Alfred Moisiu: E vërteta mbi Luftën Italo-Greke

1934
Sigal

EKSKLUZIVE/ Ish-Presidenti Alfred Moisiu rrëfen se si shpërtheu Lufta Italo-Greke dhe kujtimet e të atit, Gjeneral Spiro Moisiut mbi pjesëmarrjen në atë luftë

Ngjarjet e pardjeshme në Këlcyrë dhe Përmet dhe incidenti që u krijua me neonaistët grekë që në mënyrë demonstrative hynë në territorin shqiptar për të kremtuar 28 tetorin e vitit 1940, u ka hapur udhë kujtimeve të bashkëkohësve dhe hulumtimeve të studiuesve dhe historianëve për të thënë të vërtetën mbi një ngjarje që ka mbetur si nyje gordiane në marrëdhëniet shqiptaro greke. Jo vetëm se Lufta Italo-Greke shërbeu si pretekst për ligjin absurd të luftës që Greqia vendosi në atë kohë ndaj Shqipërisë dhe që në mënyrë po aq absurde vazhdon të jetë në fuqi edhe sot e kësaj dite, por edhe për shumë arsye të tjera. Ish-Presidenti Alfred Moisiu në këtë rrëfim zbardh të vërtetën e nisjes së asaj lufte si dëshmitar dhe në dokumentet e kohës. Më interesante janë dëshmitë e babait të tij, të famshmit Spiro Moisiu, në atë kohë major dhe komandant i një batalioni që mori pjesë në atë luftë përkrah forcave italiane. Është një tablo tronditëse që kthen përmbys shumë të pavërteta të thëna për atë luftë dhe që e bën edhe më të papranueshëm qëndrimin aktual të Greqisë… Por më mirë le të ndjekim rrëfimin e President Moisiut:

… Italia Fashiste, që të krijonte përshtypjen se kishte ardhur në Shqipëri jo si pushtuese, por si shpëtimtare, në fillim luajti një politikë të studiuar, në përputhje me qëllimin që i kishte vënë vetes. Në politikën e saj ndaj ushtrisë shqiptare, ishte menduar që repartet të mbaheshin nën armë ashtu sikurse ishin, duke i inkuadruar në divizionet italiane. Pra, sido që të ndodhte, shqiptarët nuk do të kishin formacione më të mëdha se një batalion. Kështu mund të mbaheshin më mirë nën kontroll.

Në këtë mënyrë, të gjashtë batalionet e këmbësorisë shqiptare që ishin që në kohën e ushtrisë mbretërore, u shpërndanë secili në një divizion italian. Sipas dokumenteve historike të Shtabit të Përgjithshëm të Italisë (Zyra Historisë – botim i virit 2001), shpërndarja e tyre u bë si vijon: batalioni “Tomorri” në Regjimentin 83 te divizionit “Venecia”, batalioni “Korabi” në Regjimentin 77 të divizionit “Lupi di Toscana”, batalioni “Kaptina” në Regjimentin 78 të divizionit “Lupi di Toscana”, batalioni “Gramoz” në Regjimentin 47 të divizionit “Ferrara”, batalioni “Dajti” në Regjimentin 48 të divizionit “Ferrara”, batalioni “Tarabosh” në Regjimentin 3 Grenadier. Sigurisht Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Italiane nuk ishte dakord me një politikë të tillë, por ishte i detyruar t’i bindej politikës së qarqeve drejtuese fashiste. Në të njëjtën kohë filloi seleksionimi i oficerëve shqiptarë, duke marrë për bazë kritere të ndryshme si: mosha, arsimi, mospërputhja e gradës me vendin e punës, etj., faktorë që mund të justifikonin shkurtimet e ndryshme. Në librin “Shqiptarët në Forcat e Armatosura Italiane” botuar nga Shtabi Përgjithshëm i Ushtrisë Italiane, botim i vitit 2001, midis të tjerave në f. 39 sillet një pjesë e promemories të Mareshalit Badolio (në atë kohë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Fashiste Italiane), kur flitet për largimin e oficerëve shqiptarë nga radhët e ushtrisë thuhet: “Ky është një problem që duhet zgjidhur me shumë kujdes… Largimi i tyre, që me sa duket duhet të arrijë te 50 %, duket i jashtëzakonshëm. Ai do të shkaktonte patjetër rritjen e pakënaqësisë dhe shtimin e radhëve të të pakënaqurve nga regjimi dhe do të shtonte radhët e brigadave”. Më tej Badolio udhëzonte që duhet të jemi të kujdesshëm që “Në kohën e parë, ne jemi të interesuar që të ulim rastet e rritjes së armiqësisë ndaj nesh; mund të jemi më të ashpër në një kohë të dytë, kur organizimi ynë të jetë më solid”.

