Greqia kundër pranimit të Shqipërisë në OKB

1941
Albert Zholi
Vijon nga numri i kaluar
Ministri grek: Të rrëzohet Hoxha, Uashington, 9 korrik 1945
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Andreas Sofianopulos, do ta shtronte çështjen e Vorio Epirit edhe në takimin që pati me Sekretarin e Shtetit në SHBA, Grew, në vitin 1946. Veç kësaj përfaqësuesi i qeverisë greke edhe këtë herë gjatë bisedës për synimet territoriale të shtetit të tij, nuk harroi të paraqesë edhe kërkesën për mosnjohjen nga SHBA-ja të regjimit të Hoxhës, pasi sipas tij udhëheqësi komunist shqiptar nuk përfaqësonte shumicën e popullit.

Greqia kërkon kufijtë, Paris 1946
Përveç incidenteve, Greqia në përfundim të Luftës së Dytë Botërore u përpoq ta shtronte çështjen e Vorio Epirit dhe në qarqet diplomatike. Duke shpresuar në ndihmën e SHBA-së e anglezëve, diplomatët grekë u përpoqën ta ngrinin dhe shtronin për diskutim këtë çështje. Ndërkohë që ndërkombëtarët nuk kishin kohë të merreshin me ndarje te reja në Ballkan, duke u përqendruar më shumë në zgjerimin që po bënin shtetet komuniste në Evropë. Ndërkohë Greqia u kërkoi ndërkombëtarëve marrjen e masave për ndërhyrjet, që sipas saj, po bënte Shqipëria në punët e brendshme të Athinës.

Greqia kundër pranimit të Shqipërisë në OKB, 12 shkurt 1946
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kërkoi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara anëtarësimin si anëtare me të drejta të plota. Përveç mbështetjes që qeveria jonë kishte nga shtetet komuniste dhe linjës jo të qartë në diplomaci, edhe faktori grek luajti kartën kundër hyrjes së Shqipërisë. Në 12 shkurt ministri i Jashtëm grek dërgon një letër në OKB, ku argumentonte se çështja e Shqipërisë nuk duhet të diskutohet, pasi Greqia është ende në gjendje lufte me të dhe Shqipëria nuk ka plotësuar të drejtat e minoritetit.

Sulmi në Radat, gusht 1946
Në 1946-n nisin dhe planet ushtarake të Greqisë për pushtimin e Vorio Epirit. Një nga sulmet më të rënda gjatë këtij viti ishte ai i 200 ushtarëve, të cilët kaluan kufirin shqiptar dhe hynë në fshatin Radat. Sulmi u bë me mitraloza dhe murtaja, ku ngelën të vrarë shumë civilë. Kjo ishte seria e një sërë sulmesh që forcat greke kishin planifikuar në gjithë shtrirjen e territorit greko-shqiptar. Në ato kohë ushtria shqiptare nuk ishte organizuar në nivelet e duhura.

Greqia, nuk njeh luftën shqiptare, 1946
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore kanë qenë mjaft të tensionuara. Shteti grek i cilësonte shqiptarët si njerëzit që bashkëpunonin me Italinë në luftën italo-greke. Ndërkohë që shqiptarët u përpoqën të çliroheshin vetë nga Italia. Po ashtu nuk ishin dakord që Shqipëria të renditej në koalicionin fitues të Luftës së Dytë Botërore dhe e kërkuan këtë publikisht.

Propaganda e zyrtarëve grekë, 20 shkurt 1948
Veç sulmeve sporadike qarqet greke u përpoqën që të përgatisnin edhe opinionin e lëkundur për çështjen e Vorio Epirit. Një zyrtar grek deklaronte në 1948-n, në radion e Athinës se, “Tani duhet të mbarojmë punë me Shqipërinë. Greqia tani duhet të luftojë me të gjitha mjetet, gjer në frymën e fundit. Sinjali u dha tani në Epir, ku ushtarët tanë janë duke luftuar me parullat, Morava, Korça, Delvina, Saranda, Gjirokastra të “Vorio-Epirit” ende të paçliruara. Duhet të mbarojmë hesapet me Shqipërinë”.

Propaganda për pushtimin e Shqipërisë, 1949
Lufta civile në Greqi solli jo pak probleme dhe për Shqipërinë. Qeveria greke akuzonte shtetin shqiptar se po ndihmonte partizanët kundër ushtrisë demokratike greke. Gjatë kësaj kohe janë hedhur parulla, libra e broshura të ndryshme që bënin thirrje kundër qeverisë shqiptare. Robërit grekë pranojnë se komandantët bënin propagandë anti-shqiptare, duke përmendur Vorio Epirin dhe krijonin mes radhëve të ushtarëve psikozën e një sulmi të shpejtë kundër territorit shqiptar. Ushtria shqiptare shtoi forcat e saj në kufirin greko-shqiptar.

