Konferencën e Pezës nuk mund ta baltosin elementët antishqiptarë

805
Në një të përditshme shqiptare të datës 10 shtator 2015, një farë Besnik Shtufi, është përpjekur që me lloj lloj shpifjesh, falsifikimesh e trillimesh, Konferencën Historike të Pezës, këtë lapidar të lartë të historisë së vendit tonë, ta konsiderojë “… njollë të zezë të historiografisë shqiptare”. Nuk mund të jesh veçse një antishqiptar i lajthitur që të marrësh guximin e të baltosësh ngjarje të tilla të arta siç është Konferenca Historike e Pezës, e cila për nga momenti historik në të cilin u mblodh, për nga pjesëmarrësit me bindje të ndryshme politike, për nga vendimet historike që mori dhe nga mesazhet e rëndësishme që përcolli, përbën kuvendin më të madh në historinë e popullit patriot shqiptar. Ky farë Besnik Shtufi, i cili me siguri duhet të jetë ndonjë bir a nip ballisti a zogisti, që i ka vënë vetes rolin e gazetarit dhe historianit sharlatan, në llumin e të pavërtetave që ka gatuar në atë shkrim paçavure, tre janë sajesat më absurde:
Mashtrimi antishqiptar
Së pari: Sikur Konferencën e Pezës e paska përcaktuar “njollë të zezë” historiografia shqiptare. Ky është mashtrimi më antishqiptar që s’është dëgjuar gjer sot. Në cilin dokument historik, qoftë i versionit zyrtar apo arkivor është bërë një përcaktim i tillë i Konferencës së Pezës more zoti Besnik? Në të gjitha tekstet e historisë së Shqipërisë dje dhe sot, nuk ka patur e nuk mund të ketë një përcaktim të tillë, sepse ajo është vetëm një tezë e hedhur nga ju, elementët antishqiptarë. Dhe , si pa dashur, në një farë mënyre këtë e pohoni edhe vetë në këtë shkrim paçavure kur thoni se kjo tezë është, “… sipas historianëve tanë të paindoktrinuar”. Po kush janë këta historianët tuaj të paindoktrinuar more zotëri? Mos e ke fjalën për Uran Butkën, birin e kryeballistit që vrau veten në hale, sepse nuk e duronte dot turpin që kishte bërë duke u vënë në shërbim të pushtuesve kundër popullit të vet? Apo për ndonjë historian tjetër si Beqir Meta, Romeo Gurakuqi, Çelo Hoxha etj, të cilët lehin si qeni pranë të zotit që u hedh ndonjë kockë? Historianët e vërtetë janë ata të cilët e shkruan historinë duke qënë pjesëmarrës direkt në ngjarjet e mëdha të epopesë së LANÇ si Kristo Frashëri, Dhimitër Shuteriqi, Fatmir Gjata, Xhemil Frashëri, Dritëro Agolli, Resul Bedo, Sevo Tarifa, Shefqet Musaraj etj, apo historianët me rrënjë patriotike si Paskal Milo e Pëllumb Xhufi etj, të cilët u kanë qëndruar besnik ngjarjeve të LANÇ- it, përfshi dhe Konferencën e Pezës, duke i pasqyruar ato me vërtetësi të plotë. Ndryshe nga ata historianë që ju i quani të paindoktrinuar por që në fakt janë shumë të interesuar sepse duan me çdo kusht të rregullojnë të kaluarën e etërve të tyre, historianët e vërtetë more zotëri, nuk kanë asnjë interes veç atij kombëtar, për ti pasqyruar drejt e për ti mbrojtur të vërtetat historike si një mision të lartë atdhetar. 
Absurdi antishqiptar
Së dyti: Absurdi tjetër lidhet me atë të pavërtetë të madhe që hidhet në këtë paçavure se gjoja Konferencën e Pezës e paskan organizuar jugosllavët dhe sipas jush “kjo konferencë nuk ka asnjë gjurmë shqiptare”. Duke marrë parasysh se këtë tezë antishqiptare që keni hedhur në këtë shkrim paçavure e bazoni në “Kujtimet e Dushan Mugozhës të vitit 1971”, marrë nga gazeta “ 55”, e datës 09.06.2015, del qartë se ju zoti Besnik Shtufi jeni një marionetë besnike në shërbim të të tjerëve për të mos thënë të emisarëve të UDB –së Jugosllave, sikurse ishte Dushan Mugosha, i cili sa kohë ishte në Shqipëri gjatë LANÇ-it kreu vetëm misione sabotuese e diversioniste. Po ju gjithashtu jeni një shërbëtor besnik i një pseudogazete që me zell të madh i është futur ditarit të Dushan Mugoshës të cilët së bashku i kanë vënë vetes detyrë, për të hedhur baltë e falsifikuar historinë e vërtetë të LANÇ-it. Gazeta mesa duket, kanë gjetur tek ty njeriun e përshtatshëm të një shërbëtori besnik për të dalë në skenë me “këto burime”, që ata si minjtë e gjirizeve, mundohen të nxjerrin prej andej e t’i hedhin në tregun mediatik për interesat e tyre meskine. Turp për atë e për ty. Tashmë prej 73 vitesh, populli shqiptar e di si drita e diellit se Konferenca Historike e Pezës, u ideua e u organizua nga PKSH me Enver Hoxhën në krye, si një veprim i zgjuar e largpamës që do tu printe situatave e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesve nazi-fashistë. Kjo është e vërteta e madhe historike, qentë le të lehin sa të duan. Këta myteberë vetëdemaskohen si antishqiptarë, se meritat e shqiptarëve për Konferencën e Pezës ja u faturojnë të huajve, agjentëve të UDB-së jugosllave. 
