Madhështia e Ushtrisë shqiptare

1683
Sigal

Ish-ushtaraku i lartë Gani Elezi: Deri në fund të vitit 1991, Forcat e Armatosur kishin 22 divizione këmbësorie, 240 avionë, 1200 mjete të blinduara, 4000 gryka zjarri dhe 20% të popullsisë në struktura

Deri në fund të vitit 1991 ushtria jonë ishte një Armatë e madhe me aftësi të konsiderueshme luftarake Dosier/ Flet Gani Elezi, ish-ushtarak i lartë:   Rast i pashembullt në historinë e vendit tonë, madje mund të thuhet, rast unikal në Europë, dhe më gjerë, në botë                                       

Deri në fund të vitit 1991, ushtria kishte 22 divizione këmbësorie, 240 avionë, 1200 mjete të blinduara dhe 4000 gryka zjarri

-20% e popullsisë aktive ishin në strukturat e ushtrisë

– Në strukturën e këtyre divizioneve ishin 74  brigada këmbësorie (BrK);19 brigada sulmuese (BrS);8 brigada të RSHA-së (BrRSHA); 6 brigada studentore

Armatim i rrallë

-11 brigada tankesh (BrT), me afro 1200 mjete të blinduara, kryesisht T-34 dhe T-59;

-13 brigada të artilerisë tokësore (BrAT),me më shumë se 4000 gryka zjarri;

– 1 regjiment i raketave tokë- ajër, me afro 240 raketa KA;

-5 regjimente të aviacionit reaktiv, 1 regjiment helikopterësh, me afro 240 mjete luftarake, 120 Mig 17,19, 21 dhe 36 helikopterë Mi-4,etj;

-Baza detare, 1 brigadë nëndetësesh, me afro 80 katera silurues, 4 gjuajtës detarë, 4 nëndetëse

Albert Z. ZHOLI

 

. Pa përmendur të dhëna të hollësishme do të evidentoj disa tregues të përgjithshëm dhe opinione personale që janë të mjaftueshme për të vërtetuar atë që thashë më lart, për aftësitë e saj ushtarake.

 

-Çfarë kishte në përbërje ushtria jonë deri në vitin 1991?

 

Në përbërjen e saj, ishin 22 divizione këmbësorie,1 divizion xhenioje, Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore,Komanda e Aviacionit, Komanda e Flotës Ushtarake Detare dhe institucione të ndryshme ushtarake. Në strukturën e këtyre divizioneve dhe komandave ishin të paktën 74  brigada këmbësorie (BrK);19 brigada sulmuese (BrS);8 brigada të RSHA-së (BrRSHA); 6 brigada studentore(Br St); 11 brigada tankesh (BrT),me afro 1200 mjete të blinduara,kryesisht T-34 dhe T-59; 13 brigada të artilerisë tokësore (BrAT),me më shumë se 4000 gryka zjarri; 6 regjimente të artilerisë kundër tanke (RAKT); 4 regjimente të artilerisë bregdetare (RABD), 23 regjimente të artilerisë kundërajrore (RAKA); 1 regjiment i raketave tokë- ajër, me afro 240 raketa KA; 5 regjimente të aviacionit reaktiv, 1 regjiment helikopterësh,me afro 240 mjete luftarake,120 Mig 17,19,21 dhe 36 helikopterë Mi-4,etj; 5 baza detare,1 brigadë nëndetësesh, me afro 80 katera silurues,4 gjuajtës detarë,4 nëndetëse; 3 brigada xheniere; 1 brigadë ndërlidhje; 1 regjiment i mbrojtjes kundër kimike;1 regjiment i zbulimit teknik të artilerisë; 1 regjiment i radiozbulimit; 5 baza furnizimi dhe shumë elementë të tjerë të formacionit luftarak të ushtrisë.

