Luan Shtëpani: Piktori si oficer i Gestapos !

561
Sigal

Historia e piktorit gjerman Hans Troschel që akuzohej si oficer i Gestapos

 Arrestimi në Tiranë më 29 nëntor 1944. Akuza dhe letrat nga Gjermania, lutja e nënës së tij drejtuar Presidentit për ta liruar dhe dita e largimit nga Shqipëria  


Nga Luan Shtëpani

Hans Troschel ka lindur në Berlin të Gjermanisë më 1899, me profesion piktor. Me mbarimin e shkollës së mesme emërohet mësues në një shkollë në Berlin dhe më pas ushtron prej 6 vitesh profesionin e piktorit në disa gazeta. Gjendja e vështirë ekonomike e detyron që të largohet në vitin 1938, për në Itali, ku qëndroi për dy muaj tek një mik i familjes së tij. Në mars të po këtij viti, vjen në Shqipëri në portin e Durrësit. Udhëton në jug ku njihet me shumë njerëz të rëndësishëm. Vjen në Tiranë, ku dhe largohet për në drejtim të malësisë së Shkodrës. Udhëton drejt Malit të Zi. Rikthehet përsëri në Tiranë, për të ushtruar gjithnjë detyrën e piktorit.

Sipas deponimeve të tij, të gjitha udhëtimet janë bërë për të njohur natyrën e vendit në funksion të pikturave. Ky fakt pranohet dhe në relacionin e një kapiteni të dytë, i cili pohon se sipas deklarimeve të një të burgosuri shqiptar, gjermanët  kishin kërkuar nga italinanët që ta dërgonin atë në Gjermani. Për të humbur gjurmët e tij u deklarua se ai ishte burgosur, po në të vërtetë,- shton kapiteni kur erdhën gjermanët në Shqipëri Hansi veshi petkun e ushtarit të aviacionit dhe pak më vonë filloi të qarkullonte përsëri civil për të bërë vizatime të ndryshme. Kapiteni thotë se ka informacion se është vënë në shërbim të gjermanëve për të zbuluar ato që prishnin qetësinë, që flisnin kundër ushtarëve gjermanë dhe ato që shpërndanin komunikata. Ka shërbyer si ushtar i thjeshtë dhe si administrator në aeroportin e Tiranës. Ndërsa sipas deponimeve të Hansit ai ka dezertuar nga ushtria në shtator të 1944, është strehuar në Shijak, ndërsa më 29 nëntor 1944 është arrestuar në një shtëpi në Tiranë.  Sipas kapitenit, Troschel është një agjent i ardhur prej kohësh në Shqipëri dhe si i tillë e ka vazhduar këtë mjeshtërisht dhe gjatë kohës së okupacionit. Eshtë torturuar, por nuk ka treguar asgjë. Kaq do të mjaftonte që ai të qëndronte për disa vite pas hekurave deri në lirimin e tij më 1953.

Komisioni hetimor

 Hans Troschel do të merrej në pyetje ku dhe do të mbahej ky procesverbal. “U thirr për t’u pyetur para komisionit hetimor për kriminelët e luftës i burgosuri i quajtur Has Troschel. Meqënëse nuk e dinte gjuhën shqipe, përkthimi u bë nga H.X nga Kavaja dhe ky i burgusur për arësye politike. Ky i fundit u betua se përkthimin do ta bënte të drejtë”. Në procesverbalin e mbajtur, Troschel do të deklaronte se është arrestuar më 29 nëntor 1944 në Tiranë. Në pranverë të vitit 1938 ka ardhur në Shqipëri si turist për të bërë piktura, ku ka punuar deri në vitin 1941 në Tiranë, Shkodër, Mirditë etj. Ka bërë punime dhe për Ministrinë e Arsimit. Gjatë qëndrimit në Shqipëri është njohur me shumë personalitete. Italianët më shtrënguan të largohem, -ka thënë Troschel. Në shtator të vitit 1943 është mobilizuar si ushtar i një kompanie, e cila kishte varësi nga Komanda e aviacionit. Gjatë okupacionit ka vizituar Tiranën, Shkodrën, Divjakën deri në Podgoricë, së bashku me një doktor gjerman për malarjen, për të konstatuar vendet e infektura, sepse merrte vesh nga shkencat e natyrës. Ai nuk posedonte asnjë dokument identifikues, sepse komanda ia kishte marrë për t’ia vulosur, por që nuk ia kishte kthyer. Më 8- 9 shtator 1944 është larguar nga ushtria gjermane, ku ka shkuar në Shijak dhe më pas në Ndroq të Tiranës. Pas ardhjes në Tiranë është arrestuar. Ai ka deklaruar se nuk i ka bërë asnjë të keqe popullit shqiptar, përkundrazi i ka bërë mirë. Vlerëson se ushtria gjermane  nuk është sjellë mirë me shqiptarët.

