Jashar Cakrani-atentatori i Gilardit, që bëri historinë e kryengritjes së Fierit

1638
Sigal

Me rastin e 14 gushtit  78-vjetori, i “Kryengritjes së Fierit” .

 Historinë e shkruajnë historianët, por ajo është vepër e masave të gjëra popullore. Populli është krijuesi i vërtetë i historisë. Kryengritjet, shpërthimet revolucionare, luftërat, nuk i dëshiron populli, por i provokojnë sundimtaret, mbretërit, princërit, apo demokratet e rremë dhe pasuesit e tyre që  e çojnë gjendjen e shtypjes, vjedhjes, e të dhunës  deri në padurim dhe si pasoje lind revolta popullore dhe populli konfrontohet me padrejtësitë. Ahmet Zogut e ktheu Shqipërinë në një plaçkë tregu duke ja shitur here Serbisë e herë Italisë fashiste. Ai ndryshonte orientimin e tij politik sipas interesave personale e familjes së tij. Ai  sundoi mbi bazën e organizimit fisnor të mbështetur në lidhje gjaku me të dhe shtoi artificialisht antagonizmat dhe konfliktet shoqërore, ekonomike në gjirin e popullit.

Le ti referohemi dokumenteve  zyrtare,  por  edhe dëshmitarëve okular.

Zogu në Gusht 1924 nënshkroi me Pashiqin një marrëveshje me 16 pika pa qenë i autorizuar as formalisht. Pashiqi i udhëzonte përfaqësuesit serb  në Shqipëri: “Ne duhet të kërkojmë maksimumin, në mënyrë që Italia të marrë sa më pak… Ne duam që Shqipëria të jetë e pavarur, por e dobët dhe e parregulluar. Regjimi i rrezikuar nga Italia, të na drejtohet neve, e regjimin të cilin duam ta përmbysnim ne, të kërkojë mbrojtje nga Italia.“.I vënë përballë këtyre dy alternativave Zogu filloi tu bëjë konçensione herë Jugosllavisë dhe  herë Italisë. Kështu Zogu i shiti Jugosllavisë Shën Naumin,e Vërmoshin ku Mehdi be Frashëri në kujtimet e veta shkruan:” Shkëmbimi i Shën Naumit nuk është gjë tjetër veçse shkëmbim të tokave shqiptare. Ne i dhamë Shën Naumin, tokën tonë dhe morëm tokat tona që ata më parë na i kishin rrëmbyer! Ky është veprimi i dënueshëm që Ai (Pashiqi)dhe mbreti ynë bënë……”

Italianët e shtinë në dorë marrëveshjen Zogut me Pashiqin dhe reaguan menjëherë. Shqipëria e dobët dhe e parregulluar duke ndjerë rrezikun serb u detyrua të kërkojë ndihmë te Italia Fashiste, e cila i ofroi në mars 1925 nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike me Romën. Më 26 Gusht 1925 Italia i kërkoi Zogut të nënshkroi paktin ushtarak sekret Italo-Shqiptar. Në vitin 1926, kërkoi mbrojtje e ndihmë nga Italia dhe sa mori garanci për regjimin e vet, në vitin1927, pranoi të lidhë Aleancën ushtarake për 20 vjet me Italinë, duke marre me qindra e qindra miliona lireta për punë botore,duke “ju dale edhe fjale Jugosllavisë”. Në këto kondita Kukulla Zog dhe Shqipëria  nuk mund të thuhet se ishte e pavarur nga Italia dhe Jugosllavia.

Antizogizmi i Mallakastrës.

Fshatarësia e Mallakastrës në Kuvend masiv,  me “Peticionin” e vitit 1925 kur Ahmet Zogu u bë kryeministër nuk e miratoi qeverisjen e tij, jo për arsye personale po duke u mbështetur në faktin se në ç’mënyrë dhe me mbështetje të kujt erdhi në fuqi. Ky peticion u firmos nga përfaqësues të fshatarëve mallakastriot  si: Halim Hamit Hekali dhe Durke Harrun Belishova etj.. Zogu për hakmarrje nuk bëri asnjë investim, marrëdhëniet në prodhim u lanë në stadin e mëparshëm të rendit feudal. Nuk u ngriti as shkolla, as spitale, as kopshte , as çerdhe,asnjë baxho për përpunim qumështi, as një fabrikë ulliri, as rrugë, edhe rrugën nacionale Ballesh -Tepelenë e bëri me punë angari me punë të detyrueshme nga fshatarët e pabindur. Edhe rrugën Koshovicë -Cakran e bëri me punë të detyruar e punë angari, pasi fondet dhe materialet për këto rrugë i vidhnin nëpunësit e administratës në mënyrë të paskrupullt. U vodhën jo vetëm mjetet financiare, por aty edhe veglat e punës, lënda e parë, punët filloheshin dhe me vite të tëra nuk përfundonin. Ai zëvendësoi gjithë nëpunësit e krahinës  duke caktuar nëpunës nga krahina të tjera, shërbëtor besnik e agjentë të regjimit. Diskriminimi  i popullit behej publikisht edhe xhandari u drejtohej fshatarëve e thërriste :“E mor mender popull” dhe kudo që shkonte u tundte kamxhikun e shkopin  para hundës njerëzve. Gushëkuqët (siç thirreshin xhandarët e Zogut) ishin bërë të padurueshëm pasi ata shanin, ofendonin, rrihnin e torturonin njerëzit pa shkak.

