Ferit Fixha: Kontributi i 30 ushtarakëve robër gjermanë në logjistikën e Shkollës “Skënderbej”

1033
Dokumente interesante e të panjohura, dëshmi të protogonistëve vendas e të huaj për historinë dhe personalitetet e kësaj shkolle elitare që periodikisht do të publikohen dhe në gazetën “Telegraf” 
Së shpejti në duart e lexuesve libri voluminoz “Skënderbegasit ndër vite…” (Pjesa e dytë) i autorëve Maksi Fejzulla e Kujtim Boriçi. 
Është futur në shtyp e pritet të dalë së shpejti libri voluminoz “Skënderbegasit ndër vite….”- Arkiva, histori e personalitete-, pjesa e dytë, i autorëve Maksi Fejzulla e Kujtim Boriçi, një libër që ashtu si pjesa e parë që pati kureshtje e vlerësime maksimale, mendojmë se do të pritet me interes. Falë punës së palodhur të autorëve, dokumenteve që afrohen, dëshmive të shumta të protogonistëve në vite, ky libër është një enciklopedi shumë interesante për këtë shkollë elitare të arsimit në Shqipëri. Në këtë libër, përveçse dokumenteve, portretet dhe aktiviteti personaliteteve skënderbegas që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme (qindra në këtë libër), do të gjenden listat e plota të skënderbegasve që kanë studiuar në këtë institucion në periudhën mars 1945-shtator 1992 (hapja e mbyllja e kësaj shkolle), të pedagogëve, ushtarakëve komandues, punonjësve ndihmës dhe shumë nga ngjarjet brenda kësaj hapësire kohore. “Skënderbegasit ndër vite….”, pjesa e dytë që ka 850 faqe e që shoqërohet me fotografi të shumta e të rralla, do të promovohet më 28 mars që shënon dhe ditën e 72 vjetorit të themelimit të kësaj shkolle…
* * *
Referuar dokumenteve zyrtare arkivore dhe dëshmive të bashkëkohësve, në themelimin e shkollës ushtarake “Skënderbej” më 28 mars 1948 e në vazhdim (deri në vitin 1949), një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe një grup robërish gjermanë, sidomos në logjistikën e institucionit të sapo krijuar. Referuar burimeve të mësipërme, ka qenë një grup prej 30 ushtarakësh gjermanë të zënë rob gjatë luftës, një pjesë e tyre specialistë mirëmbajtës-ndërtues, inxhinierë, teknikë, mekanikë, ndërlidhës, elektricistë, por dhe oficerë që kishin pasur detyra të rëndësishme në repartet e ushtrisë pushtuese të Hitlerit që vepronte në Shqipëri, të cilët u afruan për shërbime në këtë shkollë që në ditën e parë të themelimit të saj. Ishte koha kur Shqipëria e sapodalë nga lufta ishte e shkatërruar dhe hapja e një shkolle ushtarake, me një efektiv qindra vetë, shumica të grumbulluar nga repartet e njësitë partizane, krahas të tjerave, paraqiste vështirësi të shumta akomodimi e jetese. Përveç përkujdesjes shtetërore, strukturave ushtarake të reja të pasluftës, një rol të rëndësishëm kanë luajtur në logjistikën e shkollës së kadetëve (Shkolla “Skënderbej”) dhe grupi i robërve gjermanë. 

Mars 1945. Misioni i robërve gjermanë.
