Muço Sherifi i pat thënë Mehmet Shehut, që në mars 1943, në mes të fshatit Gjorm: “ Edhe mua edhe ty, qeni ynë do të na hajë, ti prit dhe pak.”
-Kishte lindur më 1885, kishte bërë katër luftëra, 1913-1943, kishte vdekur i dënuar politik në burg më 1949.
-Komunist i Grupit të Zjarrit që në 1938, në Korfuz.
– I pa shkollë, por “filozof”, fliste dy gjuhë të huaja, italisht, greqisht, largpamës, gjykues krahinor.
-Mik i ngushtë i Hysni Kapos, Mehmet Shehut që në vitet 1942, shtëpia e tij u bë bazë e shtab lufte.
-Në mars 1943 u prish me ta, sepse kishte patur mendime ndryshe, kishte përkrahur Sadik Premten dhe bijtë e Gjormit.
-Kishte vëlla doktorin e shkencave ekonomike në Itali, të internuarin në Mathauzen dhe Libi, profesorin një jetë në UT, Xhemil Sherif Çela.
– Kishte qenë poet popullor, këngëtar dhe valltar “si ai.”
-“Ta lexosh historinë vetëm nga librat, është si të pishë ujë në një lumë, që ngandonjëherë edhe turbullohet; ta dëgjosh atë nga njerëz që i kanë qenë pranë asaj, është si të pish ujë me kupën e duarve në fytin e bunarit”, paskan shkruar në antikitet. Ato që dëgjova për atdhetarin Muço Sherifi, nuk do t’i kisha mësuar kurrë nëse nuk do të isha takuar me djalin e tij, Skënder Veraj.
Me djalin e atdhetarit të labërisë të katër luftërave të mëdha, nga 1912 deri 1943, Muço Sherifi, u ndodhëm në një dasmë. I zoti i shtëpisë, që martonte djalin, e bëri atë me dy vakte.Njërin e bëri në lokal të djelën në darkë, tjetrin në shtëpi zakonçe të shtunën në darkë. Aty, kryemik e krushk i shtëpisë, edhe i biri i Muços, Skënderi, burrë i shtyrë pak në moshë, i zgjuar, i muhabetit, që zor se e lajthiste ndonjë fjalë, që priste t’i vinte radha e pastaj shtrohej ëmbël dhe bukur duke përsëritur një refren: që thatë ju vëllezër, që thatë ju miq, që thatë ju djem. Na mbajti muhabetin. Kishim patur shumë nevojë të flisnim njëherë shtruar, dyst, si dikur.
Unë e kisha patur në objekt një shkrim për Muço Sherif Çelaj, luftëtarin e madh të disa istikameve, por kisha pritur për një fotografi të tij, që s’po ma dërgonin. U befasova me ato që dëgjova nga i biri i Muços. Thashë, se po ta kisha botuar më parë, gjysmë realitet do të kisha dhënë.
Unë: -Skënder, më vjen mirë që u bëmë bashkë si dikur në odë dasmash, në odë burrash, pranë e pranë. Kemi qenë ndarë me njëri-tjetrin e rrallë jemi takuar, na hodhi koha edhe përtej oqeaneve, në Strakna kanë pas thënë, por qenke brisk, qenke ai krua me ujë të kthjellët dhe të pastër, sikurse ke qenë. Qënke pikë. Je i Biri i Muço Sherifit të madh, atdhetar sa s’bëhet në të gjitha vështrimet. I madh se ishte, por edhe me derte, për atë që pësoi, që e mbylli jetën në burg për bindjet që pati.Të gjithë e njohim, janë shkruar libra, janë kënduar këngë, ka shkruar edhe Hysni Kapo për të, por me iniciale M.Sh (Muço Sherifi). E njohim, por duam të dimë, ti si e njeh?
Skënderi: Si e njoh? Siç e njohin, natyrish më shumë. U mendua pak dhe vazhdoi.
