fakti se femrat ushtarake  i mbanin flokët të prerë  shkurt, aq sa të mbulonin qafën dhe, poshtë mesit visheshin me pantallona; si meshkujt. Po t’i vrojtoje me vëmendje,  (përvojën e fituam dita- ditës duke u ndodhur mes tyre), mund ta dalloje burrin nga gruaja  vetëm nga  fytyra.  Femrat, në përgjithësi,  fytyrën e kanë të rrumbullakët  të zbehtë dhe buzët nuk i lyenin. Pilotët ishin të veshur me uniformë fluturimi. Në kompletin e uniformës së tyre, bënte pjesë një xhup, i shkurtër, deri tek beli, me zinxhir, e me një llastikë të gjerë në fund; me jakë të madhe pellush dhe me pantallona qillota të cilat ishin të futura në çizme ¾. Xhupi dhe pantallonat kilota ishin prej lëkure; të buta, të ngrohta dhe që i rezistonin djegies. Mbathja më befasoi. Pilotët kishin mbathur çizme lëkure ¾, të cilat u shkonin me veshjen. Disa ushtarakë kishin mbathur këpucë lëkure, me qafë, me shtresë gome të trashë. Veç temperaturave të ulëta, herë pas here,  në qytetin ku shkuam,  si në të gjithë rajonin frynte një erë e acartë,  e cila të “thante” fytyrën dhe duart,  po ti kishe të ekspozuara. Për të ruajtur buzët nga plasaritja,  kinezët vendosnin në fytyrë maska, të bardha, prej nape, si ato që mbajnë tek ne punonjësit sanitarë ose ata që shërbejnë  në njësitë  tregtare ushqimore. Maskat ishin me lidhëse, të cilat shërbenin për ti mbajtur të puthitura,  pas fytyrës, në mënyrë që të mbronin lëkurën. Të tilla maska, më pas vendosëm dhe ne. Ato ishin të domosdoshme, veçanërisht  kur ishim të detyruar të qarkullonim  në mjedise jashtë godinave. Atë ditë, pritësit tanë kishin dalë, thuajse të gjithë të pajisur me këto mjete mbrojtëse dhe ishte mjaft e vështirë të dalloje njerëzit nga njëri-tjetri. Provinca Ljao Ning, ku ne shkuam është pranë Mongolisë te Brendshme. Në Perëndim të saj është shkretëtira e Gobit.  Era që vjen nga Veri-Perëndimi, sjell me vete grimca rëre, të imët e cila i jep ajrit një ngjyrë të kuqërremtë, të dukshme nga një sy i mprehtë. Maskat shërbenin dhe për të mbrojtur organet e frymëmarrjes, nga ky pluhur i bezdisshëm e i dëmshëm.

 Diku keni thënë që ju ka prishur punë pa dashje Edip Ohri për kushtet e jetesës?