Me gjithë këto masa, ushtarakët shqiptarë survejoheshin, sepse asnjëherë komanda italiane nuk kishte besimin e duhur tek ata. Të gjitha këto bëheshin në të njëjtën kohë, në kuadrin e përgatitjeve për të sulmuar Greqinë, për të dhënë përshtypjen se edhe shqiptarët ishin kundërshtarët e tyre. Një politikë e tillë, sikurse rezulton nga të njëjtat burime historike, dukej edhe në armatimin e batalioneve shqiptare. Repartet shqiptare ishin të armatosur vetëm me armatim të lehtë.

Sipas dokumenteve të kohës rezulton se në fillim Musolini kishte dhënë direktivën që të shtoheshin repartet shqiptare, duke thirrur nën armë, përveç atvre që ishin të mobilizuar edhe të tjerë. Por kjo u kundërshtua nga ushtarakët madhorë italianë, duke shfaqur mosbesim te shqiptarët, bazuar në të dhënat e agjenturës së tyre. Ushtarakët shqiptarë dhe në tërësi populli ynë, jo vetëm nuk ishin dashamirës ndaj pushtimit, por aq më tepër nuk ishin për pjesëmarrjen në luftën kundër Greqisë. Italianët mendonin se meqenëse shqiptarët kishin pasur probleme historikisht me Greqinë, do të tregoheshin të gatshëm për të marrë pjesë në agresion. Në gusht të vitit 1940, sipas të njëjtit burim të mësipërm, thuhet: “Morali i oficerëve shqiptarë është i mirë, por ata nuk tregojnë kurrfarë entuziazmi për një fushatë eventuale kundër Greqisë, pavarësisht se nëpërmjet saj mund të realizohen rivendikimet e shqiptarëve.

Zhvillimet e mëvonshme treguan se konkluzionet e fashistëve italianë ishin të sakta. Shqiptarët sigurisht kishin pretendimet e tyre ndaj politikës greke, por ata nuk mund të pranonin që hesapet të laheshin duke përdorur supremacinë e një fuqie të huaj ushtarake. Një fjalë e vjetër thotë: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjnë të tjerët ty”. Pikërisht shqiptarët nuk dëshironin që fatin e tyre ta pësonin edhe grekët. Mbase mund të duket si i çuditshëm ky mendim, por e vërteta kështu ishte. Sigurisht këto nuk janë deduksione të së kaluarës, por rikujtim i opinioneve që kam dëgjuar në atë kohë nga im atë, në bisedat që ai bënte me dajë Vasilin dhe me miq të tjerë.

Ushtria Italiane vazhdonte përgatitjet për agresionin e ardhshëm. Në radhë të parë filloi një ndërtim intensiv i rrugëve nga perëndimi në drejtim të lindjes. Këto punime kryheshin sipas planit të Shtabit Italian, në përputhje me objektivat e operacioneve që parashikoheshin për të ardhmen. Një nga arsvet e pushtimit të Shqipërisë ishte pikërisht për ta përdorur atë urë kryesore të ekspansionit në Ballkan. Në librin e sipërpërmendur të Shtabit të Përgjithshëm Italian, midis të tjerave, për sa më sipër thuhet se: “Ministri i Jashtëm i Italisë, Galeaco Çiano, ishte një frymëzues i një politike ekspansioniste italiane në Shqipëri… Kjo politikë kishte qartësisht si qëllim të saj kryesor ndërtimin e një kryeure për në Ballkan.” (f. 13). Ndërtimi i rrugëve krijoi vërtet një situatë të favorshme fillestare për pushtuesit, pasi u hapën fronte pune të shumta si në rrugë ashtu edhe në ndërtimin e objekteve të ndryshme ushtarake. Kjo gjë, si dhe sjellja e shumtë e ushqimeve në Shqipëri, krijuan një atmosferë mpirëse për masën e popullatës dhe në mënyrë të veçantë asaj fshatare, e cila jo vetëm mund të punësonte krahun e tepërt, por në të njëjtën kohë gjeti treg shitje të mjaftueshëm për prodhimet bujqësore dhe me çmime te leverdishme. Edhe në qytete sigurisht u krijuan fronte të shumta pune. E gjithë kjo situatë krijoi te fashistët italianë përshtypjen e rremë se shqiptarët gjetën atë që u mungonte: mundësinë për të jetuar më mirë. Por, sikurse u pa më vonë, kjo ishte një ndjesi e përkohshme. Krahas hapjes së fronteve të punës dhe masave për përmirësimin e ekonomisë, italianët po mendonin për të joshur edhe rininë shqiptare, në mënyrë që ajo të edukohej me metoda fashiste dhe të mos kishte mundësi të mendonte për të ardhmen e atdheut.

