Detashmenti i zbulimit ishte një repart elitar

1275
Albert Z. ZHOLI

– Vijon nga numri i kaluar –
INTERVISTA/ Flet ish-oficeri i zbulimit, Ilirian Ballaj: “Zbulimi ushtarak shqiptar ka qenë ndër më të aftit në Evropë” 
Gama e stërvitjeve në detashment vinte në rritje dhe kjo shtronte detyrën dhe nevojën urgjente për një bazë materiale stërvitore më të gjerë, më të perfeksionuar, që të zbatoheshin risitë që vinin. Aty duhej përgatitur vetë detashmenti, por edhe të tjerët, batalionet e zbulimit të korpuseve, që do të vinin. Prandaj në vitin 1969 Ministria e Mbrojtjes urdhëroi që të ngrihej një shtab punimesh i cili do të merrej vetëm me punime për pasurimin e bazës materiale. E drejtori i atëhershëm, si një kuadër që donte punë të mëdha, por edhe me pak ego të mirë, shtroi nevojën se në Zallherr mund të ngrihej edhe një qytet i tërë ushtarak, një poligon i stërmadh e i sofistikuar për kohën, e që i tillë është edhe sot. Reparti ndërpreu stërvitjen e u angazhua në punë, duke bërë përjashtim vetëm ndonjë stërvitje zjarri e ndonjë marshim natën. U çelën fondet nga Ministria e Mbrojtjes dhe filloi puna. Në krye të shtabit u caktua oficeri Shefqet Haxhia, që kishte qenë më parë shef zbulimi në korpusin e Burrelit, një natyrë e ashpër, një kërkues i rreptë, një punëtor i palodhur, por edhe një organizator i mirë punësh. Ishte me të Hariz Ismaili, që erdhi nga Kavaja, një ndërlidhës që kishte braktisur profesionin e ndërlidhësit për të ardhur në Tiranë prej edhe nga ishte, Taqo Kovaçi, një Vunoas, që kishte bredhur edhe jashtë, kishte parë e kishte marrë përvoja teknikash e ndërtimesh, etj. U vunë në dispozicion njerëzit e mjetet për punë, u aktivizua personeli inxhiniero-teknik si projektues e zbatues të punimeve si i madhi Irfan Tërshana, Xhafer Toro, Vilson Topulli etj. 
U ndërtuan në një kohë rekord shumë poligone, në mos gaboj shatë, poligone të përmasave të mëdha ku të eksperimentoheshin e demonstroheshin stërvitje po të mëdha. U ndërtua një pishinë e madhe me përmasa 50×25 metra, që u projektua e u bë në ballë të komandës, në një terren të fortë. Projektues, zbatues e vrojtues i punimeve ishin detyra të inxhinier Irfanit, që rrinte dimër verë me pantallona të shkurtra, me një kapele të madhe kundër diellit që i mbulonte edhe barkun, me këpucë të rënda me qafa si masë sigurie nga dëmtimet e që i rrinte betonit tek koka, që zhavorri të lahej mirë me ujë, që telat e armaturës metalike të pastroheshin rreptë nga ndryshku, që nuk pinte gjë tjetër vetëm se ujë të rrjedhshëm tek çezma e që na porosiste edhe ne të qëndronim larg pijeve të konservuara e të ndenjura e që rroi me një rini të pa krahasuar sa i deshi shpirti. E mbaroi pishinën në një kohë shumë të shkurtër duke ndërtuar edhe një kanal shumë të gjatë uji, që e mori atë (ujin) nga shkëmbinjtë rrjedhës të Bovillës, të pastër si loti. Në atë pishinë u stërvit më vonë ekipi “Partizani” i notit, u zhvilluan kampionate kombëtare, deri dhe një takim me ekipin e notit të Kinës. Ushtarët aty laheshin dimër verë. Trajner i ekipit të notit ishte i paharruari Petrit Caslli, që rrinte ditë e natë pranë pishinës e në stërvitje me djemtë, siç i quante ai. Ceni kryente stërvitje noti me ushtarët e kuadrot e zbulimit. Ajo pishinë u bë, më vonë, një qendër e madhe stërvitore për repartet e zbulimit të korpuseve, por edhe një qendër eksperimentuese për kalimin e pengesave ujore me dhe pa pajime, me mjete rrethanore e në maskim të plotë, ditën dhe natën. Pranë saj u ndërtua edhe një lagunë e madhe me ujë e kallamishte në të cilën