Ismail Qemali në dokumentin e panjohur të firmëtarit M. Ferid Vokopola
Gazeta Telegraf/
Vasfi Baruti
Nga botimi i procesverbaleve të shtatë mbledhjeve të shpalljes së pavarësisë, për herë të parë në gazeta “Përlindja e Shqipnis” (nr. 6, 1913), do kalojnë afro 103 vjet e në herë të parë kemi të vërtetën e pamëshirë të “Mbledhjes së parë të Kuvendit të Përgjithshëm 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1912”, kur u mor vendimi historik i shpalljes së Pavarësisë, pas fjalimit mbreslënës të Ismail Qemalit, dhe që vjen këtu për Telegraf. Argumenti është nga ish-firmëtari i dokumentit të pavarësisë, M. Ferid Vokopola, i fundit firmëtar në jetë deri më 1969 dhe në të pakët firmëtarë elitarë të atij Kuvendi. Argumenti Vokopola s’është thjesht kujtim, përjetim, është “procesverbalmbajtje” e atyre çasteve historike kuvendim pasditen e 28 nëntorit 1912 dhe më e rëndësishme historike është fjala e Kryetarit Ismail Qemali, padyshim është transkriptimi i dokumentit origjinal të Kryetarit nga Vokopola, dhe që me të gjitha gjasat dokumentin do e kishte nga dora e vetë Ismail Qemalit, dhe për arsye disi të paqarta fjalimi i Tij s’kish mundur të linte gjurmë në procesverbalin e Mbledhjes së parë (autenticiteti i të cilit ndriçohet përfundi këtij dosieri.) Në vijim argumenti Vokopola i shkëputur nga koleksioni “M. Ferid Vokopola” dhe merita për këto zbulesa të panjohura të shumëvlera nga fjala e Ismail Qemali në Kuvend vjen nga koleksionisti profesionist Sami Metalia e mirënjohje të veçantë për të.
Dorëshkrimi i pasdites 28 Nëntor 1912!
[Mungojnë faqe të mëparshme]
Firmëtari M. Ferid Vokopola: “… Rreth tryezës, në krye nga ana e hyrjes, ishin vendosur tre frone, në mes të cilëve ndejti Ismail Qemali, në kahun e djathtë Myfti Vehbi Dibra, në të majtë Dom Nikolla Kacorri, në ballin e tryezës së gjatë karshi Ismail Qemalit kishte zënë vend Bab Dud Karabunara, në krahun e djathtë të tij Abdi Toptani, në të majtën Jani Minga dhe në të dy anët zumë vendet neve Delegatët e tjerë. Në karriket e vendosura prapa dhe nga ana e djathtë ishin vënë 50 – 60 karrike dhe si dëgjues kishin ardhur krerë nga krerët e popullit.
Pas një heshtje shpirtërore u ngre në këmbë Ismail Qemali, mjekra e tij e zbardhur si një re pylli shkëlqente, sytë i xixëllonin nga presioni i ndjesive të çastit madhështor historik me një zë të tingëllueshëm që shfaqte forcën e një vullnet të çeliktë. Si shqiponjë që përgatitet të ngrihet në hapësirat e qiellit, i hodhi sytë rreth e rrotull Delegatëve, i vuri të dyja duart mbi flamurin që kishte përpara dhe sikur i qe shfaqur aty vetë flamuri i Kastriotëve, i ngriti sytë një sekondë mbi atë altar të shënjtë por kuptimplotë. Ai aty e pa dhe neve na i vuri në dukje magjike shëmbjen e shpellave shekullore të robërisë e filloi me fjalë të shkurtëra.
“Zotërinj! Si inisiator i kësaj mbledhje historike iu falenderoj Juve dhe popullin kreshnik shqiptar që iu zgjodhi, duke çuar në vend ftesën time, barra që na është ngarkuar është e shënjtë po shumë e rëndë. Juve e dini që të gjithë situatën dhe e çmoni delikatesën e minutave që po kalon kombi dhe atdheu jonë i dashur. Jeni të ftuar e të mbledhur këtu të gjithë që të jepni vendimin historik për fatet e kombit dhe të Shqipërisë. Si e kërkon rregulli do të shqyrtojmë aktpërfaqsimet dhe pastaj do të kalojmë në bisedime përfundimtare.” Ismail Qemali pasi u ul kreu nga një zarf aktpërfaqsimin e Vlorës, të gjithë delegatët i dorëzuan aktpërfaqsimet Ismail Qemalit, i cili tha: “Regulli është t’i këndojmë.” [… mungon faqia me aktpërfaqsimet e delegatëve.] Duke u ngritur në këmbë mori fjalën Kryetari Ismail Qemali dhe tha:
[Ismail Qemali, fjala përshëndetëse …]
“Zotërinj, ju falenderoj nga zemra për nderin që më bëtë duke më zgjedhur Kryetar të këtij Kuvendi të madh historik. Shpëtimi tonë tani, sikurse e dini të gjithë juve dhe të gjithë patriotët shqiptarë, është shpallja e Shqipërisë qysh sot më vehte, e lirë, e mos varur, ndënë një qeveri të përkohshme! Kjo si dielli që ndriçon, padyshim është haka jonë!”