Kështu, në fillim u morën masa që rinia shkollore, pikërisht pjesa që ishte më e përshtatshme për t’u ndërgjegjësuar kundër pushtuesve, të organizohej sipas modelit italian fashist në: “Balila” ku përfshiheshin moshat e shkollës fillore, “Giovani Fascista” (të rinj fashistë) në të cilën përfshiheshin moshat e semimaturës (me të sotmen i takon nga klasa e gjashtë deri në të nëntën), “Avanguardista”, ku përfshiheshin moshat e maturës (me të sotmen, klasat e shkollës së mesme), këta të fundit bënin përgatitje të plotë paraushtarake. Të gjitha këto formacione të rinisë visheshin me uniformën e caktuar, që blihej nga secili në dyqanet e specializuara, me përjashtim të atyre që ishin të varfër. Këtyre ua dhuronte veshjen shkolla, në bazë të furnizimit që merrte për këtë qëllim nga strukturat fashiste. Në fillim këto organizime u bënë vërtet shumë joshëse për të rinjtë. Joshja shtohej akoma më tepër në kohën e pushimeve shkollore, kur ata dërgoheshin për t’i kaluar ato në Itali, në kampe rinore, të organizuara posaçërisht për këto qëllime.

Si gjithë fëmijët e tjerë, edhe unë iu drejtova tim eti për të më lejuar të shkoja me grupet e nxënësve, të cilët niseshin me turne, njëri pas tjetrit. Im atë, një kërkese të tillë, iu përgjigj me një refuzim të prerë, duke më thënë: “S’ke punë të shkosh në ato kampe. Je mirë këtu në Shqipëri!” Jo vetëm kaq, por im atë nuk bindej të më blinte edhe uniformën si gjithë fëmijët e tjerë. Shpirtërisht ndihesha i revoltuar që më privoheshin këto argëtime, por atëherë nuk arrija të kuptoja se ku synonte im atë, duke më ndaluar. Qëllimi i tij ishte që unë jo vetëm të mos indoktrinohesha me ideologjinë fashiste, por në të njëjtën kohë të mos harroja asnjëherë se ata ishin pushtuesit tanë dhe asgjë e tyre nuk duhej pranuar. Këto reflektime unë i bëra më vonë, më saktësisht në vitin 1941, kur shkova në shkollën e mesme në Tiranë. Atje ambienti ishte antifashist dhe natyrshëm që ne të rinjtë të të gjitha moshave iu bashkëngjitëm këtyre mendimeve. Në atë kohë edhe në popull filloi të ndihej pesha e pushtimit akoma më shumë, sepse pas disfatës në Luftën Italo-Greke edhe gjendja ekonomike e Shqipërisë u përkeqësua, në mënyrë të veçantë pas futjes së Italisë Fashiste në luftë kundër Francës. Ky angazhim i plotë i Italisë në boshtin Romë-Berlin-Tokio, fillimisht e përkeqësoi gjendjen ekonomike në Itali dhe më vonë rrjedhimisht edhe këtu te ne. Duhet thënë se Shqipëria, në saje të punës së tregtarëve shqiptarë, nuk e ndjeu shumë mungesën e mallrave të konsumit, pavarësisht nga bllokada që aleatët iu kishin bërë vendeve të boshtit. Arsyeja ishte mjaft pragmatike. Tregtarët shqiptarë, gjatë Luftës së Pare Botërore, synuan që kapitalin e tyre kryesisht ta mbanin në kartëmonedha. Pas luftës, kartëmonedha kryesore, e cila ishte austriake, u zhvleftësua përfundimisht. Në këtë mënyrë tregtarët falimentuan. Gjyshja më tregonte se në atë kohë shumë tregtarë që kishin vënë pasuri të madhe në të holla pësuan kriza nervore. Me paratë austriake filluan të mbushnin dyshekët sepse ajo nuk kishin më asnjë vlerë. Prej asaj kohe ka mbetur shprehja “pare Austrie”. Pikërisht, nisur nga kjo përvojë e hidhur, tregtarët, gjatë pushtimit italian, kapitalet e tyre i orientuan kryesisht në pasuri të patundshme, duke ndërtuar dhe blerë ndërtesa si brenda vendit ashtu edhe jashtë, kryesisht në Itali. Në të njëjtën kohë, ata sollën sasi të mëdha mallrash të ndryshme. Një situatë e tillë bëri që shumë mallra ushqimore, të cilat në Itali gjendeshin me vështirësi ose ishin të triskëtuara, në Shqipëri të gjendeshin pa ndonjë problem. Kështu, italianët, kur shkonin me leje në vendin e tyre, merrnin me vete kafe, sheqer, oriz e të tjera sende ushqimore. Edhe pas luftës depot e tregtarëve tanë ishin plot e përplot me mallra nga më të ndryshmet, por ata pësuan një të keqe tjetër. Mallrat e tyre u shtetëzuan nga regjimi komunist, ndërsa një pjesë e madhe e tyre u transportuan ose u dërguan në Jugosllavi, veçanërisht në kohën e njësimit të lekut me dinarin jugosllav, i cili ishte shumë i zhvleftësuar.

