Fati enigmë i dy vëllezërve  Gjura, mësues nga Mirdita

1718
Sigal

Kanë kaluar kufirin shtetëror më dhjetor 1948 dhe që atëherë, asnjë fjalë për ndodhjen e tyre

Gjon Gjura është një pensionist, që po i kapton tetëdhjetë  vite jetë. Kur fillon të rrëfejë për dramën e tij dhe të familjes Gjura, herën e parë përmend vëllain e tij, Gjergjin. Dhe ja se përse? Gjergji kishte kryer  konviktin e Oroshit dhe fill pas mbarimit të Luftës së Dytë qe emëruar mësues…I pati hyrë në zemër ky profesion, e  vëllai i madh, e kishte dërguar Gjonin, në shkollën pedagogjike, në Elbasan. Pati një fillim të shkëlqyer, por vetëm kaq…

FATET NUK JANË NJËSOJ…

…dhe Gjoni rrëfen:

-Më 31 dhjetor 1948, më thërrasin në drejtorinë e konviktit dhe më  thonë të merrja valixhen  se do nisesha për diku tjetër. E ku më shkonte ndër mendje se do më nisin për në kampin famëkeq të Tepelenës në atë moshë krejt të re, kur  fati më kishte grishur në udhën e dijes. Kur mësova përse më dërgonin atje, u trondita thellë. Gjergj Nikoll Gjura, pasi pati punuar ca kohë mësues qe emëruar  në Komitetin Ekzekutiv të Mirditës, me qendër në Shpal. Kryetar ishte aso kohe Bardhok Biba. Si një i ri që mbështeti pushtetin e  sapo ardhur, u zhgënjye shpejt. I rritur në një familje tipike tradicionale të Dheut të Spaçit, ai nuk i kapërdiu dot ato padrejtësi që po bënte pushteti i ri. Në Mirditë kishte filluar persekucioni i madh, sidomos mbi parinë e krahinës dhe klerin katolik. Abati Frano Gjini kishte ndërruar jetë nën tortura, po kështu ndiqej mësuesja martire, Marije Tuci, bijë e Derës Princore të Gjomarkajve. Kjo ftohtësi e Gjergjit, u  identifikua nga organet e pushtetit dhe u bë shënjestra e tyre… E kështu, katër burra të kësaj dere, vendosën me marrë arratinë. Në tetor 1948, ashtu siç dëshmojnë dhe dokumentet, Gjergj Nikoll Gjura, Nikoll Preng Gjura, Zef Pjetër Gjura, Nikoll Pal Gjura, bashkë me kryetarin e Këshillit të Gjanë (Këshilli rrethit), Zef Preng Gjonin me të birin, Gjergj Zef Gjoni. Streha e tyre e parë u bë stani në Malin e Munellës, ku veronin bagëtitë, pastaj nëpër Fanë, në baza të sigurta qëndruan për do kohë…

DY DIMRAT E ATIJ VITI

Mes Tiranës  dhe Beogradit, ishte ngritur një mal me akull. Kreu komunist i Federatës së sajuar pas Luftës së Dytë Botërore, i kishte prishur aleancat me Moskën staliniste, që ishte aleati strategjik i komunistëve shqiptar. Në atë vjeshtë të 1948-s , ishte  thirrur dhe Kongresi  Parë i PKSH, ku u denoncua vija revizioniste e Marshallit Tito, duke e acaruar situatën politike në vend dhe jashtë tij.

Një varfëri e skajshme kishte  pllakosur në gjithë vendin…

Edhe për familjen Gjura, ky ishte dimri i parë i atij viti, por i dyti, do vinte shumë i egër ndër malet e Veriut me klimë kontinentale. Brigjeve të Fanit e të Drinit  nuk ishte vetëm çeta e vogël e tyre, por dhjetëra të arratisur nga Mirdita, pritnin ta kalonin kufirin nëpër atë dimër të pashoq. Në dhjetor ose në fillim të janarit  mendohet të kenë kaluar kufirin shtetëror. Dhe që atëbotë, asnjë fjalë për ndodhjen e tyre, vetëm baltë  u hodh mbi ta si armiq e tradhtar të atdheut…