Shtrembërimi i kuvendit pluralist
Së treti: Autori, ose më mirë të themi autorët, sepse pas emrit të Shtufit në këtë shkrim qëndrojnë Balliu, Dervishi etj, dalin me tezën se Konferenca e Pezës duhet të kishte ndjekur përvojën e De Golit të Francës, i cili u bëri thirrje e muarën pjesë në rezistencën kundër nazistëve gjermane gjithë forcave politike me bindje të ndryshme. More zotërinj autorë, pse bëni sikur nuk e dini se në Konferencën e Pezës me thirrjen që u bëri PKSH, muarën pjesë jo vetëm komunistët por dhe nacionalistët pa parti, përfaqësuesit e Ballit Kombëtar e të Legalitetit? Dokumentat e hartuara në këtë konferencë, sikurse qenë vendimet dhe rezoluta, mbajnë firmat e 17 pjesëmarrësve. Nga këta, vetëm 8 i përkisnin PKSH, ndërsa pjesa tjetër prej 9 delegatësh u përkisnin forcave nacionaliste. Kështu, përveç Myslim Pezës, Haxhi Lleshit e Baba Fajë Martaneshit pa parti, aty morën pjesë Abaz Kupi, Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Qirjako Harito, Skënder Muço, Ramazan Jerani, Sami Jegeni dhe nga Balli Kombëtar Halim Begeja. Rrjedhimisht, Konferenca e Pezës ishte kuvendi pluralist gjithë përfshirës. Këtë e dinë shumë mirë autorët e këtij shkrimi paçavure. Por ata hallin e kanë gjetiu. Padronët e tyre brenda e jashtë vendit, kolaboracionistët e djeshëm dhe pinjollët e tyre sot, agjentët e huaj që nuk i duan të mirën Shqipërisë, duan që Konferenca e Pezës por sidomos vendimet që mori ajo, të fshihen nga historia sepse ato i demaskojnë si tradhtarë. Le të marrin vendimin e rëndësishëm që u mor për krijimin e frontit të gjerë antifashist, i cili do të grumbullonte në gjirin e vet gjithë shtresat shoqërore dhe rrymat politike në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë që u materializua në thirrjen emblematike “Të gjithë në luftë kundër pushtuesve nazi-fashistë pa dallim feje, krahine e ideje”. A nuk ishte kjo Konferencë Kombëtare pluraliste sikurse veproi Franca more zotëri? Por ç’ndodhi? Nëse në Francë gjithë forcat politike, pavarësisht nga bindjet e tyre, u bashkuan në një front e luftuan së bashku kundër nazizmit deri në çlirimin e plotë të Francës, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Sikurse dihet, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, përfaqësuesit e tyre në Konferencën e Pezës, jo vetëm nuk i respektuan vendimet e marra dhe rezolutën përfundimtare por i shkelën ato me të dyja këmbët. Për më tepër ata u bashkuan me pushtuesit, duke ju kundërvënë FANÇ dhe popullit të vet. Udhëhoqën forcat pushtuese në dy operacionet famëkeqe të nazistëve të viteve 1943-1944, duke vrarë e masakruar njerëz të pafajshëm, duke djegur e plaçkitur gjithë Shqipërinë. Janë pikërisht këto rrethana, është pikërisht kjo tradhti shkaku që sot këta tellallë në shërbim të antishqiptarizmit, përpiqen të falsifikojnë ato të vërteta të mëdha për të cilat është dëshmitar një popull i tërë. Ne veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe pasardhësit e tyre, pjesëmarrës në ato ngjarje të mëdha në historinë e LANÇ i kemi shkruar ato me gjak e sakrifica të panumërta, Nga njëra anë jemi të vendosur ti mbrojmë ato me çdo kusht dhe, nga ana tjetër, u bëjmë thirrje fallsifikatorëve të heqin dorë nga këto pelivanllëqe. Ndryshe do përfundojnë në koshin e plehrave të historisë, si etërit e tyre dje.
Kryesia e Komitetit Kombëtar të LANÇ
Sigal