Ing. Vebi Musta: Ja prapaskenat e aksidentit tragjik 44 vjet më parë në Bulqizë që tronditi diktaturën

599
Sigal

Më 26 janar 1979, nga zjarri i rënë në zonën “D” të minierës humbën jetën 9 ish të dënuar ordinerë.

44 vjet më parë- aksidenti tragjik në Bulqizë që tronditi diktaturën.

Mesatarisht nga viti 1948 i hapjes së rregullt të Minierës së kromit Bulqizë kanë ndodhur 10 deri në 13 aksidente në vit.

Ing.Vebi Musta*

  • Më e keqja e asaj dite ka qenë se punëtorët e burgosur nuk lejoheshin të dilnin në mënyrë të shpejtë nga të gjitha galeritë, që lidheshin me sipërfaqen, por vetëm nga një galeri që shkonte në mënyrë nëntokësore nga galeria 1200 ose Traverbanku “A” siç quhet teknikisht për në dalje tek Zona e Parë me një gjatësi afro 500 metra.

Ishte dimër, 26 Janar 1979. Bora kishte zbardhur vendin, bënte ftohtë e acar. Unë isha inxhinier stazhier në Minierën e Kromit Bulqizë. Atë ditë kisha planifikuar të punoja në zyrë për të përpunuar të dhënat e grumbulluara për projektin e diplomës pas mbarimit të universitetit. Temën e diplomës e kisha mbi përmirësimin e skemës ekzistuese të ajrimit të përgjithshëm të Minierës së Bulqizës dhe në veçanti të pjesës veriore të vendburimit të kromit.

Në mëngjes shkova tek puna kur papritmas shikoj grumbuj njerëzish para zyrave si asnjëherë tjetër.

Nuk flas me asnjeri dhe ngjitem në katin e dytë ku dëgjoj zërin e lartë të drejtorit, i cili komunikonte me ministrin. “Unë mendoj se duhen lejuar njerëzit të kalojnë nga të gjitha galeritë që kanë daljen në sipërfaqe”- i thoshte drejtori ministrit, “që të shpëtojmë sa më shumë të jetë e mundur punëtorët e helmuar”. Mësova se në zonën D të minierës kishte rënë zjarr dhe miniera ishte helmuar nga gazrat e shkaktuara nga zjarri i ndodhur në horizontin e galerisë A ose 1200 sipas kuotës së nivelit. Në atë kohë në zonën Qendrore dhe zonën D ose Jugore të Minierës së kromit punonin punëtorë të dënuar për probleme të ndryshme, por jo politike. Afër meje pashë që kishte ardhur ndërkohë shoku im Agim Vargu, që ishte dhe ai inxhinier stazhier për punimet minerare në Ndërmarrjen Gjeologjike të Bulqizës. Kur e pashë sikur m’u dyfishuan forcat dhe u bëra me krahë. I them ngadalë të hyjmë bashkë dhe të shpëtojmë sa më shumë punëtorë të jetë e mundur. “Po”- m’u përgjigj menjëherë dhe unë i afrohem drejtorit tek tavolina e tij duke i thënë: “ A më lejon mua dhe shokun tim të futemi brenda në galeri meqenëse nuk ka ardhur akoma grupi i Skuadrës Avari Shpëtimit të Minierave nga Tirana!”. “Kush jeni ju?”- më pyeti drejtori me zërin e tij autoritar që kishte. “Unë jam Vebi Musta dhe shoku im Agim Vargu”- i them. “Jemi të dy stazhierë dhe dimë të ndihmojmë në këto raste aksidentesh. Njëkohësisht dimë të përdorim mjetet mbrojtëse dhe kundërgaz”. Drejtori nuk kundërshtoi,  por pa hezituar tha: “Po, por kujdesuni për veten tuaj dhe kapuni për dore me njëri tjetrin dhe për çdo rast ndihmoni njeri tjetrin”. Ashtu bëme. Veshëm pajisjet mbrojtëse kundërgaz, morëm dhe nga një bombël oksigjeni rezervë dhe hymë në galerinë që mjegullonte nga tymi. Nuk shikohej as një metër distancë gjatë ecjes. Është e çuditshme dhe çuditem edhe sot e kësaj dite pse nuk kishim frikë, por mendonim çfarë mund të bëjmë më mirë. Mua më dha kurajë ajo që kisha edhe temën e diplomës për ajrimin e minierës dhe mendova se ky rast do të ishte konkretizimi me i mirë për të. Të kapur dore me dore me shokun tim u futëm në galeri dhe pasi kaluam dhjetë apo njëzet metra postbllokun e policit roje të kampit të dënuarve, këmbët me shkelën ne trupin e punëtorit të parë të shtrirë në galeri. Shtërngova shokun tim duke i dhënë sinjalin se diçka ka, kur papritur dhe ai më shtrëngoi dorën. U ulëm së bashku dhe prekëm qafën e punëtorit, por me kot, ai ishte i ftohur plotësisht dhe kishte humbur jetën. Ai ka qenë momenti më i vështirë i jetës time. U shtangëm të dy. “Ecim”- më dha kurajë Agimi dhe ashtu bëmë. Nuk kaluam as pesë metra dhe takojmë në trupin tjetër të pa jetë. Pasi e kontrolluam për shenja jete, vazhduam më tej.

