Flet Sefer Pasha: Çamëria, Shkëmbi Barketa, djali i Akilit në Qafën e Botës dhe pse mbahet sekret, “pazari” me ujërat detare

612
Sigal

Flet ish-Shefi i Gatishmërisë së Republikës, Sefer Pasha: Piramida 79 në Qafën e Botës ka shumë histori për Çamërinë

Çamëria: Shkëmbi Barketa, djali i Akilit në Qafën e Botës, dhe Mehmet Shehu suliot

  • – Dua të realizoj një dokumentar biblik për viset e Çamërisë si një substrat i rrallë
  • – Hygoi thotë: – “Mund të përballohet forca e një ushtrie, por ja forca e një ideje”
  • – Hija e rrejshme e Asfalisë në këto vise është atashuar dhe në valët e detit të Prevezës dhe tek shkëmbinjtë e Filatit.
  • – Gjuha eprore e kryeministrit grek, i cili kërkon të zgjerojë kufijtë detar me 12 milje do të ngjizte kodin arbitrar.
  • – Hajnat grek megjithëse nuk duken në rrafsh ata fshihen edhe pas valëve të lumit Pavël.
  • – Për kufijtë detar me Shqipërinë bisedimet janë sekrete, bëhet fjalë dhe për “pazare”.
  • – Gjatë vizitave kam shënuar në fletore emrat e gjireve të detit që nga Preveza, Igumenica e deri tek piramida 79 në Qafën e Botës.
  • – Shkëmbi “Barketa”, që kërkojnë të na e gllabërojnë grekërit e rinj të Micotaqit
  • -Si vdiq nga gangrena e dy këmbëve të prera djaloshi Lato, që barinjtë e Konispolit e varrosën në Piramidën 70 te kodra me borzilok

“Prej Tivarit e n’ Prevezë

nji a gjuha e kombi nji.

Ku lëshon dielli njato rreze,

qi veç toka e jote i di”

Ndre Mjeda

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Ka kohë që publicisti Sefer Pasha ka menduar të realizojë një dokumnetar për Çamërinë. Sa herë e takoj gjithmonë do të më thotë diccka të re për këtë trevë martire si heroinë sicc e quan ai. Vizitat e shpeshta në këtë trevë, studimet e vazhdueshme dhe të qenit për një kohë të gjatë në postën kufitare të Kakavijës kanë bërë që ai të jetë një thesar dijesh për këtë trevë. Ja si rrëfehet ai për këtë temë…

Keni kohë që më flisni për Çamërinë dhe dëshirën e madhe për të bërë një dokumentar për këtë trevë. Madje ju më habisni me të dhënat e fundit. Në cilën pikë jeni duke e realizuar ëndrrën tuaj?

