“Teatri nuk ka mbështetjen e shtetit”

560
Sigal

INTERVISTA/ Flet Mjeshtri i Madh, Albert Vërria:”Edhe sot “Kapedanit” nuk do t’i hiqja asnjë pikë”

Ditët e zhvillimit të Festivalit të parë të Teatrit Mbarëkombëtar, në diskutimet profesionale pas shfaqjeve më ka tërhequr vëmendjen aktori i mirënjohur Albert Vëria. Ai për çdo shfaqje ka bërë vlerësime pozitive, por edhe negative sipas rastit. Korrekt, serioz, plot finesë, diskutime profesionale ai nuk është treguar i njëanshëm, apo i tërhequr. Takimi im me të ishte shumë mbresëlënës dhe gjithë biseda u përcoll në dy pika, risitë dhe dobësitë e festivalit dhe rreth filmit aq shumë të diskutuar “Kapedani”, ndryshimi dhe të përbashkëtat e filmit dhe teatrit.

Ju keni ndjekur nga afër Festivalin e parë të Teatrit Mbarëkombëtar. Çfarë risie solli ky Festival?

Risia që ka sjellë ky festival qëndron në atë se këtu paraqiten shumë trupa gati 18 trupa mbarëkombëtare nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga trupat profesioniste të Shqipërisë, ku secili nga këto treva sjell në skenë hallet problemet e tyre duke filluar nga monodrama e Korçës,  e cila për mua ishte një komedi shumë e mirë që qëndronte mbi tabanin e penës së Mitrush Kutelit për të kaluar tek “Milioneri” i luajtur me mjeshtëri nga Luftar Paja dhe nga Hasan Bregu. Gjithë  problematika e këtyre komedive është e larmishme dhe e veçanta e tyre është se ato janë krejtësisht  të ndryshme  nga njëra- tjetra. N.q.s në një komedi kemi një problem familjar mes burrit dhe gruas në një komedi tjetër kemi  problemet e shëndetësisë, ku këtu paradoksi kthehet në një realitet pasi lekët tek milioneri nuk shkojnë tek të varfrit, por në xhepat e disa mjekëve apo të shumë shoqatave fantazmë.

Unë kam ndjekur të gjitha tavolinat e rrumbullakëta që bëhen pas shfaqjeve dhe ku theksohen të metat. Në këndvështrimin tuaj cilat janë këto të meta?

E meta më e madhe është që duhet që në radhë të parë që shteti  duhet ta shikojë me një sy shumë më serioz punën e teatrit. Unë këtu nuk pashë asnjë pushtetar, veç ditën e parë vetëm ministrin e Kulturës. Teatri pasqyron kulturën e një shteti dhe jo më kot të gjitha vendet europiane investojnë në mënyrë marramendëse për teatrin. Kjo sepse nëpërmjet teatrit, nëpërmjet kulturës nëpër lojës së aktorëve transmetohen mesazhe të fuqishme që i vlejnë jo vetëm  qeveritarëve por më shumë shoqërisë. Unë do të thosha se vërtetë këto Festivale krijojnë një atmosferë sidomos tanimë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë pasi është si një paradë, por  n.q.s do të kishte mundësi që ky Festival të ishte dhe me çmime një shpërblim material do të thosha  se do të kishte një interes akoma më të madh dhe një mobilizim akoma më të madh.

Më parë se Festivali Teatrit u zhvillua dhe Festivali i Filmit.  Në ç’raporte qëndrojnë ndaj njëri- tjetrit filmi dhe tetari, kush ka më shumë interes?