Sipas disa të dhënave të deklaruara pas vitit 1990,FA kishin në efektivin e tyre16500 oficerë, 9000 nënoficerë,60000 mijë ushtarë efektivë dhe 8000 punonjës civilë,që përfshiheshin në organikat e luftës. Plotësohej edhe me 450000 mijë rezervistë, 230000 vullnetarë të vetëmbrojtjes popullore. Duke llogaritur edhe strukturat e MCR, organikat e kohës së luftës të organeve të pushtetit dhe ekonomisë Shqipëria përgatiste ushtarakisht dhe mobilizonte në rast lufte afro 1 milion luftëtarë, çka përbënte një rast unikal dhe garanci të madhe për fitore në çdo konflikt ushtarak.

Në saje të një pune të madhe të bërë në dekada dhe të përvojës së fituar, në periudhën e fillimit të proceseve demokratike në vendin tonë, ushtria jonë zotëronte  kapacitete materiale e teknike, organizative,taktike dhe operativo-strategjike që, pa asnjë diskutim, ishin të krahasueshme me ushtritë e vendeve më të zhvilluara evropiane.

Cilat ishin këto kapacitete?

 

Së pari, ushtria jonë zotëronte resurse të shumta njerëzore. Shteti shqiptar në ndërtimin strukturor të ushtrisë dhe të kontingjenteve të tjera të mbrojtjes ishte mbështetur në dy parime shumë të rëndësishme, me ndikim të madh në përcaktimin e fatit të luftës, masivitetin në përfshirjen e kontingjenteve njerëzore në organikat e reparteve ushtarake dhe shumëllojshmërinë e domosdoshme të armëve dhe të shërbimeve të nevojshme për çdo ushtri.

Skema jonë e mobilizimit ushtarak i kapërcente kufijtë e skemave të pranuara, të cilat zakonisht përfshinin deri në 20% të popullsisë aktive në strukturat e ushtrisë. Ajo siguronte mobilizimin e të gjithë qytetarëve të aftë për të përdorur armët duke i organizuar ato, përveç se në radhët e ushtrisë, të forcave tokësore,të forcave detare,të forcave ajrore, por edhe në struktura të tjera ushtarake siç ishin Forcat Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore (FVVP),Rinia Shkollore e Armatosur (RSHA), Mbrojtja Civile e Republikës(MCR).

Po ashtu, në përputhje me kushtet e vendit tonë, me kushtet e terrenit tonë malor  dhe me karakteristikat e një lufte të mundshme kundër nesh, ushtria jonë kishte realizuar një strukturë mjaft efektive, përsa i përket llojeve të armëve dhe të shërbimeve të domosdoshme për një ushtri moderne. Në këtë kuadër rëndësi vendimtare i ishte dhënë organizimit dhe përgatitjes së forcave tokësore, të cilat më shumë se çdo faktor tjetër, do të vendosnin fatin e fitores në luftë. Kështu, ne kishim në përbërje të ushtrisë sonë njësi këmbësorie, njësi tankesh, njësi të forcave sulmuese, njësi të artilerisë tokësore dhe kundërajrore, për të organizuar një mbrojtje të qëndrueshme dhe tepër aktive si dhe për të ndërmarrë veprime luftarake mësymëse të çdo shkalle qoftë. Në përbërje  të ushtrisë sonë ne kishim edhe struktura të veçanta, siç ishin FVVP, RSHA,organikat e MCR-së, etj, për veprime luftarake në të gjithë dispozitivin luftarak, në front, në prapavijat e armikut por edhe në prapavijat tona. Veç kësaj ushtria jonë kishte të organizuara të gjitha llojet e shërbimeve të domosdoshme për një luftë moderne, si atë të ndërlidhjes, të zbulimit, të kimisë, të xhenios, të autotraktorëve, të prapavijës, të shëndetësisë, të topografisë, etj. Pra nga pikëpamja strukturore ushtria shqiptare ishte në kufijtë e kërkesave të kohës, ishte një ushtri me standarde cilësore bashkëkohore.

