Luan Shtëpani: Historia e misioneve britanike në Shqipëri gjatë luftës, zbardhen dokumentat sekrete 

67

17 dhjetor 1943, Gjenerali Dejvis i dërgon këtë telegram Qendrës në Kajro

Ja si veproi Drejtoria për Operacione Speciale (SOE) për të nxitur rezistencën dhe për të udhëhequr sabotimet në brendësi të vijave të armikut

Sigal

Nga Luan Shtëpani

Në maj 1943, në Shqipëri mbërriti misioni i parë ushtarak Britanik, i cili u pasua me disa të tjerë. Në vjeshtë të vitit 1943, u dërgua Gjeneral Brigade, Edmund F. Davis, i cili ishte shefi i të gjitha misioneve ushtarake britanike në Shqipëri. Rezistenca shqiptare përfitoi nga ndihmat e Aleatëve të Kombeve të Bashkuara, si në mjete financiare, materiale ushtarake e civile, ashtu dhe në trajnime. Skuadra të vogla ushtarakësh elitarë britanikë filluan të parashutoheshin në Shqipërinë e pushtuar nga forcat e boshtit fashist. Këta burra vepronin nën komandën e “Special Operations Executive- Drejtorisë për Operacione Speciale (SOE) një organizatë e krijuar nga qeveria angleze gjatë luftës së dytë botërore për të nxitur rezistencën si dhe për të udhëhequr sabotimet në brendësi të vijave të armikut. Detyra e njerëzve të SOE-s ishte të gjenin e të ndihmonin luftëtarët lokalë dhe të sulmonin forcat e boshtit fashist sa më shumë të ishte e mundur. Personeli i SOE-s në Shqipëri kreu akte të larta heroizmi ku nga radhët e tyre pati të plagosur dhe viktima. Gjithashtu këtë e vuajti dhe “Royal Air Force”, që kishte si mision hedhjen me parashutë të njerëzve dhe furnizimeve.

Arkivi sekret britanik dhe botimi i Roderick Bailey

Roderick Bailey, profesor i historisë në Universitetin e Oksfordit, në botimin e tij për SOE-t në Shqipëri, që po i referohem, është bazuar në dokumente arkivore, në raportet e dërguara prej ushtarakëve britanikë nga terreni, si dhe në udhëzimet, që u vinin atyre nga Londra. Autori ka shfrytëzuar edhe fonde të rezervuara (sekrete). Për rrjedhojë, botimi zbulon mjaft anë ende të panjohura të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri, të qëndrimeve të mbajtura nga formacionet e ndryshme politike e ushtarake shqiptare ndaj pushtuesit, të marrëdhënieve të tyre me misionet aleate si dhe të marrëdhënieve konfliktuale që grupimet shqiptare patën mes tyre qysh në fillimet e rezistencës antifashiste. Më poshtë, ja disa ngjarje sipas Roderick Bailey.

Takimet e Gjeneralit Dejvis

Në fund të tetorit, Dejvis thirri në Bizë dhe u foli pjesës më të madhe të oficerëve të tjerë, që ishin të shpërndarë në Shqipëri. I ardhur nga Mati qe Toni Nil që raportoi i pari. Pastaj pas disa ditë marshimi nga lindja, nga Dibra erdhi dhe Endi Hends. Bashkë me të ishte dhe major Richard Riddell (Riçard Ridëll), drejtuesi i një skuadre pre tre vetësh, që ishte parashutuar më 20 tetor tek Hendsi. Ridëll ishte 27 vjeç, oficer i rregullt në “Royal Horse Artillery” dhe një sportist i talentuar. Pasi e përditësuan Dejvisin me atë që kishin vënë re, Nil dhe Hends u nisën me urdhërin për të eksploruar skutat e Shqipërisë Veriperëndimore dhe Verilindore, ndërsa Ridëlli u nis me udhëzime për të marrë përsipër punën e Hendsit në zonën e Dibrës. Alan Palmer mori me vete Smithin dhe Hakstëbëllin pasi mori urdhër për të lëvizur drejt jugut (Korçës) për të bashkëpunuar me bazat partizane, ku misioni i Meklinit kishte qëndruar pothuajse gjatë gjithë verës. Pastaj Piter Kemp erdhi me lajmet e veta dhe raportin e Xhorxh Sejmorit. Pasi mori Alën Herin vazhdoi menjëherë rrugëtimin, këtë herë drejt Dibrës, ku tensionet ndërmjet bajraktarëve vendas, figurave të krerëve shqiptarë dhe partizanëve të Haxhi Lleshit ishin në rritje.

