Sigal

INTERVISTA III/ Flet Dr. Maqo Bleta ish-zv/ministri i Industrisë dhe ish- kryeinxhinieri i Kombinatit të Autotraktorëve

Ju rrëfej për Pilo Peristerin, ja tre punët që bënte në uzinë

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

Për të paktën dhjetë vjet rresht ai, Maqo Bleta ka qenë njeriu dy i një uzine të rëndësishme në industrinë mekanike shqiptare siç ishte “Uzina e traktorëve”. Ndërsa i pari ka qenë Pilo Peristeri, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe një nga komunistët e parë të grupit të Korçës. Maqo Bleta thotë, se Piloja ishte një burrë babaxhan, që i ndihmonte shumë punëtorët dhe ata linin kokën për të. Ai tregon se si drejtori i uzinës i martonte çiftet e dashuruar me paratë e ndërmarrjes dhe çifteve të reja u jepte nga një shtëpi, e cila ishte dhurata me e madhe që mund t’i bëhej të sapomartuarve. Por jo vetëm kaq. Pilo Peristeri, edhe pse anëtar i Byrosë Politike, nuk kishte asnjë ambicie për t’u mburrur tek punonjësit dhe administrata e një ndërmarrjeje gjigante siç ishte Kombinati i Autotraktorit, të cilin ai e drejtonte, siç shprehej dhe vetë “politikisht”

Cilat ishin marrëdhëniet me shefin tuaj Pilo Peristerin?

Po ju jap një shembull të drejtpërdrejtë. Kur erdha nga Kina qëndrova ca kohë elektron i lirë e u mora me sistemimin e dokumentacionit teknologjik. Kur erdha këtu i thashë Pilo Peristerit që ishte drejtori i uzinës. “Shoku Pilo do të më lini tre muaj, sikur nuk jam në uzinë, të merrem me organizimin e arkivimit teknik të këtyre dokumentacioneve”. Imagjino të të vijnë rreth dy kamionë tip “Skoda”, të ngarkuar me dokumentacione. Ato ishin rreth 35 mijë lloj dokumentacionesh. Këto duheshin sistemuar, arkivuar, të gjendej ajo formë organizimi dhe sistemimit decimal të indeksimit teknik të këtij dokumentacioni, në mënyrë që kush e kërkonte ta gjente. M’u desh një kohë prej tre muajsh. E organizova në një mënyrë të tillë që brenda 7 sekondave të gjendej dokumentacioni. Atëherë i thashë sërish Pilos: “Do të vijnë shumë kërkesa ty, do të kërkojnë dokumentacione nga më të ndryshmet dhe t’i do të më pyesësh mua si kryeinxhinier. Unë do të jap ndonjë këshillë, pastaj t’i gjykoje vetë. Patenta e uzinës është dokumentacioni, nuk janë makinat pajisjet. E di ç’është kjo patentë? Piloja ngriti supet: “Ç’është se nuk e di”, më tha. “Është dokumentacioni teknik, teknologjik i atrecaturës, që të mëson se si prodhohet traktori. Prandaj në qoftë se ti jep urdhër që t’i jepet një uzine tjetër një dokumentacion, ne na iku patenta. Prandaj këtë ma lër mua. Nuk dua të të heq kompetencat, ti je drejtor, më dhe urdhër mua unë do ta zbatoj. Por para se ta zbatoj do të jap një sqarim”. Po Piloja ishte babaxhan dhe nuk ngatërrohej asnjëherë në punët që nuk i dinte. Dhe që atëherë thoshte; Drejtori teknik i arkivës është Maqoja. Ju mos u ngatërroni me mua se unë nuk marr vesh nga kjo punë”. Edhe ma vlerësoi atë punën e arkivimit. Ai në fakt nuk e kishte atë horizontin e drejtimit të njësisë së madhe, por ama të linte të veproje. Madje shpesh thoshte një proverb: “Dhentë e dhitë e Zeres dhe nami i Hasan Qeres”. Që do të thoshte: Kush e bëri punën e kush e mori lavdinë. Pra nënkuptonte që punën e bënte Maqo e lavdinë e marrte Piloja. Por ai qe njeri i thjeshtë, nuk të merrte meritat, edhe pse në kupolën e partisë kishte një pozicion shumë të rëndësishëm.