Mundimi im për të gjetur rrugët që nga Filati, Preveza, Gumenica, Marglliçi, Parga, e Parathimia, nga ku u shpërngulën me dhunë mijëra çam nga toka ku u kishte rënë koka për në Shqipëri e Turqi, më ftilloi shumë hamendje. Gjithsesi misioni më duket me rreziqe e mosbesueshmëria sillet përskaj orbitës së Çamërisë. Dua të realizoj një dokumentar biblik për viset e Çamërisë si një substrat i rrallë. Sa kam filluar dhe skenari nuk po merr trajtë. Kërkoj lotët e humbur të Çamërisë. Por jeta siç e thonë çamët e këtushëm e ha të zezën e vet. Ploja e udhëtimit ndesh në ajzbergun çam. Çfarë lënde mund t’i marr këtij ajzbergu që nuk ta fal kollaj muzën e misterit. Çamëria ndodhet në mes të ankthit të aksit të së keqes. Popullsia çame që ka mbetur në trojet e dikurshme në varshmëri me politikën nuk shfaqet, e ndonjë çam që na ulet në tavolinë mban qëndrim të ftohtë sikur të jetë italian apo maqedonas. Instikti i tyre është kafshëror. Pikërisht këtë cinizëm ç’prej motesh më duhet ta skalis në dokumentar. Dialektika e jetës nuk mundet nga fataliteti. Më vjen mirë të përmend atë që ka thënë Hygoi: – “Mund të përballohet forca e një ushtrie, por ja forca e një ideje”. Engjëjt e Çamërisë i mbajnë sytë hapur paçka se situata aktualisht është mjaft e rëndë. Demonët grek në fshehtësi ka ditë që e kërcënojnë autorin e dokumentarit. Këtë unë e ndjej. Por dhe në këto kushte ëndërroj të eksperimentoj pa grimër. Kam vendosur që të bëj përpara. Hija e rrejshme e Asfalisë në këto vise qysh prej motit është atashuar dhe në valët e detit të Prevezës dhe tek shkëmbinjtë e Filatit. Asfaliasit siç më thonë merren dhe me pikëpresjen çame. Për ca faqe dokumentari polici grek e ka gati gijotinën. Do të ishte një surprizë profesionale për policinë nëse do të merrnin vesh se një krijues nga Tirana po mbledh dëshmitë lëndore të një çështjeje si ajo e Çamërisë, që për parlamentin grek nuk ekziston. Gjuha eprore e kryeministrit grek, i cili kërkon të zgjerojë kufijtë detar me 12 milje do të ngjizte kodin arbitrar, dhe kineastët nga Tirana do të ndiqeshin këmba – këmbës ashtu si mijëra çam që u përzunë dikur nga trojet e tyre barbarisht. Megjithëse shkruajmë dhe filmojmë me mikun tim Dhimitër Butrintin në mënyrën më skrupuloze e të xixëllimtë, për të hedhur në letër milimetrat e Shqipërisë natyrale, shtegun e vëmendjes e kam të madhe në sensin provokativ. Për grekrit nuk ekziston çështja çame. Ligji i gjendjes së luftës nuk është fshirë.

-Çfarë synon dhe kulmon ideja e filmit tuaj?

Dokumentari i epshëm synon e kulmon për të zbritur tek thërmijat e alkimisë së tokës çame. Të plazmohet misteri dhe hullia e humnershme e një çështjeje që është në zgrip të indit të harresës. Çamëria për Parlamentin shqiptar është kështjellë prej rëre. Apokalipsi i bandave të andartëve grek ndodhi. Por historia e promovon se “planeti” Çamëri tani ekziston më i ridimensionuar me pamësi. Erozionet nuk e vidhisën botën e brishtë çame, që me një ngazëllim të magjishëm shpirtëzon dhe gurët e Filatit, të cilët janë në delir e duan të çlirohen. Edhe shkëmbinjtë janë të prangosur. Nuk janë të lirë. Konispoli gjeografikisht është sup më sup me lisat e Filatit. Çamët nuk e humbën busullën dhe e hodhën në det vellon e zisë. Megjithëse fati qe kobëzi kaosi në ogurin e kohërave nuk e kapërdiu skajshmërisht jetën e një populli me rrënjët në Iliri. Me Dhimitër Butrintin në rolin e “turistëve” shkelëm me terezi nëpër rrugaja si në motërzime e balada. Nuk e di a do të mujtemi? Dhe filmojmë me një rrëkezë zëri si të jemi në humnerë në trojet, ku nisi genocidi i grekërve kundër fatgremisurve çam. Megjithë ngjyresat e sharmin e shpirtit e shoh se është e vështirë. Koleksionimi i ngjarjeve të Çamërisë e dizajnimi i tyre intrigon çdo krijues që shkel në këto vise. Komplekset e pabjershme e tronditëse të historisë nuk na lënë të qetë. Unë jam i lidhur aq shumë me këtë çështje sa më duket sikur Çamëria është boshti i tokës. Gjeografia ka ndryshuar dhe natyra kodrat i ka bërë bjeshkë si ato mbi rrafshin e Konispolit. Për të mos gjetur belanë kërkimet i bëjmë në rrugë të mistershme.

-Pse? Ende ka ndalesa për këtë çështje?

