Dossier/ Diktatorët, të pangopur me gra

2187
Sigal

Rrëfim i Rajna Kovaçit në librin e saj “Diktatorët, burra të pangopur me gra” “Lideri komunist u vetë pagëzua me emrin e të dashurës Elena Lenina”



VLADIMIR ILIÇ LENIN

Vladimir Iliç,(i njohur me emrin ‘Lenin’, që e mori nga mbiemri i të dashurës së tij Elena Lenina), ka patur disa lidhje jashtë martesore. Ndër më të bujshme, është ajo me Inesën, e cila bashkëjetoi për vite të tëra me Leninin dhe Krupskajan, gruan e ligjshme të tij. Ashtu si dhe diktatorët e tjerë, interesant është fakti se dhe të dashurat e Leninit kishin ndikim në vendim marrjet e tij.



Lenini, ‘bashkëjetesa’ me dashnoret, përballë ankthit nga gruaja e ligjshme

Pseudonimi i Vladimir Iliçit nuk vinte nga lumi Lena (si na e kanë mësuar), por nga mbiemri i të dashurës së tij Elena Lenina. Gruaja legjitime e Leninit ishte Nadezhda Krupskaja, por në jetën e tij ka ekzistuar edhe një ortake më shumë se shoqe, bukuroshja revolucionare Inesa Armand. Shumë bashkëkohës e quanin Iliçin të degjeneruar, të pështirë, tinzar dhe impotent. Në rininë e tij ishte infektuar nga sëmundja e sifilizit, sëmundja zgjati shumë dhe mendohet se një nga shkaqet e vdekjes së tij në moshë të re ishte një paralizë e shpejtuar me origjinë nga një sëmundje infektive e rëndë sifilitike, por ka hipoteza se në vdekjen e tij ka patur dorë dhe Stalini…

BUKUROSHJA ELENA LENINA

I panjohur për ne deri tani është fakti se Lenini në atë kohë kaloi një histori dashurie shumë të fortë me bukuroshen kozake Elena Lenina, e cila mbeti sekreti i thellë i partisë. Bukuroshja i premtoi të shkonte me të nëpër fshatra për të bërë agjitacion për partinë bolshevike, por në momentin e fundit e gënjeu dhe u zhduk njëherë e përgjithmonë. I tronditur nga ky fund Lenini i shkroi një letër me përmbajtje revolucionare shoqes Krupskaja që në atë kohë gjendej në burg. Ndër të tjera i kërkonte të martoheshin. ” Nëse duhet të martohemi dhe është për të mirën e partisë do të martohemi”,-përgjigjej e përzgjedhura flegmatike. Martesa fiktive si dhe bashkëjetesat ishin shumë të përhapura mes komunistëve ilegalë të partisë në atë kohë. Në shumë raste martesat ishin me urdhër të partisë dhe kështu mbetej që bashkëjetesat të ishin shpirtërore.

KRUPSKAJA

…Krupskaja shpresonte se kjo lloj martese do të kishte rezultat sepse kurrë nuk e pat menduar se do të martohej ndonjëherë. Me një pamje të tmerrshme, komunistja revolucionare, që në rininë e saj, ajo ishte krejt e lëshuar, e shëmtuar, mohim i përgjithshëm i feminilitetit. Ajo e priti me shumë dëshirë propozimin për martesë, ajo ndjehej më tepër si mamaja e Leninit se sa gruaja e tij, ishte një vit më e madhe se Lenini. Krupskaja kishte shumë armiq në radhët e shokëve komunist, të cilët më fort nuk e donin se sa e donin. Mjaft prej tyre e urrenin, i kishin vënë nofkën “peshku”, për shkak të trupit të saj pa formë, fytyrës së shëmtuar pa ngjyrë, gjithmonë e zbehtë dhe e fryrë, flokët e rrallë dhe peshës së stërmadhe të trupit. Gjatë gjithë kohës që kaluan në emigracion dhe në internim, bagazhi i çiftit komunist ishte një valixhe e vogël e përbashkët dhe dy krevate portative…

