Dossier/ Si e realizuan shqiptarët, qitjen e vetme me raketa dhe shkatërrimi i avionit pa pilot. Internimi i majorit rus që përkrahu Enverin dhe porositë e Bejto Isufit e Pasho Zhupës

1074
Sigal

Internimi i majorit rus, që përkrahu Enver Hoxhën. Ç’thanë Bejto Isufi e Pasho Zhupa para qitjes. Porosia që ushtarakët shqiptarë të mos binin në provokacionet sovjetike

Namik Shehaj: Si e realizuan shqiptarët, qitjen e vetme me raketa

(vijon nga numri i kaluar)

QITJA

Shkatërrimi i avionit pa pilot

Qitja me raketa ishte e para dhe e vetmja në llojin e saj për ushtarakët shqiptarë. Një çast të tillë, Namik Shehaj e kujton në këtë mënyrë: “Fiks në orën 11:00 (me orën e atjeshme) u dha sinjali për fillimin e procesit të qitjes së parë luftarake me një raketë. Pavarësisht se na dha kurajë të madhe fjala e Bejto Isufit, kur u futëm nëpër kabina, tensioni na ishte rritur të gjithëve, pa përjashtim dhe prisnim me ankth kur do të bëhej lëshimi i raketës. Pas kryerjes së kontrollit të funksionimit për baterinë radioteknike dhe baterinë e zjarrit (të shtratit të lëshimit), dëgjuam në altoparlant komandën për të kryer kërkim rrethor, me qëllim që të kapnim avionin pa pilot, i cili ishte ngritur e po afrohej në drejtimin, ku ishim gati për të bërë lëshimin e raketës, nëse avioni do të shfaqej në ekranin e kabinës indikatore, tip televizori. Nuk kaluan as dy minuta, kur u dëgjua zëri i oficerit Zihni Koshi, që raportoi fort: “Shenja u kap! Distanca 25 km. Lartësia 15 km”. Komandant Bejto Isufi, duke mos i komanduar dot emocionet, thirri në mikrofon: “Të lumtë!” Pa qenë atje e pa i parë ushtarakët, nuk mund të besosh se të gjithëve na rridhnin lotët e gëzimit dhe të krenarisë! Nuk kaluan veç pak sekonda dhe nga altoparlanti u dëgjua komanda: “Shenja po afrohet, jini gati për lëshimin e raketës!” Pastaj komandanti i grupit, Faik Myftari jep komandën për zjarr. Pas 2-3 sekondash oficeri i drejtimit, Zihni Koshi njofton: “Po bëjmë lëshimin e raketës!” Më pas raketa u lëshua, duke dalë nga strobat pritës. Iu afrua objektivit. Në fund Zihni Koshi tha ato fjalë “magjike”, për të cilën kishim shkuar aq kilometra larg: “Avioni u asgjësua!” Në të tërë altoparlantët e kabinave u dëgjua një “urra” e fuqishme. Më pas dëgjuam zërin e komandantit të grupit, të paharruarit Faik Myftari, që tha: “Copat e avionit po bien në tokë!” Raketa, në momentin e plasjes, kishte një distancë nga avioni, 5 m vertikalisht dhe 3 m horizontalisht, prandaj dhe avioni pa pilot ishte bërë copë-copë.  Dolëm të gjithë, ushtarë e oficerë, nga postet luftarake me brohoritje, lot e përqafime. Rrethuam drejtuesit tanë, Bejto Isufin e Pasho Zhupën, i ngritëm dhe hodhëm përpjetë, pa parë etikën e disiplinës, por edhe ata e pranuam me ngrohtësi entuziazmin tonë”.

Namik Shehaj, kuadër i vjetër i ushtrisë shqiptare dhe ish-komisari i Regjimentit të Raketave thotë se këtë intervistë në gazetën “Telegraf” e jep në shenjë kujtimi për shokët, që kanë punuar në sektorin aq të rëndësishëm si ai i raketave që ishin në përbërje të Mbrojtjes Kundra Ajrore. Në të njëjtën kohë ai mendon se këto fjalë do të shërbejnë dhe si një homazh për kuadrot e mrekullueshëm, që tashmë janë larguar nga jeta e që i lidhi puna në Regjimentin e Raketave Kundërajrore.

