Ja pse duhet të kujtojmë Heroin e Popullit Zylyftar Veleshnja

2483
Sigal

Jeta e Heroit të Popullit Zylyftar Veleshnja i kalon kufijtë e legjendës, vepër e pavdekshme e këtij burri të madh të Skraparit dhe Shqipërisë.

 Ja,  pse  duhet  të kujtojmë  Zylyftar Veleshnjen…

Nga Kastriot Caka

E ndjej detyrim dhe krenari  në këto ditë të nxehta të politikës Shqiptare  që të  hedh sytë nga e kaluara jonë e lavdishme, më bie barra mua dhe çdo shqiptari të ndershëm që të kalojmë në memorien tonë atë histori të lavdishme të të parëve tanë që luftuan me mish dhe me shpirt për këto ditë që po jetojmë sot. Por këto ditë nuk janë ditët e atyre që ëndërruan, luftuan dhe derdhën gjak. Pikërisht  kjo histori që e kemi parë të shkruar në libra dhe nga goja e të parëve tanë,  sot u njollos dhe u përbalt. Nuk janë ditët e bukura të heronjve, dëshmorëve dhe partizanëve këto që po kalojmë sot. Ata luftuan që ky vend të ndryshonte, që Shqipëria të bëhej evropiane  dhe e denjë në radhën e kombeve të qytetëruara, që të vinin ditë më të bukura. Këto ditë  nuk janë ditët  e Zylyftar Veleshnjes, Heroit të Popullit, nuk janë ditët e Kahreman Yllit, idealistit dhe njeriut të mençur që punoj për një Shqipëri evropiane, nuk janë ditët që  ëndërroi revolucionari i madh Riza Cerova, ditët që ëndërruan 28 mijë djem dhe vajza që dhanë jetën në lulen e Rinisë. Kanë kaluar mbi një shekull nga dita e lindjes të Heroit të Popullit, Zylyftar Veleshnja, demokrati dhe luftëtari antizogist dhe antifashist, një nga komandantët e parë të çetave partizane, Heroi i Popullit, pjesëmarrës në revolucionin e Qershorit, në vitin 1924, në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935, dhe ende jeta dhe vepra e tij heroike tingëllon e freskët. Ai ishte fare i ri kur mori pushkën dhe doli në mal sepse 20-vjeçarit i dhimbsej vatani, i dhimbsej vendi i tij. Asnjëherë nuk mendoj për para dhe ofiqe, por në vend të tyre kishte sakrificën për atdheun që ta shihte të lirë, që shqiptarët mos të trajtoheshin si skllevër dhe të poshtëruar. Në antitezë me kohën sot me pushtetarët tanë kjo është një ndarje e madhe, kur Zylyftari merrte djalin jetim dhe e bënte djalin e vet, e shkolloi dhe e rriti me edukatë,  shteti sot i tremb, i lë papunë bijtë e vet dhe i largon rrugëve të kurbetit. Sot tingëllojnë më fort se kurrë vargjet:  “O kurbet i shkretë…” Ishte Zylyftar Veleshnja ky burrë i madh që u plagos rëndë në betejën e përgjakshme të Tendës së Qypit”  por  asnjëherë nuk u mposht , edhe pse invalid punoi me përkushtim gjatë gjithë jetës së tij duke mos përfituar asgjë vetëm titullin e lartë “Hero i Popullit.”  I riu trim nuk iu nda asnjëherë luftës, pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit në vitin 1924 dhe në Kryengritjen e Fierit edhe kur u kthye nga arratisja drejtoi çetën e Skraparit dhe më pas batalionin “Riza Cerova”.  Skrapari krenohej me luftëtarin Zylyftar Veleshnja, i cili i përfaqësonte edhe në Kongresin e Përmetit si anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Jeta e Zylyftarit i ngjante me të vërtetë një legjende, ai u rrit i thjeshtë duke jetuar mes njerzëve të thjeshtë. Nuk dallonte asnjëherë nga populli që e rrethonte, ishte njeri i drejtë që nuk pranonte të jetonte më mire se të tjerët.  Zylyftari  në Berat ku jetonte ishte njeriu i parë dhe më i nderuari për vetë meritat që kishte, por ai nuk pranoi asnjë nga privilegjet. Tregojnë se dikush u bë shkak që t’i çonin në shtëpi për mobilim një palë kolltukë, por ai  kur i pa se po ia çonin u trondit dhe me atë zërin burrëror u tha: “Çojini atje ku i kini marrë, unë jam si ju pse u dashkan këto?!” Burrë i madh që nuk joshej përballë asgjëje të keqe, edhe flori t’ia bëje jetën. Ndërsa në antitezë me jetën sot, jeta e këtij njeriu e kalon legjendën. Vendin e trimave e përbaltën , e fëlliqën të pamëshirshmit, të