INESA AMARD

…Kush ishte Ines Armand, ose bukuroshja Ines? Ishte një dashuri tjetër shumë e zjarrtë e Leninit dhe mbeti e tillë deri në fund të jetës. Krupskaja e quante shoqja e jonë e denjë dhe shumë besnike, ndërsa Lenini në korrespondencën e tij shumë të rregullt, pothuajse të përditshme, i fillonte letrat me fjalët “e shtrenjta, shoqja ime Ines” dhe i mbyllte me fjalët” ju shtrëngoj fort dorën”. Bukuroshja e partisë bolshevike, shoqja Inesa, u lind në Paris më 1874, nga lidhja e paligjshëm e tenorit të famshëm francez Teodor Stefan dhe këngëtares koriste Natali Uajlld, nënshtetase ruse me prejardhje anglo-franceze. Kur Inesa mbushi 3 vjeç i ati e braktisi. Tezja nga Moska erdhi dhe e mori Inesën e vogël përgjithmonë. Ajo ishte mësuese në një familje të pasur industrialistësh ruso- francez me mbiemrin Armand. ata jetonin në Rusi. Kjo familje ishte një nga familjet më të përmendura në atë kohë në Rusi si për pasurinë, por edhe për nivelin e lartë intelektual dhe kulturor. Ata e pritën me shumë dashamirësi Inesën e vogël. Kjo familje me tradita aristokratike e rriti me shumë dashuri Inesën, si të ishte vajza e tyre. Inesa u hyri aq shumë në zemër familjes Armand saqë e martuan me një nga djemtë e familjes Armand, Aleksandrin, trashëgimtarin e pjesës më të madhe të pasurisë. Ai dhe e gjithë familja Armand e admironin Inesën. Ata patën 4 fëmijë. Në vitin 1903 ajo lindi fëmijën e 5-të, këtë radhë jo nga bashkëshorti, por nga vëllai i tij më i vogël, 18 vjeçari Vladimir Armand. …Për të harruar sado pak dashurinë për Vollodjan e mjerë si dhe për tu marrë me botën e modës, si një damë mondane që ishte, Inesa hyri në universitetin e modes. Atje u njoh me motrën e Leninit, Manjosha Ulianovën.  Për herë të parë me Leninin u takua në Paris, në varrimin e Laora dhe Pol Lafark, vajza dhe dhëndri i Karl Marksit. Që në atë kohë ajo u bë mikeshë e pandarë dhe shumë besnike e Leninit. Lidhja e tyre zgjati deri në vitin 1913. Në të vërtetë mes tyre nuk pati asnjëherë ndonjë shkëputje të mirëfilltë, mbase të dy dashnorët e pasionuar do të dëshironin të bubronin së bashku, po të mos kundërshtonte vrazhdë Nadezhda Krupskaja dhe mbi të gjitha, po të mos ishin vënë në gatishmëri autoritetet drejtuese të partisë bolshevike, që druheshin se policia cariste mund të ushtronte ndonjë shantazh mbi Leninin dhe ky i fundit nuk do të pranonte të hiqte dorë nga e bukura Inesa Armand.