Informacioni nga burgu

Më 30 dhjetor 1944 vjen dhe informacioni i parë nga burgu për piktorin Troschel. Sipas informatorit, kontrolli  i personave dhe  çantave që hyjnë në burg nuk bëhet, po ashtu dhe bisedat me të burgosurit nuk kontrollohen. Gjithashtu dhe kontrolli i sendeve dhe ushqimeve, që dalin nga burgu. Në të njejtën kohë dhe hyrja tek të burgosurit e njerëzve të afërt bëhet e njëhershme. Informatori shton se shumë herë të burgosurit bisedojnë nga tarraca me persona jashtë rrethimit dhe nga dritaret. Njëri nga të burgosurit i hodhi një gruaje jashtë një palë çorape, duke i thënë se këto i bënin dhe t’i sillte të tjera. Çorapet u kontrolluan, sepse informatori kishte lajmëruar. Sipas tij, ishte shumë e lehtë që nëpërmjet tyre të dilnin dhe të vinin letra në burg. Informatori është kritik dhe me dy partizane që nuk mbanin qëndrim serioz ndaj të burgosurve dhe flisnin me ta. Shprehet se në pjesën e pasme të burgut nuk ka asnjë informacion për lëvizjen  dhe veprimet e të burgosurve. Përsa i përket takimit me gjermanin Troschel, i cili i kishte lënë një takim të dytë ai shkruan se e kishte bërë të mendohej se është mirë që të kryen vëzhgime të hollësishme. “Deri më tani ai rezulton të ketë qenë oficer i Gestapos sigurisht që veprimet e tij kanë lidhje me shumë njerëz në burg- ka deklaruar informatory,i- i cili shton se është mirë që të porositen përgjegjësat e burgut për sa më lart.  Raporton për ankesat e njerëzve për pritjen e tyre në zyra, për çmimet dhe spekulantët deri në detaje.

Raporti drejtuar seksionit të mbrojtjes

Shefit të seksionit të mbrojtjes së popullit do t’i vinte në ditët e para të vitit 1945 ky raport për Hans Troschel. Sipas raportimit ai ndodhet në burgun politik, ku sipas informatave të mbledhura rezulton se ai ka shumë kohë që ka ardhur në Shqipëri, ku ka punuar në zanate të ndryshme, si mekanik, piktor etj. Kur kanë ardhur gjermanët ai është dukur të punojë në fushën e aviacionit i veshur me petkun e ushtarit. Pasi ka qëndruar atje për një kohë të shkurtër, ka ardhur në radio “Tirana” ku ka punuar si mekanik. Banon në një dhomë që është nga ana e Kinema “Kosovës”. Mund të them me siguri, -shkruhet në raport,- se ai ka qenë në policinë ushtarake, d.m.th në informacionin ushtarak dhe atje me siguri që ka patur dhe gradë. Kur u largua nga radio “Tirana” ai është parë në afërsi të zyrave të informacionit ushtarak gjerman. Shëtiste gati në të gjithë Shqipërinë me një motorçikletë gjermane, të cilën e kishte në dispozicion. Shumëherë ka dalë nëpër fshatra me preteksin se donte gjoja të kërkonte vende të bukura për të bërë piktura. Në muajin gusht 1944, ka thënë se do të shkonte me leje në Gjermani, ka munguar për disa kohë, por nuk ka shkuar në Gjermani dhe për këtë pretendon se nuk mundi pasi nuk i dhanë leje. Gjatë kësaj kohe ai ka shkuar dhe qëndruar në Shkodër dhe në Malin e Zi. Një ditë ai ka pyetur në Tiranë një kalimtar se nëse i njihte njerëzit në fotografi. Kalimtari i është përgjigjur “jo”, ndërkohë që pas kësaj ai i ka treguar atij se cilët ishin. Një ditë tjetër në një kafene i ka treguar një gjermani një tjetër fotografi. Eshtë parë duke shëtitur me oficera të lartë gjermanë. Ka shëtitur shumë në rrugën Tiranë –Berat. Ai ka qenë i armatosur dhe armët e tij i janë marrë kur është arrestuar. Në pyetjet që janë bërë dy tri herë me radhë ai ka thënë kështu:“ Jam shumë i tronditur nga sa më thoni dhe gjithashtu jam sëmurë. Nuk mundem dot sot që të jap spjegime. Më lejoni një kohë të shkurtër dhe kam për ta spjeguar gjithçka në një letër. Në ditën tjetër nuk spjegoi asgjë, veç sa kishte thënë më përpara, për njohjet me persona të ndryshëm.

Letra e nënës drejtuar Presidentit

  1. President. Një grua plakë ju lutet nxehtësisht t’i falni lirinë birit të saj. Nga vërtetimet e bashkëngjitura mund ta shihni se biri im nuk ka qenë kurrë një mik i nazistëve, por ai ka vuajtuar dhe ka humbur avenirin e tij. Gjithashtu mund ta shihni në një nga çertifikatat se në vitin 1944 ai nuk ka qenë oficer, por ishte vetëm një reshter. Jam e ve në moshën  81 vjeçare dhe e vetmja dëshirë e imja është që të shoh birin tim. Kini mirësinë dhe ma plotësoni lutjen time z. President”.

Kështu shkruhet në letrën që Elise Troschel i ka dërguar presidentit për lirimin e të birit nga burgu.

