Juri Shvec: Si e kam njohur shokun tim të klasës Vladimir Putin?

758
Ish-zbuluesi sovjetik, kurse tani analist amerikan i financave, Juri Shvec i ka rrëfyer portalit “Gordon” për faktin se pavarësisht nga jetëshkrimi zyrtar, presidenti Putin nuk ka punuar asnjëherë në zbulim për shkak të “aftësive të tij poshtë mesatares”, për nofkat e Putinit në KGB dhe për dy shkresa, të cilat mjafton t’i firmosë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që ekonomia e Rusisë të marrë rrokullimën. Juri Shvec, ish-oficer i Drejtorisë së Parë Qendrore të KGB, i diplomuar në Institutin e Zbulimit të Jashtëm “Andropov”, kurse tani analist amerikan i financave, në vitet ’80, në kulmin e “Luftës së Ftohtë”, ka pas qenë zbulues në SHBA. Ka pas punuar nën maskën e korrespondentit të TASS-it (Agjencisë Telegrafike të Bashkimit Sovjetik), merrej me grumbullimin dhe analizën e informacionit për ndonjë goditje të mundshme të papritur bërthamore të SHBA kundër Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1990 atë e liruan nga shërbimi. Tre vjet më vonë, ai emigroi në SHBA, ku pati botuar librin me titull “Rezidentura e Vashingtonit: jeta ime si spiun i KGB-së në Amerikë”. 18 vjetët e fundit, ish zbuluesi po drejton një firmë për grumbullimin e informacionit dhe për vlerësimin e rreziqeve tregtare të kompanive që planifikojnë të administrojnë një biznes shumëmilionësh, si në territorin e ish-BS, ashtu edhe në mbarë botën, duke përfshirë Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë. Juri Shvec është njëri nga dëshmitarët kyç në seancat dëgjimore që po zhvillohen tani në Londër për vrasjen e ish-oficerit të Shërbimit Federativ të Sigurisë të Federatës Ruse Aleksandër Litvinjenko. Ka qenë pikërisht Juri Shvec ai që e pati ndihmuar Litvinjenkon të grumbullonte dhe të analizonte dosjen në ngarkim të Viktor Ivanovit, ortakut të Vladimir Putinit, drejtor asokohe i Shërbimit Federativ të Federatës Ruse për kontrollin e qarkullimit të narkotrafikut. Në atë dosje qe grumbulluar një informacion për lidhjet e Putinit dhe të Ivanovit me grupin e organizuar kriminal të Tambovit, i cili në vitet ’90 merrej me tregtimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave të njërit prej narkokarteleve më të mëdhenj kolumbianë. Në përputhje me materialet e hetimit britanik, pikërisht Shveci dhe Litvinjenko bënë që të dështonte biznes-ujdia e njërës nga korporatat kryesore europiane me Federatën Ruse, nga e cila Ivanovi planifikonte të merrte një shumë të majme.
Për më tepër lexoni gazetën Telegraf
Sigal