Çfarë bënte drejtori në uzinë, nëse nuk merrej me anën teknike?

Piloja në uzinë merresh me tri probleme.

-I pari, ishin lulet dhe për këtë kishte një lulishtar të quajtur Hyskë, brigadier i luleve, që kishte bërë një fidanishte dhe që kishte në të lule ekzotike. Kjo ishte detyra numër një e Pilos dhe miku i parë i tij ishte Hyska. Me të rrinte 4-5 orë që bisedonin për lulet, ku rriten si do t’i mbillnin etj. Dhe vërtet e bëri uzinën një kopsht të lulëzuar. Kishe qejf të hyje. Me pemë dekorative, lule të bukura e pastërti shembullore. Piloja dilte gjithë rrugës dhe mblidhte letra vetë, që ta shihnin dhe punëtorët e t’u krijohej ideja e rregullit. Aq shumë i donte lulet, sa ishte i gatshëm të të falte një torno e një lule nuk e këpuste.

Po detyra e dytë?

-Detyra e dytë e Pilos qenë ndërtimet. Ai merrej shumë me zgjerimin e aftësive prodhuese. Sidomos çfarë qenë reparte të reja që ne i propozonim, ai i ngrinte menjëherë. Ne folëm për derdhjen precize. Kur unë mbarova projektin teknologjik ai mbaroi ndërtimin e godinës së derdhjes. Kur prodhova unë pajisjet ato menjëherë u montuan. Qe shumë praktik si njeri. Dhe për këtë miku numër dy i tij ishte Shyqoja, që ishte inxhinier ndërtimi, që merrej drejtpërdrejt me këto punë. Pastaj ishte koha kur bëheshin shtëpi me kontribut vullnetar. Këtë punë Piloja e ka shpikur. Atje poshtë ku kemi sot Kryegjyshatën Botërorë të Bektashinjve, tek Poligrafiku, shtëpitë poshtë tyre janë të ndërtuara nga Pilo që në vitin 1967-1968. Ishte shumë i dhënë pas ndërtimeve.

Detyra e tretë e drejtorit cila ishte?

-Detyra e tretë qe ajo e kovaçit. Piloja në rini kishte qenë kovaç. Nuk kishte shkollë, nja katër klasë fillore dhe kështu punonte si kovaç. Kur ka qenë në Korçë është njohur dhe me Enver Hoxhën. Mirëpo e njihte zanatin dhe i donte kovaçët. Dhe më thoshte mua; “Ti me kovaçët mos u merr, se me ta merrem unë!”. Unë e kisha rrogën 10 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa atëherë ai u jepte kovaçëve 15-17 deri në 18 mijë lekë të vjetra në muaj. “O shoku Pilo, – i thashë një ditë, – po nuk është e lejuar të tejkalosh normat e pagave”. Sepse ata merrnin 200%. Ndërsa ligji nuk lejonte të kalohej më tepër se 20%. Sepse kështu qenë orientimet e asaj kohe. “Po ti ç’ke ore?, – më thotë ai. – Po erdhën për kontroll, thuaj ka dhënë urdhër Piloja”. Po unë u mbrojta përsëri: “O shoku Pilo, mua më kapin ata të kontrollit, se ty s’të kapin dot”. Mirëpo ai duke qenë vetë kovaç thoshte se puna më e vështirë ishte e kovaçit. “Edhe metalurgët e kanë të vështirë”, – i thoja unë. “Jo, jo, – ma kthente, – është puna e kovaçit më e rënda. Ti s’e ke provuar, nuk e di se sa e lodhshme është puna e kovaçit.”