Prezencën dhe aktivitetin e 30 robërve gjermanë që në ditën e çeljes së Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” e konstaton jo vetëm në dokumentet zyrtare të kohës, por dhe në kujtimet e skënderbegasve të parë të 28 marsit 1945. Një prej të cilëve është dhe ushtaraku madhor, tashmë në pension, Mehdi Ramohito. Edhe pse kanë kaluar shtatë dekada që atëherë, ai i kujton ato muaj e vite të pasluftës, ende me emocion. Të rrëfen se me robërit gjermanë, deri dje pushtues e tashmë të detyruar të vihen në shërbim të fitimtarëve, kishin ‘armiqësi’, më shumë në heshtje e vështrime, se sa me debate gojore e acarime… Ja si rrëfen Ramohito: “…Ishin të gjithë të ardhur nga repartet partizane e shumë pak të ardhur nga jeta civile, të gjithë fëmijë 14-17 vjeçar. Erdhëm në këmbë e pak prej nesh me mjete në shkollë, e na dukej si diçka befasuese, e panjohur e fillimisht e paarritshme. Mbaj mend se në fillim u dha një urdhër të dorëzoheshin armët… Pati dhe kundërshtime, pasi partizanët ishin mësuar me ‘to e ndjenin një farë keqardhje… Por jetesa e re, për shkak të gjendjes së pasluftës, paraqiste vështirësi të shumta që nisnin nga kushtet për të fjetur, për të mësuar, për të bërë stërvitje, për ushqim e deri tek nevojat jetike që kishim. Kujton se në shkollë, që ditët e para, kishin sjellë një grup robërish gjermanë të zënë gjatë luftës. Ne, i shikonim me inat pasi këta e shokët e tyre, na kishin vrarë gjatë luftës shokët e shoqet tona partizane. Por dhe ata na shikonin vëngër, rrinin ftohtë e me siguri thoshin me vete: ‘…U bënë këta fëmijë që ne t’u shërbejmë atyre! Po këta na kanë mundur ne…’…. E në fakt, ata ishin viktima të luftës dhe një klimë e tillë në atë kohë, ishte normale… Por sa kalonin ditët, robërit gjermanë, rreth 30 vetë, që ishin afruar në prapavijën e shkollës, do të bënin punë nga më të vështirat, specifike, që na lehtësonin masat e akomodimit dhe jetesës. Ata siguronin ndriçimin, sistemin hidraulik, fasada muresh me bojë e shkrime, deri punë të ndryshme mekanike që kërkonin dije në këtë fushë, e që ne na mungonin. Por sapo kalonin ditët, dhe mëria mes nesh sikur zbutej disi… Mes tyre, nuk ka se si ne skënderbegasit e vitit të parë por dhe eprorët e asaj kohe, të harrojmë z. Karlo. Ai ishte një njeri tepër i heshtur, me një trup mesatar, kishte qenë oficer i lartë gjerman dhe i zënë rob, ishte specialist ndërlidhje e elektronike. Ishte rreth 25 vjeç. Vazhdimisht nxirrte një foto që e mbante me vete, e shikonte gjatë dhe lotonte. Mësuam më vonë se ishte foto e vëllait të tij të vrarë në luftë. Ai, shpejt do të mësonte të komunikonte dhe shqip. Komandanti i shkollës, major Halim Xhelo e donte shumë Karlon dhe e mbante shumë afër. Me sa duket, i kishte parë aftësitë e tij, intelektin e zgjuarsinë dhe mundohej ta shfrytëzonte sa më shumë në dobi të punës që dilte në jetën e shkollës së re. Ishte ftohtë dhe në shkollë nuk kishte ujë. Tubacionet që ishin disa kilometra nga vendburimi, ishin dëmtuar nuk dihet se ku dhe u krijua një situatë tejet e vështirë jetese. Halim Xhelo thërret Karlon dhe i thotë: “Urgjent, të na siguroni ujin!”