Kolec Traboini: Enigmat e mitingut të 10 janarit 1991

107

 

Mitingu që përmend Edi Rama nuk është iniciuar e as organizuar nga PD dhe as ndonjë organ tjetër përpos se prej krijuesve të Kinostudios

Enigmat e mitingut të 10 janarit 1991

Kur Mark Topallaj e pyeti Azemin për Sali Berishën, Azemi na tha se “Saliun e mbajti Ramizi në zyrë”

Duke ditur se manipulimet e historisë janë arti i fallxhorëve të politikës, prej vitesh e kisha lënë në heshtje mënyrën e organizimit e zhvillimit të mitingut madhështor të krijuesve e intelektualëve të Tiranës në kapërcyell të vitit 90-91 kur ende diktatura mbahej në këmbë, mirëpo tani që ish-kryeministri i Shqipërisë e cilësoi si “mitingun tonë”, ndërsa kryetari i PS, edhe ai nga ana e tij në librin e vet “Kurban” e konsideron si një miting partiak, unë edhe më tej nuk mund të hesht, sepse tashmë kjo heshtje do të ishte e pakuptimtë. Këta liderë partish janë në të drejtën e tyre të bëjnë kurban bëmat e veta gjatë këtyre dy dekadave, por jo të personalizojnë apo privatizojnë ngjarje në të cilat kanë qenë thjesht të ftuar e jo organizatorë. As njëri e as tjetri. Kanë aq shumë merita mbi shpatulla këta burra të telikosur shteti sa do të qe e pakuptimtë të rëndoheshin edhe si nistorë mitingjesh të bëra prej të tjerëve. Mos vallë me këtë duan të nënkuptojnë se jashtë partive nuk ekzistonte asfare aspiratë për liri e demokraci dhe se kurrkush tjetër veç partiakëve nuk mund të shkruajë histori? Në librin që botuesja Arlinda Dudaj përcolli me eufori në mediat televizive, “Kurban” të Edi Ramës, kryetarit të opozitës së djeshme, thuhet tekstualisht: “…pak ditë më pas kur (nënkuptohet Sali Berisha- shënimi im K.T.) donte të na pengonte Ardianin (Klosin), Kasemin (Trebeshinën), dhe mua të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, te Stadiumi “Qemal Stafa”, ku na drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë se “ju s’mund ta merrni fjalën sot se s’kemi kërkuar leje në polici për ju…” Këtë pjesë libri botuar në gazetën “Panorama” viti X. Nr.3248 datë 28 tetor 2011, redaksia ose autori e kanë shënuar me titull: “Si më largoi Berisha nga mitingu i PD në `91”. Ne nuk dimë çfarë t`i themi Edi Ramës, as nuk mund t`i japim ndonjë këshillë, sepse ai është në majë të piramidës socialiste e tash edhe pushtetit e zor se i shkon zëri ynë aq lart, por gjithsesi e mira do të qe që ata këshilltarë që i mban me bukë, që mesa shihet janë të painformuar, nuk lexojnë as çfarë shkruhet në gazetat shqipe, apo në TVSH pikërisht për këtë njoftim të gabuar që përcjell tek lexuesit e vet. Është shkruar në shtyp se Mitingu që përmend Edi Rama nuk është iniciuar e as organizuar nga PD dhe as ndonjë organ tjetër përpos se prej krijuesve të Kinostudios. Do ta shtjellojmë këtë ngjarje të para tre dekadave më me hollësi, por le të shohin se çfarë mendimi kanë për këtë çështje pala tjetër antagoniste e politikës konfliktuale shqiptare. Mesa duket për gjithçka janë në kundërshti këto dy forca politike që zotërojnë vendin, por në një gjë janë në një mendje, që mitingun e parë të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike janë bërë nga PD. Po të mos isha unë që e kam inicuar e organizuar ketë miting, padyshim që nuk do të kisha marrë mundimin t`i përgënjeshtroj këta dy burra shteti, dy kryeministra të Shqipërisë që turp është të them se ma vodhën metingun. M’u ka mbush mendja top se në Shqipëri gjithçka vidhet, përderisa edhe mitingjet. Para se të hedhim dritë mbi këtë ngjarje, le të shohim çfarë thotë kryeministri i shkuar, që aso kohe ishte këmborë e madhe.