Duke vazhduar rrëfimin e rrallë për gazetën “Telegraf” ai tregon si si u realizua qitja e vetme me raketa nga një ekip prej 112 ushtarakësh shqiptarë.

Çfarë bëtë deri ditën, që do të realizonit qitjen me raketa?

Për shkak të gjendjes së krijuar, që ditën e parë të mbërritjes në poligon, shokët, Bejto Isufi e Pasho Zhupa, na qëndruan shumë pranë dhe, me fjalë zemre, na jepnin guxim që të realizonim detyrën. Në ditën e katërt të qëndrimit në poligonin e qitjes, shokët e komandës na thanë se në lindje të këtij poligoni, për dy ditë me radhë kishin qitje me avionë reaktivë pilotët shqiptarë, prandaj në solidaritet me ta duhet të mobilizoheshim për të arritur rezultate sa më të larta, sepse kështu justifikonim besimin e pushtetit popullor. Po këtë ditë u morëm në provim nga ana teknike dhe teorike për njohjen e raketave, kurse të nesërmen do të na merrnin në provim për anën praktike, ose siç quhej ndryshe, do të kryenim punime profilaktike, pra do të kontrollonim në praktikë parametrat ose treguesit, që vërtetonin se grupi i raketave ishte në gatishmëri për lëshimin, drejtimin dhe asgjësimin e avionit me raketën kundërajrore V-750.

Si dolët nga ky kontroll?

Kontrollin e njohjes teorike të grupit të raketave, komanda e poligonit e vlerësoi me notë negative, kur realisht nota jonë për njohjen teorike ishte e mirë. Ndryshe, sipas rregullit, po të kishin notë negative, nuk lejohej të realizoje qitje luftarake me raketë. Këtë na e thënë kolegët tanë sovjetikë, duke na dhënë zemër se qëndrimi i komandës së poligonit ishte jomiqësor dhe binte “erë” politikë. “Puna dhe prova juaj fillon nesër në qitjen me raketa. Ne ju garantojmë se ju nesër do të dilni me rezultate të shkëlqyera. Megjithatë, edhe nesër jemi pjesë e juaja, se jemi vëllezër armësh”, na thanë oficerët sovjetikë. Të nesërmen në orën 11:00 do të realizonim lëshimin e dy raketave, kur, sipas planit, duhet të lëshoheshin 6-të të tilla, nga tri për çdo grup. Regjimenti ynë ishte i përbërë nga dy grupe raketash. Kurse komanda e poligonit, me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes së BRSS na lejoi të shpenzonim vetëm dy raketa.

Në ç’gjendje shpirtërore ishit përpara qitjes?

Të them të vërtetën, kishim emocione të fuqishme, që nga kolonel Bejto Isufi e deri tek ne oficerët më të rinj. Veçanërisht emocionet reflektoheshin tek oficerët e rinj, sepse ne ishim si puna e dhëndrit, që do të martohej. Por, nëse dhëndri e ka nusen në krah, e sheh e kënaqet me butësinë dhe rininë e saj, neve atje në poligon, “nusja”, pra raketa na largohej, për të na treguar se sa të zotë ishim për të marrë nishan! E bëra këtë analogji me të vetmin qëllim, që të kuptohet gjendja jonë shpirtërore, këtu e 44 vjet të shkuara, jo në Shqipëri, por në Bashkimin Sovjetik. Për më tepër, në atë kohë marrëdhëniet mes dy partive ishin tepër të ftohta. Këtë atmosferë të nderë shpirtërore, ditën që do të bënim qitje, e davariti si me dorë, kur një gjysmë ore përpara qitjes, na mblodhi komandant Bejto Isufi dhe komisar Pasho Zhupa. Në esencë ata na thanë: “Shokë, për regjimentin tonë është një moment me rëndësi të madhe, por jo vetëm për ne, por edhe për ushtrinë shqiptare, sepse është hera e parë që një formacion kaq i madh del jashtë atdheut, për të treguar se ç’jemi në gjendje të bëjmë ne shqiptarët, edhe pse jemi në kushte të disfavorshme. Do t’u tregojmë tukarievëve forcën, guximin dhe dashurinë, që kemi ne për popullin dhe atdheun, besnikërinë e pafund për pushtetin popullor, që e fituam me gjak e sakrifica, të udhëhequr nga PPSH e shoku Enver Hoxha në krye. Me disiplinë të lartë dhe këmbënguljen tuaj, jam i bindur se edhe këtë betejë do ta fitojmë me rezultate të shkëlqyera. Ju uroj suksese!” I tërë sheshi i poligonit buçiti nga urra-të e mbi 100 ushtarakëve shqiptarë. Kjo gjë la përshtypje edhe tek ushtarakët sovjetikë, që gjithashtu duartrokitën për entuziazmin tonë. Mbas këtij takimi, të gjithë kuadrot dhe ushtarët u nisën për në postet e tyre luftarake.