Opozitari i fshehtë. Kundërshtimi për nismën e tufëzimit

Kritika e Pilo Peristerit për Enver Hoxhën, si e nxori sekretin e Byrosë

Një ditë më thërret Pilo Peristeri në zyrë dhe më jep një material sekret të Byrosë Politike. Më tha: “Lexoje e mos i trego askujt, madje as gruas edhe do më shkruash se çfarë do të diskutoj unë në mbledhjen e Byrosë mbi këtë material”. Kur e marr në dorë materialin, ç’të shikoj. Ishte një material që e kishte bërë një grup i Komitetit Qendror për tufëzimin, pra që fshatarëve i merrnin me lopë, dhen, dhi e pula. Pra mbi këtë bazë duhej ndërtuar diskutimi që do të mbante Pilo Peristeri në Byronë Politike. Pastaj më thotë: “Ai Enveri nuk është në të”. Më kujtohen tekstualisht fjalët e tij. Kur ma tha unë u tremba se atëherë kisha frikë se edhe muret dëgjonin. E marr atë material e mund të kem punuar nja dhjetë ditë mirëpo nuk gjeja fjalët që donte të thoshte Piloja, sepse duhet të diskutoja me fjalët, terminologjinë e tij, jo me atë që ishin në material dhe shtypin zyrtar të asaj kohe. Më në fund e punova materialin dhe ia dorëzova. Ai bëri ndryshimet e nevojshme duke thënë: “Jo kështu se, Enveri e kupton pastaj që nuk është diskutimi ime dhe këtë material sekret ia kam dhënë ndonjë tjetri. Se është rabeckë e zgjuar ai, ore, i kupton të gjitha”. Mirëpo atje pashë që Piloja ishte në opozitë me këtë direktivë, por nuk e thoshte hapur. “Ja me jugosllavin u prishëm, me rusët po, por edhe me Kinën, me të gjithë u prishëm. Po bëmë edhe tufëzimin do ta lëmë fshatarin pa asgjë. Ku do t’i gjejmë ne t’i blejmë e të marrim nga jashtë shtetit”, më thoshte. Dhe të mendosh që në ato vite ishte problem dhe valuta. Dhe më ka lënë përshtypje të mëdha atëherë. Sot jam i bindur se që në atë kohë ai ishte në formë gjysmë opozitar me qëndrimin e partisë dhe të Enverit. Mirëpo nuk dilte hapur, as ai dhe as ndonjë tjetër që kishte të njëjtat mendime.

Kundërshtimi

Këshilla e Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit: “Mos i kundërshto Mehmetit!”