KRUPSKAJA DHE INESA

…Inesa sëbashku me Leninin dhe Krupskajën u vendosën nën një strehë, pra Lenini, Inesa dhe Krupskaja jetonin bashkë. Për çështjen e partisë ajo braktisi gjithshka: fëmijët, burrin, pasurinë dhe lluksin e shtëpisë së saj. Çifti komunist ishte shumë i pakujdesshëm. Në banesën e tyre mbretëronte rrëmuja dhe papastërtia. Ushqeheshin me ç’të mundnin, si të mundnin dhe ku të mundnin. Krupskaja nuk kujdesej për mirëmbajtjen dhe punët e shtëpisë. Ajo thoshte” punët e shtëpisë dhe gatimi janë një kohë e humbur kot për mua”. Me ardhjen e Inesës në shtëpinë e tyre gjithçka ndryshoi, ajo u bë sekretarja e Leninit, përkthyesja e tij dhe zonjë shtëpie. E rritur në një ambient shumë mondan ajo u mundua me çdo mënyrë të ndryshonte jetën e dy shokëve komunistë emigrantë. U fliste për kulturën botërore, shkonin së bashku nëpër ekspozita, koncerte etj. Inesa i mësoj Leninit se kush ishte Bet’hoveni dhe muzika e tij. Ky ishte trekëndëshi familjar, ku maja ishte Inesa, e preferuara, dashuria më e madhe e Leninit, ata nuk u ndanë për asnjë çast nga njëri tjetri. Ja çfarë shkruante Krupskaja në atë kohë për Inesën: “Shtëpia ndriçonte kur hynte Inesa. Ne ishim shumë të kënaqur.. që kur ajo hyri në jetën tonë në vjeshtën e vitit 1913. Të gjithë ishim shumë të dashur me Inesën. Tek ajo kishte shumë gëzim dhe aromë jete. Ne e kishim njohur Inesën në Paris… Mamaja ime u bë shumë e afërt me Inesën, ato të dyja shpesh i gjeja duke biseduar dhe duke pirë cigare. Jeta e jonë i ngjante më shumë një mbledhje partie se sa një jete familjare, dhe ardhja e saj na e ndryshonte jetën, diçka e butë dhe e ngrohtë ridhte nga biseda e saj. Përse ishte aq e ëmbël dhe e bukur? Iliçi, Inesa dhe unë shpesh shëtisnim bashkë. Zioniviev dhe Kamenev vinin tek ne në ato “mbrëmjet partiake apo bolshevike” që ne organizonim. Përveç kësaj ajo ishte një muzikante e mrekullueshme,ajo i binte shpesh pianos dhe Iliçi më shumë nga të gjitha pëlqentë Sonatën Pathetique…, ajo i binte e lumtur

dhe ishte e papërtueshme”.

TRADHËTIA BASHKËSHORTORE

…Për një kohë të gjatë ai u përpoq ta mbante të fshehtë këtë lidhje të thellë dashurie, por ishte e pamundur. Shokët e partisë e mësuan, por përkohësisht nuk i dolën hapur. Fillimisht. Krupskaja nuk kishte kuptuar gjë. Disa herë ata të tre kaluan nga Krakovi,Zyrih, Paris, Zvicra, Austria, Gjermania dhe Inesa i shoqëroi gjithmonë. Ata bashkëjetuan për pesë vjet rresht. Lenini i mbante shumë të fshehta lidhjet intime me Inesën. Shkaku që Krupskaja ta kuptonte këtë lidhje, u bë një letër që ajo gjeti në dokumentat e Leninit. Letra ishte shumë emocionuese dhe plot me fjalë të bukura dashurie për Inesën. Krupskaja i propozoi Leninit të ndaheshin, ai nuk pranoi. … Njëherë në kujtimet e saj Krupskaja shkruante:” Shoqja Armand është krahu i djathtë i shokut Lenin sidomos në frontin e politikës ndërkombëtare”. Kuptohet, para se Krupskaja të gjente letrën e shkruar plot me pasion nga Lenini…