Si shkuan të dyja qitjet?

Të dyja shkëlqyeshëm. Sapo kishim asgjësuar avionin e parë dhe ishin gjithë eufori. Pas një farë kohe këtë entuziazëm na e ndërpreu sirena e kushtrimit, e cila ftonte në frontet luftarake, grupin tjetër të raketave për të bërë qitje. Sa hap e mbyll sytë, çdo njëri ishte në krye të detyrës. Grupi i dytë drejtohej nga Sybi Spahiu dhe shefi i shtabit të grupit, i paharruari Mëhill Pertena. Edhe rasti i dytë i qitjes me raketa ishte tepër preciz. Pasi mbaroi dhe kjo qitje, zor se mund të gjendet një shkrimtar, që të përshkruajë entuziazmin tonë, që nga komandanti Bejto Isufi e deri tek ushtari i fundit. Nuk mund të gjendej asnjë ushtarak shqiptar në atë poligon të ftohtë, që të ishte në ato momente pa lot gëzimi në sytë e tij. Për një moment disiplina u thye nga euforia e fitores. Këtë entuziazëm e frenoi urdhri i kolonel Bejto Isufit, i cili komandoi për rreshtimin e regjimentin dhe tha: “Shokë ushtarë dhe oficerë! Pas mbarimit me sukses të qitjeve me raketa, dëshiron t’u thotë dy fjalë komandanti i këtij grupi raketash, majori Ivanov”. Ne të gjithë e pritëm me duartrokitje majorin sovjetik, edhe pse nuk e dinim se ç’do të na thoshte ai. Fjalët e majorit Ivanon na i përktheu Bejto Isufi. Në esencë u tha: “Shokë ushtarë e oficerë të Ushtrisë së Lavdishme Shqiptare, vazhduese e denjë e Ushtrisë Partizane, që çliroi atdheun e vet, ashtu si edhe ne, vetëm me forcat e veta! Për këtë duhet të jeni krenarë. Ju realizuat një detyrë të vështirë, të cilën ua bënë disa fish më të vështirë për shkak të pritjes jo miqësore. Megjithatë, ju patët kurajën e u ngritët mbi këto tendenca dashakeqe dhe fituat. Dhe realizuat dy fitore: e para ishte rezultati i shkëlqyer në qitje; e dyta, ju fituat mbi egoizmin dhe arrogancën e Shtetit të Madh. Ju lumtë!” Të gjithë shpërthyem në “ura” të fuqishme. Këtë entuziazëm e ndërpreu Bejto Isufi, i cili na tha: “Shokë! Ne e mbaruam detyrën. Nesër mikrobusët e aviacionit do të na çojnë atje ku na morën, prandaj përgatitni pajimet, bëni inventarin e armatimit e municionit dhe sonte në darkë, sipas traditës sonë, do të mblidhemi e do ta festojmë këtë fitore bashkë me kuadrot e shokut Ivanov. Shpenzimet e darkës janë të shokëve të grupit, ku bëmë qitjen, por edhe ne, ato shishet e konjakut, fërnetit, verës e rakisë, që kemi marrë me vete, në këtë darkë do t’i konsumojmë. Ju porosis të keni kujdes nga bisedat me sovjetikët e tjerë, se me këta të grupit e di që jeni miqësuar dhe keni bërë mirë, se janë njerëz të mirë e shokë të denjë. Edhe ju ushtarët keni të drejtë të ligjshme të festoni bashkërisht fitoren tonë. Por kujdes, mos kaloni masën. Mirupafshim në mbrëmjen e lamtumirës!” Ushtarët brohoritën si asnjëherë: “Rroftë komandant Bejto!”

