Ja si u asgjesuan pionierët e së majtës anglo-amerikane mbas vitit 1939 në Shqipëri

1256
Nga Shefqet Kërcelli
Hasan Reci, intelektuali antikonformist i dënuar tre herë më vdekje në një cerek shekulli
Intelektuali Hasan Reci, është i vetmi shqiptar dhe ndoshta i vetmi person në botë që është dënuar tre herë me vdekje, një rast unikal ky për dënimet botkuptimore-politike. Herën e parë, në shtator 1935, si udhëheqës në kryengritjen antizogiste të Fierit, vendim i cili si pasojë e presionit popullor u kthye në burgim të përjetshëm. Herën e dytë u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë ushtarake në maj 1942, pasi u kap në flagrancë në një orvatje për një aksion në një bazë ushtarake italiane në afrësi të Kasharit. Edhe këtë radhë, për arësye që do i shpjegojmë më poshtë, vendimi u shndërrua me burgim dhe internim në ishujt e Italisë. Herën e tretë u dënua me vdekje nga Gjykata e lartë ushtarake e regjimit komunist, në janar 1948, me akuzën si armik i popullit dhe i shtetit. Mbasi prokurori Nevzat Haznedari kërkoi në pretencë dënimin e tij me vdekje, kryetari i gjykatës Niko Ceta e pyeti të pandehurin sipas procedurës, për të thënë fjalën e fundit. Hasani me gjakftohtësi e pyeti kryetarin e gjykatës: “Unë jam dënuar me vdekje në regjimin e Zogut si antizogist. Në okupacionin fashist italian, jam dënuar me vdekje si antifashist. Prapë sot në regjimin e Partisë Komuniste po dënohem me vdekje si antikomunist. Ju pyes: Cfarë jam unë atëherë?!… Kryetari Niko Ceta, nuk ishte në gjendje ti jepte përgjigje, përvec frazës bajate : ti je një armik i popullit! Por, këtë herë, sic u tha në atë kohë, ishte e treta e vërteta, sllavo komunistët s’të falin. Kështu, Hasan Reci u ekzekutua me pushkatim, pa marrë përgjigjen për pyetjen që bëri. Qysh atëhere po mbushen gati 70 vjet dhe pyetja ka mbetur ende pa përgjigje. Nëpërmjet këtij shkrimi historik do përpiqemi ti japim sadopak përgjigje pyetjes: Kush ishte intelektuali tiranas Hasan Reci dhe pse u pushkatua nga rregjimi komunist?

Hasan Selim Reci ka lindur në Tiranë më 17 janar 1904, në një familje të varfër tiranase, e cila banonte në periferi të saj. Babai i tij Selimi, punoi gjithë jetën për tu siguruar fëmijëve ushqim dhe shkollim. Dikush nga të moshuarit e lagjes thotë se, Hasani ka lënë dicka të shkruar rreth jetës e familjes së tij, mbase ato janë kycur në arkat metalike të Arkivit Qendror të Shtetit. Gjithsesi nga kujtimet e miqve dhe kolegëve të tij kemi mësuar se, Hasani mbasi kreu shkollën në Tiranë, në fillimvitet 1920 ndoqi Normalen e Elbasanit, saktësisht një kurs për mësuesi në shkollën fillore shqipe. Mbasi punoi si mësues për pak kohë e ndërpreu atë dhe ndoqi shkollën teknike amerikane të Harry Fulltz-it, e cila hapi dyert më 1922. Në moshën 20 vjecare, bashkë me Reshat Këllicin dhe shokë të tjerë, aderoi në shoqërinë “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Mbas përfundimit të Shkollës teknike të Fulltz-it, Hasani u emërua përsëri mësues i shkollës fillore. Në vitin 1928, Hasani me mikun e tij Qemal Kadesha hodhën hapat e parë për krijimin e lëvizjes sindikaliste në Tiranë. Me shkathtësinë, angazhimin dhe përpjekjet e tyre kryesisht jashtë