NDIKIMI POLITIK I INESËS

Në vitin 1918 Lenini e ngarkoi Inesën të shkonte në Francë. Ajo u paraqit si përfaqësuese e Kryqit të Kuq. Detyra ishte shumë e vështirë. …15 mijë ushtarë rus, më 1915, qeveria ruse i kishte dërguar në ndihmë të aleatëve të saj. Sipas partisë bolshevike ata duhet të ktheheshin në atdhe për t’u mobilizuar në front për luftën civile. Të ndikuar nga puna e madhe dhe agjitacioni i jashtëzakonshëm që bëri Trocki dhe Inesa, të cilët ja arritën qëllimit plotësisht, ushtarët u ngritën në revoltë të përgjithshme për kushtet e vështira ku jetonin, saqë qeveria franceze u detytua t’i vendosë nëpër disa kampe të veçanta. Në këtë kohë Inesën e arrestuan forcat franceze, të cilat e zbuluan se ajo nuk ishte përfaqësuese e Kryqit të Kuq. Lenini duke i ditur fare mirë pasojat që mund të kishte ajo, i dërgoi Përfaqësisë Diplomatike Franceze në Rusi një telegram shumë të fortë, një ultimatum të prerë ku shkruante:” ose të lirohet shoqja Inesa, ose në rast të kundërt, i gjithë misioni dipllomatik francez që gjendet në Moskë do të pushkatohet dhe do të zhduket nga shokët tanë”. E liruan së bashku me 1000 të burgosur. Inesa u kthye në Rusi si heroinë….

VDEKJA E INESËS

Në atë kohë Inesa e bukur ishte shumë e sëmurë si shumë shoqe dhe shokë të tjerë. Tek ajo ishte zhdukur çdo shenjë aristokracie, në pamjen e saj të jashtme nuk kishte mbetur asgjë nga ajo zonjë e bukur, moderne, e mrekullueshme, që e kishin zili të gjitha shoqet dhe shokët e partisë. Ajo filloj të vishej pa gusto si burrë, pa tualet, ashtu si e donte partia… Lenini vazhdonte të kujdesej vazhdimisht për të. Nëse telefoni prishej ai i dërgonte mesazhe Inesës me anë të një ushtari me motoçikletë. Çdo ditë nga Kremlini nisej ushtari me motoçikletë dhe shkonte tek Inesa, e pyeste për çdo nevojë që ajo kishte. Lenini e furnizonte me çdo gjë, si me dru, ushqime, ilaçe. Në atë kohë krize të tmerrshme, mangësitë jetike ishin deri në ekstrem, me qindta dhe mijëra rus vdisnin nga uria dhe nga të ftohtit. Ndërsa për Inesën gjithmonë, mendonte shoku Lenin. Një datë shumë e rëndësishme mbeti për Inesën, dita kur Lenini i dhuroi një palë galloshe… Në vitin 1920 Lenini e dërgoi për pushime në Kaukaz. Por gjithë ai udhëtim i largët shkoj kot. Sapo arriti në vendin klimaterik ajo u sëmur shumë rëndë nga kolera dhe vdiq menjëherë. Ishte vjeshtë kur dy kuaj të drobitur nga uria tërhiqnin zvarrë-zvarrë nëpër baltën e zezë të sheshit të kuq një arkivol xingo. Ishte arkivoli i Inesës. Lenini e vuajti shumë vdekjen e Inesës… Vollodja e vuajti shumë vdekjen e saj. Që nga ajo kohë ai humbi çdo interes për seksin femëror. Në vitin 1921 mes telegrameve të shumta ku shkruheshin emrat e pafund të pushkatuarve, kulakëve, fshatarëve, borgjezëve etj; Kryetari i Komitetit të Moskës mori një telegram nga Lenini ku shkruante:” Shoku Kumanov, nuk keni mundësi të mbillni dy -tie lule në varrin e shoqes Ines Armand, si dhe të ndërtoni ndonjë lapidar të vogël për ta kujtuar atë si dhe kontributin e saj të vyer për partinë tonë bolshevike dhe për veprimtarinë e saj revolucionare? Ajo e meriton apo jo?”. Përgjigja e Kryetarit të pashpirt ishte ” Tani për tani nuk kemi fonde, nuk mund ta bëni ju privatisht këtë financim?”