Si e kaluat mbrëmjen e lamtumirës me sovjetikët?

Edhe pse kanë kaluar gati 44 vjet, çdo gjë më kujtohet si në një dramë të bukur filmike. Siç na porositën, ne kuadrot u mblodhëm në dy salla katrore. Në momentin që u ulëm, vumë përpara çdo oficeri sovjetik një shishe konjaku, prodhim i Korçës, kurse majorit Ivanon, si shtesë, i vumë përpara dhe një shishe litërshe me raki të markës “Skrapari”. Kurse një ushtar, në emër të ushtarëve shqiptarë, pasi e nderoi, i dorëzoi majorit Ivanov një shishe “Vermuth”. Majori, duke u prekur nga dashamirësia jonë, e përqafoi ushtarin, duke i thënë: “Malladjec! Spasiba!” pra, “Të lumtë! Faleminderit!” Darka u hap me një fjalë të shkurtër të komisar Pasho Zhupës, i cili tha: “Shokë! Kur vjen puna për të ngrënë, shpesh ma japin fjalën mua, sepse, meqë më pëlqen jashtë mase mishi i pjekur, e dinë që do të flas shkurt, sepse ndërkohë, sekrecionet janë shtuar shumë. Ju uroj të gjithëve, se jeni treguar ushtarakë të shkathët e guximtarë, nderuat veten, ushtrinë dhe atdheun. Rrofshi të gjithë dhe fitore paçim ngahera!” Pasi mbaruan duartrokitjet, Bejto Isufi na njoftoi se majori Ivanov, për herë të fundit dëshironte të fliste shkurt. Ai tha: “Nuk është e lejuar që në këto momente të gëzuara, ta humbasësh kohën me fjalime. Unë do t’u them disa fjalë zemre, edhe pse shoku Bejto ma ndaloi që të flas, për të mirën time. E megjithatë, unë nuk i mbaj dot përbrenda, sepse mund të pëlcas nga hidhërimi. Edhe unë e kam kaluar shkollën e luftës kundër bishës hitleriane. Jam komunist i PK të BRSS. Por shoh se pas vdekjes së Stalinit partia jonë u uzurpua nga tradhtia dhe këto ditë në Moskë është vetëm PPSH dhe shoku Enver Hoxha, që ia përplasën në surrat tradhtinë Nikita Hrushovit! Prandaj PPSH është një parti heroike. Rroftë shoku Enver Hoxha!” Atij i rrëshqitën lot nga sytë, ndërsa ne duartrokitëm me krenari.

Fillimi kishte përmbajtje politike, po pjesën tjetër si e kaluat

Pastaj filluam trokitjen e gotave. Këngën e njohur ruse “Rasia Rodina Maja” (Rusia atdheu im) e kënduam duke zëvendësuar fjalën Rusi me Albani. Në fillim oficerët rusë u habitën me këtë përshtatje, por më pas filluan të na shoqëronin. Për të mos mbetur pas nesh shokët tanë rusë na befasuan, kur filluan të këndonin këngën shqipe “Lule borë”. Nuk kishte gjë më të bukur se të ishe mijëra kilometra larg atdheut dhe të dëgjoje këngë shqip. Majori Ivanov na shpjegoi se në të njëjtën kohë, kur ai kishte mbaruar Akademinë Ushtarake, studionin në Konservatorin e Moskës, Avni Mula, Mentor Xhemali e Ibrahim Tukiçi. Ndërsa kënga “Lule borë” ishte shpërndarë në të gjitha qytetet e mëdha ruse dhe këndohej në shqip.