orarit të punës, të dy bashkëmoshatarët tiranas, krijuan dy shoqata sindikaliste profesionale, “Shoqatën e Mësuesve” dhe “Shoqatën e Rrobaqepësve”. Me këto organizime theksojmë faktin se, Hasan Reci dhe Qemal Kadesha janë themeluesit dhe pionierët e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri. Ndërkohë Hasani nuk hoqi dorë nga problemet e arësimit kombëtar shqiptar. Një nga shokët e ngushtë të Hasanit ishte Ramazan Jarani, gjithashtu mësues, i cili kishte përfunduar Robert Kollexh në Stamboll, {pionierja e shkollave amerikane në Ballkan e më gjerë}, madje ka qenë dhe n/prefekt i Durrësit në vitet ’20. Pamvarësisht nga bindjet politike, dy mësuesit u pajtuan në lidhje me karakterin laik që duhej të kishte shkolla shqipe. Madje për realizimin e kësaj marrëveshje midis tyre u ra dakord që zoti Jarani të merrte përsipër botimin e një reviste pedagogjike me titullin “Shkolla laike”, kurse zoti Reci do të drejtonte përmbajtjen e saj. Në vitet ’30, murtaja komuniste kishte mbërthyer Evropën. Idetë komuniste depërtuan dhe në Shqipëri dhe prekën të gjitha shtresat e popullsisë. Si dicka e re për kohën preh e kësaj murtaje rranë dhe intelektualë, të pasur e përfaqësues të shtresës së mesme, se pjesa e varfër po e po. Që të gjykojmë gjakftohtë qëndrimin e cdo personi duhet ta vendosim atë në kohën e rrethanat që jetoi, në Shqipërinë e kohës dhe jo me grahmat e këndvështrimet e sotme, se kështu i largohemi të vërtetës. Në Shqipërinë e koklavitur të viteve ’30 dhe personazhi i këtij dossieri, zoti Hasan Reci, nuk i shpëtoi ndikimit të këtyre ideve revolucionare. Kështu në vitin 1931, Hasani kontaktoi me Hysni Lepenicën dhe Skënder Mucon, asokohe anëtarë të Komitetit të Clirimit Nacional, të cilët kishin lidhje me Halim Xhelon, përgjegjës i fraksionit komunist që vepronte në përbërje të komitetit të Gjenevës. Gjithashtu Hasan Reci kryesonte në Tiranë një celulë komuniste, që përbëhej kryesisht nga të rinj, të cilët qenë nxënës dhe ishnxënës të Shkollës amerikane “Harry Fultz”, të cilët e quanin veten komunistë si: Xhevdet Doda, mësues, Mustafa Gjinishi, nënpunës, Mustafa Kacaci, nënpunës, Uan Filipi, infermjer, Isuf Kambo, dezinjator, etj. {Si shpjegohet që këta përfaqsues të së majtës shqiptare që dinin anglisht, gjatë viteve 1941-1950, u asgjësuan të gjithë???}. Dhe prova e parë për të ardhmen e lëvizjes komuniste u dha që në hapat e parë. Në vitin 1929, Kominterni nëpërmjet shefit të Sekretariatit të Federatës Komuniste në Ballkan, Gjergj Dimitrov, dha porosi që të ngrihej një “Qendër organizative”, prej tre personash, të cilët të merrnin barrën e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Mos me u zgjat në këtë histori, mbas përpjekjesh u vendos që anëtari i tretë i kësaj qendre, që duhet të ishte komunist vendas u caktua Hasan Reci, madje për këtë u morr pëlqimi nga Kominterni. Por, Hasan Reci nuk u pajtua që në fillim me të gjitha pikat e programit të lëvizjes komuniste. Ajo që e bashkonte Hasanin me Ali Kelmendin ishte aspirata e njëjtë për të cliruar vendin nga prapambetja dhe shtresat e varfëra nga mjerimi. Dy pionierët e lëvizjes komuniste në Shqipëri kishin një ndryshim të madh për rrugët dhe mënyrat e