Po e njëjta gjë ndodhi për pesë apo gjashtë punëtorë që ishin të pajetë.

Tek i pesti apo i gjashti nuk jam i saktë dhe nuk me kujtohet nga momentet që kaluam. Pamë që trupi i punëtorit të rradhës ishte i ngrohtë dhe gërhiste me vështirësi. Shpejt e shpejt e ngritëm të dy dhe e futëm në degëzimin e punimit ku shërbente për magazinën e veglave të punës dhe ku ndëroheshin turnet. Unë këtë degëzim e dija, sepse e kisha vendosur në projektin tim si pikë e mundshme për ndihmë të shpejtë në raste aksidenti. Hapëm tubin e ajrit te pastër, dhe filluam të ndihmojmë punëtorin. Ai mundohej të merrte frymë, por ishte me gojë të mbyllur dhe hundë të bllokuara nga pluhuri. Ndërkohë shoku im i hapi gojën me forcë dhe unë i vendosa një copë druri në gojë duke i nxjerrë jashtë gjuhën. Ajri i tubit të hapur nga ana jonë e bëri punën e vet dhe na ndihmoi shumë. Vumë re që punëtori i shtrirë dhe që e ndihmuam ishte tekniku i sektorit të tretë të zonës që quhej Asllan Lami. Më vonë e kuptuam që ishte ndër teknikët më të mirë të minierës dhe krijuam miqësi e shoqëri me të. Pasi u bindëm se po përmirësohej dhe nuk kishte më rrezik për jetën, i thamë të qëndronte aty pa lëvizur dhe të na priste deri sa të ktheheshim. Na dëgjoi në heshtje dhe na dha shenjë që të iknim. Ne filluam ndjekjen e galerisë. Edhe dy punëtorë të tjerë që ishin të helmuar i shpëtuam në të njëjtën mënyrë në këtë galeri. Për fat të keq emrin e tyre nuk e mësuam, sepse ishin punëtorë të dënuar. Ndërkohë vjen grupi i Avari Shpëtimit të Minierave dhe na urdhëroi të dilnim jashtë që ato të vazhdonin kërkimet. Njeri nga grupi na shoqëroi të dyve derisa dolëm nga galeria. Kur e pamë njeri tjetrin në sipërfaqe vërejtëm se të dy ishim të nxirë nga fytyra. Ishin momente shumë të vështira që njeriu rrallë i takon në jetë. Nga analiza e aksidentit në ndërmarrje u konstatua se atë ditë u helmuan të gjithë punëtorët, në gjendje të rëndë dymbëdhjetë prej tyre nga të cilët nënte me humbje jete dhe tre të shpëtuar nga ana e jonë. Tre të shpëtuarit u dërguan në spital për t’u kuruar. Nuk po e shkruaj këtë artikull për të treguar trimërinë dhe heroizmin tonë, por për të sensibilizuar këdo që drejton dhe ka për detyrë të ndihmojë punëtorët e minierave kudo që janë. Puna në minierë është jo vetëm e vështirë, por edhe e rrezikshme në çdo moment sido të përpiqesh që t’i marrësh të gjitha masat mbrojtëse. Njëkohësisht të sensibilizojë pushtetarët e çdo lloj krahu dhe bindje që kanë për t’i vlerësuar më shumë dhe në maksimumin e mundshëm