Koreografi Dedin Suli: Si konkurrova për valltar përpara rusit Georgi Perkun, Panajot Kanaçit, Mustafa Krantjes

1069
Sigal

Intervista/ Flet koreografi DEDIN SULI

 

-Si konkurrova për valltar përpara Georgi Perkun (rus), Panajot Kanaçit, Mustafa Krantjas

– Në konkurim do shkoja së bashku me Serafin Fankon por, për çudi, Serafin Fanko nuk u paraqit

Faruk Koka, Ylli Bebeziqi, Ramazan Bogdani dhe Engjëll Tërshana u bënë mbështetësit e mi

-Nuk harroj këngëtarët; Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi që i jepnin madhështi Filarmonisë

-Në Shkodër, ku më 3 gusht 1954 dhashë spektaklin e parë me balerinën Sekine Sharofin kërcyem me dy pjesë solistike

Albert Z. ZHOLI

            Dedin Suli është koreograf, shkrimtar dhe studiues i artit koreografik. Është lindur në qytetin e Shkodrës në një familje shqiptaro – italiane me tradita në fushën e artit. Në vitin 1951 filloi aktivitetin si valltar profesionist pranë Filarmonisë Shqiptare. Mbas një aktivizimi të pandërprerë mësoi repertorin e vitit 1950-’51, “Vëllazërimi i popujve” dhe “Shatërvani Bahçisarajt”. Në vitin 1951 ka marrë pjesë në “Flamuri i Paqes”, “Koncert Koreografik”, “Mbrëmje Baleti”. Është autor i librave:”Artistë të shquar të interpretimit koreografik shqiptar 1950-2012”, “Besim Zekthi, korife i vallëzimit shqiptar”, ”Agron Aliaj, artisti që thuri legjendë”, si dhe ka në shtyp një libër për Rexhep Çelikun. Dedin Suli prej vitesh banon në Itali, por ai kurrë nuk e harron ardhjen në Shqipëri si dhe lidhjen e kahershme me TOB-in, ndonëse ka kohë që është larguar. Ai është autor i dhjetëra shkrimeve të tjera ku promovon vlera të artistëve dhe të artit koreografik të botuar në shtypin shqiptar dhe atë italian. Libri i tij për Agron Aliajn është shoqëruar me një parathënie të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ndërsa për studimet e tij nuk janë kursyer të bëjnë vlerësime edhe kritikë të tjerë me zë, ndër ta Adriatik Kallulli e Josif Papagjoni.

 

Si lindi dëshira për koreografinë, cila ishte shtysa?

 