Natyra, Krahinën e Mallakastrës, e ka favorizuar në bujqësi, blegtori, frutikulture, veçanërisht në ullinj (1/7 e sasisë në shkallë republike) dhe me burime nëntokësore gazi dhe nafte, fshatari mallakastriot varfërohej vit pas viti nga taksat e larta e të shumta, nga gjobat, ryshfetet, sjelljet e këqija e të padurueshme të nëpunëseve, me qëllim të mbillnin urrejtje në masën e fshatarëve. Me e theksuar kjo urrejtje behej tek fshatari i varfër dhe i mesëm. Taksat bëheshin më të rënda, kur kish prodhim të paket nga kushtet e këqija te motit, thatësira, dimri i ashpër, apo vitet me prodhim të ulët. Toka punohej me krahë,nuk njiheshin plehra kimike, shërbimet e mbrojtjes se bimëve, shërbimi zooteknik, e shëndetësor. Vjeljen e taksave regjimi e bënte me xhandarë e policë. Në rastet kur nuk kish mundësi shlyerje, xhandari (taksidari) i merrte fshatarit orenditë shtëpiake deri tek kazani i rrobave edhe “zairen” e blegtorisë dhe e shisnin ditën e pazarit me “tellall”.Forca e administratës ndaj fukarasë nuk ishte vetëm shtrënguese, por edhe diskriminuese. Djemtë e mallakastriotëve, veçanërisht ata të fukarasë shërbenin në ushtri mbi dy vjet nën kërcënimin e kamxhikut pa mbrojtje nga ligjet e shtetit,ku diskriminohej si qenie njerëzore. Ushtari përdorej si shërbëtor, ordinancë e oficerit duke e kthyer në një ysmeqar me uniformë me një trajtim të përbuzur e nënvleftësues. Në ushtri djemtë nuk mësonin asnjë zanat, nuk mësonin shkrim e këndim dhe trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore.

Korrupsioni ishte shtruar këmbëkryq. Fshatarët me qeverinë nuk i zgjidhnin dot problemet ndërsa me njëri -tjetrin ata merreshin vesh shumë mirë. Kjo gjë binte në sy të keq te qeveritaret, të cilët donin t’i kishin të përçarë njerëzit. Ky mirëkuptim kishte bërë që në krahinën e Mallakastrës të mos kishte gjakmarrje. Regjimi Zogist duke shfrytëzuar fukarallëkun dhe mizerien u përpoq shumë të prishte marrëdhëniet në Mallakastër jo vetëm nëpërmjet diferencimit ekonomik por edhe nëpërmjet grindjeve e mosmarrëveshjeve për probleme te ndryshme por edhe me afrimin rreth vetes të disa ushtarakeve që i kish patur shokë shkolle në Stamboll e në Vjenë siç qenë: Xhemal Aranitasi, Mustafa Aranitasi, Hysni Toska Luari,Idriz Dano Drizari, Adil Dervish Gjerbësi, Qamil Bejo Hekali e tjerë. Nga këta jo të gjithë ju nënshtruan verbërisht pasi pati të tillë se Mustafa Aranitasi që kur vranë Avni Rystemin ai urdhëroi ushtrinë të uli Flamurin në gjysmë shtize dhe të mbaj 3 ditë “Zi kombëtare” duke e cilësuar Avni Rustemin “Hero Kombëtar”. Zogu shkarkoi si Ministër të Mbrojtjes Mustafa Aranitasin dhe caktoi kushëririn e tij Xhemal Aranitasin me qëllim t’i vinte njërin kundra tjetrit. Por disa krerë si Bektash Cakrani, Adil Dervish Gjerbësi e tjerë e kuptuan hilen e Zogut dhe  u larguan prej tij. Si kundërpeshë Zogu, afroi edhe beri deputet njerëz si Bektash Haxhi Corrushin e Kamber  Belishova. Duke shfrytëzuar  marrëdheniet e prishura te Bektash Cakranit me Hysni Tosken  ai  rriti në detyrë Hysni Toskën duke e bërë Kryeinspektor të ushtrisë .Dhe për të provokuar fshehtas popullsinë mallakastriote ai aktivizoi gjoja “komitin Isa Toska”i cili vidhte, digjte, pasurinë e popullit dhe vriste ata që kundërshtonin. Isa Toska dogji e grabiti disa here zonën e Mallakastrës, ku vetëm në fshatin Vreshtaz në Komunën  e Cakranit dogji të gjallë në furrën e bukës 13 fshatarë dhe më vonë u bë bashkëpunëtor me fashizmin e nazizmin)

Kryengritja e Fierit 14 Gusht 1935 dhe mësimi i saj.