*   *   *

“Ky njeri, – thotë në një konferencë shtypi kryeministri Berisha për opozitarin e vet të kolltukut, Edi Rama, – do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë: – Kë duhet të varim? Ata, – më tha – Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike.” Në pikëpamje partiake e vetmja gjë që mund të them është si nistori edhe i formimit të degës së PD-së për Kinostudion, se as në atë kohë, e as sot nuk kam qenë e nuk jam i mendimit se ne, veprimtarët e lëvizjes demokratike në terren, po formonin degët e partisë së liderëve të rinj. Ky nocion nuk ekzistonte në kokën time e të kolegëve të mi, sepse na ishte shpifur ideja e themeluesit të partisë komuniste dhe nuk na pëlqente të notonim në ato ujëra kultesh. Sa i përket bindjeve të mia, dhe besoj jo vetëm të mia, që i kam shprehur që në numrin 3 të gazetës RD, janar 1991, ku kërkoja heqjen e yllit të kuq komunist nga Flamuri dhe kallëzave të grurit nga stema e Republikës, Partia Demokratike e atyre ditëve është formuar si një imediat historik, si parti e demokracisë dhe e kurrnjë individi të përveçëm në këtë vend të rënduar nga kulti gjysmë shekullor i individit. Kulti i Enver Hoxhës, (pse jo dhe i Zogut), i kishte lodhur aq shumë psiqikisht njerëzit (flas më tepër për intelektualët e jo turmat që nëpër tërë shekujt vetëm kanë brohoritur), saqë nuk kishim dëshirë të dëgjonim për liderë në ballë të tribunave. Por kjo çështja e personalizimit të partive, tashmë nuk është në preokupimin tim, sepse nuk bëj pjesë në asnjë prej tyre, kryekreje për faktin se nuk janë ato për të cilën mendoja se do të ishin. Le ta marrë mbi shpatulla kushdo që dëshiron të bëjë karrierë e të luftojë për mirëqenie e lavdi personale, sepse tashmë partitë janë leva Arkimedi për të marrë pushtetin dhe pushteti mjeti me të cilin mund të bëhen para me bollëk duke përdorur të dyja duart, në njërën duke mbajtur pankarta kolosale të luftës kundër korrupsionit, ndërsa në tjetrën duke mbushur xhepat e vet, ndërkohë që boshatisen xhepat e shtetit. Që në atë kohë, soj-soj beniaminësh e ligavecësh të rinj të politikës, vinin rrotull dhe me lajka përpiqeshin të ngjiteshin në shkallët e pushtetit e mund të themi se ia arritën mjeshtërisht. Luftëtarët më të mëdhenj zë buçitës me bla-bla-bla oratorike gjatë daljeve nëpër podiume ishin komunistët, bijtë e rrethi i afërt i tyre, por edhe ish-spiunët e sigurimit. Ata më shumë se kushdo kishin nevojë të shfaqeshin si liderë të rinj dhe të mbulonin erën e keqe të së kaluarës së vet të palavdishme. Dihet që politikanët e interesit e jo të idealit janë si minjtë që braktisin të parët anijen që mbytet. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Minjtë e kuq nisën të zhargiten e llangosen blu.

Kjo blujadë nuk ishte e vështirë të binte në sy.

Kushdo që ishte ndryshe, që nuk kishte të tilla orekse, por vepronte thjesht nga dëshira për të parë popullin e lirë pasi të shembej komunizmi, e ndjente veten të huaj në mjediset e këtyre liderëve të rinj që, kush e kush t’i ngrinte shpatullat më lart se njëri-tjetri. Koha e tregoi se lufta për pushtet që u bë në mes të liderëve të rinj të vetëquajtur demokratë, ishte aq e ashpër dhe e pa kompromis sa të duket se më shumë luftonin njëri-tjetrin se sa me farën e keqe të komunizmit, e cila vërtet ishte tek kuadrovikët e Partisë së komunistëve shqiptarë, por edhe këta liderë të rinj ishin të molepsur jo pak me sporet e kuqe. Tani le të shqyrtojmë shprehjen e kryeministrit që tekstualisht thotë: -“Ky njeri do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit”.