“Neve për këtë të drejtë kemi derdhur gjakun tonë pa kursim. Kur neve luftonim me pushtonjësin për 24 vjet, ballkanasit na e lanë barrën e rëndë mbi supat dhe nuk na ndihmuan. Kemi luftuar me heroin tonë Skënderbenë n’ato kohëra dhe e kemi pas shpëtuar një pjesë të Europës nga pushtimi turk. Sot në mos është i gjallë Skënder Kastrioti, si nipërit e tij a nuk na përket neve ky trashëgim? Deri tani, Europa nuk na i ka pas dhënë të drejtat tona. Ajastefanosi na saktësoi. Mbledhja e Berlinit nuk na i dha hakën, na i qethi shumë vende në favor të shteteve ballkanike.”
“Duke u ndihmuar Zhon Turqve, për Lirinë, e luftuam tiraninë e Sulltan Abdyl Hamitit dhe kushtetuta otomane u fitua me ndihmën e shqiptarëve. Nijazitë dhe Enverët e fituan davanë. U bënë zotër në pozitat e tyre me anë të Xhemijetit dhe ushtrisë; e rrëzuan Abdyl Hamitin, por me të marrë pushtetin në dorë e përçmuan Lirinë, u suall zi e më zi. Klubet, gazetat me mjete direkte e indirekte na i mbyllën, aktivitetin nacionalist na e paralizuan, shkronjat kombëtare deshin të na i këthenin n’ato arabishte të Kara Rexhepit. Shkelë kushtetutën në hak të zgjedhjeve, burgosën dhe internuan patriotët e ndershëm dhe i poshtëruan. E ç’i mbeti kombit shqiptar, përveç kryengritjes? Me këto kryengritje që shkaktuan vetë, kujtuan se i shuan shqiptarët me hordhirat e Xhavidëve dhe Shefqet Durgutëve. Kosovën dhe Malësinë kullë më kullë i bombaduan dhe i përvëluan; Vranë plaka, pleq, gra e fëmi.U kënaqën duke kujtuar se çarmatosën shqiptarin, e gjunjëzuan atë definitivisht. Sa gabim i madh! Fortesën e Rumelisë, Shqipërinë kreshnike i shëmbën me duart e tyre; I ua pregatitën ballkanasve okazionin e invazionit.”
“Shqiptarët duke parë në rrezik kështu ekzistencën e Atdheut të tyre, në muajin korrik 1912 bënë kryengritjen e përgjithëshme Veri e Jugë.; kërkuan 12 pikat e autonomisë; me ndryshimin e kabinetit të Zhon Turqve, kabineti që e zëvendësoi sadoqë i pranoi kërkesat e shqiptarëve nuk tregoi ngutësinë që kërkonte koha. Plasi Lufta Ballkanike gjatë njëzet ditëve, u mund ushtria Otomane, i pamë Xhavidët e Durgutët se ku vanë, i lëshuan vëndet në duart e armikut, e robëruan Shqipërinë; janë tërhequr e po tërhiqen drejt prefekturës së Beratit. Ushtritë e shteteve ballkanike po i ndjekin nga pas, por në këtë mes duan të coptojnë edhe Shqipërinë në mes të tyre! A është e drejtë kjo? Fqinjët tonë duhet ta dinë, të mos gënjehen me lakmi, se shqiptari nuk e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është Atdheu tonë, gjithmonë fjalë të parë kemi gjuhën dhe zakonet tona, kulturën tonë. Gjithmonë fjala e parë dhe e fundit e këtij kombi kreshnik ka qënë dhe është: Ja vdekje, ja Liri!” (duartrokitje të nxehta dhe të vazhduarshme.)