Hajnat grek megjithëse nuk duken në rrafsh ata fshihen edhe pas valëve të lumit Pavël. Futemi në saraje e kasolle barinjësh për të përcjellë mesazhin në Tiranë se Çamëria nuk është një cikërrimë vetullore, por një unitet atdhetar e kulturor. Dhe ja kështu skenari për dokumetarin nisi të pikojë pikë – pikë e milimetrik në mozaikun e një diversiteti të egër kulturor me kahje të kundërta. Po artikulohet sharmi i fshehtë i botës çame mes veti e me çka ungjëlli i lavdisë në shekuj. Paçka se kemi frikë nga korona rrëfimet qëndrestare kanë rrjedhje të qelibarta si dallgët e lumit Pavëll. Pritet moti i madh që Çamëria ta fitojë lirinë. Në aventurën e këtij kërkimi natyrisht që ka meritë miku im Dhimitër Butrinti. Ai me acidin e temperamentit të tij me një papërkulshmëri më thotë se do ta gjejmë mesin e artë. Nuk ka pse të na mundojë ankthi i ankthit. Çështja çame jehon. Nuk vdes. Sa e padrejtë është historia. Shteti grek kërkon që të zgjerojë ujërat teritoriale me 12 milje. Pikërisht për këtë fakt flitet në Greqi dhe në Ballkan. Për kufijtë detar me Shqipërinë bisedimet janë sekrete. Bëhet fjalë dhe për “pazare”. Çamët e thonë proverbialisht se ku ka zë nuk është pa gjë. Bëj një farë përllogaritje. Po u ndoq teoria e zgjerimit të detit grek me 12 milje i bie që vija e kufirit të shkojë deri tek vila buzë detit në Sarandë, ku banon miku im Lulëzim Iljazi nga fshati Janjar. Lulëzimi është çam dhe kur ishim në Gjirokastër të rinj ai këtë detaj e thoshte me krenari. Sot me shtetin grek për gjithçka mund të flitet. Vetëm Çamërinë nuk duan tua zësh në gojë. Ç’është kjo gjëmë i them vetes? Të filmosh nëpër Çamëri e të kesh frikë se po të arrestojnë, apo të vrasin? Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Po ky është realiteti. Nëpër këto vise e brigje deti po të zësh në gojë fjalën “Çamëri” të gjen gjëma.–Ju keni qenë oficer kufiri, besoj e njhni mirë gjeografinë e Çamërisë, por edhe të zonës përreth. Si është situata në këto zona?

-Jam në merak e shënoj në fletore emrat e gjireve të detit që nga Preveza, Igumenica e deri tek piramida 79 në Qafën e Botës. Në fletore shënoj gjithashtu emra rrugësh, përrenjsh e lumenjsh. Por në ndonjë cep regjistroj dhe emrat e shpendëve e të drurëve. I krahasoj fjalët me ato që përfshihen në fjalorin themeltar të gjuhës shqipe. Qëmtoj rrënjët e fjalëve që përdoren sot në Çamëri. Shumë nga fjalët janë me rrënjë e me degë çame. Sot një çam mund të flasë në përditshmëri greqisht, por në familje ai kokë e këmbë është çam. Dhimitri është vllah dhe ka lindur në maternitetin e Konispolit. Ka shumë miqësi me çamët. Mbaroi studimet shkëlqyeshëm në Tiranë dhe një jetë ka punuar si finacier në Krumë e Kukës. Në një nga kafenetë e Prevezës më tha një gjë të bukur që më mbeti në mendje. Vajti 20 vjeç në Krumë dhe klima nuk i bënte mirë. I çahej buza e poshtëme. U dashurua me një veriore, por sa e puthte të dashurën buzët i ngjyheshin me gjak. Merrte lejë dhe vinte në Konispol, ku banonte nëna dhe babai. Për disa orë i shërohej buza dhe romantiku Dhimtër Butrinti bënte dashuri. Gjatë gjithë udhëtimit Dhimitri më thotë se do ta realizojmë dokumentarin. Këtë ide ja pata thënë dhe Adem Demaçit. Në Tiranë u promovua kënga “Baladë Çame” e kompozuar nga Edmod Zhulali. Organizatorët e kishin sjellë që nga Saranda ku banonte martiri i madh. Njihesha me të. Kisha shkruar për vuajtjet e tij në burgun e Goli Otokut. Adem Demaçi ma përkrahu idenë e filmit. Herë me këmbë në tokë e herë me imagjinatë mundet ta ndërtosh skenarin -më tha ai. Në promovimin e këngës “Baladë Çame” foli dhe Adem Demaçi. Mes Kosovës dhe Çamërisë ka një tis ngjashmërie proverbiale. Kosova e fitoi lirinë me luftë. Po Çamëria? Pa kushtëzueshmërisht që edhe Çamëria po shkoqit udhën drejt bashkimit me shtetin amë, që është Shqipëria siç e tha i qëmotëshmi Ndre Mjeda.