-Ai më la të vogël, mua dhe vëllain, motrat. Babai vdiq e ne u rritëm jetimë, na kishte lindur në moshë të madhe. Na la me kapital, por erdhi koha… Po e nis me nënën e këtë duhet ta bëjë kushdo kur flet për prindërit. Kusuret mbi shpatulla i pati ajo, ose dy nënat, se babai kishte dy gra, por nuk u thyen, as Tefo as Dorro (Teferria dhe Dorrovia i.b). Burrë i madh ka qenë im atë, jo se e them unë, i pashkollë, po filozof. Po gjete ndonjerin që të thotë se nuk ka qenë atdhetar, trim, i zgjuar, me pesë shokë në krahinë, eja dhe më thuaj “jazëk.”, s’qënke burrë. Ishte komunist i vjetër, si Hysni Lepenica në se ka qenë, dhe kalorës i Ismail Qemalit. Thuhej se komunizmin e kish nisur herët. Legjionar, sepse kishte bërë nderim me kal kur ishte ngritur flamuri, truproje si thuhet, më 1912. Këto i thoshte edhe i vëllai i tij, që kishte mbaruar Universitet në Itali, Xhemil (Çela,profesor i kontabilitetit në Universitet Tiranë deri sa vdiq.)
Unë: -Duhet një libër për Muço Sherifin.
Skënderi: -Edhe ato që thuhen libra janë. Po edhe libra ku mburren shumë unë nuk i dua. E bëjnë një luftë sikur qe njëqind vjet. Luftoi si ai me armë në dorë në Janinë 1913, në Bezhan, që edhe u qënka kënduar:
Mbi kokë gjylet na vinë,
O Bezhan përmbi Janinë.
Nga Gjormi atje janë vrarë 11 vetë, thotë historiku 1982, 1990, i Gjormit. Më 1912, me shpalljen e pavarësisë ishte në Vlorë. Erdhën edhe ata sazexhinjtë nga Amerika ( orkestrën frymore, unë).- Rofsh! Më 1914 shkoi në Vlorë prap me kalë e priti Vidin.(Erdhi Princi se ngriti xhandarmërinë,).- Në Luftën e Vlorës Gjormi ka bërë çudira,- vazhdon ai… çliroi Gjormin më 6 qershor 1920, zuri robër e i shpuri në Vajzë, luftoi në Llogora kundër karabinierëve italianë, u vra Begë Veliu, u vra lepenicioti Sheme Jazo, një i dukatit, u plagosën shtatë a tetë të gjormëve,Mustafa Sulçe me shokë e u këndua edhe kënga:
Aferim o Mustafa,/ Mustafa Kuqja i shkretë/ More plagë të mëdha,/ Një në këmbë e një në krah.
Shkuan në Bestrovë dhe u vra Hasan Katrani, Hasani që vrau italianin me gur ( unë, u përplas guri me bombë/ Plasi e vrau të zonë)-u këndua kënga:
Ku e ka varrin Hasani?
Në Bestrovë te dyqani.
E di ti që Gjormi kishte dy grupe në atë luftë? Vajti grupi i parë Llogora, vajti tjetri me 50 burra, mbahen gjormit po u nisën, more?! E bukur ishte me një Italian, ishte kalabrez, shqiptar, hapi një kurs italisht në Gjorm te Kumanda më 1918. Babai e ftoi në shtëpi dhe i tha që bukë do hash në sofër me njerëzit e shtëpisë se je gjaku ynë. Si e ke emrin, e kishte pyetur babai? Rrafaelo. Po pse s’ke një emër shqiptar ti dreq, por Rrah e Rri.
Unë: –Po gjatë luftës Çlirimtare, Muço?
Skënderi: –Ka më përpara, 1914 në Tatzat kundër grekut, komandant batalioni Sali Vranishti me emër, gjormit në flakë, Hysen Beqo, u këndua për të.
Unë: Është shkruar edhe një libër me kujtime Sali Vranishti, kujton Hysen Beqo gjormin. -Më pas, gjatë luftës çlirimtare?