triumfit të revolucionit socialist në Shqipëri. Së pari, ndërsa A.Kelmendi e barazonte socializmin me Diktaturën e Proletariatit, ashtu si zbatohej në ishBashkimin Sovjetik, Hasan Reci, përkundrazi e konceptonte socializmin si një rregjim demokratik, i cili do të luftonte varfërinë jo me anë të Diktaturës së Proletariatit, por nëpërmjet demokracisë popullore. Cështja e dytë themelore që e ndante Alinë me Hasanë, ishte rruga që duhej ndjekur për realizimin e idealit socialist. Qysh në vitin 1932, në lëvizjen majtiste shqiptare brenda dhe jashtë vendit, ishin përvijuar në mënyrë të qartë dy programe strategjiko-taktike që duhej zbatuar në shqipëri. Këto dy vija morën emrin vija “bolshevike” dhe vija “clirimtariste”. Vijën e parë e kishin miratuar krerët e “Grupit Komunist të Shqipërisë” në Bashkimin Sovjetik, Ali Kelmendi, Sejfulla Maleshova, Koco Tashko, Tajar Zavalani, Llazar Fundo, etj. Sipas këtij grupi, PKSH që do formohej në Shqipëri, duhej të ecte në gjurmët e partisë bolshevike, pra, të punonte për përgatitjen e revolucionit socialist sipas shembullit të revolucionit të tetorit dhe me fitoren e tij të vendosej diktatura e proletariatit si në BS. Kjo taktikë nisej nga teza se, në Shqipëri ekzistonte një rend kapitalist sadopak i zhvilluar dhe një klasë punëtore e aftë të mbështeste revolucionin socialist. Si rrjedhim PKSH-ja duhej të bashkëpunonte me të gjitha forcat majtiste antikapitaliste dhe antiimperialiste, me kusht që revolucionin socialist ta drejtonte PKSH, pa bërë lëshime me ta. Ndërsa Platformën e dytë, atë “clirimtariste” e kishin miratuar krerët e Komitetit të Clirimit Nacional {Halim Xhelo, Kostandin Boshnjaku, Omer Nishani, Lano Borshi, Riza Cerova}, etj. Ndryshe nga “bolshevikët”, militantët “clirimistë” niseshin nga teza se Shqipëria ishte një vend i prapambetur, se nuk ishte cliruar ende nga hallkat e feudalizmit, se rendi kapitalist ende nuk ishte vendosur plotësisht, se klasa punëtore ishte në fillimet e saj, se Shqipëria ishte një vend gjysëm kolonial dhe se detyra kryesore e lëvizjes majtiste në Shqipëri ishte fitorja e plotë e pavarësisë, revolucioni demokratik përparimtar, përmbysja e rregjimit totalitarist zogist, zhdukja e mbeturinave feudale, madje edhe realizimi i bashkimit nacional të trojeve etnike. E kush shqiptar me mëndtë e sotme s’do e përqafonte këtë program të një të majtë shqiptare?! E kur?! Në vitet e turbullta 1930-1940. I dashur lexues! Le ti ndjekim me kujdes këto zhvillime të lëvizjes komuniste të atyre viteve, për ta dalluar “engjëllin” nga “djalli”, për të parë se si kjo e majtë që aspironte Hasani me shokë mori goditje të vazhdueshme për një tre cerek shekulli, deri në eleminimin fizik të pionierëve të këtyre ideve. Madje nqs flasim për fillesat e socialdemokracisë në Shqipëri, themeluesit e saj janë burrat e sipërpërmendur të grupit të “clirimtaristëvë”. Zonja Musinë Kokalari, etj, për mendimin tim shënojnë brezin e dytë të këtyre idealeve. Për të realizuar qëllimin dhe programin e tyre “clirimistët” kërkonin aleancë me të gjitha forcat antizogiste, antifashiste dhe demokratike përparimtare për të përmbysur bashkarisht regjimin zogist dhe për të vendosur jo një diktaturë