Së dyti, në fillim të viteve 90-të ushtria jonë, të gjitha strukturat e mbrojtjes zotëronin një nivel të kënaqshëm përsa i përket aftësive morale, teknike,taktike dhe fizike për të përballuar çdo situatë luftarake që mund të na paraqitej. Ky nivel i lartë aftësie ushtarake lidhej me efektet e punës  dhjetëra vjeçare të bërë nga komandat dhe shtabet e ushtrisë, për të përgatitur kontigjente sa më të afta për mbrojtjen e vendit. Nuk do të sjell shembuj për këtë çështje, sepse  këto janë të njohura edhe nga qytetarët e thjeshtë, por do të theksoj se parametrat  moral,  fizik, teknik dhe  taktik të ushtrisë sonë ishin të barazvlefshëm me ato të ushtrive të tjera moderne.

Së treti ushtria jonë kishte arritur të aplikonte një sistem krejt të veçantë për kompletimin dhe hapjen luftarake të njësive dhe reparteve të saj si dhe të strukturave të tjera të mbrojtjes, që garantonte zënien e pozicioneve, rajoneve e zonave të mbrojtjes në afate shumë minimale, për të bërë të pavlefshme të gjitha skemat e befasisë strategjike  të kundërshtarëve tanë. Kështu ushtria jonë aplikonte norma gatishmërie, që fillonin nga 30 minuta, për efektivat e reparteve të gatshme (aktive) të këmbësorisë, të tankeve, të artilerisë kundërajrore, të artilerisë tokësore; në 2-3 orë për efektivat rezerviste, të reparteve të vijës së parë, të çdo lloj arme dhe shërbimi; në 6 orë, për njësitë e skalionit të parë si Br K, Br S, BrAT, etj, dhe deri 12 orë, afat brenda të cilit kompletohej dhe vihej në gatishmëri gjithë ushtria, të gjithë strukturat e mbrojtjes, organet e pushtetit dhe të ekonomisë në terren, në shkallë vendi, apo në drejtimet e sulmuara, dhe sipas kërkesave të Planeve Luftarake të njësive dhe reparteve ushtarake.

Së katërti, ushtria jonë zotëronte një armatim dhe teknikë luftarake të pranueshme për kohën dhe mjaft efektive për kushtet e mbrojtjes sonë. Armatimi i lehtë i këmbësorisë, teknika e AT, e AKA, tanket dhe deri tek mjetet e aviacionit e të marinës luftarake detare ishin mjaft cilësore dhe me kapacitete  të mjaftueshme për të organizuar një mbrojtje efektive kundër çdo agresori  që do të na sulmonte. Në mënyrë të veçante ushtria jonë zotëronte një sasi të madhe të armatimit dhe të municioneve të këmbësorisë, gjë që garantonte  jo vetëm angazhimin e një sasie të madhe forcash të afta për luftë,por  edhe një luftë të gjatë në kohë.

Së pesti, pavarësisht nga tejkalimi në sasi,fakt për të cilin çdo ushtarak ka reflektimet e veta, ushtria jonë kishte në dispozicion një sistem të pashembullt fortifikimi. I shumëllojshëm për nga funksionet, me të dhëna taktike, në dendësi, në rreshtim dhe hapësirë, nga më të mirat, i shtrirë në të gjithë teatrin e veprimeve luftarake, në shkallë vendi, me fortësi për të përballuar efektet e të gjitha llojeve të armëve, fortifikimi ynë mund të konsiderohej si faktor që do të n`a vinte në pozita superiore mbi kundërshtarin  dhe do të na garantonte fitoren edhe në një luftë të pabarabartë për sa i takon raportit në forca dhe në mjete.

Së gjashti,ushtria jonë kishte një Planifikim Luftarak në shkallë strategjike, operative dhe taktike,i cili garantonte suksesin tonë në çdo situatë dhe në çdo emergjencë ushtarake. Çdo njësi,çdo repart,çdo nënrepart,madje çdo kuadër, çdo ushtar, çdo vullnetar dinte detyrën e tij luftarake. Madje e njihte këtë detyrë  në shumë variante,në shumë  alternativa. Ishte një Planifikim që rakordohej e përsosej vazhdimisht, në përputhje me situatat që krijoheshin ne rajon,veçanërisht te kundërshtarët tanë të mundshëm.