“Sikurse dihet Europa sot është ndarë në dy grupe rivaliteti: “Marrëveshja” dhe “Lidhja tripalëshe”, këto konkurojnë njëra tjetrën në veprime. Lidhja tripalëshe e aprovon të drejtën tonë; ata nuk e durojnë që sllavët të sundojnë Adriatikun; nuk lejojnë që Greqia të pushtojë gjysmën e Shqipërisë. Dhe Marrëveshja trepalëshe karshi nesh nuk ka shkak të tregohet agresore, mbasi si parim ndjek të drejtat e çdo kombi dhe pretendon se është mbrojtësja e qytetërimit dhe njerëzimit. Prandaj me shpresë të plotë ta kërkojmë të drejtën tonë sot, e cila është mëvetësia (të gjithë delegatët një zëri Rroftë Mëvetësia, Rroftë Shqipëria e Lirë! Duartrokitje të nxehta.)
Ismail Qemali vijon: “Masat e para që duhet të merren janë këto: 1. Të bëhet Shqipëria më vehte nën një qeveri të përkohshme. 2. Të zgjidhet një pleqësi për ndihmë e kontroll të qeverisë. 3. Të dërgohet një komision në Europë për të mbrojtur çështjen shqiptare përpara mbretërive të mëdhaja.” Të gjithë delegatët me një zë aprovojnë fjalën e Ismail Qemalit dhe vendosin që: “Shqipëria të bëhet që sot më vehte, e lirë, e mos varur nën një qeveri të përkohëshme.”” [Figura 1]
- Ferid Vokopola, përjetime
“Ismail Qemali mori në dorë flamurin që kishte përpara dhe e valviti. Delegatët dhe të pranishmit të ngritur të gjithë në këmbë brohoritën papushuar. Ismail Qemali, duke thënë të nënëshkruajmë këtë Vendim të lartë historik, shtrin flamurin që ka përpara, ve sipër vendimin, merr penën dhe nënëshkruan i pari. Bab Dud Karbunari bërtet: “Le të jetë i përjetshëm efekti i këtyre nënëshkrimeve.” Vijnë të gjithë delegatët një nga një dhe nënëshkruajnë. Ismail Qemali e mori Vendimi dhe ia dorëzoi Luigj Gurakuqit. Ismail Qemali, ashtu siç ishte në këmbë, me flamurin në dorë dolli në dritaren që ishte afër dhe e valviti flamurin disa herë dhe shqiptoi shpalljen e pavarësisë me fjalë të shkurtëra, por kuptimplotë dhe më pas thirri me një zë të theksuar: Rroftë Shqipëria e mosvarur! Rroftë Lirija! Rroftë populli shqiptar për shekuj të pasosur! Pastaj, flamurin që kishte në dorë ia dha Thanas Floqit që t’ia dorëzonte zonjës Marigo. Dhe merr një nga flamurët që ishin varur në mur, e nguli në atë dritare, ku ia shpalli popullit mëvetësinë dhe një tjetër flamur u ngul atë çast mbi bë mbledhja. Gjithë delegatët dhe paria që ndodheshin aty i parashtruan urimet e përzemërta. Unë kur iu afrova, me urimet më të nxehta i putha duart dhe më tha: Pas manifestimeve hajde në shtëpinë e Sharrës se do kemi punëra. Shumica e delegatëve dhe paria dolën përjashta dhe u bashkuan me popullin. Unë para se të dal nuk harrova që t’i them Qemal Karaosmanit për të ruajtur penën historike me të cilën u nënëshkrua Vendimi i shpalljes se independencës. Jani Minga na thirri: Ferit, Murat! Hajdeni me mua! Shkuam në sheshin karshi xhamisë, me popullin, ku Jani Minga mbajti një ligëratë të flaktë patriotike. Murat Toptani dhe unë kënduam vjersha patriotike (dy vjershat e mia që këndova po i bashkëngjis këtu.) Së andejmi shkuam në konsullatat e huaja dhe bëmë manifestime miqësore dhe simpathie duke brohoritur për mbretëritë e mëdhaja. Vlora atë natë kishte marrë një pamje madhështore, me drita që kishin ndezur. Buçisnin këngët nga të gjitha anët.” [Më tej mungojnë faqet e dorëshkrimit.]
