Flora, historia tragjike e bashkëshortes së Dr.Ymer Dishnicës

2150
Sigal

IN MEMORIAM – Gjystina (Flora) Sata –Dishnica, kontributi  në luftë i një gruaje në “hije”

Nga Kolonel Myfit Guxholli – Kolonel në pension & Kryetar i OBVL-së

Av.Halil RAMA – Mjeshtër i Madh & Sekretar i Përgjithshëm i OBVL-së

Ajo mbeti dhe kujtohet gjithmonë me emrin  “Flora”,  ish – emri (Pseudonimi) i saj në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare.

Quhej Gjystina Sata, Bijë e një familje qytetare shkodrane, me ndjenja të thella patriotike dhe me besim katolik. Kishte lindur në atë zonë, që në Shkodër quhej “Arra e Madhe”. Librat që në fëmijëri,  ishin dashuria e saj e madhe. Pasionin për romanet, ajo e ruajti gjithë jetën, deri në moshën 90 – vjeçare.

Gjystina (Flora) Sata –Dishnica  (1924 -2020), e rritur me edukatën e fortë katolike të familjes dhe shkollës së  murgeshave, ishte ndër vajzat e para, që theu  këtë traditë të trashëguar ndër breza dhe me dhimbje, u largua nga familja, që në moshën 16 – vjeçare, për t’ju bashkuar idealeve të lirisë së atdheut.

Shtysën e parë për përfshirjen e saj në lëvizjen e  grupeve komuniste ia dha Qemal Stafa, i cili mbeti për të, personifikimi i njeriut më të pastër dhe më idealist, nga të gjithë sa ajo njohu në luftë.  Në vdekjen e tij, ndonëse vetëm qindra metra larg, ajo ishte prezente. E qau dhimbshëm, po atë  ditë-natë,  në birucën ku e futen dhe e torturuan,  menjëherë pasi i vunë prangat  atje,  në fushën e mbjellë me grurë, ku Ata po vraponin për t’ju ikur karabinierëve dhe  ku shoku i saj i luftës dha shpirt. Per vdekjen e tij të komentuar, ajo ka dhënë vite më parë, intervistën e saj në  TVsh,  duke kujtuar me vërtetësi, çdo detaj të kësaj ngjarjeje.

Ndër  katër vite lufte për çlirimin e atdheut,  ajo qëndroi e  burgosur rreth dy vite, në periudha të ndryshme, në dy burgje, në Korçë dhe Tiranë, nga të cilat edhe u arratis.

Kontributi i saj në luftë, që nga fillimet e deri në fund, ka qenë  i veçantë, ashtu pa bujë e krisma, për vetë pozicionet që ajo ka pasur.

Gjystina (Flora) Sata –Dishnica  banoi dhe punoi, pikërisht në shtëpinë ku ishte Arshiva sekrete e grupeve komuniste, shtypshkronja dhe  një arsenal armësh.

Burgun e parë, e përjetoi në Tiranë, ku e kapën dhe e torturuan, menjëhere pas vrasjes së Qemalit. Pas arratisjes nga ky burg ajo doli në ilegalitet, duke përdorur pashaportën me emrin Flora Panariti. Më pas qëndroi në qytetin e Korçës, duke vazhduar aktivitetin ilegal.

Në Korçë u arrestua përsëri dhe përjetoi burgun e dytë. Megjithëse nuk kish mbushur akoma 18 vjeç, duke mohuar identitetin e saj dhe duke insistuar që quhej Flora Panariti dhe jo Gjystina Sata, duroi torturën e urise dhe etjes, si dhe  torturat  fizike, pa nxjerrë asnjë emër të shokëve apo dokumentave që i kërkoheshin. U dënua me vdekje, në kohën kur akoma vendi ishte i pushtuar nga fashistët italianë, por një urdhër i Duçes, që ndalonte ekzekutimet nën moshën 18 vjeë, e shpëtoi. U arratis nga ky burg pas afro një viti, duke u hedhur me litar nga kati i tretë i godinës.

Në Helmës vazhdoi punën, në shifrën sekrete të Shtabit të Përgjithshëm, ku u njoh edhe me shokun e saj të jetës, Dr. Ymer Dishnicën.

Në  vitin 1944, në prag të çlirimit, ata martohen, ashtu me “rrobat e luftes”, duke pasur bindjen që  luftuan për të mirën e vendit të tyre. As mund ta mendonin, që do të përjetonin për dekada persekutimin dhe të cilësoheshin me termin “Armiq te popullit”, pikërisht ata dy luftëtarë idealistë,  të orëve të para.

Jeta e tyre, pas çlirimit ka kaluar nëpërmjet një sërë tallazesh, në të cilat, kjo grua, jo vetëm nuk iu nda për asnjë çast bashkëshortit dhe shokut të saj të luftës, por në periudha të veçanta, u përball me trimërinë që e karakterizonte edhe me persona shumë famëkeq të diktaturës.

Ne vitin 1950, internohen në qytetin e Beratit, ku jetuan për rreth 44 vite. Ky qytet i vogël, i trajtoi me dashamirësi dhe respekt.

Gjithsesi, tallazet shoqëroheshin edhe me periudha të qeta. Të dy si çift, me shpirtëgjerësinë, kulturën, humorin që i karakterizone, shumë të kujdesshëm,  edhe në atë liri aq të cunguar dhe të kontrolluar frikshëm nga diktatura, gjenin mundësinë të hapnin dyert  e shtëpisë së tyre,  për një rreth të gjerë shoqëror.

Një familje e konsoliduar, me tre fëmijë  të respektuar, gjithashtu, prej të gjithëve, Perin, Kozetën dhe Tatjanën. Të dy këta prindër,  të zhgënjyer nga idealet e tyre të fillimit, u përballën me shumë peripeci, për të edukuar si duhet fëmijet dhe për të mbrojtur familjen e tyre.

U rikthyen në Tiranë pas 44 vitesh, duke përjetuar më në fund, ditët e demokracisë. Ata bënë një jetë bashkëshortore, me një mirëkuptim dhe dashuri të tillë, që shumekush mund ta kish zili.

Gjystina (Flora) e mbështeti fuqimisht dr.Dishnicën në organizimin e drejtimin e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVL), nga krijimi i saj më 1994 e deri sa ndrroi jetë më 22.9.1998.

Ajo, si dhe fëmijët e saj ndjenë gëzim të veçantë kur Dr.Ymer Dishnica u dekorua nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me Titullin “Nderi i Kombit”, më 28 Nënor 2014.

Gjystina (Flora) ndrroi jetë, nga pleqëria, pa asnjë sëmundje,  pikërisht në ditën e saj të lindjes, në moshën 96 – vjeçare, (më 7 nëntor 2020) pasi kishte kaluar një pleqëri të bardhë, nën kujdesin e tre fëmijëve të saj.

Ajo do të mbetet simbol i  një nëne të perkushtuar, bashkeshortes besnike dhe i një “luftëtareje në hije”.

Gjystina Sata ( Dishnica) për kontributin e saj në luftë, u vlerësua, nga Këshilli i Ministrave,  në vitin 2004, me rastin e 60 vjetorit të çlirimit te atdheut,  me Medaljen “Për kontribut të shquar në çlirimin e atdheut”,  dhe më pas, me Medaljen e Mirënjohjes “Për kontribut të veçantë në luftë për mbrojtjen e vendit”, dhënë nga  Ministria e Mbrojtjes,.

Kalvari i jetës së saj, në luftë dhe në diktaturë, nuk mund të përmblidhet në faqen e një artikulli. Ai  meriton të shkruhet ne librin e jetës së saj.