Disa kohë më parë, kishte shkuar në Kinë  një delegacion ushtarak,  në  përbërje të të cilit ishte dhe komandanti  i  aviacionit, kolonel  Edip Ohri.  Mes porosive të shumta që kishte lënë, koloneli u kishte thënë autoriteteve  kineze të aviacionit:  “Studentët dhe oficerët shqiptarë të aviacionit, ti trajtoni njëlloj si tuajt”! Porositë e komandantit  të Aviacionit shqiptar  u mirëpritën e u vlerësuan  nga vendasit. Ato u hapën udhën atyre që ndodhën më pas, të cilat, për ne nuk rezultuan aq të dobishme. Porositë e shefit shqiptar të aviacionit u erdhën bukur pas avazit drejtuesve kinezë të aviacionit, studentët dhe oficerët  e të cilëve stërviteshin e jetonin në kushte, në të cilat, ne e kishim të vështirë ti përballonim. Kur studionim  në shkollën sovjetike të aviacionit, ishim të përkëdhelurit e regjimit. Ishim mësuar “ta lironim rripin “e të notonim në bollëk; tani duhet “ta shtrëngonim rripin” përsëri, e të përjetonim kufizime, të cilat edhe në Shqipërinë  e varfër të asaj kohe, nuk i ndeshje shpesh. Ushtari kinez, krahasuar me atë sovjetik, përjetonte kufizime ekonomike të papara. Oficerët  kinezë nuk e kishin jetesën  më  të begatë. Ne, studentët, të shkëputur nga grupi i Batajskut, ishim 7 vetë: Adem Çeça, Dhori Zhezha, Mihal Pano, Bashkim Agolli, AndreaToli, Sherif Hajnaj (Bracki), Niazi Nelaj. Për të fjetur na orientuan në të njëjtën dhomë. Studentët e grupit të shturmanëve, ata që kishin studiuar në Krasnodar, për navigatorë  fluturues dhe  erdhën  në Kinë, për të kaluar në trenerim si pilotë,  të cilët ishin më të shumtë në numër, do të flinin në dhoma të tjera;  në kushte si tonat. Sikundër ne, edhe grupi i oficerëve,  të cilët stërviteshin  diku 200 km më larg, të cilët kishin fluturuar, në Krasnodar, në aeroplanët  bombardues  të frontit IL- 28. Ata erdhën në Kinë për t’u stërvitur në aeroplanët  Mig-15 Bis. Ata pretenduan trajtim të diferencuar, në krahasim me ne, studentët dhe përftime materiale,  sipas avantazheve që u jepte grada e oficerit. Nëse nuk mund të trajtoheshin si oficerët sovjetikë,  së paku të kishin përftimet që u takonin si oficerë të vendit të tyre. Mirëpo menaxherët  kinezë që merreshin me këto punë e kishin marrë udhëzimin nga komandanti aviacionit shqiptar për trajtimin tonë; prandaj na futën “në një thes”. U revoltuan e protestuan oficerët që studionin për pilotë,  por përballë këmbënguljes kineze dhe kokëfortësisë e vendosmërisë  të qeverisë tonë, ata preferuan  të ndërprisnin apo të mos nisnin stërvitjen ajrore, për pasojë u kthyen në Shqipëri, ku disa u liruan nga ushtria,  e disa të tjerë u caktuan në detyra të ndryshme, jo fluturuese.  Ishin djem të mirë e pilotë me perspektivë. Me një trajtim më gjakftohtë e të mençur, ndoshta nuk do ta kishin paguar aq keq. Më keq e pësoi aviacioni ynë, i cili humbi një brez pilotësh me vlerë.

–          Biblioteka e shkollës në Kinë së aviacionit nga se përbëhej?

Veprat ishin të klasikëve të marksizëm-leninizmit, kryesisht në gjuhën ruse. Kishte vepra të Karl Marksit e të Frederik Engelsit, si  “Kapitali”,  “Vepra të zgjedhura”,  “Anti Dyhring”,  “18 brymeri i Lui Bonapartit”, etj. vepra, botim i Lajpsigut, etj. Të gjitha  të lidhura  bukur, me kapakë të fortë e me letër  cilësore. Seria e veprave të Josif  Visarionoviç Stalinit, të cilin, vendasit e kishin mjaft për zemër, ishin nga numëri 1 deri tek 14 dhe veprat e zgjedhur atë tij. Ato dhe veprat e zgjedhura të Vladimir Iliç Leninit, mbushnin, me tepri komodinat tona. Mbi të gjitha,  binin në sy veprat e zgjedhura  të  Kryetarit  Mao Ce Dun. Librat e kryetarit të tyre, të cilit ata i uronin të jetonte 10. 000 vjet dhe e kishin si perëndi, ishin të lidhura bukur, me kapakë të trashë  e “këmishë” përsipër, të pajisura me një fjongo të kuqe, për të shënuar faqet. Në kapak e në këmishë, të veprave të Mao Ce Dunit,  shkëlqente një stampë e madhe, e verdhë, me fytyrën e kryetarit  Mao. Të  kujdesshëm e sqimatarë  në çështjet e ruajtjes të  ekuilibrave, organizatorët, e kishin plotësuar bibliotekën tonë me libra e tituj nga shkrimet e  shokut Enver Hoxha. Theksoj se, në ato vite, në Kinë, literatura politike qarkullonte me shumicë  e ishte në modë. Ai që nuk mbante në dorë citatet e kryetarit  Mao e nuk i përsëriste ato, me vend e pa vend, shikohej shtrembër, nga drejtuesit e politikës.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në Kinë?

