Ismail Kadare në komplotin kundër Enver Hoxhës!

1193
Sigal

Rrëfimi/ Helena Kadare tregon se sa i rrezikuar ka qenë Ismail Kadare më 1982-n, pas vrasjes së ish-Kryeministrit Mehmet Shehu

(Vijon nga numri i kaluar)

Për këtë gjë kishim folur aq herë në shëtitjet tona të gjata, jashtë mureve të apartamentit. Por atë ditë, Is më tha diçka tjetër, për të cilën nuk më kishte shkuar mendja. Fjala ishte për dorëshkrimin e romanit “Gjakftohtësia” (Koncert në fund të dimrit). Për një gërshetim të keq të rrethanave, ai e kishte dorëzuar dorëshkrimin në shtëpinë botuese vetëm pak javë përpara vetëvrasjes së kryeministrit. Mirëpo, në roman flitej pikërisht për diçka tepër të ngjashme: vrasjen e pasardhësit të Maos. Dhe puna s’mbetej me kaq. Në roman trajtoheshin pëshpërimat dhe dyshimet nëse vdekja e trashëgimtarit të Maos ishte një aksident, siç u tha zyrtarisht, apo një vrasje e bërë pas krahëve. Me një fjalë, vetëvrasje apo vrasje, në versionin shqiptar, aksident ajror apo vrasje në versionin kinez. Përqasje më e rrezikshme as që mund të mendohej.

Në të vërtetë, kjo kishte ndodhur pa as më të voglin qëllim nga ana e Is. Kishte qenë thjesht një përkim. Por hajde ta gjeje e ta shpjegoje tani se s’ishte bërë me qëllim (veç të ishe i çmendur!). Mendimi se dorëshkrimi ishte dorëzuar përpara ngjarjes, pra që ai s’kishte të bënte me të, ishte një ngushëllim i vogël. Dorëshkrimi prej gjashtëqind faqesh do të mbaronte së lexuari pas njëfarë kohe, dhe askush nuk do të donte të dinte datën e saktë të dorëzimit.

Këto, pra, mendonte ai tek rrinte në presidium dhe unë i dhashë të drejtë. Në fjalën e tij Is përmendi fare shkurt kritikën që iu bë. Pastaj, duke folur për ditarin e porsabotuar të Enver Hoxhës, ai theksoi se atje kishte gjëra më dramatike se ato që trajtonte letërsia. Dhe këtu fjala ishte pikërisht për hipotezat për vdekjen e pasardhësit kinez të trajtuara prej E. Hoxhës vetë.

Dyshimet e tij shumë shpejt do të vërtetoheshin.

Dëshmia e Llambi Ziçishtit

Një dokument tepër sekret, që na ra në dorë shumë vite pas rënies së komunizmit, e jep të qartë anën e zymtë të kësaj tabloje. Eshtë një procesverbal i hetuesisë së Sigurimit të shtetit, që po e sjell në këtë libër dhe që botohet për herë të parë. Dokumenti është i vitit 1982. Eshtë pikërisht koha, që, siç ka dalë më vonë në shtyp, po përgatiteshin me ngut dosje të tilla, në bazë të të cilave do të përcaktoheshin gjithë pjesëtarët e “Komplotit të madh”. Is ishte njëri nga ata.

Ja teksti i plotë i dokumentit:

PROCESVERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT

Tiranë, më 24.9.1982

Unë, Ferit Sula, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, rimora në pyetje të pandehurin Llambi Ziçishti.

Pyetje: Vazhdo i pandehur të shpjegosh se cilët janë personat e tjerë, që tradhtari Mehmet Shehu, i ka marrë në shërbim të punës tuaj armiqësore.

Përgjigje: Mehmet Shehu që drejtonte grupin tonë armiqësor, kishte parashikuar, që përveç sektorëve të tjerë, që unë kam shpjeguar më parë, të godiste vijën e Partisë edhe në art e letërsi.

