Gëzim Zilja: Masakra e Manastirit sipas një dokumenti të kohës

72
Sigal

Në mesditën e 9 gushtit të vitit 1830, në një kohë të shkurtër u vranë me pabesi rreth 500 fisnikë feudalë së bashku me trimat e tyre, në vendin e quajtur Dovlexhik në afërsi të urës që lidh rrugën e vjetër të Manastirit me rrugën e re, që vjen nga Përlepi. Lëndina u skuq me gjak të pastër fisnikësh shqiptarë ashtu si qindra vjet me rradhë toka shqiptare nën sundimin turk. Ajo që të bën përshtypje veç egërsisë dhe pabesisë turke është sesi arrinte të ripërtërihej, e të nxirrte parreshtur komandantë e luftëtarë kjo rracë e pamposhtur shqiptare. Masakra e Mananstirit me shfarosjen e një numri të madh kapedanësh të shquar shqiptarë ndikoi në vonesën e themelimit të një Shqipërie të pavarur shumë më herët se viti 1912. Luftërat e shqiptarëve do të vazhdonin e do të merrnin hov me kryengritjet e famshme gjatë viteve 1833-1847 të drejtuara nga Tafil Buzi, Zylyftar Poda, Balil Nezha, Abdyl Bej Koka, Shahin Delvina, Çelo Picari, Zenel Gjonleka, Rrapo Hekali, Hodo Aliu, Cane Miftari, etj, e do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit e Shpalljen e Pavarësisë. AMI BOUE’ (1794-1881) anëtar i pothuaj gjithë akademive europiane të kohës, njihet si studiues, i historisë, zakoneve e traditave të popujve ballkanas dhe më gjerë.

Më 1836, gjashtë vjet pas Masakrës së Manastirit ndodhet duke udhëtuar nëpër Shqipëri. Midis shumë të dhënave historike, gjeografike, gjeologjike zakoneve, mënyrës së organizimit të shqiptarëve nën Turqinë etj, ai shkruan edhe për Masakrën e Manstirit. Këto shënime i boton në Paris më 1840, në librin “Shqipëria, në Turqinë europiane,” shtypur në 2011 në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Plejad.” Në librin e mësipërm (faqe 64) ai shkruan për Masakrën e Manastirit: “… Bejlerët e përkëdhelur nga bashkatdhetarët si dhe nga Veziri i Madh, i tërhoqën shqiptarët në Manastir me preteksin e një feste ushtarake. Të shoqëruar nga 500 luftëtarë ata u pritën dhe u trajtuan në mënyrë të shkëlqyer; por ditën e festës ata i gjetën trupat ushtarake të rradhitura në kuadrat, ku aty nuk gjendej askush për t’i pritur.

Asllan (Asllan Kuca) Beu e kuptoi menjëherë se ishin të humbur dhe thirri: “ Kaq e patëm” Këtyre fjalëve Veli (Veliko Jaçe) Beu iu përgjegj: “Kjo është mënyra e rregullt për të përshëndetur, ti mund t’ia mbathësh veçse për turpin tënd dhe timin.” Megjithatë Asllan Beu e shkëmbeu vendin me Veli Beun, para se të hynte në kuadrat. Sapo arritën sinjali për të hapur zjarr u dha, dhe nga kthina e Vezirit dhe kuadratet e ushtarëve shpërtheu një breshëri armësh i pasuar nga një sulm me bajoneta.Të gjithë u vranë me përjashtim të Asllan Beut, i cili mund të shpëtonte, por e ndoqi dhe e kapi në një farë largësie nga Manastiri Chior (Qorr) Ibrahim Pasha, i cili e vrau. Kështu përfundoi në vitin 1930, në një mënyrë mizore ajka e fisnikëve shqiptarë…”

Disa përcaktime nga Ami Boue’ për shqiptarët

1.“Shqiptarët janë ndoshta raca më e bukur e Turqisë evropiane. Banorët e Shqipërisë, dhe më tepër akoma të Shqipërisë së Sipërme, kanë profilin si atë të ushtarëve romakë, që duken mbi disa harqe triumfi të perandorëve të parë. Mbase shqiptarët gjendeshin dhe midis luftëtarëve të Aleksandrit të Madh, të Pirros, të Teutës, të Gencit dhe të perandorëve romakë, sidomos të Dioklecianit, bashkëkombësi i tyre; se këta, zvicerianë të Orientit, kanë qenë kurdoherë gati të shërbejnë për të marrë të holla. Bota i përfytyron kurdoherë si ushtarë të dhënë fort shumë pas plaçkës dhe të këqinj, gjë që s’duket të jetë fare e vërtetë, si e rrëfen shëmbulla e bukur e mirditëve, të cilët më 1810 i refuzuan Ali Pashës të masakrojnë si kasapë kardhiqotët e mbyllur në një shtëpi me mur.

  1. “Shqiptari e përbuz turkun, sepse veten e tij e shikon më të lart, më të mençëm, më të zgjuar…”
  2. “Në fund edhe s’do harruar, se shqiptari është kurdoherë gati të marrë fenë e atij që e sundon dhe, sidomos në Epir, shumë veta mund të bëhen të krishterë, por, sipas idesë fikse të malësorëve dhe të mirditëve, (mirditorëve. Shën, im) është pothuaj e sigurt që këta s’do t’i shtrohen kishës ortodokse”

*Asllan Beu me Veli bejnë

në Mecov’ e bën benë.

Në Manastir do të vemë

të kërkojmë ylyfenë!

Po s’na e dhanë me të mirë

do të djegëm Manastirë!

*

O Asllan, o Veli,

ç’ju qan nëna në shtëpi.

Oh të zestë djemt e mi

ç’ju erth kuka në sini