Sigal

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

Ai e shikon gjithçka nga ana profesionale. Për të një ngjarje është e tillë dhe një lajm po ashtu. Të vetmes gjë që ai i përkushtohej ishte kapja e çastit dhe hedhja sa më e kujdesshme në celulozë. Ndjenjat personale nuk kishin vend në një punë të tillë.

Kështu ka ndodhur edhe në 20 shkurt të vitit 1991. Emri i ish- udhëheqësit komunist nuk përbënte më “kult” dhe monumenti i tij në qendër të kryeqytetit ishte në prag të rrëzimit. Ashtu si disa qindra mijë qytetarë të tjerë të Tiranës edhe Ilia Terpini atë të mërkurë shkurti ishte nisur për të parë zhvillimet e nxehta në Qytetin Studenti, ku një mbi 700 studentë ishin ngujuar, me motivin e vetëm që Universitetit të Tiranës, t’i hiqej emri “Enver Hoxha”.

Ju ishit me detyrë atë ditë?

Jo, nuk kisha marrë asnjë urdhër për të filmuar. Kur pashë se situata u nxeh shumë, mendova se çaste të tilla duhej të mbesnin në një film. Vendosa të shkoja në Kinostudio, mirëpo të shkoja e të vija duhej shumë kohë. Në turmë pashë dhe një djalë me një motorçikletë. I thashë të më ndihmonte e të më çonte në Kinostudio për të marrë kameran. Ai u tregua i gatshëm dhe kështu për një kohë rekord unë u ndodha sërish në qytetin e studentit.

Ç’po ndodhte në kohën kur mbërritët ju?

Në atë kohë turma kishte filluar të lëvizte poshtë për nga Rruga e Elbasanit. Me shpejtësi u futa në godinën e Liceut Artistik dhe filmova nga lart. Një nga mësuesit, ndoshta dhe Drejtori i kësaj shkolle më bëri fjalë, por dhe unë iu ktheva me të egër, të më linte të qetë të bëja punën time.

Si arritët të filmonit mes asaj turme njerëzish?

Në shesh xhiroja unë dhe një operator i TVSH-së, Fatmir Çepani, i cili kishte qenë duke regjistruar një aktivitet në një nga sallat e Pallatit të Kulturës. Mua më mbante mbi supe një burrë i panjohur, por që pranoi me kënaqësi që unë të filmoja mbi qafën e tij. Kur e pyeta në ishte lodhur ma ktheu: “Mos u shqetëso, unë kam bërë 15 vite burg e nuk pyes të të mbaj ty në qafë”. Unë filmova në shesh dhe në Qytetin Studenti, ku monumenti i Enver Hoxhës u çua në dy pjesë koka dhe trupi. Filmova gjithsej 300 metra.

Ku ndodhet tani ky film?

Atë e mbajta tre muaj në kabinën time në Kinostudio dhe në fund e dorëzova në laborator, megjithëse disa njerëz m’i afruan për ta blerë. Nxora disa foto dhe ua lashë porosi shokëve të laboratorit të më bënin një kopje. Por kjo punë mbeti pas dore dhe unë nuk e kam më filmin tim. Më pas ky film është marrë dhe është shitur për llogari personale nëpër televizonet e Evropës.

RAMIZ ALIA

“I shikonte lajmet me grupin e xhirimit”

Kujton se ka filmuar me kameran e tij të kinostudios, të gjitha takimet e një turneu të gjatë që ka bërë Ramiz Alia. “Ishte koha kur Enver Hoxha ishte rënduar në sëmundjen e tij, ndërsa Ramiz Aliaj po lançohej si pasardhësi i tij i sigurt”, kujton Ilia Terpini. Ai thotë se Ramiz Alia, në krahasim me dy figurat e tjera të Partisë së Punës, atë të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, ishte tepër i butë dhe mjaft komunikues. “Mund t’i drejtoheshe pa ndroje dhe të flisje më të për gjithçka, t’i shprehje ndonjë mendim, apo  t’i kërkoje ndonjë favor. Ai të dëgjonte me vëmendje dhe të kuptonte. Por nuk ishte imponues dhe nuk kishte as hipnotizimin e Enver Hoxhës dhe as guximin e Mehmet Shehut”. Kështu e përshkruan Ilia Terpini natyrën e njeriut që Enver Hoxha kishte zgjedhur ta zëvendësonte. Për shkak se ishte marrë për një kohë të gjatë me propagandën, Ramiz Alia e njihte mirë strukturën e kinostudios, punën e kineastëve dhe forcën e pamjes vizive nëpërmjet ekranit. Për këtë arsye ai i kushtonte një vëmendje të veçantë grupit të xhirimit që filmonte aktivitetet e tij dhe nuk i linte kurrë pas dore. Gjatë turneut, Ramiz Alia shfaqi vetëm një fiksim të egoizmit të tij. “Kërkonte që çdo mbrëmje, teksa jepej “Revista Televizive” e orës 20:00, ai të shihte kronikat e përgatitura për të me grupin realizues. Ishte njohës i mirë i planeve dhe, herë pas here, na vinte në dukje ndonjë të metë, ose na lavdëronte për punën që kishim bërë. Por raporti i vërejtjeve dhe i lavdërimeve gjithmonë peshonte nga puna e mirë”, thotë Ilia Terpini. Gjatë kohës që Ramiz Alia drejtoi shtetin, Ilia Terpinit i është dashur të filmojë edhe shumë nga aktivitetet e tjera, pritje diplomatike apo takime zyrtare. Nga ato që i kanë mbetur në kujtesë, janë takimet e Ramiz Alisë me heroin grek, (siç e cilëson ai) Manolis Glezios, në kuadrin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por kujton dhe vizitën e dytë të Shtrausit në Shqipëri dhe të mosaprovimit nga Ramiz Alia të planeve të tij ambicioze për ta bërë Shqipërinë “e vogël” një Zvicër të dytë.

Dokumentari

Jeta e Hoxhës në celuloid

Pas vdekjes së Enver Hoxhës janë realizuar shumë dokumentarë dhe një ndër të e ka xhiruar dhe “Artisti i Merituar”, Ilia Terpini. Duke folur për realizimin e sekuencave të këtij dokumentari ai thotë: “Unë bëra dokumentarin “Korça dhe Enver Hoxha”, me regjisorin Viktor Gjika. Ka pasur skena shumë të forta. Kishte njerëz shumë nostalgjikë që iu binte të fikët kur kalonte arkivoli. Kur u shfaq në kinema, shumë njerëzve iu ra të fikët dhe u ndalua si film se kishte më shumë emocion sesa duhej. Mendonin se po të vdiste ai, Shqipëria do të mbaronte. Ishte bërë një propagandë shumë e madhe”.

(Vijon nesër)