Letrat nga Gjermania drejtuar autoriteteve shqiptare

Arrestimi i Hans Troschelit, nuk do të kalonte në heshtje. Kështu nga Berlini më 12 tetor 1950 do të vinin disa letra të firmosura nga shokët e tij. Ata do ta përshkruanin me detaje se kush ishte në të vërtetë piktori i akuzuar si spiun. Kështu në letrën drejtuar autoriteteve të Tiranës Valter Matys shkruan se në vitin 1915 kishte njohur, artistin -piktor  Hans Troschel, i cili kishte ardhur për vizitë në Berlin tek familja Muller, të cilët i kishte njerëz të afërt. Simpatia për qëllimet e KPD (Partia Komuniste Gjermane) më bëri që të hyjmë në marrëdhënie miqësore me të, –shkruan Matys. Këto relata ekzistuan deri në vitin 1927, ku ka dhe letërkëmbime, të cilat i posedoj. Letrat kanë si përmbajtje  përveç të rejave familjare, dhe propagandë politike. Kur ai mori vesh nga organi qëndror  K.P.D-së “Flamuri i Kuq” për një ekspozitë antimilitareske në Moskë, vuri në dispozicion të ekspozitës veprat e tij të pagëzuara me emrin “ferri”.  Letërkëmbimet si i vetmi mjet i marrëdhënieve tona u bënë më të rralla. U informova nga të afërmit e tij se ai tashmë ndodhej në afërsi të Kolbergut. Arrita ta takoj dhe të bisedoj me të. Më deklaroi se deshi të vinte sa më shpejt tek njerëzit e tij, sepse e kishin transferuar për në Ballkan dhe se brenda disa ditëve i duhej që të nisej. Në ditën e nisjes, bisedova rreth 1 orë e gjysëm ku unë u informova për qëndrimit e tij ndaj fashizmit. Mora vesh se e kishin graduar reshter. Më dha disa libra (shkenca e zogut dhe sport gjemijeje) për t’ia dorëzuar njerëzve të tij, të cilat nuk mundi t’i merrte më vete. Pas dy ditëve të udhëtimit të tij, më vjen nga Vjena një kartolinë ku më falenderonte për kryerjen e porosive.

Një tjetër anëtar i Partisë Komuniste Gjermane do shkruante se shkresa e tij i referohet piktorit- artist Troschel, i cili ndodhet në Shqipëri si rob lufte i dënuar me burg. Eshtë i paditur si oficer i Gestapos. Ai tregon se çfarë di rreth tij në lidhje me politikën. Ai tregon se e njeh që prej vitit 1921, se kishte simpati për partinë komuniste dhe se ishte përjashtuar nga Lidhja e studimit të vizatimit, sepse nuk bënte pjesë në partinë naziste. Si ushtar ai mundi të arrijë gradën e rreshterit dhe as që ishte në Gestapo.

Përsa i përket aktivitetit të tij në fushën e artit në lidhje me një ekspozitë, janë shprehuar miq dhe profesorë. Ju siguroj se në ekspozitën  “arti i degjeneruar”  ka qenë ekspozuar një tablo e Troschel punuar me bojë. Ekspozita ka ndodhur në Berlin, në kohën e qeverisë naziste. Aty ishin ekspozuar tablotë e artistëve antifashistë nën titullin “arti i degjeneruar” ose “turp dhe ndyrësi” për t’i dëmtuar kësisoj artistët  dhe për t’i bërë këta të pamundshëm për opinionin publik -shkruhej në një nga letrat. Ndërsa profesoresha Kate Nadler shkruan ndërmjet të tjerave se ekspozita paraqiste tablo të artistëve, të cilët me koshiencë qëndronin në antitezën e nazizmit. Jam në dieni, –shkruan znj. Nadler se Troschel pati refuzuar në atë kohë të aderojë në Federatën e profesorëve nacional -socialiste dhe me këtë e pati humbur vendin e tij si profesor vizatimi.

Deklarata e Këshillit Nacionalçlirimtar të  Varoshit në Ndroq

Këshilli Nacionalçlirimtar Varosh, Ndroq deklaron dhe vërteton se Troschel ushtronte profesionin si piktor në fshatrat e këtij rajoni. Me ardhjen e gjermanëve në Shqipëri pas kapitullimit të ushtrisë italiane u mobilizua ushtar, por mbasi ishte anti-nazist në korrik të vitit 1944 u arratis prej ushtrie. Ai ka qëndruar i fshehur në Varosh. Kështu përfundon deklarata për Troschelin, e cila është dhe e noterizuar.

Prania e robërve  gjermanë të luftës në Shqipëri, vërtetohet deri në vitin 1953, kohë ku është kryer rigjykimi i  Troschel-it dhe dy femrave të punësuara pranë shoqërive tregëtare gjermane në Shqipëri. Për piktorin Hans Troshel procedurat ishin specifike, sepse ai akuzohej si spiun. Falë komunikimeve mes diplomacive të dy vendeve komuniste mike piktori Troshel  dhe dy femrat fitojnë lirinë dhe nisen për në atdheun e tyre.