Së  shtati, ushtria jonë zotëronte, veç tjerash, një potencial të madh dhe të aftë komandimi dhe drejtimi, që nga Këshilli i mbrojtjes,i cili kishte atributet e komandës supreme të FA;aparati i MM, njësitë dhe repartet ushtarake dhe në të gjithë hallkat drejtuese të elementëve të mbrojtjes sonë. Shteti shqiptar kishte bërë një investim të madh për përgatitjen dhe kualifikimin e kuadrove të ushtrisë dhe të të gjithë sektorëve të tjerë të mbrojtjes. Është realitet se një  nga arritjet më të mëdha në ushtri, gjatë viteve të socializmit, ka qenë përgatitja e lartë, profesionale e kuadrit oficer, aktiv dhe rezervist, si në reparte dhe nënreparte por veçanërisht në komanda dhe shtabe të njësive,të cilët ishin përgjegjës për planëzimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake të çdo shkalle.

Së teti, por jo e fundit për nga rëndësia. Deri në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të ushtria jonë gëzonte një status të veçantë, gëzonte respektin dhe dashurinë më të madhe të popullit shqiptar. Çështja e mbrojtjes konsiderohej, nga çdo qytetar, si detyrë e “dorës së parë”. Ushtria në këtë kuadër shikohej dhe vlerësohej si garantuesja kryesore e mbrojtjes së atdheut, e lirisë dhe e pavarësisë së tij dhe i jepej një mbështetje e madhe morale dhe materiale, në realizimin e këtij misioni. Këtu nuk përjashtoj problemet që lindnin për çështje konkrete të përgatitjes për mbrojtje nga qytetarë apo institucione të veçanta,por do të theksoj atë që kur masa e madhe e popullit e kuptonte seriozitetin e situatës  angazhimi në realizimin e programit të  përgatitjes e të gatishmërisë për mbrojtje ishte në nivele mjaft të larta. Për këtë do të sjell dy shembuj, atë të vitit 1968 kur Traktati i Varshavës pushtoi Çekosllovakinë dhe vënia në gatishmëri  e njësive dhe reparteve të zonës veri-lindore të Shqipërisë, në shkurt të vitit 1990, për arsye të gjendjes së nderë të marrëdhënieve me Jugosllavinë. Në të dyja rastet efektivat ushtarake dhe popullsia e këtyre zonave kanë  demonstruar një gatishmëri të  lartë morale dhe  tregues shumë cilësorë në aktivitetin luftarak të tyre për të përballuar çdo rrezik.

-Ka ndonjë dallim tipik?

Veç sa sipër, masiviteti i mobilizimit ushtarak, shtrirja gjeografike e reparteve e nënreparteve, përbërja sociale dhe prejardhja e kuadrove të ushtrisë, stërvitjet e përbashkëta të strukturave të mbrojtjes kishin ndikuar dukshëm në rritjen e kohezionit shpirtëror të popullit tonë. Ushtria ishte një familje e madhe ku të gjithë ishin të barabartë, të gjithë përgatiteshin për të njëjtin qëllim, pa asnjë dallim në trajtimin material, shpirtëror e fizik. Shoqëria ushtarake dhe i gjithë aktiviteti i ushtrisë ishin bërë burim lidhjesh dhe miqësie mes qytetarëve nga të gjithë krahinat e atdheut, ishin bërë faktorë të veçantë në forcimin e unitetit tonë kombëtar. Ushtria Popullore ishte krenaria e popullit tonë.