Martesat,  dashuria  dhe  marrëdhëniet  burrë-grua.   Shumë oficerë ishin të martuar,  por gratë e tyre punonin e jetonin disa qindra, ndoshta dhe më tepër kilometra larg. Adjutanti i garnizonit, në fillim të vitit  hartonte një grafik, siç bëheshin grafikët  tek ne, për lejet e zakonshme  të oficerëve.  Bashkëshortja  e çdo ushtaraku të garnizonit mund të vinte pranë burrit e të qëndronte disa ditë apo javë (1-3 javë) në repart por, me burrin do të flinte vetëm ditën e shtunë.  Për këtë qëllim, në territorin e garnizonit ishin  ndërtuar disa ngrehina, si depot e ushtrisë  tonë nëpër pikat e hapjes, të dikurshme, ku flinin çiftet,  pa  kurrfarë  komoditeti. Në dhomat e këtij lloji, kisha parë një krevat dopio, një dollap rrobash, një tavolinë, dy karrige dhe një pasqyrë, në mur. Bashkimi i çiftit bëhej rigorozisht  sipas rregullave të caktuara, vetëm të shtunave. Kontraceptivët, në atë kohë shiteshin lirisht, gjendeshin kudo e kushtonin mjaft lirë. Lidhjet martesore dhe dasmat  mes kinezëve ishin mjaft interesante.  Brenda garnizonit, më kishte rastisur  të isha pjesëmarrës  në disa të tilla. Komisari  i repartit, i cili në repartin ku drejtonte kishte disa oficerë  beqarë,   shkonte në një ndërmarrje ku punonin vajza, të pamartuara.  Atje takonte sekretarin e partisë; bisedonin të dy dhe binin në ujdi  për të  bërë “krushqi”.  Po të vendosnin dy komisarët  të cilët bëheshin garantë,  për të rinjtë, lidhja  ishte  e përfunduar.  Nuk di  nëse dy të rinjtë takoheshin, njiheshin e bisedonin me njëri-tjetrin. Kam qenë i pranishëm, së bashku me shokët e mi, në një dasmë,  ku dhëndër ishte një ushtarak,  e nuse, një punëtore nga ndërmarrjet e qytetit. Në ditën për të cilën  kishin  rënë dakord “shefat”, organizohej  dasma. Vendi  ku zhvillohej ceremonia e martesës, si rregull ishte dhoma e partisë. Bëhet fjalë për Partinë Komuniste të Kinës.  Ritet e ceremonisë  martesore ishin të thjeshta e interesante.  Për ne, ato ishin të papara  e të padëgjuara.

Cili nga ushtarakët tanë madhorë ka ardhur në atë periudhë në Kinë?