Kur isha në shkollë 7-vjeçare frekuentoja Shtëpinë e Kulturës Shkodër si në sektorin e tekstit ashtu edhe në grupin e valleve me koreograf Filip Gjergjin, i cili ishte edhe koreograf. Një ditë, mbas provave, prof. Filipi na mori mua dhe Serafin Fankon, duke na thënë se në shtator do organizohej një konkurs për pranimin e valltarëve të rinj pranë Filarmonisë Shqiptare, institucion profesionist ky për kohën. Kështu, mbas disa provash, shkuam në Tiranë për të konkurruar. Komisioni i atëhershëm përbëhej nga koreografi rus, Georgi Perkun, Panajot Kanaçi, Mustafa Krantja dhe Kostandin Trako. Do t’i nënshtroheshim njohjes së ritmit muzikor si dhe shumë lëvizjeve plastike të baletit klasik. Për çudi, Serafin Fanko nuk u paraqit. Më pas ai mori drejtimin e aktrimit. Në përfundim të konkursit na thanë se shpejt do të na bënin me dije për rezultatin e arritur. Në Shkodër u ktheva me emocionet e një adoleshenti. Të parën që takova sapo hapa derën, ishte nëna ime, Serafina. Pyetjet e saj ishin pa mbarim. Për një çast i ndërpreu pyetjet, më vështroi në sy duke më thënë: “Biri im, rruga e artistit është shumë e vështirë. Sa kënaqësi kam ndier në adoleshencën time kur babai dhe nëna ime e dashur na morën, ne fëmijëve, me makinë, nga Bari për në Napoli. Aty, për herë të parë në jetën time, ndoqa nga afër shfaqjen e operës “Madam Baterflaj” të Puçinit. Jam mrekulluar me interpretimin mahnitës të artistëve. Prandaj, biri im, për të arritur deri në shfaqje, duhet mund, përkushtim, por… edhe fat”. Nuk vonoi shumë dhe, në muajin nëntor 1951, teksa ndodhesha në Shtëpinë e Kulturës të qytetit tim, ku shkoja vazhdimisht, më vunë në dijeni se kisha fituar konkursin për valltar pranë Filarmonisë Shqiptare. Të mos harrojmë – isha veçse 16 vjeç. Gjithkush e vlerëson atë çka i ndodh në jetë në këtë moshë. Atë natë gjumin e bëra copa-copa dhe ishte veçse një gëzim i papërshkrueshëm në zemrën time që më diktoi një gjë të tillë. Çfarë nuk më vinte në mendje: Grupi i valleve të fëmijëve të qytetit të Kukësit, të Fierit e vallet e njëpasnjëshme në Shtëpinë e Kulturës të qytetit tim. Me atë gëzim që më kishte pushtuar të tërin, të nesërmen në mëngjes takova koreografin Filip Gjergji e, po ashtu, edhe të madhin Prenk Jakova. Nga gëzimi që tashmë më kishte kapluar të tërin, kërceja valle aty ku isha, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës. Më shihnin njerëzit e, mendoja me vete se me siguri thoshin për mua: “Ky qenka i çmendur!” Por unë, i përfshirë i gjithi në botën time, e ushqeja veten me kurajë teksa flisja nën zë: “Kjo nuk është çmenduri, por një shpërthim i shpirtit tim prej adoleshenti, që ëndërron për një të ardhme drejt rrugës së bukur të artit muzikor”.

-Si vazhdoi rruga juaj në Filarmoni, kush u bënë shokët e tuaj?

 

 

Më 20 nëntor 1951 u paraqita në zyrën e kuadrit pranë Filarmonisë Shqiptare ku më njohën me sallën e provave në praninë e koreografit Perkun dhe asistentit të tij, Panajot Kanaçi. Në ato momente m’u afruan Faruk Koka, Ylli Bebeziqi, Ramazan Bogdani dhe Engjëll Tërshana duke më hedhur duart në krahët e supet e mi e duke më folur me shumë përzemërsi. Shoqëria me këta katër shokët që m’u afruan me fjalë të ngrohta e plot kurajë mbeti një shoqëri e përjetshme 60-vjeçare. Grupi i valleve ku unë do inkuadrohesha nuk kishte as edhe 1 muaj që ishte kthyer nga Festivali i Rinisë Botërore, organizuar në Berlin. Ne atë valë gëzimi, po atë ditë shkova te halla ime, Katrina Stamolla. Porsa hyra në derën e shtëpisë, ajo që më ra në sy se ishte mbledhur e gjithë familja e sikur po më pritnin mua. Më rrethuan e më përqafuan me mjaft dashamirësi vetë halla me djemtë e saj – Virgjili, Rudolfi dhe Nikolini. Në këtë shtëpi të nderuar ndenja gati një javë, derisa u sistemova në konviktin e Liceut Artistik, ku edhe vazhdova vitin e parë të arsimit të mesëm. Atëherë shkolla dhe konvikti ishin në një ndërtesë të madhe në Rrugën e Durrësit e, përkarshi ishte fusha e aerodromit. Ne si valltarë, vazhdonim mësimin deri në orën 11 paradite. Pastaj i drejtoheshim qendrës së Tiranës e, më saktë Teatrit Popullor ku kishte ambientet e saj Filarmonia Shqiptare, e përbërë nga orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, orkestra popullore me këngëtarët e saj Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi e tjerë. Që nga Liceu Artistik ishte goxha rrugë, të cilën e përshkonim për çdo ditë në këmbë. Ajo që më mundonte ishte largësia me prindërit e mi, të cilët atëkohë jetonin në Shkodër. Ata katër shokë, që më ofruan dorën e një miqësie të ngrohtë më hapën edhe dyert e shtëpive të tyre. Si mund ta harroj shtëpinë e fisme të Faruk Kokës në të dalë të Liceut Artistik, ku banonte me të atin, Nazimin dhe motrën, Emelin?! Të atin, Nazim Koka, dikur njeri shumë i nderuar dhe i respektuar si zyrtar në kohën e Monarkisë deri në vitin 1945, lufta e klasave e kishte syrgjynosur magazinier në hidrocentralin Vaut të Dejës. Vetëm një herë në javë vinte pranë fëmijëve të tij të dashur. Emeli, atëherë 11 vjeçe, ushqente një dashuri të paskajshme ndaj vëllait e, po ashtu edhe ndaj meje. Në të shumtën e rasteve ajo gatuante teksa edhe në shkollë ishte nxënëse e shkëlqyer. Kurrë nuk i harroj përqafimet e saj, e cila më thoshte: “Ti je vëllai im i dytë”.