Kështu, në një nga bisedat e shumta armiqësore që kam bërë me Fiqret Shehun, kam mësuar se në këtë drejtim kishte përpunuar me detyra edhe Ismail Kadarenë. Konkretisht, për këtë person, unë do të shpjegoj ato gjera që më ka treguar Fiqret Shehu. Po bisedonim në një rast me Fiqret Shehun në shtëpinë e saj, për filmin shqiptar “Skëterrë ’43”, ku skenarist ishte djali i saj, Bashkim Shehu. Fiqreti më tregoi se edhe Ismail Kadareja ishte prej kohësh në pozicion armiqësor. Përpunimin e tij, më tha ajo, e ka bërë Todi Lubonja, me të cilin Ismaili kishte shoqëri të ngushtë dhe pasi Todi Lubonja me Fadil Paçramin u zbuluan nga Partia për veprimtarinë e tyre kundër saj, Ismail Kadareja ishte marrë në mbrojtje nga Mehmet Shehu duke e paraqitur Ismailin si viktimë të tyre. Ky është momenti, më ka thënë Fiqret Shehu, që u shfrytëzua për ta vënë Ismail Kadarenë në shërbim të punës tonë. Pastaj Fiqreti më ka treguar se Ismail Kadareja ishte porositur që të godiste vijën e Partisë në letërsi dhe në art, duke shkruar tregime e romane me dy kuptime, nga njëra anë të dukej se mbronte e zbatonte vijën e Partisë, ndërsa nga ana tjetër, pa dalë hapur, ta godiste atë.

Gjithashtu, Ismail Kadareja ishte ngarkuar që të punonte sa më shumë me shkrimtarët dhe artistët e rinj e gradualisht t’i përpunonte ata e duke bërë sa më shumë të tillë, të formonte një rrymë liberale disidentësh, që do të përdoreshin kur të vinte koha. Për ta pasur më afër Ismail Kadarenë, më ka thënë Fiqret Shehu, është porositur djali i tyre Bashkim Shehu, që të krijonte shoqëri të ngushtë me të dhe t’i justifikoheshin plotësisht, hyrjet e daljet e tij të shpeshta në shtëpinë tonë. Në një rast, më ka treguar ajo, kishte qenë edhe vetë e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten. Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjërat hapur dhe pa drojtje, atëhere dhe letërsia dhe arti te ne, do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit, Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri.

Këto janë disa nga momentet e veprimtarisë armiqësore, që më kujtohen se ka kryer Ismail Kadareja, për të cilat, siç shpjegova më sipër, m’i ka thënë Fiqret Shehu.

Procesverbalin e shkrojta vetë dhe thëniet i vërtetoj me firmën time.

Hetuesi FERIT SULA (firma)

I pandehuri LLAMBI ZIÇISHTI (firma)

Në pamje të parë ky dokument, që gjoja vërtetonte se Is bënte pjesë në grupin komplotist të ish-kryeministrit të shtetit, për të rrëzuar regjimin, dukej qesharak. Por, nga ana tjetër, po të mendoje se me dokumente të tilla, të hartuara me të njëjtin stil e me të njëjtën mënyrë (tortura, premtime e kushedi çfarë lemerira të tjera), me dhjetëra njerëz të pafajshëm kishin shkuar në pushkatim, të zinte tmerri. E dinim qysh më parë, sidomos nga fjalët e Bashkim Shehut, në shtator të vitit 1981, mendimin që qarkullonte se Is ishte një agjent i Perëndimit, por ky dokument tregonte se dosja për arrestimin e tij ishte përgatitur ndërkaq dhe nuk pritej veçse një urdhër i fundit, për t’i hedhur prangat shkrimtarit.

Më kujtohet pamja e Llambi Ziçishtit, një mjek i njohur, i veshur gjithmonë me sqimë, me sjellje tepër të kulturuar, që vinte shpesh në Klubin e Shkrimtarëve. Ai kishte miqësi me shkrimtarin “borgjez”të viteve tridhjetë, Vedat Kokonën, me të cilin e lidhnin, siç dukej, kujtimet e Liceut francez të Korçës.

Ende sot e kam të vështirë ta përfytyroj se si, i detyruar nga torturat, kishte shkruar me dorë të vet, atë tmerr për Is. Kur e lexuam procesverbalin, për asnjë çast as Is, as unë, nuk e patëm as më të voglën ndjesi negative ndaj tij. Përkundrazi, provuam një keqardhje të thellë për fatin e tij të zi. Llambi Ziçishti, mjeku i sjellshëm, adhurues i kulturës franceze, u pushkatua në një nga ditët e errëta të fundit të vitit 1982, me sa jam në dijeni, pa gjyq. Flitej se shkaku i dënimit të tij ishte çasti fatal, kur ishte thirrur, si mjek që ishte, në shtëpinë e ish-kryeministrit atë mëngjes, kur ky i fundit u gjend i vrarë në dhomën e tij të gjumit. Flitej në atë kohë se, sapo e kishte parë kufomën, kishte thënë: po kjo nuk është vetëvrasje! Ishin ato fjalë që kishin vulosur fatin e tij.