të proletariatit, por një regjim demokratik përparimtar në gjirin e të cilit PK të ushtronte ndikimin e saj. Sipas “clirimistëve” peshën e komunistëve në regjimin demokratik do ta përcaktonte vota popullore. Këtyre ideve, programeve dhe pozicionimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri i mëshon fort dhe Prof.Doktor i ndjerë, Kristo Frashëri, në monografinë kushtuar jetës dhe veprës së Hasan Recit, botuar në vitin 2005. Të dyja rrymat e lëvizjes majtiste shqiptare ishin pranuar nga Kominterni, si dy rrugë të mundshme dhe të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë së prapambetur. Madje Kominterni bënte presion që këto dy rryma të bashkëpunonin mes tyre. Kjo është arësyeja që Ali Kelmendi u lidh ngushtë me Hasan Recin, duke parë dhe ndikimin e tij në Tiranë, si bir tiranas. Sepse Hasani drejtonte një celulë komuniste ku bënin pjesë dhe Anastas Plasari, nënpunës, Kolë Berisha, gazetar dhe Pjetër Deda, përkthyes. Regjimi zogist duke parë ndikimin e kësaj celule, ra në gjurmë të saj që në vitin 1933. Pamvarësisht se me veprimtarinë e tyre ata nuk paraqisnin rrezik imediat për regjimin zogist, anëtarët e celulës, përshi Hasanin u arrestuan, por në mungesë të provave mbas disa muajsh u lanë të lirë. Në raportin që dërgoi në Komintern në dhjetor të vitit 1936, Ali Kelmendi midis të tjerave propozoi që anëtar i qendrës të jetë Hasan Reci, bashkë me Selim Shpuzën, Demir Godellin, Ali Kelmendin dhe Ymer Dishnicën. Në gusht të v.1934, në qytetin e Korcës u mbajt një konferencë, në të cilën morën pjesë dy anëtarë të qendrës së Korcës bashkë me Demir Godellin, Selim Shpuzën dhe Hasan Recin. Në këtë takim një ditor u vendos që të punohet për organizimin e lëvizjes komuniste ndër qendra dhe prefektura, ku aktualisht nuk ka asnjë organizatë komuniste, si në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë e Veriut, gjithashtu në Vlorë, Gjirokastër e gjetkë, si dhe përgatitja e terrenit për thirjen e një kongresi kushtetues të PK. Kur u kalua në pika të ndryshme, Hasan Reci njoftoi se në Tiranë ekzistonte një organizatë e fshehtë nacionaliste , e cila kishte për qëllim të përmbysej monarkia dhe të zvëndësohej me një republikë demokratike, propozim që u kudërshtua nga pjesmarrësit e tjerë.

{Dënimi i parë më vdekje}
Pamvarësisht kësaj kundërshtie , Hasan Reci forcoi lidhjet me grupin e Korcës dhe u mobilizua për kryengritjen antizogiste. Për organizimin e kryengritjes, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte krijuar tre komisione, të cilat kishin për detyrë të merreshin me përgatitjen e kryengritjes së armatosur në tre sektorë të ndryshëm, në popullsinë civile, në ushtri dhe xhandarmëri. Për mobilizimin e popullsisë civile, qytetarë dhe fshatarë, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte ngarkuar dy përgjegjës kryesorë, Kostë Cekrezin për antizogistët e djathtë dhe Hasan Recin, për antizogistët e majtë. Në zbatim të këtij plani, Hasan Reci, së bashku me Tajar Zavalanin, Demir Godellin, Riza Cerovën, M.Gjinishin, Uan Filipi, M.Macaci, Isuf Kambo, etj, u angazhuan seriozisht për të zgjeruar rrjetin e pjesmarrësve në kryengritjen e Fierit. Krerët e “Organizatës së fshehtë” vendosën