-E mbani mend se si filluat të intepretoni apo rolin e parë si vallëtar apo në balet?

 

Në vitet e para të Filarmonisë Shqiptare u organizua një aktivitet me një performancë të zgjeruar me baletin “Shatërvani i Bahçisarait”, “Esmeralda”, me spektaklin me valle të përpunuara nga mjeshtri Panajot Kanaçi, titulluar “Flamuri i paqes”. Ne, si trupë baleti patëm fatin të kishim pranë baletmaestrin rus Georgi Perkun e, po ashtu, të madhin Panajot Kanaçi. Trupa e baletit interpretonte mjaft pjesë, të vëna në skenë nga Perkun, si kërcimet e shkëputura në iperat “Rusalka”, “Ivan Susanin”, “Nusja e shitur” etj., balete këto të përshkruara me detaje në librin me autorësinë time “Historiografia e Artit Koreografik Shqiptar”, botuar në vitin 2011. Në vitin 1954, koreografi P. Kanaçi përgatiti koncertin “Mbrëmje baleti”, spektakël ky i suksesshëm për kohën. Mbas disa shfaqjesh në kryeqytet, trupa e baletit u nis për në Shkodër, ku më 3 gusht 1954 dha spektaklin e parë në kinemanë verore, në qendër të qytetit. Për mua nuk kishte gëzim më të madh që në këtë koncert unë, së bashku me balerinën Sekine Sharofin kërcyem dy pjesë solistike. Pjesa e parë titullohej “Pranvera” e kompozitorit Grig, ndërsa e dyta “Vals rinor”, titulluar “Takimi”, kompozuar nga dirigjenti ynë Mustafa Krantja (motivet e këtij numri koreografik ishin frymëzim nga kënga popullore shkodrane “Karajfilat që ka Shkodra”. Ndër spektatorët e shumtë, në këtë koncert ishin të pranishëm edhe prindërit e mi, pa përjashtuar edhe shoqërinë time me të cilën kisha kaluar një pjesë të jetës sime. Dhe ishin karafilat e trëndafilat e shumtë që kurorëzuan mbylljen e këtij koncerti, dhuruar me plot dashuri nga spektatorët e këtij qyteti, që me bindje është quajtur “djepi i kulturës”. Për koincidencë, atë ditë kisha edhe ditën e emrit, kështu nëna ime e mirë, së bashku me të mrekullueshmen motrën time, Luçianën, kishin përgatitur një darkë modeste.