Me sa duket incidentet e një kryeinxhinieri me një kryeministër nuk kishin të sosur. Gjatë rrëfimit të tij, Maqo Bleta tregon se si u përplas sërish me Mehmet Shehun, por që gjithsesi përfundoi pa pasoja edhe pse në një vendim të shpejtë të tij ish-kryeministri kishte vendosur që kryeinxhinierin e autotraktorëve ta bënte shembull në riedukim: “Njëherë merrja pjesë në një mbledhje qeverie. Atje shkoja shpesh sepse këtë të drejtë ma jepte drejtori i Kombinatit Pilo Peristeri. Gjatë kësaj mbledhje unë i kundërshtova Mehmet Shehut për një problem tjetër, analog me këtë se vinte afate shumë të shkurtra. Mirëpo ai u acarua kaq shumë, pikërisht se i kundërshtova në mbledhje të qeverisë. Atje ishin rreth 30 vetë, gjithë ministrat, ndihmësit dhe këshilltarët. Edhe Mehmeti nga inati e mbylli mbledhjen e u mbyll në zyrën e tij. Mbaj mend që më takon Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi e më thonë: “More djalë, po kundërshtohet kryeministri kështu siç bën ti?!”. I them: “Po më mirë t’i kundërshtoj se sa t’ia pranoj detyrat dhe pastaj kur të mos jem në gjendje të mbaj premtimet, më kërkojë llogari e t’më varrosë për së gjalli”. Ata qeshnin. “Por të gjesh mënyrë tjetër”, më thanë. “Po nuk ka mënyrë tjetër”, u thashë unë. Kur duke biseduar më thërret në zyrë, Ali Çeno që ishte shefi i grupit të shoqërimit të Mehmeti Shehut: Eja se të kërkon kryeministri, – më tha. “Bo, bo ç’do më gjejë”, – mendova. Kur vajta në zyrë në vendin ku u ula gjeta një gotë konjak, një kafe, dhe një shportë me fruta. Mehmeti më thotë: “Shiko se ato detyra që të dhashë unë qenë të drejta, pavarësisht kohës së shkurtër”. Unë i thashë: “Të drejta janë vërtet, por koha është e shkurtër. “Studioi mirë, – më tha. – Se unë kam gjithmonë të drejtë”. “Si urdhëron”, ia ktheva. Unë as kafe nuk piva, as fruta nuk hëngra dhe ika me të shpejtë. Shkova takova sërish Abdyl Këllezin dhe Koço Theodhosin. Ato u bënë kureshtarë se ç’kishte ndodhur mes meje dhe Mehmet Shehut. “More po çfarë të tha?”,- më pyetën. Dhe unë ua tregova të gjitha. “Po pse çfarë kërkoje ti- më thanë. – Të bënte Mehmeti autokritikë përpare teje? Ik se shpëtove mirë!” – më thanë. Ndërkohë ata më treguan dhe një sekret të vogël. Kur u nxeh Mehmeti i kishte lënë një shënim Koço Theodhosit. “Qëndrimi i Maqo Bletës është një qëndrim revizionist, prandaj do ta çosh për edukim për një vit në fermën e Sukthit”. Ata ma dhanë letrën për ta lexuar. Pastaj kur erdhi e vazhdoi pjesën e dytë të seancës së mbledhjes, Mehmeti tha Koços: “Atë porosinë që të dhashë hiqe!”. Kështu shpëtova dhe këtë herë. Ai ishte shumë ekzigjent në detyrë, por kur i jepje një argument, tërhiqej në mënyrë diplomatike, jo të drejtpërdrejtë dhe kishte dijeni për të gjitha sferat e ekonomisë. Që nga arsimi, kultura, industria, bujqësia, tregtia, qe shumë i aftë.

Ndihma në industri

Kina, traktorë e tanke në Shqipërinë mike

Por sa e ka ndihmuar Kina një shtet të vogël si Shqipëria në industrinë mekanike dhe atë metalurgjike. Maqo Bleta thotë: “Në fakt Kina na dha një ndihmë shumë të madhe ekonomike në raport me atë që na dha atëherë ish republika Jugosllave dhe Bashkimi Sovjetik. Kurse kinezi ndërtoi gjithë atë objekt, Kombinatin Metalurgjik, Uzinën e PVC-së, Uzinën e Ballshit, Uzinën e Autotraktorëve, atë të Instrumenteve, Azotikut në Fier, e Superfosfatit në Laç, Uzinën e Telave në Shkodër, atë të Instrumenteve në Korçë. Po ishte dhe Hidrocentrali “Mao Ce Dun”, që u ndryshua në “Vaut të Dejë”s, ai i Fierzës. Vetëm hidrocentralet kishin një peshë shumë të madhe. Shumë traktorë vinin nga Kina. Plus dhe mjeteve të tjera të rënda. Pra ata na dhanë një ndihmë shumë të madhe. Kurse Rusi nuk na dha gjë, vetëm uzinën e tekstileve, një Fabrikë sheqeri në Maliq dhe shumë gjëra të vogla. Rusi dha traktorë tip “T 54”, “T 28” dhe pak “Stalinesk”. Ndërsa prej Kinës çfarë ishte pjesë e ndihmës për ushtrinë vinte gratis. Qe një kontratë speciale, që unë nuk e dija. Por ishte Ligor Dhamo që nënshkruante marrëveshje të tilla. Kurse për të gjithë objektet e tjera patjetër isha unë në negociata. Bënim grafikët kur do vinin, të furnizimet e makinerive, pajisjeve, materialeve, të projekteve. Për të gjithë objektet, dhe tek të gjitha këto është firma ime në negociata. Dhe ndërtimi i tyre i dha një zhvillim shumë të hovshëm vendit, pavarësisht se teknologjia kineze në atë kohë qe në nivel jo aq të hatashëm, por për ne ishte kontribut i madh, për shembull në bujqësi apo energjetikën. Imagjino kemi 20 vjet dhe asnjë hidrocentral nuk kemi ndërtuar, sepse ato kanë volum shumë të madhe pune dhe shumë shpenzime qoftë materiale, qoftë të fuqisë punëtore qoftë edhe të projekteve. Me sa e mbaj mend unë u llogarit që të bëhej rreth 4 miliard dollarë të asaj kohe me Kinën. Njëherë në një mbledhje duke ditur nivelin e ulët teknologjisë i them kryeministrit, o shoku Mehmet ne na jep këtë kredi kaq të madhe Kina, po pse një pjesë të saj mos ua kërkojmë në dollar me qëllim që me to të marrim në perëndim disa pajisje. Dhe i dhashë propozime konkrete se ku do t’i përdorja unë këto. Më pa njëherë me inat dhe më tha, këto janë qëndrime revizioniste që nuk vënë politikën e partisë në plan të parë, jo se nuk donte ai të merreshin ato por ishte e gjithë politika e marrëveshja e Kinës ishte e tillë që ai të jepte një kredi por me kusht që ta përdorje për të blerë makina tek ata”.

