Abuzimi me 300 milionë lekë në Panairin e Librit

515
Sigal

ABUZIMI/ Çmimi 70 euro që paguan botuesi për 1metër katror është nga më të lartët deri më sot në Shqipëri

Panairi i librit që u mbajt në Pallatin e Kongreseve prej 14 nëntorit deri 18 nëntor  shënoi edicionin e tij të 15-të dhe padyshim ishte ngjarja më e rëndësishme për librin dhe letërsinë në hapësirën mbarëshqiptare. Sipas deklaratave të dhëna nga organizatorët para hapjes u theksua se: “Panairi do të jetë një ngjarje e madhe dhe sigurisht shumë e rëndësishme. Në pesë ditët që ai do të zhvillohet do të ketë dhe aktivitete, promovime të ndryshme. Këtë vit pritet të marrin pjesë 80-85 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, etj.. Por do të ketë dhe një hapësirë më të madhe, ku të tre katet e Pallatit të Kongreseve do të jenë të zëna nga panairi, gjithashtu do të ketë dhe shumë tituj të rinj”, mbylli pohimin e tij  Petrit Ymeri, Kryetar i Shoqatës së Botuesve.

Nuk ka asnjë dyshim që ky panair ashtu si edhe shumë evenimente të tilla të ngjashme që zhvillohen në vendin tonë reklamojnë punën krijuese të shkrimtarëve vendas, por edhe përkthimet më të mira të njerëzve të letërsisë botërore. Por ky eveniment pati edhe problematikën e vetë, fjala bie, në lidhje me mundësinë që duhej të krijohej nga organizatorët e panairit për të gjithë qytetarët shqiptarë që banojnë në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi duke u vënë në dispozicion në bashkëpunim me agjencitë e transportit, lehtësira për udhëtim drejt Tiranës. Nejse, kjo kërkon një fantazi, e cila jo se nuk kuptohet  nga drejtuesit e Shoqatës së Botuesve, por këtyre të fundit nuk i vjen mbarë pasi nga xhepat e tyre të fryrë si thasë do të rridhnin edhe disa qindarka, të cilat në fund të fundit iu ishin vendosur si “gjobë” për metër /katror shtëpive botuese dhe pjesëmarrësve në këtë panair. Sigurisht, meriton të merremi, por jo në shkrimin e sotëm në lidhje me turpin e organizatorëve të Panairit, Shoqatës së Botuesve dhe vetë Jurisë të caktuar prej tyre në lidhje me lënien jashtë vlerësimit të çmimit për Letërsinë për Fëmijë. Nuk e kuptojmë, a ndien ndopak turp këta organizatorë, kur panë me qindra fëmijë që vizituan stendat e panairit dhe padrejtësisht nuk e gjetën veten si protagonistë të këtij eventi mbarëkombëtar. Gjatë Panairit të Librit,  Shoqata e  Botuesve  me të drejtë ngriti një shqetësim se, taksa për librin është taksa për leximin, ashtu sikurse taksa për shtypin në tërësi është taksë për rritjen e injorancës, krimit dhe largimin nga liria dhe demokracia. Por kur shikon këtë shqetësim të Shoqatës së Botuese drejtuar pushtetit qendror dhe lokal për uljen e taksave dhe nga ana tjetër vetë Shoqata e Botuesve dhe organizatorët e saj caktuan një çmim shumë të lartë prej 70 euro për 1 metër katror për shtëpitë botuese  pjesëmarrëse në Panair, duke e rritur në krahasim me vitin e kaluar nuk është gjë tjetër veçse një turp. Të paguash 70 euro për 1 metër katror kur dihet se, stendat janë minimalisht nga 20 apo 30 metra dhe në total u kushtojnë rreth 3 milionë lekë është e tmerrshme. Themi është e tmerrshme, se, të paguash për një kosto reale, ku të jenë përfshirë edhe vendi i zënë, edhe pastrueset, edhe rojet, edhe energjia është normale. Por kur vlera arrin në shuma