Ka edhe të tjera kapacitete që zotëronte ushtria jonë, për të cilët mund të flitet gjatë, por unë u ndala vetëm tek kapacitetet më të përgjithshme që duhet të karakterizojnë një ushtri të fortë. Specialistët ushtarakë, kuadrot e sektorit operativ, të organizimit, veçanërisht ato të llojeve të armëve dhe të shërbimeve, mund të sjellin të dhëna të hollësishme për mundësitë luftarake të ushtrisë sonë,të cilat arrinin në kuota të krahasueshme edhe me ushtritë e vendeve të tjera, por që në raport me numrin e popullatës, me përmasat e territorit tonë dhe me veçori të tjera, përbënin nivele shumë superiore ndaj kundërshtarëve tanë më të mundshëm. Në vazhdim të kësaj ideja do sjell vlerësimin e kolonel Halil Katanës, i cili thotë se ’’…ne kishim një ushtri të madhe,shumë të madhe në raport me numrin e popullsisë dhe të pajisur më së miri me të gjithë llojet e armëve konvencionale të kohës. Ashtu e kërkonte ajo kohë, koha e Luftës së Ftohtë,sepse edhe të tjerët forconin ushtritë e tyre, armatoseshin çdo ditë dhe na kërcënonin vazhdimisht’’. (Halil Katana, ‘’Ringritja e Ushtrisë Shqiptare’’, fq.18). Me kapacitetet që zotëronte ushtria jonë ishte plotësisht e gatëshme, e përgatitur dhe e aftë të përballonte çdo emergjencë ushtarake, të çdo shkalle qoftë. Nisur nga analizat që bëjmë sot, mbase, nuk mund të them se ajo ishte në gjendje të përballonte agresione të ndërmarra nga ana e blloqeve ushtarake, si NATO,Traktati i Varshavës,siç parashikohej nga PPSH dhe shtabet tona ushtarake,por e them me siguri se ushtria shqiptare ishte në gjendje të përballonte çdo veprim ushtarak, edhe në nivelin e një agresioni të gjerë, të ndërmarrë nga fqinjët tanë në drejtim tokësor apo detar.

Duke marrë në konsideratë faktin që kam theksuar më lart, që ushtria jonë zotëronte kapacitete të larta në të gjitha drejtimet, arsyet e shkatërrimit të saj, më së shumti, duhen kërkuar në përvojën dhe në masat e marra pas vitit 1991, në të ashtuquajturën “politikë të mbrojtjes”, që u ndoq  nga klasa jonë politike, pas vendosjes së pluralizmit  politik në Shqipëri, në “reformën” që u programua dhe zbatua në fushën e mbrojtjes.

Ishte e logjikshme që, në kuadrin e ndryshimeve rrënjësore në fushën politike, sociale dhe ekonomike që po kryheshin në vendin tonë, edhe në fushën e mbrojtjes, qoftë në sferën e mendimit ushtarak e të politikës ushtarake të shtetit shqiptar, ashtu edhe në drejtim të strukturës organizative dhe të aktivitetit  praktik të ushtrisë të bëheshin ndryshime të mëdha. Pra ishte plotësisht e drejtë dhe e nevojshme të kryhej, ajo që në ato vite u quajt “Reforma në Ushtri”. Një objektiv të tillë e kishin parashtruar të gjitha forcat politike opozitare me PPSH, në programet e tyre  elektorale. Konkretisht ato deklaronin se do të punonin për t`a ngritur ushtrinë tonë, si nga pikëpamja organizative ashtu edhe për sa i përket përgatitjes dhe pajisjes së saj teknike, në nivelet e ushtrive të vendeve të tjera të zhvilluara. Të gjithë shqiptarët, veçanërisht ne që kishim punuar gjithë jetën në ushtri dhe qe i`a  njihnim realisht, asaj, edhe arritjet por edhe të metat, në raport me standardet ndërkombëtare, e uronim një gjë të tillë.

Nesër do të lexoni

– Shkatërrimi i ushtrisë, në mënyrë  të pa deklaruar, ka qenë synimi i forcave politike që erdhën në pushtet pas vitit 1992

– U bënë të zakonshme rastet kur ushtari  regjistrohej në repart, por atje paraqitej vetëm në fund të afatit të shërbimit