. Kujtoj se Karlo mblodhi supet në formë hezitimi e pamundësie, por gjithsesi, iu vu punës. Mori një çekan e nga pika fundore e ujësjellësit, aty ku futej në mjediset e shkollës, nisi të rrahë lehtas tokën me çekan… Vazhdoni kështu orë e orë të tëra duke përcaktuar nëpërmjet diktimit të zhurmës rrugën e tubacionit, mesa duket, duke nuhatur dhe defektet nën tokë. Shumë orë vazhdoi kështu. Karlo caktoi dy-tri pika ku u ndërhy, ku pas riparimit, uji erdhi nëpër tubacione dhe problemi u zgjidh. Sa punë të tjera u bënë kështu atë kohë të vështirë… Dikur, në një nga ditët e muajve të parë, kur po zhvillohej Kongresi i Parë i Partisë, Karlo seç kishte përgatitur vetë, një radiomarrës apo radio-galen, nuk di se çfarë ishte dhe i shkon në zyrë komandant Halimit dhe i thotë: ‘…Ja, dëgjoje me këtë çfarë thotë Komandanti (Enver Hoxha) në kongres!’. Komandant Halimi e dëgjoi, e pastaj, e qortoi Karlon: ‘Mere këtë, mos ta shoh se do përfundosh në burg!’. Por nuk i bëri kurrë keq. Karlo ishte njeri i mirë dhe i zgjuar. Kuptuam se ndonëse ishte ‘armik’, rob lufte, kishte (në fakt qe e ndërsjelltë) simpati me Nazen, sekretaren e shkollës… Kështu, robërit gjermanë bënë shumë punë atë kohë në shkollë, gjë e cila ndikoi dukshëm në sigurimin e përmirësim e kushteve të jetesës. Muaj e vite më vonë, gjermanët robër u riatdhesuan në vendin e tyre. I fundit, në vitin 1948 ka ikur dhe Karlo….”

LIBRI
-Libri “Skënderbegasit ndër vite…”, pjesa e dytë, që është në botim, ka gjithsej 850 faqe dhe është me lidhje speciale.
-Në ‘të ka dokumente të papublikuar dhe shumë foto të rralla.
-Në libër janë pasqyruar portretet dhe aktiviteti i qindra skënderbegasve që kanë shkëlqyer në ushtri e sektorë të tjerë të jetës
-Në libër janë dhjetra faksimile për ngjarje e personazhe që kanë pasur peshën e tyre në historinë e ushtrisë dhe Shqipërisë.
-Në të ardhmen, do të botohet dhe pjesa e tretë e tij.
“Falë punës së palodhur të autorëve, dokumenteve që afrohen, dëshmive të shumta të protogonistëve në vite, ky libër është një enciklopedi shumë interesante për këtë shkollë elitare të arsimit në Shqipëri. Në këtë libër, përveçse dokumenteve, portretet dhe aktiviteti personaliteteve skënderbegas që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme (qindra në këtë libër), do të gjenden listat e plota të skënderbegasve që kanë studiuar në këtë institucion në periudhën mars 1945-shtator 1992 (hapja e mbyllja e kësaj shkolle), të pedagogëve, ushtarakëve komandues, punonjësve ndihmës dhe shumë nga ngjarjet brenda kësaj hapësire kohore…”
“Dikur, në një nga ditët e muajve të parë, kur po zhvillohej Kongresi i Parë i Partisë, Karlo seç kishte përgatitur vetë, një radiomarrës apo radio-galen, nuk di se çfarë ishte dhe i shkon në zyrë komandant Halimit dhe i thotë: ‘…Ja, dëgjoje me këtë çfarë thotë Komandanti (Enver Hoxha) në kongres!’. Komandant Halimi e dëgjoi, e pastaj, e qortoi Karlon: ‘Merre këtë, mos ta shoh, se do përfundosh në burg!’. Por nuk i bëri kurrë keq. Karlo ishte njeri i mirë dhe i zgjuar. Kuptuam se, ndonëse ishte ‘armik’, rob lufte, kishte (në fakt qe e ndërsjellë) simpati me Nazen, sekretaren e shkollës… Kështu, robërit gjermanë bënë shumë punë në atë kohë në shkollë, gjë e cila ndikoi dukshëm në sigurimin e përmirësim e kushteve të jetesës. Muaj e vite më vonë, gjermanët robër u riatdhesuan në vendin e tyre. I fundit, në vitin 1948, ka ikur dhe Karlo”
Sigal