Sa për hetuesin që e kishte marrë në pyetje viktimën, ai banon aktualisht në Gjermani. Për fat të keq, në Shqipëri ende nuk tregohet ndonjë vullnet për zbulimin e krimeve të diktaturës, as të mjeteve e të mënyrave monstruoze që përdorte ajo. Pjesë e dosjeve sekrete, që zyrtarisht ende qëndrojnë të mbyllura, qarkullojnë andej-këndej, por vetëm me përjashtime të rralla tërheqin kureshtjen e studiuesve. Në vend të këtyre dosjeve qarkullojnë gjithfarë historish të pasakta, duke bërë gjithmonë e më të vështirë zbulimin e së vërtetës për gjithçka.

_____________________________________________________________________________

LETRA E BASHKIM SHEHUT

Bashkim Shehu bashkë me të shoqen, në vende izolimi të ndryshme, po pyeteshin intensivisht për ne. Këtë lajm e solli djali i tezes sime, Kujtim Kito. Djalë guximtar dhe me një natyrë nga më ekstravagantet, mik me kokë i Lad Shehut (djalit të madh të kryeministrit), ai i ruajti me një besnikëri dhe përkushtim prekës lidhjet me familjen e mikut të vet, sidomos pas vetëvrasjes së këtij të fundit. Dikush në Durrës, ku ai punonte si inxhinier elektrik, i kishte dhënë një formë mesazhi që vinte prej tyre: “Na pyesin pa reshtur për ju, por mos kini frikë, nuk ju kemi tradhtuar!”.

Ishte krejtësisht e vërtetë? Ishte një provokim (nga ato që ishin aq të njohura në kohën tonë)? Askush nuk mund ta dinte qartë këtë. Më 1991, fill pas daljes nga burgu, në një letër të tij, Bashkim Shehu ka treguar atë që ka ndodhur. Ja teksti i letrës së tij, i botuar së pari në parathënien e librit të tij “Vjeshta e ankthit”, libër i botuar edhe në Francë, me titullin “L ‘automne de la peur”.

“Desha të të shkruaj në krye për atë pjesë të hetuesisë sime më 1982, kur më kanë pyetur për ty. Më kanë pyetur intensivisht për rreth një javë, madje një herë më erdhi në mes të natës zëvendësministri i Brendshëm, Rexhep Kolli. Të quanin ‘armik të vjetër e të rrezikshëm’, që ishe munduar ‘t’ia hidhje Partisë’, por nuk ia ‘hidhje dot’, se ‘partia’ të kishte ‘njohur prej kohësh’, të kishte ‘dhënë dorën disa herë’, kurse tani s’kishe ‘ku të veje më’ etj. Kërkonin të dinin çfarë mendimi kishe ti për regjimin, çfarë kishe thënë kundër Enver Hoxhës, madje të implikonin dhe në çështje agjenture, ngaqë më kanë pyetur nëse ti ke shkuar ndonjëherë në Francë i dërguar nga Mehmeti dhe kë ke takuar atje. Për të më nxjerrë pohimet që u duheshin, ata u përpoqën të më futnin, me së pari, në një gjendje vetëfajësimi total, gjë që ia arritën. Pastaj, si engjëj-shpëtimtarë që do të më pakësonin dhimbjen e një të tillë fajësie, duhej të më bënin të pranoja se shkaktar i fajeve të mia, në të vërtetë, ishte tjetërkush, dhe ky tjetërkushi mund të ndryshonte sipas rastit, varësisht se për kë u duhej atyre të deponoja. Kështu, në fillim e patën me ty, e mandej, kur hetimet kaluan në kapitullin agjenturor, me prindërit e mi. Pra, më kërkohej të pohoja se miqësia me ty “ishte faktori kryesor që më kishte ndihmuar për të hyrë në rrugën armiqësore” dhe rrjedhimisht kjo duhej konkretizuar me deponime në lidhje me pyetjet që përmenda mësipër…”

Nga letra dilte se e vetmja gjë që donin të dinin për Is ishte se ç’mendonte ai për Enver Hoxhën. Kjo vërtetonte se pyetjet bëheshin sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të vetë Hoxhës. Të tjerat ata i dinin. Një letër të ngjashme morëm më pas prej gruas së tij, Marietës.