Në Prevezë, Gumenicë, Filat, Paramithi, Marglliç, Parga dhe anës së lumit Pavël herë pas here recitoj vargjet e papërsëritëshme të Ndre Mjedës: /Prej Tivarit e n’Prevezë/ /nji a gjuha e kombi nji/ /ku lëshon dielli njato rreze/ /që veç toka jote i di/. Çdo varg më ngjan si shkëmb i rëndë. Një strofë, një mal! Nuk e di nëse poeti Ndre Mjeda ka qenë ndonjëherë në Prevezë? Ku i dihet? Nuk dihen hollësira të marrëdhënieve të tia me kishën greke? Shtigjeve të Prevezës i thoja vetes se Ndre Mjeda e dinte se ku fillonte dhe ku mbaronte Shqipëria. Poeti Ndre Mjeda është po aq i madh sa Naim Frashëri. Me këto katër vargje monumentale ai mbetet një talent i rrallë. Nuk ka pasur familje në Çamëri që nuk ua mësonte këtë vjershë fëmijës së vet. Më thonë se edhe tani në fshehtësi bëhet e njëjta gjë.

-Po Partia për Unitet dhe Drejtësi a ju ka mbështetur në këtë nismë dhe a i ndiqni veprimtaritë e tyre?

Rastësisht ndoqa në dhomën e hotelit një intervistë të Shpëtim Idrizit në një stacion televiziv të Tiranës. “Babai” i çamëve kishte botuar një libër për kufijtë detar. Intervista e Idrizit më ngacmoi. Për çështjen e Çamërisë ka shumë reklamë dhe teatër absurd. Japin shfaqje në Qafën e Botës nga kanë ardhur karvanet me çam të përzenë nga terroristët grek. Edhe sot çështja çame është në sipërfaqe. Nuk është gërmuar. Flitet për të shpërngulurit me dhunë. Por nga qëmtimet del mbi ujëra një shkëmb më i madh se Shkëmbi “Barketa”, që kërkojnë të na e gllabërojnë grekrit e rinj të Micotaqit. Andartët grek kanë therur grupe çamësh, që nuk u bindeshin për të lënë vatanet. Shfarosja ka qenë mizore. Herë me përmasa masive dhe herë pjesë – pjesë me grupe dhe individë. Andartët e gjenocidit grek i ka groposur çamët dhe në varre masive. Gjithashtu i kanë mbytur të gjallë në det, në lumin Pavël dhe i kanë djegur në furra gëlqereje. Vështroj në Filatin se ku mund të jenë varret masive të banorëve të Çamërisë? Ngre supet. Kanë rrjedhur shumë ujëra. Miqtë më thonë se duhet kërkuar në arkivat e kishave, në manastire, e nëpër familje ku ka pasur martesa mes fëmijëve çame me ato të vllehëve dhe të grekërve, megjithëse me grekërit kanë qenë të pakta. Edhe pse pushtetarët në Greqi janë përpjekur të zhdukin çdo “lule” çame, ka ende “guva”, ku mund të gjenden fakte mbi çamët e zhdukur pa nam e nishan. Pronat çame janë të regjistruara. Janë tapitë në arkivat e grekërve. Kot thonë se i kanë djegur. Kam shkuar dikur nga Tirana me ekipet e qeverisë në fshatrat e zonës së Konispolit të banuar qind për qind me fiset autoktone çame. Më ka mbetur në mendje ajo që më ka treguar një brigadier blektorie. Në afërsi të piramidës 70 më tregoi një lëndinë afër vijës së kufirit. Ngjarja ishte transmetuar gojë më gojë e brez pas brezi. Grekërit në Filat në masakrën e madhe kishin vrarë e kishin përzënë sa u kishte ngrënë krahu mbi çamërit e pafajshëm. Në një nga këto masakra një djal i ri filatas kishte humbur të dyja këmbët. Por kishte mbetur gjallë. Filatasi pa këmbë kishte udhëtuar një vit drejt Shqipërisë. Hiqej zvarrë. Jetonte me të lypur. Me të