Në vjeshtën e vitit 1962, erdhi në Kinë një delegacion i madh i Ushtrisë Popullore,  me në krye gjeneralin Petrit Dume, në atë kohë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.  Në përbërje të delegacionit  kishte oficerë të lartë  të specialiteteve të ndryshëm,  me kompetencë për të nënshkruar kontrata  furnizimi  me armë. Siç duket,  kjo ishte axhenda e vizitës  të këtij delegacioni.  Na njoftuan të shkonim  me urgjencë, në takim me delegacionin  ushtarak shqiptar, në qytetin mançurian  të Shen Janit (Mukdenit), i cili, në atë kohë ishte disa milionësh dhe të merrte mendjen me ata oxhakë fabrikash, të dëndur e të lartë të cilët villnin tym 24 orë pa u ndalur. Mbërritëm në qytet herët në mëngjes dhe deri sa të shkonte ora për takim u sistemuam në një hotel turistësh mjaft modern, luksoz. Ishim mësuar  të na monitoronin  “përkthyesit” tanë, në çdo hap, por nuk kisha parë ndonjëherë që në çdo cep të korridorit të hotelit të shikoja një burrë, të ulur në karrige, i cili bënte sikur lexonte gazetën. Prania e tyre më krijoi një farë bezdie dhe alergji. Nuk e besova se ata ishin pushues ose turistë, të cilët, aq gjatë ishin të interesuar të lexonin  shtypin.  Mendja më tha se ata mund të ishin njerëz të shërbimit inteligjent kinez. Të tillë kishte kudo, në çdo vend, edhe tek ne, ndryshonin vetëm metodat e punës, teksa detyrat mbeteshin po ato; ruajtja e interesave të shtetit përkatës. U sistemuam në katin e sipërm të hotelit luksoz; takimi me delegacionin ushtarak  të ardhur nga Shqipëria do të zhvillohej në një sallë, katin e parë të tij. Na duhej të zbrisnim para kohe, për të pritur shefin e madhe dhe suitën që e shoqëronte.  Së bashku me studentin nga Durrësi Perlat Lako, një djalë tek i cili ishin mbledhur gjithë vetitë e mira që mund të ketë një njeri,  morëm ashensorin,  për të zbritur nga kati i pestë ku  ndodheshim;  në të parin. U befasuam  e u mrekulluam kur në ashensor hyri një “perri”. Pranë nesh qëndronte një vajzë,  rreth  të  njëzetave, e bukur, si yll. Ajo na surprizoi e na la pa mend.  E kishim aq  pranë  e nuk mund t’i thoshim asnjë fjalë.  Jo vetëm se nuk dinim në cilën gjuhë komunikonte, por dhe nuk guxonim.  Bukuria e saj “na vrau”. U mekëm, të dy. Na dukej sikur ishim  në një ëndërr  të bukur e cila  nuk donim të mbaronte. E vrojtonim, me sy, të përhumbur; sikur do ta përpinim. Edhe ajo na vështronte e buzëqeshte, ëmbël. Kur ajo vinte buzën në gaz, dukej akoma më e bukur. Thonë që ëndrra më e gjatë e ka vazhdimësinë rreth 3-4 sekonda. Besoj aq na u desh dhe neve të zbrisnim deri në katin e parë. Me “dhimbje” lamë  të dilte e para nga ashensori ajo bukuri e rrallë. U largua  nëpër hollin e hotelit, me çapa të vogla e tërë naze.  Një koketë  e vërtetë,  joshëse. E mori me vete tërë atë nur bukurie e ato hire vajzërore,  të cilat na erdhën si dhuratë  vetëm për  pak sekonda. Kur mbetëm të dy, me Perlatin, të cilin e kisha shumë shok; luanim së bashku ping-pong e bënim shaka “të rënda”, në intimitet këmbyem disa opinione  djemurie.  Pyetëm njëri-tjetrin, si u ndjemë në praninë e asaj bukurosheje  nga Japonia, e cila erdhi  e iku, si një vetëtimë e na la të shastisur, si në një hipnozë. Të dy, secili në vetminë e tij kishte suportuar diçka të pandodhur. I thashë shokut tim të mirë, durrsakut shpirt njeriu  se mua  më dridheshin gjunjët kur shikoja atë qenie njerëzore të veçantë, po ty, Perlat?  Edhe mua,  më ndodhi e njëjta  gjë, tha tjetri, sinqerisht.  Përfundimi ishte  një: Të dy vuanim nga e njëjta sëmundje. Me këtë ndjenjë kënaqësie, u bashkuam me shokët dhe hymë në sallën e takimit. Mallkuam veten dhe fatin tonë që qëndruam aq pak pranë saj. Na u duk sikur ishte shkëputur  nga  yllësitë, për të na tunduar ne “mjeranëve”, e kishte ikur prapë, andej nga erdhi.

Nesër do të lexoni:

-Petrit Dume i dha urdhër shoqëruesit të tij të bindur: “Këtë bashibozuk kthejeni menjëherë në Shqipëri”

– Petrit Dumja na quajti “qurrashër”  pasi kërkonim disa përmirësime të kushteve

– Si mësuam veçoritë e pilotimit me aeroplanin reaktiv Mig – 15 Bis

Legjenda e ishullit  San Hae Guan  një vajzë adoleshente, e bukur, e cila u bë theror, për të shpëtuar popullsinë e ishullit, nga rreziqet e kohës