Opozitari i fshehtë. Kundërshtimi për nismën e tufëzimit

Kritika e Pilo Peristerit për Enver Hoxhën, si e nxori sekretin e Byrosë

Një ditë më thërret Pilo Peristeri në zyrë dhe më jep një material sekret të Byrosë Politike. Më tha: “Lexoje e mos i trego askujt, madje as gruas edhe do më shkruash se çfarë do të diskutoj unë në mbledhjen e Byrosë mbi këtë material”. Kur e marr në dorë materialin, ç’të shikoj. Ishte një material që e kishte bërë një grup i Komitetit Qendror për tufëzimin, pra që fshatarëve i merrnin me lopë, dhen, dhi e pula. Pra mbi këtë bazë duhej ndërtuar diskutimi që do të mbante Pilo Peristeri në Byronë Politike. Pastaj më thotë: “Ai Enveri nuk është në të”. Më kujtohen tekstualisht fjalët e tij. Kur ma tha unë u tremba se atëherë kisha frikë se edhe muret dëgjonin. E marr atë material e mund të kem punuar nja dhjetë ditë mirëpo nuk gjeja fjalët që donte të thoshte Piloja, sepse duhet të diskutoja me fjalët, terminologjinë e tij, jo me atë që ishin në material dhe shtypin zyrtar të asaj kohe. Më në fund e punova materialin dhe ia dorëzova. Ai bëri ndryshimet e nevojshme duke thënë: “Jo kështu se, Enveri e kupton pastaj që nuk është diskutimi ime dhe këtë material sekret ia kam dhënë ndonjë tjetri. Se është rabeckë e zgjuar ai, ore, i kupton të gjitha”. Mirëpo atje pashë që Piloja ishte në opozitë me këtë direktivë, por nuk e thoshte hapur. “Ja me jugosllavin u prishëm, me rusët po, por edhe me Kinën, me të gjithë u prishëm. Po bëmë edhe tufëzimin do ta lëmë fshatarin pa asgjë. Ku do t’i gjejmë ne t’i blejmë e të marrim nga jashtë shtetit”, më thoshte. Dhe të mendosh që në ato vite ishte problem dhe valuta. Dhe më ka lënë përshtypje të mëdha atëherë. Sot jam i bindur se që në atë kohë ai ishte në formë gjysmë opozitar me qëndrimin e partisë dhe të Enverit. Mirëpo nuk dilte hapur, as ai dhe as ndonjë tjetër që kishte të njëjtat mendime.

 (Vijon nesër) 

NESËR DO TË LEXONI

-Si e bënte Ismail Kadare stazhin e partisë në Kombinatin e Autotraktorëve

-Fletërrufeja e një komunisti për shkrimtarin dhe qëndrimi i Pilo Peristerit

-Ndërhyrja e Enverit për të më bërë drejtor në Metalurgjik e zv/ministër në Industri