Lufta partizane dhe heronjtë e LANÇ

5518
Sigal

Flet ish-oficeri i lartë, Astrit Miho

– Lufta II Botërore rezulton si konflikti ushtarak më i përgjithshëm e më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit. Për të shuar sa më shumë jetë njerëzish si dhe për të shkatërruar sa më tepër vlera materiale, kulturore, etnografike, historike, e të tjera, të krijuara nga brezat njerëzorë ndër shekuj. Në këtë luftë me përmasa të përbotshme, u përdorën 1,5 milionë gryka zjarri artilerie, 620 mijë aeroplanë, 280 mijë tanke e artileri vetëlëvizëse, dhjetëra-mijë mjete luftarake detare, miliona armë e pajisje të tjera luftarake.

Kur kujtohet ajo luftë e gjithë bota shtanget para fakteve dhe humbjeve të panumërta në njerëz dhe në materiale. Një Evropë që u shkatërrua tërësisht. Miliona të vdekur, toka e tre kontinenteve u zhurit. Ndaj 9 Maji 1945 kujtohet në të gjithë botën si dita e fitores mbi fashizmin. Një ndihmë të madhe në këtë luftë ka dhënë dhe Shqipëria. Ndaj vlerësimi për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, duhet të jetë maksimal. Mbetet një Luftë që gjithë bota e ka vlerësuar dhe e vlerëson, ndërsa ne mundohemi ta errësojmë. Përse? Kush do ta zbeh rëndësinë e kësaj lufte dhe përse? Për pjesën dërrmuese të historianëve kjo Luftë është një ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Kufijtë kohorë të saj janë; nga prilli 1939 e deri më 29 nëntor 1944. Ne jemi ndër popujt që mbajti peshën e pushtimit më të gjatë në Evropë. Vite sakrifikimi dhe flijimi. Shqiptarët deri më sot e kanë njohur atë si një luftë çlirimtare, duke e renditur Shqipërinë si pjesë e Koalicionit të madh Antifashist. Po ndër historianët shqiptarë dhe atyre që merren me historinë apo që u intereson kjo pjesë e historisë, këto vitet e fundit, përveç tiparit të saj çlirimtar, është nënvizuar se ajo kishte dhe tiparet e një lufte që u bë për pushtet, duke e zbehur kështu tiparin e saj kryesor, atë çlirimtar e liridashës. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin shembuj se si Ushtria Nacionalçlirimtare nuk bashkëpunoi me Ballin Kombëtar e Legalitetin. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin dhe egërsinë e atyre që erdhën në pushtet dhe i luftuan po aq egërsisht përfaqësuesit e këtyre dy grupimeve. Për të dhënë një ide të qartë se cili duhet të jetë qëndrimi ndaj kësaj Lufte, duhet të bazohemi mbi realitetin shqiptar në këtë periudhë.

Së pari, duhet të përcaktohen kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Kufirin kohor e përcaktojnë ardhja dhe largimi i pushtuesve që është 7 prilli i vitit 1939 dhe ikja e tyre më 29 nëntor 1944. Brenda këtij kufiri kohor duhet të shihet dhe të analizohet kjo Luftë.

Së dyti, duhet të shikojmë palët që morën pjesë në këtë luftë. Palën kundërshtare e kemi të përcaktuar. Janë dy pushtuesit; fashistë e nazistë, ardhja dhe largimi i të cilëve përcaktuan dhe kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Nga pala shqiptare kemi Ushtrinë Nacional Çlirimtare nga njëra anë dhe Ballin Kombëtar dhe Legalitetin nga ana tjetër. Përderisa Balli Kombëtar dhe Legaliteti, nuk u përballën me pushtuesin, nuk mund t`i quajmë si pjesë e kësaj Lufte. Kush i pengoi këto forca politike të krijuara në Shqipëri të bënin një betejë me gjermanët, qoftë dhe të përbashkët? Kjo tregon se ato nuk ishin krijuar për të luftuar pushtuesin. Gjithë pesha e kësaj Lufte ra mbi Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Pala shqiptare u rreshtua përballë kësaj lufte me 100 mijë luftëtarë. Të gjithë dolën në mal me vullnet të lirë, sepse organizimi i tyre nuk u bë nga institucionet shtetërore. Qeveria shqiptare, nëse mund ta quajmë qeveri, ishte nën urdhrat e pushtuesit dhe nuk kishte asnjë mundësi për të vepruar, edhe sikur të donte të vepronte. Tipari i kësaj lufte u përcaktua nga pjesëmarrësit e saj. Me vullnet të lirë, për një Shqipëri të lirë. Veçori e kësaj Lufte është pjesëmarrja masive e shqiptarëve. Për një Shqipëri që në fund të Luftës numëronte 800 mijë banorë, ne renditemi ndër vendet më antifashistë të Evropës. Po ajo që ne na i shton më tepër lavdinë dhe krenarinë është se ne i dhamë kësaj lufte 28 mijë dëshmorë. Edhe nga numri i flijimeve, në raport me popullsinë, ne renditemi ndër ato vende që janë krenaria e Luftës Antifashiste evropiane. Shpirti liridashës i shqiptarit u manifestua edhe tek pjesëmarrja e gruas. Raste të veçuara të pjesëmarrjes së gruas në Luftë kemi pasur edhe më parë, por Lufta Nacionalçlirimtare rreshtoi 6 mijë gra dhe vajza që treguan po aq heroizëm sa dhe burrat. Për nga rëndësia e madhështia që ajo pati, është pika më e shndritshme në historinë e Shqipërisë. Çdo përpjekje për të zgjeruar kufijtë kohorë të kësaj Lufte apo për të shtuar si pjesë të saj grupime njerëzish që nuk u përfshinë në këtë Luftë, pra, që nuk shënuan një betejë kundër dy pushtuesve të Shqipërisë, është e dështuar. Kjo Luftë ka vendin e saj në histori, një histori betejash dhe sakrificash që shkuan deri në vetëflijime. Ajo është një Luftë që u bë për lirinë e Shqipërisë dhe shërben si simbol për të gjithë shqiptarët. Pushtuesit erdhën si armiq të të gjithë shqiptarëve dhe ata kur internonin dhe pushkatonin, nuk pyetën askënd se çfarë bindjesh politike kishin. Ndaj ajo është një Luftë jashtë bindjeve politike të shqiptarëve të sotëm, por edhe të atij brezi që erdhi menjëherë pas tyre. Ndaj kjo Luftë duhet të respektohet ashtu siç respektohet çdo 9 Maji në botë. Me Luftën tonë jemi krenarë para çdo populli në botë. Vetë misionet anglo-amerikane e kanë vlerësuar Luftën tonë dhe ne duhet ta nderojmë akoma më shumë. Duhet ta nderojmë pasi ajo ndaloi copëtimin e Shqipërisë pas kësaj Lufte. Nëse do ishim radhitur përkrah humbësve, Shqipëria sot nuk do ishte kjo që është.