Le të kthehemi përsëri te vitet 1939-1940, kur, sikurse e shpjegova më lart, po bëheshin përgatitje të ethshme për të vazhduar ekspansionin e agresionit në Ballkan. Në Elbasan, si një pikë e favorshme strategjike, italianët filluan të ndërtonin me shpejtësi depot e prapavijave të tyre. Ato u mbushën me mallra nga më të ndryshmet që nevojiteshin për mbështetjen logjistike të luftës së ardhshme. Një ndër ditët e vitit 1940, në mëngjes dëgjova tim atë duke biseduar me dajë Vasilin, për një zjarr të madh që kishte rënë natën e kaluar në depot qendrore të ushtrisë. Atë natë, im atë ishte ngritur me alarm për të marrë pjesë me trupat në shuarjen e zjarrit. Sapo ishte marrë vesh se nga Roma do të bëhej kontrolli për të parë gjendjen e materialeve që ndodheshin në depo, menjëherë iu vu zjarri një pjese të depove, veçanërisht të asaj pjese ku ruheshin dokumentet. Kjo u bë për arsye se ishin bërë shumë shpërdorime nga ushtarakët italianë dhe ata dhanë porosinë për të zhdukur gjurmët e mundshme, të cilat mund të çonin në zbulimin e vjedhjeve kolosale që kishin bërë. Duke qenë edhe kohë lufte sigurisht ndaj fajtorëve mund të merreshin masa nga më ekstremet deri në pushkatim. Para një ndodhie të tillë nuk kishte rrugëdalje tjetër, përveç asaj që u bë në fakt. Këtë vërtet nuk mund ta harroja, sepse në një kohë kur vendi ndodhej në luftë dhe njerëzit e thjeshtë rrezikonin jetët e tyre, një pjesë mendonte për t’u pasuruar. Kjo tregon se njerëzit që duan të pasurohen në rrugë të pandershme dhe me çdo kusht, nuk duan të dinë se në çfarë kohe e bëjnë atë, për ata rëndësi kryesore ka përfitimi. Edhe në kohët e sotme, kur vendi ndodhet në një periudhë të stërzgjatur tranzicioni, ata që mendojnë për t’u pasuruar as që duan të dinë se çfarë ndodh me të tjerët. Ata kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum pozicionin e tyre zyrtar dhe të pasurohen pa asnjë skrupull. Është vërtet e tmerrshme të mendosh se kur disa përpëliten dhe luftojnë me varfërinë, pjesa tjetër, që e ka mundësinë për t’u pasuruar në mënyrë të pandershme në kurriz të të tjerëve, as që do t’ia dijë!

Gjatë gjithë vitit 1939 dhe 1940 vazhdonin me ritme të larta përgatitjet e veprimeve të ardhshme luftarake. Unë nuk kam ndër mend të analizoj situatat politiko-ushtarake të asaj kohe. Nuk është ky qëllimi i këtyre kujtimeve që po hedh në letër, por në të njëjtën kohë jam i detyruar që të përmend disa ngjarje dhe faktorë që kanë lidhje me ngjarjet dhe veprimtarinë e asaj kohe, të cilat rrjedhimisht lidhen edhe me jetën time. Pra, pa përmendur disa nga këto gjëra, mendoj se kujtimet mund të dilnin të gjymtuara dhe disa gjëra mund të mos kuptoheshin drejt.

