Kongresi i Lushnjes – Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë

964
Sigal

Nga Av. Kujtim CAKRANI

Në 21 janar u mbushën plot 99 vjet nga ngjarja më e madhe pas pavarësisë, më 1912, Kongresi i Lushnjes! Ndoshta për shumicën e Shqiptarëve është një datë dhe një ditë e zakonshme, për faktin se kjo datë dhe kjo ngjarje qëllimisht është lënë në harresën e kohës apo qëllimisht është transkuruar, sidomos pas vitit 1944, dhe e tillë vazhdon të jetë edhe sot! Kongresi Lushnjes nuk duhet të jetë një datë apo ngjarje e harruar jo! Ajo duhet të ridimensionohet me qëllim të marrë vlerën e saj si data, ndoshta, më e shënuar pas shpalljes së pavarësisë për faktin se: Më 21 Janar 1920 në kryeqendrën e Myzeqesë, në qytetin e Lushnjes, patriotët shqiptarë, të mbledhur nga të gjitha krahinat e vendit, duke parë se Shqipëria ishte përfshirë nga një anarki dhe çdo ditë e më shumë po “kafshohej” nga ushtritë armike, vendosi të mbajë një Mbledhje Kombëtare. Kongresi i Lushnjës i çeli punimet ditën e mërkurë, 21.01.1920 në ora 10 të drekës. Delegatët që arritën, u mblodhën më sallën e Mbledhjes, në shtëpinë e z. Kaso Fuga, e pasi u bë një lutje prej të përndershmit Sheh Ibrahim Karbunarës, zotërinjtë Ferid Bej Vokopola, në emër të komisionit të Lushnjës, mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e delegatëve. Shkëlqesia e Tij, Z. Aqif Pasha Elbasani, ju përgjigj kësaj ligjërate me fjalë patriotike të flakta. Mbas kësaj ceremonie, komisioni i përmendur u hoq e mbledhja filloi nga punët. Përkohësisht u emërua si sekretar i kuvendit z. Ferid Vokopola.

Morën pjesë në këtë Kongres gjithsej 37 delegatë. Delegatët e Shkodrës dhe Lezhës s’mundën të marrin pjesë. Dhe senatorët e këtyre prefekturave u lanë të zgjidhen nga vetë Prefektura. Delegati i Durrësit, Z. Xhaferr Ypi propozon: Meqë Lushnja morri iniciativën për këtë Kongres, t’i jepet e drejta të përfaqësohet veçanërisht në Senat. Delegati i Lushnjës, Sheh Ibrahim Karbunara, mori fjalën duke thënë se, Lushnja nuk e bën për shpagim, por e quajti detyrë. Atëherë z. Eshref Frashëri, delegat i Korçës, propozon t’i shkruhet popullit të Lushnjës një letër falënderimi nga anëtarët e mbledhjes Kombëtare. Delegati i Mallakastrës, por që në atë kohë përfaqësonte edhe Vlorën, Z. Bektash bej Cakrani, propozon në kabinetin qeveritar zotërinjtë Sulejman Delvina, Iliaz Vrioni, Ahmet Zogolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica, Z. Iliaz Vrioni, që për shkaqe të veçanta nuk pranoi e më pas u propozua Z. Hoxha Kadri, i cili u pranua. Votimi u bë çeltazi, u bë betimi i delegatëve dhe i Këshillit të Lartë.

U zgjodh kabineti:

Kryeministër z. Sulejman Bej Delvina, Zëvendës, z. Eshref Frashëri

Ministër P. Brendshme, Ahmet Bej Zogolli

Ministër i P Jashtme, z. Mehmet Bej Konica

Ministër i Arsimit, z. Sotir Peci

Ministër i Drejtësisë, z. Hoxha Kadria

Ministër i Financave, z. Ndoc Çoba

Kongresi miratoi Aktin Kushtetues për Pavarësinë e plotë të Shqipërisë, zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit, dhe një Këshill Kombëtar prej 37 vetash. Në mbledhjen e dytë, që u mbajt më 28 janar, kryetar u zgjodh Aqif Pashë Elbasani, pas shumë debatesh u ra dakord që të bëheshin protesta kundër vendimit të fuqive të Aleatëve për zbatimin e paktit të Fshehtë të Londrës. Më pas, pasi u bë një analizë qëndrimeve të qeverisë së Durrësit, u nxor si konkluzion se ajo kishte dalë dhe vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit (dhjetor 1918). Për këto arsye, unanimisht u vendos rrëzimi i qeverisë së Durrësit.