Negociatat e Dejvisit

Më 26 tetor, ndërsa po bisedonte në Bizë me një nga anëtarët e Këshillit NÇL asistoi për herë të parë në kontrastet ndërmjet vendasve, ku aty erdhi një përfaqësues i Ballit Kombëtar. “Pati një kryqëzim të veçantë vështrimesh dhe zemërim” – kujtonte Nikëlls në ditarin e tij, por fatmirësisht nuk pati incidente, meqënëse Dejvisi ishte i vendosur që të tregonte se ai do të afrohej me këdo që do të ishte me të vërtetë i interesuar për shkatërrimin e gjermanëve. Nuk desh shumë kohë që misioni filloi të kuptonte se sa të thella po bëheshin ndarjet.

Takimi i parë i Dejvisit me Enver Hoxhën dhe pjesën më të madhe të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar

Ky takim u zhvillua në Labinot më 31 tetor. Bashkë me të ishte dhe Nikëllsi. Dejvisi e mori fjalën i pari dhe përkthehej nga Fred ( Frederik) Nosi, një partizan anglishtfolës, i cili ishte caktuar si oficer ndërlidhje me britanikët. Ai shpjegoi misionin e tij dhe atë që po përpiqeshin të bënin aleatët. “U prit ftohtë”. Këshilli u përgjigj me një raport të gjatë për mosmarrëveshjet ndërmjet tyre dhe Ballit Kombëtar. Dy oficerët mësuan se LNÇ kishin nxjerrë urdhëra që të luftohej dhe të çarmatosej Balli kudo që të hasej nga partizanët. Deklarojnë se mund ta bëjnë këtë pa u tërhequr në asnjë mënyrë nga përpjekjet kundër gjermanëve. Të nesërmen vazhduan bisedimet. Dejvisi ritheksoi rëndësinë e madhe që ka që të mos u lejohet gjermanëve që të udhëtojnë të qetë në rrugët kryesore. Ata pranojnë dhe premtojnë se do të ndërmarrin një politikë më dinamike për të qëlluar objektivët dhe për të ngritur prita.

Ditari i Luftës së SOE TNA HS 7/271. 2 nëntor 1943, takimi me Abaz Kupin 

Dejvis dhe Nikëlls udhëtuan drejt Shëngjergjit, për t’u takuar dhe folur me Abaz Kupin, i cili kishte ardhur atje disa ditë më parë. Bisedimet filluan atë mbrëmje dhe vazhduan të nesërmen në mëngjes.“Kupi ishte akoma anëtar i Këshillit të LNCL – raportoi më pas Dejvis, por kishte krijuar në fshehtësi partinë e re të Zogut, duke pohuar “se kishte ndjekës të shumtë në të gjithë vendin”.  Dhe kishte në plan që të propozonte bashkim të Ballit Kombëtar me ndjekësit e tij me qëllimin e vetëm “për të luftuar gjermanët”. Ai gjithashtu kërkoi armë. Dejvisi pranoi se do të përpiqej që të sillte tre ngarkesa, të cilat do të lëshoheshin në zonën e tij. Sidoqoftë edhe Kupi nuk i bëri shumë përshtypje britanikëve. “Abaz Kupi ka një karakter të çiltër, por mjaft ëndrrimtar” – vërente Nikëlls. Përsa i përket aleancës me Ballin Kombëtar të propozuar nga Kupi, Dejvis mendonte se kjo do të thoshte thjeshtë “një rritje e madhe e fuqisë së Ballit Kombëtar” çka do të sjellë si rrjedhim një “përkeqësim” të tensioneve brenda vendit. Dejvis dhe Nikëlls u kthyen në Bizë.