marramendëse është tmerrësisht e turpshme dhe skandaloze për këtë veprim të Shoqatës së Botuesve dhe se, zoti Petrit Ymeri duhet të japë përgjigje dhe llogari për të gjitha financat e grumbulluara dhe mbi çfarë baze e caktoi këtë çmim tejet të lartë. Sipërfaqja e Pallatit të Kongreseve në të 3 katet ka një sipërfaqe prej 4700 metër katrorë. Dhe se shfrytëzimi i saj nëse llogaritet në masë minimale prej 65% i takon që të shfrytëzohen rreth 3000 metra katror. Dhe kjo u pa se sa pak korridore kishte bosh dhe se, edhe vendet e kafenesë ishin plotë e përplot të zëna. Atëherë në 3000 metra katrorë x 70 euro për metër katrorë që kanë paguar botuesit dhe shtëpitë botuese = 210 mijë euro (ose e konvertuar në lekë shqiptare= 300 milionë lekë ( 210 000x 140). Po sa para i mori Pallati i Kongreseve dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Shoqatës së Botuesve ? Drejtoresha Elsa Meksi e kontaktuar nga gazeta “Telegraf” deklaroi se vlera që Shoqata e Botuesve ka paguar pranë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare është 88 milionë lekë të vjetra dhe se ato janë paguar me faturë në numrin tonë të llogarisë. Atëherë kush i përdor paratë e mbetura që janë jo pak, por rreth 220 milionë lekë. Sigurisht, përdoren për energjinë rreth 1 milion lekë të vjetra, shërbimet ndihmëse dhe në total nuk kalojnë 5 apo 6 milionë lekë. Po paratë e tjera?  Një turp i vërtetë për ideatorët e saj, të cilët përtej vlerave të këtij panairi shfaqin babëzinë, e cila ka kohë që ka pushtuar  këtë eveniment të librit. Institucionet shtetërore të krimit dhe anti-kontrabandës duhet ta zbardhin të vërtetën dhe duhet të çojnë deri në fund hetimet për batakçinjtë e librit dhe letërsisë.  Kryeministri Berisha pjesëmarrës i përhershëm i panairit dhe mik i librit, gjatë vizitës në stendat e këtij panairi pasi u njoh me shqetësimet dhe vështirësitë e shtëpive botuese dhe shkrimtarëve u premtoi atyre për ndërhyrjen e shtetit dhe të qeverisë, duke marrë përsipër 50% të vlerës së pagesës së qirasë. Dhe drejtoresha  Elsa Meksi në prononcimin e saj pranon se qeveria e ka marrë vendimin dhe brenda këtyre ditëve, sapo të zbardhet si vendim, “ne do u kthejmë paratë shoqatës dhe një gjë të tillë ja kam konfirmuar edhe Kryetarit të Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri”. Por sipas botuesve, vlera prej 70 euro metri katror nuk është paguar e gjitha me bankë, por një pjesë e tyre janë paguar jashtë sistemit bankar “kesh” tek e besuara e Kreut të Shoqatës së Botuesve. Përse kjo pagesë në dy mënyra edhe me bankë edhe jashtë saj? Këtë gjë duhet ta shpjegojë Petrit Ymeri dhe shoqata e tij. Duke llogaritur që Kryeministri Berisha e mbajti premtimin e tij duke paguar si qeveri në kuadër të 100 -vjetorit të Pavarësisë 50% të pjesës së premtuar i takon që kreu i shoqatës të japë llogari se, ku janë diferencat prej 255 milionë lekësh. Është folur që një pjesë e sipërfaqeve të zëna nuk janë regjistruar dhe janë zënë nga individë të veçantë dhe miq të grupit të milionave. Edhe kjo kërkon përgjigje nga drejtuesit e Shoqatës së Botuesve. Në numrat që do të vijnë ne do japim prononcime të botuesve për këtë veprim të turpshëm,  rregullat dhe përgjegjësinë për pagesat jashtë sistemit bankar në shuma që ngarkojnë me përgjegjësi penale abuzuesit.