Robërit grekë në Shqipëri, 1949
Një skuadër e ushtrisë greke hyri në territorin shqiptar. Forcat shqiptare pas një shkëmbimi zjarri arritën të kapin rob disa ushtarë dhe oficerin grek Skuros Dhimitris, i cili kishte hyrë 300 metra në territorin tonë. Oficeri grek dha informacionin për planet e Greqisë. Ai tregoi se kishte marrë urdhra për të goditur me armë kundër rojeve shqiptare. Ai pranoi se ushtria greke duhet të jetë gati për të hyrë në tokat shqiptare për të shfarosur komunistët dhe më pas të merrej Vorio Epiri.

7 orë luftë në Vidohovë-Devoll, 2 gusht 1949
Artileria greke qëllon me armën në tokat shqiptare dhe predhat bien 300-500 metra në tokën tonë. Forcat greke nisin dhe një sulm ajror duke angazhuar 3 batalione. Në postën shqiptare ishte vetëm një skuadër e armatosur me automatikë dhe mitraloza. Forcat greke vranë ushtarët Tafil Ferhati, Memo Nexhipi, Ferid Bregasi, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani dhe u plagosën 6 të tjerë. Vetëm pasditen e 2 gushtit ushtria shqiptare arriti të zmbrapsë atë greke, e cila kish hyrë në territorin tonë. Nga ana e grekëve u vranë 100 ushtarë dhe u kapën rob 3.

Kërcënimi i gjeneralit grek, Aleksandër Papagos, 3 gusht 1949
Qëllimet greke për Vorio Epirin nuk ishin vetëm fantazi e qarqeve të veçanta, por edhe e zyrtarëve të lartë të cilët jepnin vazhdimisht deklarata anti-shqiptare. Ish-ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Papagos, deklaroi në Athinë se pas shkatërrimit të Andarteve, ”Pastaj do t’i biem Shqipërisë”. Kjo ishte dhe deklarata më e rëndë e lëshuar nga një gjeneral lufte, së cilës qeveria shqiptare iu përgjigj me një notë proteste.

Incidenti i Leskovikut, 4 gusht 1949
Pas Vidohovës, ushtria greke i shtriu sulmet në pjesët e tjera të kufirit. Sulme sporadike u regjistruan në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut, në afërsi të piramidave Nr. 11, 12, 13 dhe 14. Grekët të mbështetur nga artileria dhe aviacioni, me forca të shumta sulmuan kuotat 1425 dhe 309. Kundërsulmet e forcave kufitare shqiptare i zmbrapsën grekët. Në këtë kohë ushtria greke filloi përdorimin e predhave të kalibër të lartë, të cilat lëshoheshin nga pikë larg kufirit, si dhe përdori avionët gjuajtës.

Bombardimi i Menkulasit, 5 gusht 1949
Vetëm gjatë dy ditëve, në gushtin e 1949-s ushtria greke ka hedhur më shumë sesa 1500 predha artilerie. Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare thuhej se një pjesë e mirë e këtij municioni ka rënë në fshatin Menkulas (Devoll). I ndodhur në këto kushte, shteti shqiptar mori vendimin për mobilizimin e ushtrisë në gjithë kufirin jugor. Masat e marra për këtë mbrojtje në një urdhër të lëshuar nga Enver Hoxha “Mbi moslejimin e kalimit të forcave monarko-fashiste në tokën Shqiptare”.

Beteja e Vidohovës, 7 gusht 1949
Vidohova u shndërrua në një arenë të përplasjes shqiptaro-greke. Në piramidën I-55 trupat ushtarake greke kishin mundur të mblidheshin në territorin shqiptar dhe zhvilluan një betejë të ashpër me ato shqiptare, të përbëra nga një togë dhe një nënrepart i ushtrisë popullore. Ishte një betejë frontale ku forcat greke kishin zënë pikat kyçe. Brenda një dite forcat shqiptare arritën të merrnin pikat e zëna në kufirin shqiptar, po nuk mundën t’i mbanin dot deri në mbrëmje. Vetëm një ditë më vonë forcat shqiptare arritën të largonin togën greke.

Rrëzimi i avionit grek, gusht 1949
Përveç forcave tokësore, ushtria greke përdori dhe aviacionin. Një aeroplan ngrihej nga Korfuzi, duke depërtuar në zonën shqiptare për të bërë zbulim. Me gjithë mungesën e armëve kundërajrore, ushtria shqiptare arriti që me anë të një trekëndëshi me armë të lehta të vendosura në Çukë, Manastir, Ksamil ta detyronte të largohej atë. Në njoftimin Ministrisë së Mbrojtjes së asaj kohe raportohet se aeroplani u rrëzua në fushën e Finiqit dhe piloti u kap rob.
Nesër do të lexoni :
Sulmi grek i 12 gushtit 1949
Vrasja e komisarit Nasi Remaçka
Tanket greke në kufirin shqiptar
Përplasja Tiranë-Athinë për Ligjin e Luftës
Berisha dhe incidenti i Bostonit
Sigal