8 Nëntor 1943, Dejvis takim me delegacionin e Ballit Kombëtar

Me reshterin Çizhum, që mbante protokollin, Dejvis dhe Nikëlls u nisën përsëri drejt Shëngjergjit për t’u takuar me një delegacion të rëndësishëm të Ballit Kombëtar. Binte pak shi kur u nisëm, por gjatë rrugës hasëm një shtrëngatë shiu dhe breshëri që rrallëherë e kemi hasur. Edhe kuajt nuk donin të vazhdonin. Më në fund të lagur e të bërë ujë arritëm në fshat. Ndër njerëzit që takuam ishte dhe Kryetari i vjetër i Ballit Kombëtar Mid’hat Frashëri, kushëriri i regjentit kryesor. Të gjithë ishim mbledhur për të kaluar një pasdite dëshpëruese. Pas më shumë se 6 orësh bisedimesh të vazhdueshme në atë atmosferë që ndonjëherë kthehej në armiqësore, takimi mbaroi në orën 19.30 pa asnjë rezultat. Por, mjaf çuditshëm mbrëmja pasuese qe me të vërtetë miqësore. Dejvis bëri të pamundurën në mënyrën më të mrekullueshme dhe me durim dhe takt të pafund. Askush nuk mund të kishte bërë më tepët për të ndryshuar rezultatin. Balli dukej se ishte i vendosur për luftë civile. Të nësermen përsëri në Shëngjergj britanikët u gëzuan kur u njoftuan nga Balli Kombëtar “se ata kishin vendosur papritmas që të dorëzonin një deklaratë të shkruar sipas kërkesës së Dejvisit, ku shprehej qëllimi i tyre për të luftuar me gjithë zemër kundër gjermanëve si dhe të premtonin gojarisht se do të ndalnin luftimet me LNC”.

11 nëntor 1943 takimi i Enver Hoxhës me britanikët

Më 11 nëntor 1943, Enver Hoxha, Spiro Moisiu dhe Dali Ndreu erdhën për të takuar Dejvisin. Pas drekës sipas Nikëlls, Dejvis u tha atyre për “deklaratën e firmosur nga Balli Kombëtar për të luftuar gjermanët” dhe qëllimin e tij për ta transmetuar lajmin në BBC. Dhe më pas filluan grindjet. Kritika të ashpra ndaj Dejvis dhe BBC. Hoxha tha se i konsideronte përpjekjet e Ballit Kombëtar si të kota dhe se ai do të luftonte gjithësesi kundër tij. Në javët në vijim misionit anglez i ndryshoi humori. Moti u ngrys, duke e bërë të pamundur lëshimin si të rezervave, ashtu dhe të njerëzve. Partizanët kishin krijuar tashmë dy brigada të reja,”Brigadën e Dytë” dhe të “Tretë” secila me disa qindra vetë dhe sipas lajmeve flitej për konfliktin e hapur në rritje ndërmjet tyre dhe Ballit Kombëtar.

Oficerët britanik dëshmitarë në luftë, ja qëndrimi i tyre

Oficerët e misionit Britanik në Shqipëri ishin dëshmitarë të ngjarjeve. Ata kanë theksuar disa herë se kush ishte duke luftuar në Shqipëri, kundër nazifashistëve. Gjeneral Dejvis i shkruan qendrës “Tani unë rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, saqë duhet urgjentisht të demaskohet Këshilli i Regjencës, Balli Kombëtar dhe Zogistët. Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët”. Ndërsa oficeri tjetër britanik, Reginald Hibbert ka shkruar: “Nacionalistët i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, madje as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve”. Gjithashtu dhe oficerët britanikë Maklin dhe Smajli, të cilët nuk kishin marrëdhënie të mira me partizanët dhe qëndruan më gjatë pranë Abas Kupit, në raportin që i dërgojnë qendrës shkruajnë: “LANÇ-i është forca kryesore ushtarake dhe me kapacitet ushtarak në Shqipërinë qëndrore dhe të jugut, ne duhet të mbështesim partizanët me ndihma ushtarake, sepse këto janë forcat efektive në vend”.

17 dhjetor 1943, Gjenerali Dejvis i dërgon këtë telegram Qendrës në Kajro

“Tani rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, është imperative tani të denoncohet Këshilli i Regjencës kolektivisht dhe emër për emër. Po ashtu BALKOM dhe ZOGISTET. Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët po i shfrytëzojnë ata duke u dhënë armë në sasi të mëdha, duke i vënë të ruajnë rrugët kryesore, të bëjnë punën e policëve në qytete e të drejtojnë patrullat, duke i çliruar kështu trupat gjermane nga kjo barrë. Në të gjitha aksionet e kryera, kohët e fundit, nga LNÇ janë ndeshur me trupa të përziera gjermane e balliste, të armatosura mirë, të stërvitura nga gjermanët. Betejat në zonat e Pezës e Dibrës, veçanërisht në këtë të fundit kanë dhënë prova të shumta për bashkëpunimin e ngushtë. Balkom dhe Abaz Kupi si njëri dhe tjetri më kanë premtuar se do t‘i luftonin aktivisht gjermanët, por nuk kanë bërë asnjë aksion këto muaj të fundit, ndonëse kanë pasur shumë raste për t‘u bërë rezistencë gjermanëve. Abaz Kupi ka hequr dorë nga vendi i tij në Këshillin LNÇ dhe i ka prerë marrëdhëniet me ta. Si Balkom dhe Zogistët tani botojnë gazeta të kushtueshme dhe ambicioze, që duket hapur se janë ndihmuar nga gjermanët. Në tetë numra nuk ka pasur asnjë referim antigjerman. Të dyja palët lëvdohen se aleatët do të bashkëpunojnë me ta, pasi të kenë ikur gjermanët, duke cituar si dëshmi që Britania nuk ka përmendur me emër as Këshillin e Regjencës dhe asnjë parti politike. Shembull: fjala e drejtorit të BBC drejtuar SHQIPËRISË më 28 nëntor. “Do të parapëlqeja që të jepja shpjegime personalisht kur të largohesha prej këtej, por edhe mund të vonohem; e nuk ka të ngjarë që të vij te ju para mesit të janarit në rastin më të mirë. Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të bëhet publik menjëherë, duke treguar se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë kundër gjermanëve do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët. Shqiptarët e kanë luajtur këtë lojë kuislingësh në vazhdimësi me turqit, italianët dhe tani me gjermanët. Ata besojnë se do të bëjnë të njëjtën gjë me aleatët. Prandaj rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të LNÇ”.”