Unë mendoj se primare në interesim që ka vetë populli, por edhe vetë aktorët teatri është primar. Teatri ka diçka të veçantë, pasi aktorët shihen direkt në skenë të gjallë dhe po ashtu edhe spektatori është i drejtpërdrejtë në sallë. Ajo  që është më kryesorja është tematika që trajton teatri. Teatri është shumë  më afër spektatorit, shumë i dashur për spektatorin dhe jo më kot spektatori vjen në teatër jo vetëm për tu argëtuar, por njëkohësisht ai merr jo vetëm mesazhe por edhe një kënaqësi të madhe estetike duke parë lojën brilante në skenë në harmoni me njeri tjetrin. Kurse kinematografia pa marr parasysh dobësitë në organizimin e Festivalit të tij është më ekzigjent në drejtim të gjetjes së skenarit duke sjellë problematikën e shoqërisë sot jo në atë mënyrë që e sjell tetari sidomos në kohë. Kinematografia trajton  po aq shumë probleme shoqërore, por duke mos qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë me spektatorin mesazhi zbehet. Pra unë jam i mendimit që teatri është më i afrueshëm, më i dashur se filmi, kinemaja, pasi sjell një ngrohtësi qoftë në përzgjedhjen e aktorëve, qoftë në regji qoftë në të gjithë komponentët e tjerë që përbëjnë një film. Pra filmi duhet të ketë një preçizim të lartë për realizim pasi nuk kthehet mbrapsht, ndërsa teatri nga shfaqja në shfaqje bën rregullime dhe mund ta rritësh nivelin artistik të lojës së aktorëve duke korrigjuar çka nuk shkon mirë. Në problematikat filmike nuk ka shumë art se sa në teatër. Kjo është arsyeja që teatri që në kohën e antikitetit para 2500 vjetësh edhe sot  është emblema e kulturës së një populli, sepse  teatri me këto cilësi është i pavdekshëm në të gjitha kohërat i tillë do të mbetet.

Keni lujatur në filma dhe në teatër. Ku jeni ndjerë më mirë?

 Unë e kam ndjerë veten mirë në të dy gjinitë si në film ashtu edhe në teatër. Teatri më jep kënaqësi pasi e prek, e shikoj më shikon spektatori dhe natyrisht këtu kam një lidhje të dyfishtë me spektatorin, nga njëra anë ai më duartroket kur luaj mirë dhe më kritikon kur luaj keq. Kur më kritikon tregohem shumë modest, sepse jo më kot spektatori reagon në këtë mënyrë. Ai ka parë që diçka nuk shkon dhe unë nuk kam luajtur bukur dhe unë reagoj, meditoj  ku ishte gabimi që të mos e përsëris më. Unë e pranoj kritikën dhe di të reagoj dhe ftoj kritikuesin që shfaqjen e dytë të shikoj reagimin tim. Gjithmonë i kam dëgjuar me vëmendje kritikat.  Ata aktorë që kanë dëgjuar me vëmendje spektatorin kanë pasur rezultat . Dashuria e madhe  që ka aktori për spektatorin se në fund të fundit shfaqjet bëhen për spektatorin jo për aktorin, sepse atë dua të kënaq, bën që me të vërtetë në rol të transmetohen mesazhe dashurie, mesazhe realiste të problematikës shoqërore që ka në thelb vetë drama. Ndërsa filmi ka një anë tjetër pozitive, sepse filmi i jep më shumë famë aktorit. E bë më të njohur. Mirëpo fama, merret kur ke krijuar figura artistike të mëdha, kur ke krijuar role që lënë gjurmë, ato role që mbeten në kohëra dhe pse vitet rrjedhin.  Në filmat që kam luajtur si “Kapedani”, apo “Koncert në vitet 1936” , “Operacioni zjarri”  unë ndjej një kënaqësi të madhe pasi më kanë bërë me emër. Filmi “Kapedani” ka mbi dyzet vjet që është bërë dhe shikohet me shumë dëshirë nga të gjitha brezat edhe sot, pasi ndjej vlerësimin që më jep spektatori në rrugë kur më sheh. Ai spektator më ka bërë mua aktor. Pa këtë spektator unë do të isha askush. Pra ky është ndryshimi dhe pse si në film dhe në teatër unë jam Alberti që tentoj të bëj me vete spektatorin.

Rrokët paksa filmin “Kapedani”. Sot pas dyzet e ca vjetësh do t’i ndryshonit diçka Kapedanit?

Absolutisht jo. Atij vulën ja ka dhënë populli, ja ka dhënë spektatori, sepse sa më shumë kalon koha aq më i dashur bëhet. Ky film mbi të gjitha tregon rrugën e emancipimit të gruas. Unë kam shumë respekt për gjininë femërore, pasi ajo është një qenie njerëzore që jo vetëm ripërtërin njerëzimin, jetën,  por është dhe e çiltër dhe e pastër në shpirt dhe pse jo, femra duhet të drejtojë në instancat më të larta. Unë në film në fund e pranova që edhe femrat të bëhen kryetare kooperative, apo të marrin poste të ndryshme drejtuese. Gruaja sot mund të drejtoj edhe shtetin, pse jo të bëhet kryeministre. Gratë janë shumë të zgjuara. “Kapedani” mbetet kapedan. Një film që është realizuar në të tërë komponentët në mënyrë harmonike. Edhe sot të luhej, mendoj se ashtu duhet të luhej sërishmi.