*   *   *

Biblioteka e Universitetit gjendet pranë sheshit që tashmë quhet “Nënë Tereza“ dhe nga pas ka stadiumin kombëtar. Tërë gjasat janë që ish-kryeministri Berisha t’i referohet jo mitingjeve të Partisë që e ka formuar ai, sepse nuk dimë të ketë bërë partia e tij ndonjë miting në atë shesh, përkundrazi më i spikaturi ka qenë mitingu madhështor i intelektualëve të institucioneve artistike të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Mirëpo nëse është fjala pikërisht për këtë miting, ish-kryeministri është i paqartë sepse e personalizon. Madje shkon edhe më tej kur thotë se ky njeri, pra Edi Rama, atëbotë pedagog i Insitutit të Lartë të Arteve, paska shkuar në mitingun e PD-së. Përkundrazi, ishte kryepartiaku Sali Berisha që shkonte në atë miting ku Edi Rama ishte në mjedisin e vet prej intelektualësh të institucioneve artistike të kryeqytetit (ani pse në mënyrë habitore edhe vetë Edi Rama në “Kurbanin” e tij e bën kurban këtë miting duka ja faturuar PD-së dhe duke ia mohuar vetvetes), çfarë tregon se të dy këta kanë rreth vetes këshilltarë të paaftë, sepse Kryeministri dhe Kryeopozitari (tashmë anasjelltas në kolltuk qeveritar), sjellin referenca të gabuara në Median Publike, që vetë i kanë nën pronësi, e vetë i quajnë kazan e hale. Ai miting nuk ka qenë iniciativë e asnjë partie, ai është organizuar nga krijuesit e Kinostudios, por thënë saktë ka qenë nisiativa ime personale dhe nuk ka njeri që i del për zot kësaj pune veç meje. Po pse e bëra këtë? Sepse po vija re se pak intelektualë të institucioneve artistike të kryeqytetit po solidarizoheshin me partinë e re demokratike që sapo ishte formuar. Po krijohej përshtypja se intelektualët krijues ishin indiferentë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Aq më tepër neve si kineastë na takonte të ishim nisiatorë për faktin se kushdo në Shqipëri e dinte sesi kolektivi krijues i Kinostudios e kishte përcjellë me bisht ndër shalë, sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë dhe anëtarin e byrosë politike, Foto Çami, sa u përhap fjala nga kuadrovikët e partisë diktaturë se në Kinostudio kish bërë fole armiku. Ndër veprimtaritë që kam zhvilluar ato ditë të fundit të dhjetorit 1990, ka qenë edhe hapja e një fushate ndihmash monetare për PD-në. Mblodha një grup punonjësish dhe kërkova të krijonim degën e PD-së për Kinostudion. Për këtë kam shkuar e takuar Azem Hajdarin, i cili e pëlqeu dhe e përkrahu idenë e krijimit të degës së PD-së dhe më pajisi me një autorizim të posaçëm me firmën e tij. Atë ditë që e kam takuar, e kam pritur gjatë të zyrat e PD-së në rrugën “Fortuzi”, sepse më thanë se është në një mbledhje tek Presidenti Ramiz Alia. Kur Mark Topallaj e pyeti për Sali Berishën, Azemi na tha se “Saliun e mbajti Ramizi në zyrë”. Vërtetë nuk jam në gjendje të vërtetoj se si e pse e mbajti në zyrë Ramiz Alia Sali Berishën dhe çfarë kanë qenë bisedat e tyre, por fjalët e Azem Hajdarit i kam dëgjuar me veshët e mi. Pra takime kokë më kokë Sali-Ramiz vërtetohen në mes të dhjetorit 1990. Deri me sot nuk kam lexuar askund rrëfime të Sali Berishës për këto takime të mbyllura e biseda kokë me kokë me diktatorin Ramiz Alia. Dua të sjellë në kujtesë edhe diçka, duke i parë lëvizjet e mia, sepse edhe Kinostudio ka patur të paktën 12 spiunë me “500”, dy oficerë sigurimi të veshur civilë, kanë shkuar në Kinostudio dhe kërkuan të më takojnë, por atë ditë kam qenë me xhirime jashtë Tirane. Kanë takuar drejtorin duke kërkuar prej tij të dhëna për personin tim. Viktor Gjika më ka thirrur e njoftuar se të kanë në sy të keq ata të Ministrisë së Brendshme, ndaj bëj kujdes për veten dhe shtoi se u përpoqa sa munda të marr në mbrojtje.