që kryengritja e armatosur të shpërthente në vjeshtën e v.1935, pasi të kishte filluar pushtimi i Abisinisë nga Italia e Duces. Sipas tyre, Italia fashiste e angazhuar në fushatën luftarake të Afrikës Lindore, nuk mund të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, në bazë të traktatit të Tiranës, të nënshkruar me qeverinë zogiste të v.1927. Por, ngjarjet nuk rrodhën sic ishin planifikuar. Më 14 gusht 1935, sapo krisën në Fier dhe Skrapar armët e para, kryengritja u shtyp. Në Fier revolta u shtyp po atë ditë, ndërsa në Skrapar vazhdoi disa ditë, derisa u vra udhëheqësi i saj, Riza Cerova. Policia kreu arrestime në masë. U burgosën jo vetëm pjesmarrësit e revoltës së armatosur, por dhe qytetarë e fshatarë të thjeshtë. Në mes tyre u arrestuan dhe simpatizantët dhe anëtarët e kryesisë së “Grupit Komunist të Tiranës”. Listën e tyre policia zogiste e kishte përgatitur më pare. Kështu që të nesërmen e dështimit të kryengritjes, më 15 gusht 1935, midis qindra të arrestuarëve ishte dhe Hasan Reci me 92 anëtarët majtistë. Më 16 gusht 1935, H.Reci u torturua egërsisht në hetuesi, derisa nuk kishte fuqi për të folur. Ai nuk e pranoi akuzën. Prej tij hetuesia nuk nxorri asnjë njoftim për pjesmarrësit e tjerë. Gjyqi kundër të pandehurve u zhvillua nga 22 gushti deri më 17 shtator 1935. Ai dha dënime me vdekje për të gjithë ata që u konsideruan krerë të “Organizatës së fshehtë”, Ali Shkupi, Ramiza Dibra, Nuredin bej Vlora, Ahmet Shehu, Bektash Cakrani, Neki Starova, Muhamet Këlcyra, Pilo Papa, Gegë Marka Gega, Mustafa Kacaci, Jaja Bace. Njësoj u dënuan dhe anëtarët e grupit komunist të Tiranës, Hasan Reci, Mustafa Gjinishi, Uan Filipi, Kostë Kollumbi. Midis vendimeve të gjyqit, ai që la përshtypjen më të thellë, sidomos ndër qytetarët e Tiranës, ishte dënimi me vdekje i Hasan Recit. Dhjetra lutje, të nënshkruara nga qytetarët e Tiranës vërshuan në pallatin e Zogut, në të të cilat kërkohej anullimi i dënimit me vdekje për H.Recin. Protestoi gjithashtu Komiteti i Clirimit Nacional në Gjenevë, njëkohësisht pati protesa nga qarqet intelektuale majtiste evropiane. Bilesnjë nga protestat mbante nënshkrimin e shkrimëtarit të njohur francez Hanri Barbys, {Henri Barbusse}. Për këto dënime të rënda reaguan dhe diplomatë perëndimorë në Lidhjen e Kombeve. Nën presionin e brendshëm dhe të jashtëm, mbreti Zog u tërhoq dhe dekretoi për të gjithë krerët e organizatës së fshehtë, shndrimin e dënimit me vdekje me burgim të përjetshëm, me përjashtim të 11 xhandarëve, të cilët kishin marrë pjesë direkt në kryengritje dhe u pushkatuan. Hasan Reci u dërgua në burgun kështjellë të Gjirokastrës, burg i sigurisë së lartë, ku qëndroi 5 vjet, deri më 7 prill 1939, kur mbas pushtimit fashist u arratis nga ky burg për në Jugosllavi. Atje u bashkua me shokun e tij të ngushtë, Mustafa Gjinishin dhe më pas u takuan me Myslym Pezën e Haxhi Lleshin, me të cilët lidhën dhe miqësi. Të katër u kthyen në Shqipëri më 1940, ku Myslymi qëndroi në Pezë, Haxhi Lleshi në Dibër, ndërsa Hasan Reci dhe Mustafa Gjinishi u rivendosën në Tiranë. Theksojmë se pamvarësisht gjithë këtyre ngjarjeve Hasani nuk ndryshoi bindjet e tij të formësuara dekadën e kaluar. 

Sigal