Në pasditen e 31 Janarit, Kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit dhe përpara përfundimit Kongresi vendosi që Tirana të ishte Kryeqyteti i Shqipërisë. Nisur nga presionet e qeverisë së Durrësit, e cila po bënte çmos për mosnjohjen e vendimeve të atij kongresi, shumë nga delegatët e Tiranës, Elbasanit, Kavajës, e Shijakut, duke kuptuar se do të sulmoheshin me armë nga forcat Italiane, të ndikuara nga qeveria e Durrësit, shfaqën mendimin që të qëndronin dhe për disa kohë në qytetin e Lushnjës, deri sa të stabilizohej disi kjo situate anarkike e krijuar nga qeveria e Durrësit. Por Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i kundërshtoi hapur duke ju thënë se, “Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem drejt Tiranës”. Sipas kujtimeve të Hajredin bej Cakrani, taktika e atyre që e propozuan Ahmet Zogun për Ministër të Brendshëm, po funksiononte sepse në atë moment ky ishte njeriu i duhur që mund të përballonte ushtrinë italiane, por edhe forcat esadiste. Në Kavajë, forcat italiane i prenë rrugën, pas një debati të ashpër që për pak kaloi në konflikt të armatosur ai i tha oficerit italian: “Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës”. Në Kavajë, Zogu qëndroi disa ditë duke emëruar Prefektin dhe një administratë të vogël. Kur qeveria u vendos me seli në Tiranë, ajo kishte në zotërim një territor fare të vogël që shtrihej në Veri nga Lumi i Matit dhe në jug me lumin Vjosa. Pjesët e tjera të Shqipërisë ishin nën administrimin e huaj. Korça, Pogradeci dhe Shkodra ishin nën zotërimin e francezëve. Territoret që ndodheshin në të dy anët e lumit Drin, gjenerali francez, Franchet d’Espery, ua kishte dorëzuar serbëve.Jugu ishte nën sundimin e Italisë dhe një pjesë e vogël në jug ishte në dorën e grekëve. Qeverisë së re i duhej një punë e madhe diplomatike, por me 6 mars 1920, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, personalisht Presidendi Willson, ju dërguan fuqive të mëdha një notë proteste në favor të Shqipërisë ku thotë se: ”Nuk mund të aprovojmë asnjë plan për shpërblime tokësore nga krahinat e Shqipërisë” , këtë qëndrim ja bëri të ditur edhe përfaqësuesit shqiptar në Uashington. Sundimi i Shkodrës mori fund më 11 Mars 1920, Ahmet Zogu kishte marrë masat dhe hyri në Shkodër në krye të fuqisë Kombëtare. Më 27 Mars 1920, filloi jeta parlamentare në Shqipëri, Këshilli i Lartë i dërgoi një mesazh përfaqësuesve të popullit ku thuhej:

1-Dëshira që t’i jepej edhe popullit Shqiptar të rronte në harmoni me fqinjët;

2-Shpresa se Italia do të hiqte dorë nga politika e mëparshme duke i kthyer pavarësinë Shqipërisë;

3-Mirënjohje për Presidentin Amerikan Willson;

4-Ti drejtojë botës mbarë një thirrje për drejtësi ndaj Shqipërisë.
Më 24 Prill 1920, qeveria e Tiranës nisi një fuqi për në jug, e cila mori në dorëzim edhe prefekturën e Gjirokastrës, bashkë me Këlcyrën dhe Përmetin. Më 26 Maj 1920, me largimin e ushtrisë franceze, populli i Korçës ngriti flamurin Kombëtar. Në mbledhjen Kombëtare që u mbajt më 26 maj para bashkisë u vendos bashkimi i plotë me qeverinë e Tiranës. Kur u mendua se të gjithë Prefekturat u bashkuan dhe po festohej kjo fitore, në Durrës, lëvizja esadiste po vazhdonte. Kryengritësit prenë telat e telegrafit, ndaluan funksionimin e postës dhe bënë bllokimin e rrugës nacionale. Qeveria menjëherë mori masat e duhura dhe filloi një operacion ushtarak kundër këtij rebelimi. Qeveria e Tiranës, duke marrë parasysh fuqinë e saj të pakët ushtarake dhe rrezikun që mund ti vinte gjithë vendit nga një konflikt i armatosur me forcat rebele, për të fituar kohë, pranoi të hynte në bisedime, nga të cilat ranë në këtë marrëveshje:

1-Të dërgohej një komision në Paris, të merrej vesh me Esat Pashën;

2- Populli i Armatosur të shpërndahej;

3- Të jepej falje për të gjithë ata persona që kishin marrë pjesë ne lëvizje;

4 -Ata që nuk do bindeshin, do ndiqeshin dhe do dënoheshin për faje politike.

Pak kohë më vonë mbërriti në Shqipëri lajmi i vrasjes së Esat Pashë Toptanit nga Avni Rustemi dhe kjo bëri të mundur fundin e lëvizjes esadiste, më 13 qershor 1920. Italia mbante të pushtuar Vlorën dhe Qarkun e saj, deri në Tepelenë, por tani kishte një qendër shqiptare që mund të kanalizonte përpjekjet e kombit. Kongresi i Lushnjës kishte ngjallur shpresa dhe u kishte dhënë shqiptarëve një fare besimi ne vetvete. Rrethet e Vlorës, Mallakastrës dhe tërë Shqipëria e Jugut me një organizim perfekt por dhe të jashtëzakonshëm, u ngritën me armë në dorë kundër ushtrisë italiane, të cilën brenda pak muajve e detyruan të tërhiqet dhe të lëshojë Vlorën. Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik pavarësinë e shtetit Shqiptar. Mund të themi se qeveria e Sulejman Delvinës e kreu misionin e saj, por kishte përpara një punë shumë të vështirë, atë të ngritjes së institucioneve shqiptare. Beteja demokratike sapo ka nisur… në Shqipërinë e asaj kohë e ardhmja ishte një mister, që të ngjallte frikë…