Për sa i përkiste dorëshkrimit të romanit, atij dorëshkrimi që tani Is ia kishte shumë frikën, shqyrtimi i tij po bëhej në mënyrë të ngadaltë dhe të rrezikshme në dy plane: njëri i hapët, me mënyrat e njohura: recensione, mendim i redaksisë, vendimi i drejtorisë etj. Plani tjetër, ai që do të ishte dhe vendimtari, ishte krejtësisht i fshehtë: Një raport i gjatë, shkruar në korrik të vitit 1983 dhe nxjerrë në dritë mbi njëzet vjet më vonë, prej drejtorit të Arkivave të Shqipërisë, profesor Sh. Sinanit, mbas rënies së komunizmit. Në atë raport thuheshin gjithë të këqijat e mundshme për një vepër: roman reaksionar, antikomunist etj., etj. Nuk thuhej veç ajo që Is dhe bashkë me të edhe unë, kishim pasur aq tmerr: analogjia midis vrasjes së pasardhësit kinez dhe atij shqiptar. Kjo ishte e njohur tanimë: gjërat më të llahtarshme, ato që quheshin veçanërisht të rrezikshme, qoftë edhe si pëshpërima, shmangeshin nga çdo raport. Kështu, për shembull, Is më kishte shpjeguar se pëshpërima e vjetër (e fantazuar apo reale) për deviacionet intime të diktatorit, zhdukej pa gjurmë, madje edhe nga procesverbalet e hetuesisë. Çështja nëse vdekja e kryeministrit i takonte vrasjes apo vetëvrasjes, hynte gjithashtu në këto lloj përfoljesh.

+ + +

Njerëzit për të cilët fola më lart, përbënin atë që mund të quhej, si tabloja e dukshme e së keqes. Por kishte tjetër tablo, që ishte shumë më e frikshme, ndonëse e padukshme. Këtë tablo, as Is dhe as unë, nuke dinim dhe as që e përfytyronim shkallën e së keqes së saj. Shumë herë kemi menduar se kishte qenë më mirë, madje shumë më mirë, që nuk e kishim ditur deri në fund këtë gjë.

_____________________________________________________________________________

Xhevdet SHEHU/ LAOKOONTI SI PRETEKST

Në numrin e kaluar, shkrimin e mbylla me pohimin se në vitin 1982 Kadare ka qenë i kërcënuar trefish. Më pamje të parë ato duken si rastësore, si të shkëputura nga njëra tjetra, porn ë të vërtetë, në bazë të dokumenteve të zbuluara më vonë, ato kanë qenë në sinkron të plotë me njëra-tjetrën deri në përsosmëri. Lexoni pohimet në letrën e Bashkim Shehut dhe dëshminë e Llambi Ziçishtit. Shkrimtari mendoj se ka qenë plotësisht i ndërgjegjshëm për rrezikun që i kanosej qysh në atë kohë. Keqardhja e tij ka të bëjë me moskuptimin nga të tjerët, madje edhe sot e gjithë ditën me vazhdimin e sulmeve kundër tij. Në këtë kontekst vlen të përmendet poezia e tij e famshme “Laokoonti”.

E lexuar rreth dyzet vjet pas krijimit, poezia e Ismail Kadaresë Laokoonti, përveçse të trondit e të emocionon njëlloj si në leximin e parë, të bind përfundimisht se personaliteti trojan që ishte kundër pranimit të kalit të drunjtë të grekëve në qytetin e tij, është një pretekst. Duke iu futur polemikës për të zbërthyer enigmën dhe brengën e gurtë të Laokoontit në çastin e mbytjes nga gjarpërinjtë, Ismail Kadare i dha një shkëlqim të ri legjendës me disa qëllime të nënkuptuara. Për shembull, ajo që fillimisht vetëm sa u përshpërit në qarqe të kufizuara, kryesisht letrare, tashmë po thuhet shkoqur: Më shumë se brenga e trojanit të lashtë, shkrimtarin e shquar shqiptar e ka shqetësuar brenga e tij, pengu i moskuptimit në kohë nga ana e lexuesve të shumtë të kumteve që ai u ka përcjellë herë pas here nën veshjen artistike të veprave të tij. Eshtë, në fund të fundit, ky një peng i përgjithshëm i njerëzve të shquar, i atyre që i paraprijnë kohës dhe bashkëkohësve me idetë dhe veprat e tyre iluministe.

Pikërisht ky peng i ka shqetësuar dhe vënë në mendime shpesh edhe studiuesit dhe njohësit e veprës së Ismail Kadaresë.