Plagosja e Dejvis, kujtimet e britanikëve

“Ndërsa Dejvis qëndronte jashtë u qëllua me armë zjarri. U duk menjëherë që ata ishin të rrethuar. Njerëz të armatosur mund të dalloheshin duke lëvizur nga lart nga tre anët. Ata që ishin afër ishin rreth 450 metra larg. Grupi filloi t’i ngjitej malit mes të shtënave në kolonë për një dhe duke çarë dëborën. “Ishim fare të zbuluar nga kjo anë “- do të kujtonte Alën Her “. Trajtat tona të errta dalloheshin me një qartësi të papëlqyeshme, avancimi qe i vështirë ” Mali qe shumë i rrëpirtë dhe grumbujt e dëborës të thellë. Rrezja u ngushtua, të shtënat bëhen më të ashpra dhe më të sakta. një nga objektivat e veçantë ishte Artur Nikëllsi, një plumb i çau rripin dhe i kaloi tejpërtej kapeles dhe fundit të palltos. Her që qëndronte në fund të vargut, vuri re më pas trajtat e dy njerëzve, që zbrisnin poshtë faqes së malit në drejtim të tij. Njëri ishte Dejvis. Kur ju drejtova atij, ai u përgjigj me pak vështirësi, duke më thënë se kishte marrë dy plagë, refuzoi çdo lloj ndihme që i ofrova dhe më urdhëroi që të vazhdoja. Pas një dileme, që nuk zgjati shumë vazhdova ngjitjen”. Mjaft vetë u rrëzuan: disa nga rraskapitja, disa nga plagët. Njëri prej tyre ishte nëntoger Çizhum, që tha se ishte tepër i rraskapitur për të vazhduar dhe u shtri mbi dëborë, megjithëse bëra çdo përpjekje për ta bindur. Përgjigja me zjarr nuk pati ndonjë efekt, – sillte ndërmend Her -, për faktin se ata ishin të mbuluar, ndërsa ne ishim fare të zbuluar. Ai dhe Nikëlls pranuan se megjithatë të mbijetuarit u përpoqën që të bënin qëndresë nga njëra prej majave, por ata që i sulmuan arritën para tyre dhe hapën zjarr kundër tyre në një distancë prej 18-20 metrash. Të gjithë partizanët e mbijetuar u shpërndanë pa Çeshërin, që mendohej se ishte plagosur dhe ushtarin Smith që mendohej se kishte humbur. Her dhe Nikëlls që ishin vetëm çaluan drejt pemëve pranë për t’u mbuluar. Kur u err ata u vunë përsëri për rrugë. Të nesërmen në orën 6 të mëngjesit, pas 11 orësh, “përvojash të makthshme mbi grumbujt e dëborës, e murlanit”, ata hasën kasollen e vjetër të ndërlidhjes ku Her ishte fshehur Ditën e Krishtlindjeve. Njëri prej tyre, ndoshta Nikëlls e mbante akoma me vete ditarin. Shënime të tjera rrëfejnë historinë e ditëve në vijim. Ata sërish udhëtuan dhe se gjendja e tyre shëndetësore ishte jo e mirë.