 DRAMA ME SHUMË AKTE E PERSEKUTIMIT FAMILJAR

Familja Gjuraj janë nga Spaçi, Dheu, që bashkë me Oroshin e Kuzhninin  janë zanafilla e unionit mirditas me 12 bajrakët e saj, të njohur gjerësisht për vetëqeverisjen  me kodet e kushtetutës antike. kanunin e Lekë Dukagjinit. Mbi këto parime  funksiononte familja e madhe e Pjetër Gjurës me rreth 40 anëtarë. Kur burrat e saj dolën malit, pas pak ditësh nisën për kampin famëkeq të Tepelenës  gjithë  anëtarët  e familjes , ku do të trajtoheshin  si skllevër. Gjoni fillon e numëron: Gjyshi, gjyshja, nana, motrat, kushërinjtë…Pas do kohet, thotë Gjoni, na erdhi një urdhër që disa  fëmijë të lirohen nga kampi  nëse kishte  dikush që  mund ti mbante. Dhe unë u lirova para familjes, por për mos t’u kthyer më kurrë në vendlindje, në Spaç,të cilin ma vonë diktatura do ta kthente në burgun ma famëkeq të Shqipërisë… Në  Breg të M`ates mbarova shkollën 7-vjeçare. Aso kohe kishte shume nevojë për mësues dhe një fjalë e mirë  e dikujt në  komitet (Shaqir Dibra), bëri që të vazhdojë një kurs për  mësues e fati e deshi të punoj për do kohë , derisa  partia  korrigjoi gabimin, që kishte ba me mue dhe më largojnë nga arsimi. Këtu shuhet  ëndrra ime për t’u bërë mësues, përfundimisht…

KERKESA DREJTUAR SHTETIT SHQIPTAR, QË NGA KREU I DIKTATURES DERI TE KRYEMINISTRI  RAMA

Ashtu siç dihet, mërgata shqiptare  e post Luftës së Dytë u shpërnda në gjithë kontinentet, por në përgjithësi, ata mundën të lidheshin me familjet e tyre. Gjurajt e shumë të arratisur të tjera nga Mirdita, Mati dhe Luma, që kaluan  kufirin e dolën në Jugosllavi nuk u lidhën kurrë me familjet e tyre. Gjon Gjura  na ven përpara një deng me letra  që  i ka dërguar qeverisë shqiptare, ku i kërkon të dhana mbi vendndodhjen e tyre a varret e tyre. Nga mesi i viteve ‘50-të e deri në vitin 2014,  të gjitha përgjigjet e shtetit shqiptar  kanë  qenë: Nuk ka asnjë të dhënë për këta persona… Përgjigjja e fundit është e kreut të shërbimeve sekrete të Republikës së Shqipërisë: Ky institucion nuk është i detyruar të japë të dhëna të klasifikuara…Vërtetë shteti shqiptar nuk din asgjë për këta shtetas, që  kanë kaluar kufirin në vitin 1948,pra para 66 vjetësh?!… Kaq sekrete paska qenë zhdukja e tyre, për të mos u treguar kurrë? Kaq mister?

 AMANETI

Sa qe gjallë gjyshi e gjyshja, e ma vonë nana e të moçmit e tjerë të familjes, na lanë amanet , që me shpresë te Zoti me i kërkue eshtrat e tyre e me i sjell në dheun  tonë.

Kam shumë vite që e mbaj si gurë mbi vete këtë amanet të të parëve të mi. Gjithmonë kam shpresuar se dikush e dikah, do vijë një lajm për ta. Prapë shpresoj e do shpresoj sa ta kem frymën gjallë. Para një viti mendova t’i mbledh pasardhësit e t’jua la amanetin, se mosha ban të vetën, por ndërrova mendje. Ndërtova një varr familjar te varrezat e Laçit, ku pushojnë prindërit. Katër varre janë bosh. Presin që një ditë, amaneti të shkojë në vend e eshtrat e Gjergj Nikoll Gjurës, Nikoll Preng Gjurës, Zef Pjetër Gjurës e të Nikoll Pal Gjurës të pushojnë përjetësisht pranë njerëzve të gjakut, në dheun e tokës shqiptare. Por, jo vetëm eshtrat e tyre. Janë qindra familje shqiptare që presin të gjejnë varret e humbura nga diktatura. Presim qe të vëmë edhe ne një tufë me lule… Ky varr, nuk është vetëm homazh,por edhe një mesazh dhe apel për shoqërinë e shtetin shqiptar, që të tregoj ma shumë humanizëm e drejtësi për për këtë kategori sociale, viktimë e dhunës së diktaturës më të egër të Europës.