Autenticiteti i dokumentit
Në 12 revistat e përmuajshme- “Dokumenta historike për t’i shërbye historisë tonë kombëtare”, botim i Lef Nosit, kapaku i fundit ka kujtesën e Tij: Dokumenteve e kujtimeve do t’u bëhet atenticiteti i tyre. Procesverbalet e Kuvendit të Vlorës, siç e thamë më lart, në herë të parë botohen në gazetën Përlindja e Shqipnis (nr. 6-11, 1914), ribotohen nga Lef Nosi në numrin e gushtit të vitit 1924, por me një plotësim tepër të rëndësishëm dhe i transkriptuar prej Tij (teksti i Vendimit dhe firmëtarët e identifikuar, f. 99): “Vendimi i shpalljes s’independencës” i panjohur deri atëherë; procesverbalet ribotohen në libri “Lef Nosi Dokumente historike për t’i shërbye historisë tonë kombëtare” (2007), një përmbledhje e 12 revistave (Fletoreve) të Lef Nosit, botimi Institutit të Historisë. Asnjëherë s’është parë e bërë një lexim kritik i tematikave të veçanta të procesverbalit “Mbledhja e parë e Kuvendit të Përgjithshëm 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1912”. Po ashtu, në leximet e mia të botimeve historike të historiografisë sonë, që pa modesit s’janë të pakta, s’mund të gjesh një të vetëm rast që t’i jetë bërë autenticiteti (origjinaliteti, vërtetësia) ndonjë dokumenti arkivor dhe marr një shembull: Rezolucioni i mbledhjes së grupeve kryesore për formimin e partisë s’vihet në dyshim, një e vërtetë “absolute”, por autenticiteti i tij e nxjerr atë fals, assesi të jetë bërë e miratuar në mbledhjen themeluese, as në vitet e Luftës, por pas vitit 1957, kur edhe filloi shkrimi i historisë së partisë. Të bëjmë autenticitetin e procesverbalit Mbledhja e parë e Kuvendit të Përgjithshëm 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1912, me përfundimin se procesverbali origjinal i mbledhjes së parë sigurisht do të ketë humbur dhe kur erdhi koha për botimin e tij (pas një viti) vihej në punë kujtesa e ndonjë firmëtari të pavarësisë, por bashkë me kujtesën bënte punën e vet edhe harresa. Dhe në dritën e “kandilit të arsyes”, ligjeve të mendimit, të kqyrim dokumentin në optikë të katër agumenteve autenticiteti.
Argumenti 1. Nga procesverbali i mbledhjes së parë: “Si e kërkon rregulla e zakonit u nis pastaj vërtetimi i karatave të delegatëve, emrat e të cilëve janë këta: “Nga Berati…, nga Dibra…, nga Durrësi…, nga Elbasani…, nga Gjirokastra…, nga Ipeku…, nga Kruja…, nga Lushnja…, nga Ohri e Struga…, nga Sh’Jaku…, nga Tirana…, nga Vlona…” Dhe siç shihet, delegatët e Kuvendit vinë sipas rendit alfabetik (!!) e natyrshëm vjen pyetja e parë: A mund të mendohet dhe pranohet që delegatët përfaqësues të rajoneve vendosen në rresht sipas rendit alfabetik e i japin në dorë Ismail Qemalit zarfin me aktpërfaqësimet e delegatëve? E pyetja e dytë: Mund të mendohet që delegatët në Kuvend të thirreshin sipas rendit alfabetik të rajoneve për t’i lënë aktpërfaqësimet në tavolinë Kryetarit të Kuvendit? E as e para as e dyta s’mund të ndodhë e është absurde ta mendosh. Një detaj dorëshkrimi nga Vokopola: “Ismail Qemali: Si e kërkon rregulli do të shqyrtojmë aktpërfaqsimet dhe pastaj do të kalojmë në bisedime përfundimtare. Ismail Qemali pasi u ul, kreu nga një zarf aktpërfaqsimin e Vlorës, të gjithë delegatët i dorëzuan aktpërfaqsimet Ismail Qemalit, i cili tha: “Rregulli është t’i këndojmë.” Ja pra si ka ecur dorëzimi i zarfave me aktpërfaqsimet, madje e zarfi i parë ishte ai i Vlorës, që hapi Kryetari i Kuvendit. Me përfundimin se delegatët e rajoneve shqiptare janë rikujtuar pas një viti dhe janë vendosur sipas rendit alfabetik, pse harresa kishte bërë punën e vet, përndryshe nga çka do vinte natyrshëm.
Argumenti
2.