pyetur kishte mundur që pas një viti të delte mbi Konispol. E kishin futur në stan disa barinj të Konispolit. Filatasi u kishte rrëfyer se ç’kishte ndodhur me njerëzit e tij në Filat. Qe shuar fisi dhe i gjithë fshati ku kishte lindur. Po kështu kishte ngjarë dhe me qindra çam të tjerë. Djaloshi i gjymtuar mbante me vete një çantë me lëkurë ariu dhe një qese të shajaktë. Për gjërat që kishte në çantën e lëkurtë ai nuk kishte thënë gjë. Ndërsa në qesen e shajaktë kishte farë borziloku. U kishte treguar për mbiemrin dhe barinjtë e Konispolit i kishin thënë se njerëzit e tij ishin vendosur në Ujin e Ftohtë të Vlorës. Ishin me mbiemrin Lato. Filatasi qe gëzuar. Do ta ndihmonin që të arrinte në Vlorë. Por atij njëra këmbë i qe gangrenizuar. Nuk mund të udhëtonte tek Latot e Vlorës. Ai u kishte thënë barinjve të Konispolit ta varrosnin në kodër me kokën nga Filati. Çantën e lëkurtë t’ia vendosnin në varr, kurse farën e borzilokut t’ia mbillnin mbi varr. Nëna e tij në Filat e mbillte një arë me borzilok. E kishte parë nënën me sy kur ja kishin prerë kokën me sëpatë andartët grek. Dhe barinjtë e Konispolit kështu kishin bërë. Për çantën e lëkurtë barinjtë nuk kanë thënë ndonje detaj. Kurse fara e borzilokut qe përhapur nga kodra në të gjithë lëndinën. Borziloku qe bërë pyll. Kaq dihet. Kur pas vitit 1945 kufirin me Çamërinë e morën në mbrojtje kufitarët shqiptar: njësitet e kufirit thoshin: – Sonte jemi me shërbim tek “Kodra me borzilok”. Kështu thoshin dhe kooperativistët. Edhe pse kodra me borzilok u plugua me traktor borziloku me shumë u shtua. Nuk ju shua fara. Ja kam thënë këtë motiv shkrimtarit Qamil Buxheli. Më kishte prezantuar me të i vëllai Avni Buxheli nga Pandelejmoni, i cili u bë Komandant i forcave të kufirit shqiptar. Qamil Buxheli më pati kërkuar t’i tregoja emrin e filatasit të mbuluar me borzilok. Por deri në ditët tona ka mbërritur prej barinjve vetëm mbiemri Lato. Latot banojnë në Vlorë. I vëllai i Qamil Buxhelit, Avniu, një çam gjithashtu shumë i ditur më çoi tek Kodra me Borzilok. Asgjë nuk pashë. Bima e borzilokut atë vit nuk qe bërë shumë na thanë rojet. E kishin dëmtuar sorrat. Ato e hanë farën e borzilokut. Dhe Avni Buxheli që kishte një penë të artë mori me vete për në Tiranë një degë të thatë borziloku. Kam pyetur edhe për varrin e filatasit dhe nuk dihet asgjë. Ai e kishte lënë amanet që çantën me lëkurë ariu t’ja vendosnin në varr, ku kishte dokumentat e Filatit. Barinjtë që e varrosën nuk e kishin marrë shumë seriozisht. Po fjalët mot pas moti u shumuan. Nuk kemi pse të çuditemi. Edhe nëpër varre duhen kërkuar “thesaret” e banorëve të Çamërisë.

Nesë do lexoni:

– Sot pushtatarët po e zvogëlojnë Shqipërinë, po shesin teritore, vendi po boshatiset, Lindjet kanë firuar

– Përse nuk u arrestua grupi negocator i vitit 2009, ata e falën detin

– Kadri Hazbiu në ishullin Othonoi tek Kepi Stillos shkonte dhe bënte gjueti

– Për Çamërinë në Qafën e Botës “baballarët”mbajnë  fjalime, jepen koncerte, vendosen tufa me lule, derdhen ca pika loti e bëhen fotografi, në fund dhe një koktej