Ai: -A! Edhe më shumë bëri. Në shtëpinë tonë ishte shtabi, armatimi. Në një libër të tij, kujtime, Hysni Kapo shkruan: “Jam në shtëpinë e M.Sh”. Im atë aty me pushkë e me mëndje.
Unë: -Zunë rob te ura një major italian në pritën që u bë më ’42 dhe një kapiten shqiptar Karafil Aliu. I shpunë në mal, por nuk i vranë. E rrallë, luftë dhe të mos vrasësh. Por edhe italiani nuk vrau. I morën Italisë makinat, dy copë, njërën e ngau Lame Seferaj dhe tjetrën Fejzo Tafili. Shkruajnë, ishin shofera të dy dhe i fshehën në Fshikur, i futën në përrua dhe i mbuluan me rrap.
Skënderi: –Bravo, i ditke mirë. E di ti që Pal Terova para se të vritej ka ndenjur në shtëpinë tonë, desh të vrisnin edhe Sadik Premten, por Tanush Shyti e Abaz Fejzo e shpëtuan.
Unë: –Njeriu ka dy prejardhje, nga gjaku e nga qumështi…
Skënderi: –Lere, e di ku do të dalësh. Dajon e pata dëshmor, Hamdi Rrapin, u pushkatua nga gjermani në Prishtinë në tetor 1944. Jam krenar për ta. Por nevojën e bujën, në të tyren e tonën nga babai, nuk e kam ndjerë. Rrugën e kam bërë me këmbët e mia, me time shoqe, bëra fëmijë, kam nipër e mbesa, kam pushtuar Evropën. Jetën e kam përballuar me punë. Në shkollë kam qenë nxënës shumë i mirë, por i biri i Muços. Ma mbyllën të ardhmen. Por me sakrificë bëra të mesmen. Kur u prish sistemi, kisha në bankë lekë më shumë se kush tjetër…E besoni? Unë me gruan vetëm. Por më gjeti si njërin në fshat, që kur ndërroi leku nga ’60-a, ai nuk i theu, kur u kujtua ai kish kaluar afati dhe i mbenë teneqetë plotë e vuri kujën. Kur u ndërrua leku në demokraci, ra vlera.
Unë: –Muço ishte i datëlindjes 1885 dhe kishte vdekur në burg më 1948.
Skënderi: –Po. E burgosën se ai nuk e ndërroi pikpamjen, qëndroi me Sadik Premte, me Nekiun, me Xhaferin. Shumë u kthyen, ai jo.E di i gjithë Gjormi që Mehmetin e kishte mik, por u prish për Kutën që plagosën Nekiun. Si duket foli më pas me Mehmetin. Hysniu nuk kish ç’bën, por dhe ndonjë ndihmë ne fëmijëve të Muços mund të na i kishte dhënë. Im atë përfundoi në burg. Ai u tha grave: njëra magjen e tjetra parmëndën, se unë nuk dal i gjallë nga burgu.
Unë: –The se ishte vjershëtor. Unë këtë e di, nga Bardhosh Gaçe, te libri “Këngë polifonike të Lumit të Vlorës”, nja dy fletë.
Ai: –E kam dëgjuar, thonë e ka shkruar bukur… Muçua ishte këngërrek i madh. Krijonte këngë aty për aty. Gjormi ka patur shumë që vinin këngë si Qazim Sefedini, xha Halua, Shezaiu.Gjormit kanë kënduar bukur, shtruar. Kur hidhnin vallen tundej dyshemeja. Ikën ato, këngët e burrave i këndon vetëm një e kërcen si grua, tani bëjnë ciu, ciu, më vjen inat. Ja, edhe grupi pilifonik i fshatit tonë, këndon bukur, Jenua, ia thotë… Mua më la të vogël, Memetin, vëllain, më të vogël. Kohë që shkuan. Por edhe mbi kurrizin tonë.
Dhe unë: Te libri Këngë polifonike Lumi i Vlorës,faqe 86-87,. B.Gaçe, pashë edhe disa këngë të vëna nga Muço Sherifi:
Smail Qemali o lule,/ Bëre punë e s’u përule,/ Shqipërinë me rrënjë e ngule…