Më parë vjen fjala e Ismail Qemalit në mbledhjen e parë të Kuvendit, që është në linjën e formimit të tij politik dhe në harmoni me kërkesat e detyrës historike për pavarësimin e vendit. Dhe në kontrast të madh me të vjen fjala e Ismail Qemalit, siç mbeti në “procesverbalin” e mbledhjes së parë (me 20 rreshta) dhe “fjala” e tij në të gjitha rreshtat mbeti vetëmse në pushtimi otoman e asgjë-asgjë(!) për misionin historik pse ishte thirrur Kuvendi i Vlorës, madje edhe me mendime të rrëmujshme/prapshta, si: “Qeveria Othomane nuk e vështroi kurrë inderreshtin e saj e nuk deshi kurrë t’ua shpërblenjë me të mirë shqiptarëve shërbimet e mëdha që i báan.” (f.178) Dhe fjala më e parë filluese e Ismail Qemalit në Kuvend ishte fjalë “besnikërie”: “Shqiptarët besnikë kurdoherë te Mbretëria Othomane”(!); Ose, në gojë të Tij një tjetër prapështi: “[Qeveria Othomane] Në kët kohë të fundit rrëfeu ndopakë dëshirin që të mirëj vesht me kombin t’ënë, po prap nuk vuni të gjithë vullnetin e mirë e nuk mori të gjitha masat e nevojshme për të paqësuar e për të kënaqur shqiptarët.”(f.178). Dhe kësi turbullira s’kanë e s’mund të kenë assesi asnjë të ngjashme me ndërdijen, formimin politik, ngarkesën e madhe patriotike të Tij, motivimin për t’i dhënë jetë sprovës historike më të madhe të shqiptarëve, madje e sistemi gjuhësor (në këto 20 rreshta) s’ka asfare të ngjashme me formimin admirues gjuhësor e sintaksën e shprehjes së mendimeve të tij, siç shihet qartë në dokumente të kohës, të botuara. E të jetë ndryshe (shtrembërim i të vërtetës) është qindpërqind me probabilitet zero.
Argumenti
3. Procesverbalit “Mbledhja e parë e Kuvendit …” i mungojnë detajet nga bisedimet kuvendare të Ismail Qemalit, kurse dorëshkrimi që vjen më parë (nga Ferid Vokopola) është plot me detaje, si fjalët filluese të tij: “Si inisiator i kësaj mbledhje historike iu falenderoj Juve dhe popullin kreshnik shqiptar që iu zgjodhi …”; “Rreth tryezës, në krye nga ana e hyrjes, ishin vendosur tre frone, në mes të cilëve ndejti Ismail Qemali, në kahun e djathtë…”; “… i vuri të dyja duart mbi flamurin që kishte përpara dhe sikur i qe shfaqur aty vetë flamuri i Kastriotëve, i ngriti sytë një sekondë mbi atë altar të shënjtë por kuptimplotë….”; “Ismail Qemali, duke thënë të nënëshkruajmë këtë Vendim të lartë historik, shtrin flamurin që ka përpara, ve sipër vendimin, merr penën e nënëshkruan i pari.”; “Bab Dud Karbunari bërtet: “Le të jetë i përjetshëm efekti i këtyre nënëshkrimeve.”; “Vijnë të gjithë delegatët një nga një dhe nënëshkruajnë.”; “Dhe [Ismail Q.] merr një nga flamurët që ishin varur në mur, e nguli në atë dritare, ku ia shpalli popullit mëvetësinë dhe një tjetër flamur u ngul atë çast mbi portën e shtëpisë ku u bë mbledhja.” [etj, etj.]
Argumenti
4. Integriteti i dorëshkruesit të dokumentit. M. Ferid Vokopola diplomohet në universitet të Stambollit për drejtësi e ekonomi dhe deri në fund mbeti një figurë poliedrike. Ishte në rrethin e ngushtë të Ismail Qemalit, e priti atë në rajonin e Fierit dhe rrugëtoi së bashku në Vlorë, në Kuvend nënëshkroi vendimin e pavarësisë. Sekretar i Kongresit të Lushnjës, bashkautor i legjislacionit shqiptar në vitet ‘20 – ‘30; Bashkautor në Kodi Civil në vitet ’30. Përkthyes i Kuranit, bashkëthemelues i Medresesë së Tiranës, autor i dy veprave letrare etj. Edhe ministër i bujqësisë; S’mund t’u shpëtonte as vuajtjeve në burgjet shqiptare. Për M. Ferid Vokopola s’mund të ketë as më të voglin dyshim për sinqeriten e vërtetësinë e fjalës autentike të Ismail Qemalit në Kuvend e përjetime të tij për pasditen historike të 28 nëntorit 1912.