Dëshmitë e Dejvis dhe të mbijetuarve

Zërat arritën menjëherë në Kajro dhe në misionet e SOE-s në terren se kishte ndodhur diçka katastrofike. Hollësitë se çfarë i kishte ngjarë Dejvisit dhe njerëzve të tij u dëshmuan vetëm kur u gjetën të mbijetuarit. Neri dhe Nikëllsi në momentet e fundit të jetës mundën të tregonin se si u rrënua misioni dhe sa gisht patën shqiptarët në këtë gjë. Ata treguan se Dejvis ndoshta dhe Çeshër ishin plagosur, se Treihorn mendohej se ishte zënë rob dhe se tre nëntetarë britanikë kishin humbur. Pastaj në mars u shfaq Çizhumi, herën e fundit e pamë të binte në dëborë i rraskapitur e tani ai ishte mjaft i aftë për të kuptuar përfshirjen e shqiptarëve në pritë, meqenëse Balli Kombëtar e kishte zënë rob. Një oficer i SOE që e pa atë, pasi u bashkua me misionin e Sejmorit do të kujtonte në ditarin e tij se si Çizhumit i kishin marrë rrobat e plaçkitur, se shpëtoi prej ballistëve pasi hapi kapakun e baxhës së një tualeti, qëlloi një shqiptar dhe mbijetoi i fshehur për një kohë të gjatë me rroba të fëlliqura në një stallë me dy kuaj. Në një copë letre të gjetur në arkivat e OSS-së thuhet se: ” nëntetari Çizhum ishte plaçkitur nga xhandarmëria, dhe për pak sa nuk e vranë, por ai vrau njërin prej tyre dhe të tjerët ikën me vrap”. U desh më shumë kohë që të vinte dëshmia e fatit të të tjerëve. Vetëm në korrik autoritetet britanike morën vesh përmes Zvicrës se Dejvis ishte gjallë dhe në duart e gjermanëve. Trupat balliste e kishin plagosur në rrethim gjeneralin. Pasi e zunë rob e dorëzuan tek gjermanët. Vetëm kur u la i lirë pati mundësinë të përshkruante se çfarë i kishte ndodhur. Pasi një automatik hapi zjarr në drejtim të tij, duke e bërë që të rrokullisej në dëborë ai zbuloi që ishte qëlluar në bark dhe në thembër nga një plumb, që kishte goditur kutine e tij të duhanit, si dhe kishte gërvishtur një monedhë stërline, përpara se të prekte trupin e tij. I njejti zjarr kishte qëlluar në kofshë Xhim Çeshër, kolonelin italian në qafë dhe një partizan në të dy kofshët. Duke mos përfillur urdhërat e Dejvisit se të plagosurit duhet të braktiseshin, me fishekët e fundit të armës së tij model 38 dhe me grushte Xhim Smithi u mundua të përballonte në fillim plumbat që kërcisnin rrotull tij, pastaj tek pragu i derës, duke qëndruar pranë oficerëve të tjerë. Të nesërmen iu dorëzuan gjermanëve. Këmba e Çeshërit u shërua shpejt. Menjëherë atë dhe Smithin i dërguan nga Tirana në Beograd ku ata u burgosën për disa javë në qelitë nëntokësore, për të vazhduar pastaj në Gjermani ku Çeshër u dërgua në Koldic dhe Smith në një kamp të rregullt për aviatorë të zënë rob. Plagët e Dejvis ishin të rënda. Në Tiranë iu tha se do të vdiste. Kur gjendja e tij shëndetësore u përmirësua u dërgua në Beograd. Pasi u mor në pyetje nga Gestapo dhe e lëvizën përsëri, përfshi një qëndrim të shkurtër në kampin e përqëndrimit në Mathausen, ku e mori mjaft veten, Dejvis kërkoi që ai dhe britanikët e tjerë të trajtoheshin si ushtarë dhe u bashkuan me Çeshër dhe Treihornin në Koldic. Të gjithë qëndruan atje derisa u liruan. Më vonë për punën e tyre në Shqipëri Dejvis u dekorua me “Distinguished Service Order” dhe Çeshërit me “Military Cross”. Smithit iu akordua “Distinguished Conduct Medal” për aktivitetin e tij në Kostenjë, të cilit iu shtua dhe “Military Medal” për të cilën e kishte rekomanduar Sejmor pas betejës së Pezës. Historiani Roderick Baily, në botimin e tij për SOE-t në Shqipëri bazuar në dokumenta arkivore sekrete, por tashmë të deklasifikuara shkruan se qeveria britanike, më në fund, e mbështeti krejtësisht Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe u detyrua të heqë dorë nga mbështetja e ballistëve të Mid’hat Frashërit e sidomos të zogistëve të Abaz Kupit dhe të nacionalistëve të tjerë.