Me revoltën e 14 gushtit 1935  populli vrau frikën, por njëkohësisht u bë edhe ndarja e atyre që bashkëpunonin në fshehtësi me Zogun, ata që punonin hapur dhe  të tjerët  që u vunë në shërbim të agjenturave të huaja,dikush u lidh me fashizmin italian. Qeveria e Zogut nëpërmjet agjenturës, por edhe tradhtisë kishte rënë në gjurmët e kryengritjes, por nuk dinte momentin se kur do te fillonte.

Ekzekutimi i Gilardit sinjali për fillimin e Kryengritjes.

Kështu më 14 Gusht 1935  në orët e para të mëngjesit vjen “rastësisht”  gjenerali Kroat, Gilardi, komandant i Gardës, besnik i Zogut, me shoqëruesin e tij dropollit me emrin Goga. Kjo rrethanë bëri që krerët e kryengritjes së Fierit të mblidhen urgjentisht pasi dyshonin se Plani i Kryengritjes ishte zbuluar dhe Gilardi kishte ardhur apostafat për të shtypur revoltën. Shtabi kryengritës nuk kishte njoftim për ardhjen e Gilardit  dhe në këtë rrethanë ata vepruan me shpejtësi duke vendosur eliminimin fizik të Giraldit dhe këtë detyrë ja ngarkuan atentatorit  Jashar Sulo Bej Cakrani (Dëshmor i Atdheut në  LANC) .Jashari ishte me trup atleti shumë i shpejt dhe trim. Ai  e qëlloi 6 herë  me pistoletë duke e vrarë në vend  bashkë me shoqëruesin e tij.( Pas vrasjes u sqarua se gjenerali kishte ardhur për ekskursion në Manastirin e Pojanit.) Në këto kushte kryengritja filloi parakohe.

Organizatorët e Kryengritjes dhe forcat pjesëmarrëse.

Asnjë klasë në histori, nuk ka mundur të marrë pushtetin pa nxjerr udhëheqësit e saj politikë, të aftë për të organizuar dhe për ta udhëhequr atë. Kryengritja e Fierit nuk u përgatit kryesisht nga shtresat e shtypura e të shfrytëzuara pasi në krye të saj ishin shumica nga paria ,inteligjenca përparimtare, fshatarësia e mesme, dhe ajo e varfër, me të njëjtin qëllim heqjen qafe të regjimit të “Monarkisë” e sjelljen në fuqi të një regjimi “Republikan” të kohës.

Me eliminimin e Gilardit Komandanti i Shtabit të Kryengritjes Zenel Hekali mbajti një fjalim para popullit,ku i bëri thirrje  popullit të rrëmbente armët  dhe urdhëroi marrjen e pushtetit në Fier. Pas marrjes së pushtetit në Fier, Organizatorët e kryengritjes, dhanë urdhrin që kryengritësit të sulmojnë qytetin e Lushnjës me objektiv Tiranën. Kryengritja filloi menjëherë me rreth 2 mijë vetë që ndodheshin aty dhe në ecje e sipër me ta u bashkuan edhe mijëra të tjerë, ku disa u gjendën në Fier për pazar, të tjerët erdhën me shpejtësi. Me kryengritësit u bashkua edhe komanda e xhandarmerisë së Fierit ku ju shpërndanë  popullit ato pak armë që kishte Posta e Xhandarmerisë në Fier.  Me forcat kryengritëse u bashkuan fshatarësia e varfër, ajo e mesme dhe pjesa më e madhe e parisë së vendit. Kush me këmbë e kush me kalë  filluan sulmin në të gjithë gjatësisë e rrugës Fier-Lushnje dhe në orët e mbrëmjes u futën në Qytetin e Lushnjës.

Shtabi i kryengritjes për Fierin përbehej nga Zenel Hekali, Jashar Cakrani, Namik Cakrani, Bektash Cakrani, Hekuran Maneku, Mustafa Kaçaçi, Kol Cekrezi, Musa Kranja (zv. rrethkomandant i xhandarmërisë së Fierit)etj.. Pritej të vinte Riza Cerova me forcat e Skraparit, por ai nuk mundet të vinte pasi u bllokua nga forcat e Zogut te Uji i Zi mbi Berat.