Арманд Инесса – видный деятель Межд

LETRAT E DASHURISË

…Por një fakt është i pamohueshëm, që nga nëntori i vitit 1916 deri në shkurt të vitit 1917, Lenini i shkruajti Inesës 40 letra dashurie me shumë fjalë intime brenda. Ajo ishte heroina romantike, e dalë pej faqeve të novelës së Çernishevskit, “Çfarë do të bëhet” ishte novela e preferuar e Leninit, ashtu edhe e Inesës. Ndërsa gjatë luftës ai i shkruajti Inesës me qindra letra përsëri dashurie. Dhe të gjitha letrat ishin si ditaret personale. Duke lexuar me kujdes korrespondencën e tyre del qartë se, ai jo vetëm e dashuroi pafundësisht Inesën por jo rrallë përdori aftësitë dhe inteligjencën e saj. Njëherë ai e dërgoi të përfaqësonte bolshevikët në konferencën e Byrosë Ndërkombëtare Socialiste që u mbajt në Bruksel, në 16,17 qershor 1914, për të bashkuar njëherë e përgjithmonë lëvizjen socialiste Ruse. Ai e dërgoi atë të takonte dhe të luftonte figura nga më të mëdhatë e asaj kohe si Kautski, Vandervelde, Huysmans, Roza Luksemburg, Plekhanov, Trocki dhe Martov. Ai përfitonte jo vetëm nga kultura e saj e gjithanshme por edhe nga gjuhët e shumta që dinte, por kryesorja ishte besimi i madh që kishte ai tek ajo si dhe nga devotshmëria dhe përkushtimi i saj për ‘të. Sigurisht ajo ja arriti qëllimit. Ajo hodhi bazat duke shkruajtur pamfletin e gruas, i cili nuk u botua asnjëherë…  Lenini kishte një fëmijë me Inesën. Më vonë ajo u martua me një komunist gjerman, i quajtur Eberlein, i cili u persekutua nga Stalini. Çfarë ndodhi me vajzën e Leninit nuk dihet….

Më vonë dëgjova nga një gjerman se pas vdekjes së Inesës, Ulianovët e kishin birësuar vajzën, që quhej Ma Armand, dhe e kishin marrë të jetonte me ta. Edhe ajo pati një histori të dhimbshme. Po burri i Inesës zoti Armand?. Me ardhjen e komunistave në pushtet, ai humbi të gjithë pasurinë. Kështu punoi në një kolkoz deri sa vdiq më 1943. Djali i madh i Inesës dhe i zotit Armand luftoi në Luftën e Dytë Botërore. Për disa arsye që akoma nuk dihen mirë atë e përjashtuan nga partia pasi Stalini erdhi në fuqi… Fjodori, djali i dytë u bë pilot ushtarak, pastaj u angazhua me atletikë, dhe e vazhdoi sportin deri sa vdiq nga tuberkulozi në 1936. Djali i vogël Andrea, u bë inxhinier dhe konstruktor tankesh. Ai vdiq në betejë më 1944. Vajza tjetër Ma, e humbi bashkëshortin e saj gjermanin komunist, gjatë luftërave të brendshme që provokonte Stalini herë pas here, e gjetën të gjakosur. Në vitin 1957 ajo filloi punë në Institutin Marksist-Leninist. Vajza tjetër Varvara është, piktore dekorative… Shumë vonë bota perëndimore i zbuloj lidhjet intime të Inesës dhe Leninit…(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)

NDRIÇIMI I SKANDALEVE

Libri i Rajna Kovaçit me titull ‘Diktatorët, burra të pangopur me gra”, është mirëpritur nga lexuesit. Në faqet e këtij libri sillen perversitetet dhe manitë e politikanëve diktatorë të Evropës me femrat. Në ‘të flitet për gratë e të dashurat e Vladimir Iliç Leninit, Josif Stalinit,Musolinit, Josif Titos, Sllobodan Milosheviçit, Mao Ce Dunit, Adolf Hitlerit e Fidel Kastros.