ato që punojnë në miniera. Një status për ta është shumë pak për punën që bëjnë, dhe jo të mos përfillet fare nga çdo lloj sorollopi të pushtetit që se njeh fare punën në minierë, por vetëm tund lapsin neper zyra. Përveç rastit te ndodhur duhet te plotësoj shkrimin tim pe rate qe ndodhi dhe reagimin e njeresve te sistemit e rrëgjimit anti-njerëzor qe kemi kaluar ne shqiptaret dhe çdo njeri është ne te drejtën e tij qe te mendoje si te dëshiroje. Gjate viteve 1978-1981 ne zonën qendrore ose zona e pare dhe ne zonën Jugore ose zona D punonin punëtore te detyruar ose te dënuar për arsye te ndryshme e jo politike. Qendra e banimit te tyre ishte ne zonën e Pare. Një kamp i rrethuar me tela me gjemba ishte qyteti i tyre. Nga vendi i banimit nepermjet një galerie sipërfaqësore dhe nëntokësore lëviznin te shoqëruar me roje te armatosur deri ne punimet e zonës D per te punuar. Çdo galeri ne hyrje te saj kishte një post bllok ku qëndronte roja e armatosur dhe shërbente si hyrje për punëtoret e lire. Te detyruarit shoqëroheshin çdo turn ose brigade me dy ose tre roje te cilët i kontrollonin ato gjate punës dhe I shoqëronin për ne vendin e banimit. Punëtoret e detyruar punonin si vagonistë e minatorë dhe çdo brigade kishte brigadierin e vet te dubluar nga brigadieri i vendosur nga sektori e zona. Çdo sektor kishte nga tre brigadier të lirë për prodhimin, një për punimet minerare dhe një për punimet ndihmese te armatimit, shtrimit te shinave e tubove te ajrit, transportit te materialeve te ndryshme qe nevojiteshin për punë, etj. Zona D përbehej nga katër sektorë prodhimi dhe një sektor transporti dhe përpunimi te mineralit qe dilte ne sipërfaqe. Çdo sektor drejtohej nga përgjegjësi i tij qe ne te shumtin e kohës ose te rasteve ishte inxhinier miniere, teknik i minierës, gjeolog, marksheder, normist, inxhinieri gjeolog apo inxhinieri marksheder qe ne shumicën e rasteve mbulonte dy ose tre sektorë. Zona drejtohej nga shefi I zonës dhe inxhinieri I zonës. Zona kishte edhe repartin mekanik dhe elektrik që shërbente për të gjithë sektorët. Normalisht e gjithë Miniera e kromit Bulqize nuk ishte miniere me regjim te detyrueshëm gazi dhe ajrimi artificial. Në zonën Veriore përdoreshin ventilatorë lokalë ne disa fronte pune por në zonën Qendrore ,zona e Pare, dhe zona Jugore, zona D, ato përdoreshin rrallë ose fare. Miniera ajrosej me ajrin që përdorej për shpimin e birave nëpërmjet çekiçëve shpues ose matrapikëve në gjuhën e zakonshme. Njëkohësisht ajrimi bëhej në mënyrë natyrale