Po cilët ishin të ftuarit e familjes Suli në atë mbrëmje?

 

Ata ishin Gëzim Kaceli, Faruk Koka, Engjëll Tërshana, Tonin Harapi dhe kushëriri im, Aleksandër Gargjola. Mbas koncertit, me atë gëzimin tim rinor, me buqetën e luleve në dorë vrapova drejt shtëpisë ku banonte vajza që unë admiroja në adoleshencën time të hershme. Vendosa buqetën mbas derës së hyrjes, ku dukej oborri i rrethuar gjithandej me lule nga më të ndryshmet. Në çast mora vrapin për në shtëpinë time ku ishte mbledhur e gjithë shoqëria. Në fakt, edhe isha vonuar paksa, por nëna ime u mjaftua vetëm me një vërejtje, që më tepër ishte këshillë: “Pse mor bir u vonove?” Nënës nuk i dhashë asnjë përgjigje, por, ashtu siç isha në hyrje të korridori, e përqafova me dashuri e mall të pashtershëm. Darka kaloi me një temp gazmor. Nga mesi i natës shokët u larguan; unë mbajta, për të fjetur në shtëpinë time Gëzim Kacelin. Në mëngjes më doli gjumi aty nga ora 800. Për çudi, shtrati ku atë natë fjeti Gëzimi, ishte bosh. Unë, ashtu siç isha, i shqetësuar, hapa dritaren dhe hodha vështrimin drejt oborri, si përherë, i mbushur me lule bore. Vështrimi më kapi Gëzimin, i cili ishte zgjuar herët dhe po ujiste lulet. Bisedova me nënën italisht, në mënyrë që Gëzimi të mos e merrte vesh, se për çfarë bëhej fjalë dhe nëna më tha, se kishte mbetur e habitur nga Gëzimi që po ujiste lulet dhe më foli veç me miradije për të, duke e lëvduar edhe si kërcimtar në fushën e baletit. Para se të dilnim nga shtëpia, nëna i dhuroi Gëzimit një buqetë me lule, e për këtë, ai e falënderoi nënën time me mjaft dashamirësi. Bashkë morëm drejtimin për te kinemaja verore e qytetit, ku do takoheshim me grupin e baletit. Kur mbërritëm, Gëzimi u shkëput prej meje e shkoi drejt një balerine, që ai dashuronte dhe, teksa e përqafoi me mall, i dhuroi edhe buqetën e luleve. Teksa pashë këtë skenë, m’u krijua ideja që dashuria e parë mbetet e paharrueshme sa të jetë jeta. Kjo skenë më zhyti në melankoli e sakaq i bëra pyetje vetes: “Po A. S. a i ka marrë lulet që një natë përpara unë i vura mbas pragut të derës shtëpisë?” Më interesantja qëndron në atë, që vajzën e dikurshme e kam takuar mbas 55 vjetësh të njohjes sime me të. E përshëndeta me nostalgji e, po me nostalgji e pyeta: “A të ra në dorë një tufë lulesh te pragu i derës natën e 3 gushtit të vitit 1954, mbas koncertit tonë?” M’u përgjigj me një “po” të shkurtër dhe i dhamë dorën njëri-tjetrit si dy miq të dikurshëm të adoleshencës sonë të lumtur.

Nesër do lexoni:

-Si takova në Shirokë Tonin Harapin, Tonin Dajinë dhe Rikard Ljarjan

-Në kamp më habiti talenti i Roza Xhuxhës (Anagnosti)

– Tonin Harapin e përjashtuan nga shkolla, sepse të dielave i binte organos në kishën katolike

-Rikard Ljarja tek filmi “Radiostacioni” angazhoi babanë tim Ndoc Suli në një rol episodik

-Në Gjirokastër realizova tablonë koreografike “Luftëtarët” ku protagonist isha unë, kompozuar nga Çesk Zadeja, dirigjent ishte Roland Çene