pangopurit e sotëm, që i janë derdhur vendit si një lukuni ujqërish kush mund ta shqyejë më parë, këtë vend që e gjetën gati të ngritur me pasuri dhe vende të bukura, këtë vënd që ata e mrekulluan me gjakun e tyre. Një ushtri e tërë e papunë, njerëz të varfër, të tronditur dhe si mos më keq, ndërsa pushtetarët e sotëm me llogari bankare brenda dhe jashtë shtetit, me vila luksoze dhe pasuri të pa llogaritshme. Pikërisht janë këta  që kanë shkelur mbi gjakun e të parëve, mbi jetën e heronjve dhe dëshmorëve, janë këta që kanë shkelur mbi plagën e Zylyftarit dhe mbi ëndrrën e tij dhe të mijërave të tjerë. Pikërisht , këtu në antitezë me këta hajdutë dhe barbarë të këtij vendi, ngrihet si përmendore vepra e pavdekshme e burrit të madh të Skraparit dhe Shqipërisë Zylyftar Veleshnja.. Sa zili do ta kishim sot sikur të dilte një burrë i tillë dhe t’i vinte shpatullat Shqipërisë, sa zili do ta kishim sot Zylyftarin trim, të dashur dhe bujar që në ato kohëra të vështira mori nga rruga një djalë jetim,  Skënderin dhe  e rriti dhe e shkolloi duke e bërë një mësues shembullor. Sa zili do ta kishim sot një Zylyftar që ta printe popullin e vet drejt sukseseve dhe ditëve më të mira, jo drejt varfërisë dhe nxitjes për vëllavrasje. Sa të ndritur kanë qenë ata njerëz, model i njeriut të ndershëm . Hajde gjeje sot një Zylyftar të atillë. Kujt t’i besosh sot, kujt t’i qash një hall, i ngopuri nuk pyet për fukaranë. Ndaj sot më tepër se kurrë, na vjen pranë Zylyftari ynë, Zylyftari i luftës dhe trimërisë, Zylyftari i njeriut me shpirt të madh, i bujarisë dhe i thjeshtësisë që asnjëherë s’e zuri gjumi kur vendi i tij vuante. Sot na vjen me pranë se kurrë Zylyftari me thirrjet  e tij: “Ta duam Shqipërinë, ta duam atdheun, të mos kursejmë as jetën për të mirën e të gjithëve.” Por sot marrëzia ka arritur kulmin, Shqipëria lëngon nën peshën e “çizmes fashiste”, Shqipëria  e Rilindësve të vërtet s’gjen sot derman, Shqipëria e burrave të kombit po shqelmohet sot nga çapaçulë të pa përgjegjshëm dhe të pamëshirshëm. Zylyftar Veleshnja burri që bëri histori, po të ishte sot, do t’u tregonte vendin çapaçulëve, pse jo dhe burgun, po t’i cenohej qoftë dhe një fije atdheu i tij që e fitoi me gjak. Kjo është historia  që bënë burrat e asaj kohe, Zylyftari me shokë, histori që do shkëlqejë në breza, por që sot u përlye dhe u bë gazi i botës. Do të çuditej ky shqiptar i madh po të dinte, se ka kaluar gati një shekull e më shumë e ky vend mbetet  i denigruar dhe  lypsar në dyert e Evropës, do të çuditej Zylyftari dhe të gjithë ata që e shkrinë jetën e tyre për ditë më të mira për një Shqipëri  si gjithë Evropa. Makutëria, servilizmi dhe të gjitha veset e këqija që ekzistojnë në qenien njerëzore, erdhën dhe u rrënjosën tek kasta e pushtetarëve për 30 vjet gjoja demokraci. Sot më tepër se kurrë sheh nëpër rrugë njerëz të tronditur të stresuar dhe të nëpërkëmbur si asnjëherë tjetër, njerëz që mërmërisin dhe flasin me vete, sot si asnjëherë  ke një vend pa drejtësi dhe pa moral gjë që i jepet mundësi veglave qorre të krimit dhe gjithçkaje tjetër. Ja pse sot duhet më tepër se kurrë, burra kombi si Zylyftar Veleshnja dhe të gjithë ata që bënë histori që i dhanë emër dhe prosperitet këtij vendi.  Lavdi këtyre njerëzve, dhe qofshin të paharruar për jetë të jetëve!

Këto ditë  nuk janë ditët  e Zylyftar Veleshnjes, Heroit të Popullit, nuk janë ditët e Kahreman Yllit idealistit dhe njeriut të mençur që punoj për një Shqipëri evropiane, nuk janë ditët që  ëndërroi revolucionari i madh Riza Cerova, ditët që ëndërruan 28 mijë djem dhe vajza që dhanë jetën në lulen e Rinisë.

Jeta e Zylyftarit i ngjante me të vërtetë një legjende, ai u rrit i thjeshtë duke jetuar mes njerëzve të thjeshtë. Nuk dallonte asnjëherë nga populli që e rrethonte, ishte njeri i drejtë që nuk pranonte të jetonte më mire se të tjerët