si rezultat i difuzionit të lëvizjes se ajrit dhe diferencës së temperaturave të ajrit sipas stinëve ose ndryshimit të temperaturave të ajrit në sipërfaqe dhe në brendësi të minierës. Normalisht në Zonën veriore funksiononin rregullisht për të tre turnet personeli i matjes së ajrit, kurse në zonën D ishte më i rrallë. Miniera u vendos në gjendje të detyruar gazi dhe ajrimi pas fenomenit të shfaqjes së gazit metan në nivelin e 10-të të zonës Veriore ose Pusi nr. 2, në frontin ku punonin minatori Nazif Gjoni dhe zjarrmëtari Munir Sinani. Ishte 27 Mars, 1992. Unë në atë kohë isha me detyrën e kryetarit të zyrës së Studimit dhe Projektimit. Menjëherë jam marrë me studimin dhe ndjekjen e këtij fenomeni të ri për Minierën e Bulqizës. Meqë është një fenomen i rëndësishëm dua me pak rreshta ta sqaroj lexuesin më poshtë: “Unë hypa në furnelë për të bërë bira”-më tha Nazifi, minatori i frontit kur në njërën dorë mbaja llapën e karbitit dhe në dorën tjetër barominën. Pas meje ngjitej Muniri zjarrmëtari i frontit. Kishim gati dy javë që punonim aty, por sot na ndodhi diçka e çuditshme. Pa arritur akoma në ballin e furnelit, një flakë jeshile na u shfaq para syve dhe u shoqërua me një zhurmë të afërt me zhurmën e një kapsuleje. Llampat na u fikën. Ashtu në të errët u ulëm poshtë në nivel dhe ndezëm llambat. Kur e pamë njeri tjetrin në fytyrë, vumë re se të dy ishim mbuluar me pluhur dhe vetullat e flokët na ishin përcëlluar. Si specialist miniere dhe me eksperiencën tonë kishim menduar se kemi të bëjmë me një grumbullim të vogël acetileni si rezultat i lënies se ndonjë cope karbiti në punim ose mundësisë së djegies se oksidit të karbonit, i cili në minierë e sidomos në krye të punimeve vertikale e të pjerrëta si furnelet ishte shpesh herë i pranishëm. Pas marrjes së provave të gazit dhe analizave të tij në Institutin e Naftës dhe gazit në Fier rezultoi se përmbajtja e ajrit të marrë kishte gaz metan në masën 1.93 përqind. Siç dihet gazi metan është gaz eksplodues në masën e tij të përcaktuar dhe në mungesë të oksigjenit dhe shoqërohet me zhurmë. Pas këtij fenomeni dhe pas studimeve më të hollësishme Miniera veriore u vu ne regjim të plotë gazi dhe filloi përdorimi i detyrueshëm të llambave elektrike me bateri për të gjithë punëtoret dhe ndalimi i përdorimit të ndriçimit me flakë të hapur ose kandilit të karbitit. Për studimet e mëtejshme të ajrimit nuk jam kompetent të flas dhe i saktë, sepse unë më vonë u largova nga miniera e më pas edhe nga vendi për në emigracion.