Pa patur parasysh këtë presion, vazhdova punën për formimin e degës së PD-së për institucionin tonë. Fotografitë e asaj dite janë ende në fondin e kameramanit Spartak Papadhimitri në Tiranë. Kjo sa për njoftim që të mos ngrihet ndonjë i vonuar, që ka hyrë në PD nja dhjetë vjet më pas dhe brenda natës na u gjend ministër e të na thotë ky i përkëdhelur i tarafit -“Po, ne s’të njohim fare”. Se këta, fillimin e historisë së partisë blu apo rozë e llogarisin nga dita kur kanë nxjerrë lugën nga brezi e kanë nisur të hanë mjaltë qeverisje sa janë dendur mirë. Nga fundi i dhjetorit 1990 kam shkuar në Ministrinë e Brendshme dhe ata ma prenë shkurt, se nuk japim leje për mitingje se ato janë ekskluzivitet i partive të miratuara me legjislacion prandaj të shkoni e të bëni kërkesën nëpërmjet tyre. Siç dukej ishin marrë të gjitha masat nga Partia Punës mbase në marrëveshje edhe me krerët e PD-s, që çdo veprimtari të mbikëqyrej duke mbyllur çdo shteg të iniciativave qytetare prej të cilave kishin frikë. Duke mos pas rrugë tjetër kam shkuar në selinë e PD-së ku kam takuar një dibran që rrinte në holl si punë sekretari për informacionin me emrin Zenel Hoxha, sot është drejtues i Dhomës Shqiptare Britanike të Tregtisë dhe Industrisë (ABCCI). Zenel Hoxhës i kam kërkuar ndihmë që të nxjerrë një leje për zhvillimin e mitingut, për arsye se lejet për mitingjet nuk mund t’u jepeshin drejtpërdrejtë qytetarëve, por duhej të kalonin për t’u vërtetuar nëpërmjet zyrave të partive. Zenel Hoxha më ka kërkuar të mbush një formular ku duhej të përshkruaja qëllimin e mitingut, ditën, orën, dhe kush do të ishin organizatorët që do mbanin përgjegjësi ligjore në rast incidentesh gjatë zhvillimit të tij. Pasi e kam mbushur e firmosur formularin me kërkesën për një miting krijuesish e intelektualësh të Kinostudios, më ka kërkuar edhe emrat e dy personave të tjerë që do të shënoheshin si garant në atë letër e që bashkë me mua do të ishin përgjegjës para ligjit për zhvillimin e mitingut, fjalët e tij. Kërkesë që ai me emrat tonë do ta paraqiste në Ministrinë e Brendshme. I kërkova ndihmë regjisorit Mark Topallaj që u shpreh i gatshëm ta firmoste. Duhej edhe një i tretë, të cilin duke mos pasur mundësi ta gjeja menjëherë, sepse duhej të shkoja sërish në Kinostudio, vendosa të shënoj regjisorin Saimir Kumbaro dhe ta lajmëroja më vonë, i bindur që Saimiri nuk do të kundërshtonte vënien e emrit të tij në atë listë, ani pse pa e lajmëruar. Kësisoj si nismëtar i atij mitingu bëra dhe një akt të kundra ligjshëm, i ndërgjegjshëm se do te dënohesha penalisht, duke firmosur në vend të një tjetri. Falsifikim i dënueshëm. Ndoshta koha dhe rrjedhimet historike më shfajësojnë. Shënova datën për zhvillimit e mitingut 10 janar 1991, ora 4 pas dite, tek sheshi para stadiumit “Qemal Stafa”. Të gjitha detajet i kisha menduar më parë. Vendosa këtë orë qëllimisht sepse shumica e ndërmarrjeve e mbyllnin punën në 3 e një orë na duhet për t’u mbledhur, por gjithashtu në atë orë ishin të lirë të gjithë studentët e Universitetit dhe Akademisë së Arteve.

*   *   *

 

Nesër do lexoni:

– Edi Rama tha atëherë këto fjalë: “Na skuqën si indianë, na zverdhën si kinezë e na nxinë si afrikanë”

– Mitingu i 10 janarit 1991 ishte pararendësi i një zhvillimi tjetër madhështor