Moskuptimi në këtë rast duket si e keqja më e vogël, ndërsa keqkuptimi shpesh i amplifikuar është alarmant. Kundër shkrimtarit janë derdhur me tërbim një lukuni e tërë kritizerësh të paskrupullt, më së shumti grafomanë mediokër, me një synim të shpallur për denigrimin dhe mohimin e veprës së tij. Përkundër pohimit të shprehur rëndom, por edhe dëshirës agresive të disave vitet e fundit për mohimin e traditës, nëpërmjet kinse riorientimit të kulturës kombëtare nën emblemën e europianizimit, Kadare mbetet afirmues i traditës më të mirë dhe i zbulimit tek ajo të vlerave të reja të qenësishme. Këtu duhet kërkuar shkaku që shqiptarët e sotëm po kalojnë një krizë morale, pikërisht nga ajo që ka vënë në dukje edhe Kadare, nga, humbja e referencave të tyre morale, të “qokave” tradicionale apo të reja. Dhe, Kadare ka paralajmëruar se ecja në këtë hulli të çon te krijimi i doktrinës së justifikimit të tradhtisë ndaj atdheut.

Dikur, pasi e pa se lexuesi më së shumti nuk e kapi kumtin e Laokoontit të tij, Kadare i mërzitur bëri të pabërën: filloi të deshifrojë vetë mesazhet që u kish dhënë lexuesve kohë pas kohe (“Ftesë në studio”, “Dialog me Alen Boske-n”, “Kohë barbare”, etj.). Këtë nuk duhej ta bënte Kadare, thanë jo pak njerëz. Ndaj dhe ka lindur kritika në fund të fundit. Por kur kritika është e pamjaftueshme dhe e paaftë, pengu i moskuptimit është disafish më i madh. Mendon krijuesi: Kur nuk më kuptojnë këta që hiqen si kinse ekspertë, si elitë e shoqërisë, si do të mund të më kuptojnë ata të tjerët më tutje, masa e gjerë e lexuesve të sotëm dhe të nesërm? Pra, mund të konsiderohet një fenomen me përmasa shumë herë më të mëdha se të një apo disa shkrimtarëve. Madje dhe përtej një vendi.

Disidenti i njohur çek Milan Kundera, autori i romanit të famshëm Shakaja, tregon për trishtimin që e pushtoi me rastin e botimit në Francë të këtij romani: romani u mbulua nga lëvdatat, por u lexua vetëm në mënyrë të njëanshme, politike, pasi ishin ngjarjet e Pragës që imponuan këtë lexim të veprës. Dy – tre dekada më pas, kur njerëzit kishin “harmar” Pranverën e Pragës dhe pushtimin rus, Kundera shpresoi se “Shakaja” do të mundej më në fund të jetë çka ka dashur gjithmonë të jetë: roman dhe vetëm roman.

Një nga mendjet më të ndritura të kulturës sonë kombëtare, Faik Konica, e ka vuajtur shumë pengun e moskuptimit. Vuante moskuptimin dhe keqkuptimin njëherësh. Dhe, ngaqë ishte ekstravagant e nihilist, por edhe ngaqë e njihte si rrallëkush mentalitetin shqiptar dhe superioritetin e tij kulturor në raport me kritizerët e tij, e ka shprehur hapur më se një herë mërzinë dhe nervozizmin, madje deri në fyerje e injorim të skajshëm të lexuesve të tij shqiptarë, gjë që e ka dëmtuar jo pak figurën dhe famën e rij. Pra, nuk kemi të bëjmë me një fenomen thjesht kadarean në rastin e moskuptimit. Këtë peng e kanë edhe plot shkrimtarë e artistë të tjerë, poetë e publicistë, madje edhe intelektualë të fushave të tjera. Disa e shprehin, shumica jo. Por pengu atje është, brenda krijuesit, stoik dhe i tmerrshëm.

Laokoonti është një pretekst.

Ndoshta edhe për këtë arsye poema Laokoonti e Ismail Kadaresë do t’i befasojë e kënaqë lexuesit njëlloj si në leximin e parë edhe pas shumë e shumë vitesh të tjerë… Sepse “gjarpërinjtë” e moskuptimit dhe të keqkuptimit janë të tmerrshëm. Preteksti që ka gjetur poeti nuk është i rastësishëm.

Jo të gjithë e kuptuan mesazhin e poemës “Laokoonti” kur Ismail Kadare e botoi së pari në vitin 1976. Më shumë se brenga dhe enigma e heroit të mitologjisë, një nga krijimet më të bukura në letrat shqipe, kishte të bënte me aktualitetin shqiptar të asaj kohe. Laokoonti është padyshim një krijim i shkëlqyer, nga më të mirët në letrat shqipe.

Gjatë këtyre viteve të demokracisë janë bërë rikthime të shpeshta në të kaluarën, duke evidentuar krimet e asaj kohe, skenat dhe prapaskenat, të thënat dhe të pathënat. Por e vërteta nuk ka dalë asnjëherë në shesh. Mbase edhe për këtë ia vlen rileximi i “Laokoontit” të Kadaresë.