Që nga fillimi i vitit 1940, batalioni “Tomorri”, të cilin e komandonte im atë, si gjithë njësitë e tjera të ushtrisë italiane dhe shqiptare, me të ardhur pranvera doli në fushime stërvitore. Në fillim ishin vendosur në lartësitë e Kutërmanit, që mbyllte drejtimin e Elbasanit në mënyrën më të sigurt. Më vonë forcat u ridislokuan në malin e Babjes, mbi Librazhd, i cili ka vërtet një pozicion shumë të rëndësishëm strategjik për drejtimin Mali i Shapkës-Librazhd-Elbasan. Repartet kryenin stërvitje intensive, por ndërkohë kryenin punime fortifikuese dhe rrugore. Ndërkohë, vazhdonte furnizimi me materiale të ndryshme e municione. Kur filloi Lufta Italo-Greke, në tetor 1940, batalioni ndodhej aty. Në fillim të nëntorit batalioni mori urdhër të nisej në front. Pas një marshimi të gjatë dhe të vështirë, batalioni “Tomorri” më 3 nëntor, natën vonë, mbërriti në vijën e frontit, në rajonin e Bitinckës, më saktësisht në Rakickë. Në kohën e nisjes, batalioni kishte një efektiv prej 12 oficerësh dhe 822 nënoficerë dhe ushtarë. Sipas tregimeve të tim eti, me të mbërritur në rajonin e caktuar, komandanti i batalionit u thërrit në komandën e divizionit “Parma”, në vartësi të të cilit kishte kaluar aktualisht dhe u urdhërua që menjëherë të futej në veprime luftarake. Major Spiro Moisiu refuzoi zbatimin e kësaj detyre, duke sjellë argumentin bindës se ushtarët ishin të lodhur nga marshimi i gjatë dhe rraskapitës. Futja e tyre e menjëhershme në luftim do të thoshte t’i çoje ushtarët drejt një kasaphane të vërtetë. Komandanti i divizionit pranoi, por në të njëjtën kohë i kërkoi tim eti të mbetej në Shtab, për të ndihmuar në marrjen në pyetje të një rreshteri grek të zënë rob, të cilin sapo e kishin sjellë në komandën e divizionit. Komanda italiane e dinte që im atë fliste greqisht dhe me këtë rast, për të fituar kohë, donte të merrte informata sa më parë nga robi grek i kapur atë ditë.

Po e përmend këtë shembull, që sipas meje është mjaft interesant, për të vërtetuar më së miri qëndrimet e shqiptarëve kundrejt luftës pushtuese të italianëve ndaj fqinjit të tyre, por në të njëjtën kohë tregon dhe respektin e ushtarakëve grekë, për fqinjët dhe homologët e tyre shqiptarë.

“Rreshteri i kapur rob ishte një djalë i ri dhe shumë gjaknxehtë, – tregonte im atë. – Kur unë nisa ta pyesja, ai m’u drejtua: “Shqiptar duhet të jeni ju?!”. Im atë iu përgjigj pozitivisht. “Atëherë po ju them se më vjen të plas nga inati, pasi më kapën fare rastësisht. Unë isha duke u kthyer për në repart dhe humba rrugën, përndryshe të gjallë ata nuk më kapnin në asnjë mënyrë!”

Pyetjeve të drejtuara si zakonisht në këto raste se në cilin repart bënte pjesë, cila ishte detyra e repartit, kush ishte komandanti, etj. rreshteri grek për të gjitha dha përgjigje negative. Pas kësaj, u kthye nga im atë dhe i tha: “Do t’u thuash këtyre se një ushtar grek përballet me dhjetë italianë, ndërsa një ushtar shqiptar mund të përballet me 10 grekë”. Im atë i tha: “Dëgjo, mor djalë, po i thashë këto fjalë, ty mund të rrezikohet jeta, prandaj lëri këto!” Rreshteri nguli këmbë, por në të vërtetë im arë nuk e përktheu këtë pjesë sepse vërtet do të shkaktonte iritimin e oficerëve italianë, të cilët mund edhe ta pushkatonin pa ndonjë problem, aq më tepër që italianët atë ditë kishin pësuar humbje të mëdha.

Të nesërmen, batalioni u fut në luftim. Im arë tregonte se kur filluan përparimin u shtangën sepse terreni ishte mbushur me kufoma ushtarësh italianë të vrarë, gjatë luftimeve të mëparshme, për marrjen e lartësisë 1289. Batalioni shqiptar, i cili i filloi veprimet luftarake në orën 6 e 45 të datës 4 nëntor, arriti ta pushtojë lartësinë rreth orës 9 e gjysmë të asaj dite.

(Vijon nesër)