Çdo njeri që ka punuar në Minierë ose banon në një qytet minerar është i njohur me aksidentet e ndryshme gjatë punës. Ato janë të ndryshme dhe kanë të bëjnë me shembjen e copërave të galerisë nga tavani apo faqet anësore, shembjen e armatimeve nga presionet e ndryshme, rreziku i lëndëve eksplozive si dhe helmimi nga gazrat që krijohen në ambientet e mbyllura nëntokësore të punimeve minerare. Rasti që ne përshkruam më lart ku humbën jetën nëntë punëtorë, ishte tragjik dhe i pari ose i vetmi që ndodhi në minierën e Bulqizës pas 31 vite pune të minierës nga krijimi i saj dhe 75 vite deri në ditët tona. Por si ndodhi konkretisht helmi i punimeve të zonës D dhe pse? Siç e shpjegova më lart për ndriçim personal në zonën D çdo njeri ishte i pajisur me një llambë karbiti acetileni, e cila përbëhej nga dy rezervuare të vegjël. Në të poshtmin rezervuar futeshin copërat e karbitit në formën e gurëve të vegjël dhe në të sipërmin mbushej me ujë të zakonshëm jo të pijshëm, por të pastër. Çdo pikë uji që binte mbi copën e karbitit e bënte atë që të krijonte gazin e acetilenit që në prani të flakës së një shkrepëseje bënte flakë dhe dritë e mjaftueshme për 8 orë pune normale. Llamba nuk ishte e rrezikshme në përdorim veçse në gjendje të pa ndezur kishte erë te keqe dhe të padurueshme. Sipas gjithë gjasave apo mundësive, mëngjesin e 26 janarit ndoshta dikush me dashje apo pa dashje ka lënë llambën e karbitit me flakë të hapur në armatimin e drurit të galerisë A, dhe armatimi ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme është djegur duke shkaktuar zjarr në punim. Si rezultat i zjarrit dhe tymit të krijuar gradualisht, por në kohë prej jo më shumë se një orë të gjitha punimet e minierës Jugore janë mbushur me tym. Pa dyshim se prania e zjarrit dhe e tymit kanë bërë mbushjen e punimeve me byoksid karboni e me tej me oksid karboni të lirë, i cili është gaz helmues e i rrezikshëm për një kohë shumë të shkurtër, më pak se gjysmë ore. Më e keqja e asaj dite ka qenë se punëtorët e burgosur nuk lejoheshin të dilnin në mënyrë të shpejtë nga të gjitha galeritë që lidheshin me sipërfaqen, por vetëm nga një galeri që shkonte në mënyrë nëntokësore nga galeria 1200 ose Traverbanku A siç quhet teknikisht për në dalje tek Zona e Parë me një gjatësi afro 500 metra ose më shumë a më pak nuk jam i sigurtë, sepse u bë kohë e gjatë dhe nuk e mbaj mend. Por dalja e rregullt dhe organizuar në rresht dhe e kontrolluar krijonte vonesa në largimin e punëtorëve nga zona e helmuar në drejtim të qendrës së banimit dhe pasojat ishin të mëdha siç e tregova më lart. Ky ishte fati i atyre të detyruarve, që jo vetëm vuanin dënimin për gabimet e tyre personale, por humbën edhe jetën pa ju njohur asnjë e drejtë qoftë edhe ajo e jetës nga regjimi i kohës. Çfarë të keqe do të kishte sikur këto të vlerësoheshin njëlloj si punëtorët e tjerë të lirë që aksidentoheshin në Minierë? Asgjë e keqe veç respektit së qenies njerëzore. Por diktaturat nuk kanë kufi dhe njerëzillëk, por veç sundim dhe poshtërim të njeriut. Ky ishte aksidenti me i madh i ndodhur ndonjëherë, por dua të sqaroj se në minierën e Kromit Bulqizë në kohën e sistemit komunist aksidentet kanë qenë të shumta krahasuar me ato që ndodhin tani dhe uroj që të mos ndodhin asnjëherë. Mesatarisht nga viti 1948 i hapjes së rregullt të Minierës së kromit Bulqizë kanë ndodhur 10 deri në 13 aksidente në vit ose të paktën një aksident në muaj. Kjo është e sakte dhe e argumentuar në bazë të librit të zi, që mbante dega teknike e Minierës për regjistrimin e aksidenteve të punës me humbje jete. Për të qenë i sinqertë në kushtet e kufizuara fizike të punimeve minerare dhe kushteve të punës nëpër miniera aksidentet janë të pamundura të eliminohen një qind për qind, por marrja e masave për parandalimin dhe zvogëlimin e tyre në minimum është detyrë e çdo drejtuesi e pronari i çdo aktiviteti minerar. Duke i kërkuar lexuesit dhe specialistëve të fushës minerare si art në vehte, ndjesë për gabimet pa asnjë qëllim apo me dashje, apo ndonjë pasaktësi dhe lëndimit të atyre që kanë humbur jetën në Minierën e Bulqizës e mbarë vendin, unë lutem dhe shpresoj që mos të dëgjojmë me raste të tilla.

*Ish punonjës dhe drejtues në Minierën e Kromit  Bulqizë