AVENTURA

Nata e fundit në Moskë

Namik Shehaj tregon se si kaloi nata e fundit e ekipit shqiptar në Moskë, dhe aventura e fundit e tyre në kryeqytetin e madh rus: “Qëndruam deri në orën 23:30 me shokët rusë dhe pas kësaj shkuam të flinim, se kishim rrugë të gjatë për të bërë. Në fakt, unë dhe shoku im Sybi Spahiu shkuam në dhomat e femrave ruse, me të cilat ishim njohur që kur mbërritëm në poligon. Ishin dy inxhiniere elektronike. Pas darkës së lamtumirës kërkuam t’i takonim për herë të fundit. E njohura ime nuk ishte në dhomë, prandaj unë shkova për të fjetur. Ndërsa Sybiun e takova në dhomën e të njohurës së tij dhe e porosita që të mos vonohej. Por kur u ngrita në mëngjes dhe vajta tek krevati i Sybiut, pashë që ai nuk ishte prekur fare. Me vrap shkova të dhoma e shoqes së tij, por dhe aty nuk ishin. Mendja më shkoi për keq, por nuk e bëra fjalë me njeri. Kështu, në orën 7.00 kolona e autobusëve të aviacionit u nis për në Astrahan, ku dhe do t’i hipnim trenit për në Moskë. U mata disa herë që të ndaloja kolonën, por nuk e mora këtë guxim dhe mendova: “të shohim, ç’do të ndodhë!” Pasi bëmë nja 80 km, kolona ndaloi dhe kolonel Bejto Isufi, urdhëroi të bëhej kontrolli i efektivit, të rreshtuar në krah të çdo makine. Kur ç’të shikoj?! Sybi Spahiu po vinte me vrap për të hipur në autobus, në vendin bosh pranë meje. Dukej i qetë, por u ndje keq kur Mëhill Pertena e pyeti se ku kishte qenë. Atëherë ndërhyra unë dhe e sqarova Mëhillin se Sybiu ishte i sëmurë me bark dhe kishte hipur në autobusin e fundit, që të kishte mundësi ta ndalonte, kur të kishte nevojë. Por ç’kishte ndodhur? Sybiu kishte kaluar natën me inxhinieren ruse dhe ishte zgjuar në 7.30 të mëngjesit. I alarmuar, kërkoi që inxhinierja ta ndihmonte. Ajo kishte gjetur një Gaz 69-ësh dhe me shpejtësi të madhe kishte ndjekur kolonën e autobusëve deri sa e kishte arritur. Kështu kaloi dhe kjo aventurë”.

 

EPILOGU

Kthimi i përmallur në atdhe

Duke rrëfyer detajet për kthimin ne Shqipëri, pas përvojës të rallë të qitjes me raketa, Namik Shehaj thotë: “Në ditën e pestë të udhëtimit me tren, mbërritëm në Sevastopol. Në kthim ndiheshim më të çlirët, sepse e kishim kryer detyrën, të cilën nuk do ta harroj sa të jem në jetë. Para se të hipnin në anije, koloneli i KGB-së (të cilit nuk i mësuam as emrin) i thotë Bejto Isufit se majori Ivanov nuk diti ta ruante veten e tij nga emocionet dhe sinqeriteti dhe se për këtë u internua në një minierë në Siberi. “E pagoi shtrenjtë qëndrimin që mbajti në mbështetje të PPSH-së dhe Enver Hoxhës, edhe pse u këshillua nga ju që të mos shpërthente publikisht. Shoku kolonel, së fundi dua t’ju falënderoj që ma lehtësuat detyrën. Për ju unë përgjigjesha me kokë, nëse ndodhte ndonjë gjë, madje dhe për oficerin, që erdhi me vonesë, kur bëtë kontrollin fizik, ishte fati im i mirë, sepse, në të kundërt, do të përfundoja si Ivanovi. Shoku kolonel, do të të jap përshtypjet e fundit për Ushtrinë Shqiptare, me të cilën u ballafaqova çdo moment që kur mbërritët këtu. Dua të të them se kam njohur të gjitha ushtritë e kampit socialist, por ushtri kaq të disiplinuar e të përkushtuar për të realizuar detyrën, nuk kam hasur. Ju faleminderit! Më keni shpëtuar nderin dhe jetën. Nuk do t’jua harroj!” Ai qëndroi në port derisa anija “Irgisi” u nis. Më 13 dhjetor 1960, hymë në portin e Vlorës”.