ushtroheshin efektivat për ta kaluar atë me zhytje duke marrë ajër me kallama, përvojë kjo që ishte marrë nga oficerët tanë, që kishin qenë në luftën e Vietnamit. Po nën praninë aktive të inxhinier Irfanit u bë edhe një stadium i madh futbolli, duke ulur rreth 10-15 metra një kodër të tërë me mjete teknike e me kazma e lopata. Ai stadium shërbeu jo vetëm për ndeshje futbolli, por edhe për aktivitete të tjera si demonstrime sampoje, boksi, mundjeje, luftimi trup me trup. Dyzetë-kohëshit që ushtronte Hysen Sharra në ushtrime gjimnastikore me gjithë efektivin duke aktivuar edhe kuzhinierin, përvojë që e kishte marrë nga kinezët, e ndiznin Zallherrin flakë. Përreth stadiumit u mbollën pemë për gjelbërim, për hije në verë, por edhe për ta ruajtur stadiumin nga rrëshqitja e dherave, u vendosën stola për pushim, etj. Në pjesën përballë tij u gdhend faqja e kodrës duke i dhënë asaj pamjen e një amfiteatri të lashtë antik. Prej stadiumit u shpua një kodër e madhe, me një tunel të hollë tip vietnamez, për dalë zbuluesit në faqen matanë, në maskim të plotë, pa u parë. U ndërtua një poligon i tërë për parashutizmin, për përgatitjen e efektivave, në qendër të të cilit u ngrit një kullë e madhe, ku qëndron edhe sot. Ajo qëndron atje si një dinozaur, me tërë madhështinë, heshtjen dhe pritjen e vet. Më parë përgatitja parashutiste e efektivave bëhej tek Batalioni i Sigurimit të ushtrisë, ose i Diko Zeqos, sikurse ishte bërë traditë të thuhej. Kulla e madhe prej hekuri e parashutizmit, e lartë 50 metra, u porosit në Fier, në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës, tek ish-drejtori i saj Lipe Nashi. Atje ishte porositur pjesë-pjesë, u soll me makina të mëdha që transportonin tanke, e pasi u lidh e gjitha, u ngrit direkt me katër tanke, që balanconin njëri-tjetrin e të komanduar me flamurë, gjersa e vendosën në bazament. Mbaj mend, se kur është provuar për herë të parë hedhja në të, shkuan për ta bërë atë punë tre instruktorë të parashutizmit Azem Hyka, Gani Elezi, Thimi Buçka, të tre instruktorë të hedhjes e pas tyre edhe unë, thjeshtë për të parë e për kënaqësi, që isha kuadër i atij reparti, por s’isha i asaj fushe. Azemi është munduar shumë atë ditë, kreu hedhje të disa thasëve me çimento, që ua shtonte dhe ua pakësonte peshën për të parë nëse çaheshin e punët ishin keq apo mirë, gjersa u bind se rënia ishte e realizuar. Ai zbritjen e parë nuk e bëri me parashutë por dulfer, një lloj zbritje alpinistike, e duke vrojtuar në se kundërpesha funksiononte mirë. Pasi ra mirë, bërtiti nga gëzimi, u ngjit lart dhe u hodhën pastaj të gjithë me radhë, Ganiu, Thimi. E pasi u doli frika dhe u siguruan, e bënë atë punë disa herë, madje të ngazëllyer. Ishte një çast gëzimi, triumfi, fitoreje. Sot ajo kullë, nga repartet komando, me sa di përdoret vetëm për zbritje alpine. Ndërsa teknika tjetër, për rreth saj, përdoret për s’di se çfarë, por që mendoj se hynë në punë për ushtrime force. U ndërtua një brez kalitjeje me të gjithë elementët që edhe zjarr ndizej kur e kalonin ushtarët. Më tej u ngrit një poligon qitjeje i elektrifikuar, një teknike e teknologji bashkëkohore, me një pult komandimi që kishte ardhur nga jashtë e që bënin qitje në të në mos gaboj, një ndërresë prej 70-100 vetë. Aty improvizohej një sulm armik dhe asgjësohej ai duke goditur tabelat, nëse asgjësohej armiku tabela bënte lidhje të shkurtës nga depërtimi i plumbi e binte. Aty punuan mjeshtrit Xhevat Koçia që më vonë u bë dhe komandant Divizioni në Delvinë, Zeno Jahaj që na përfaqësoi atashe ushtarak në Athinë. Të tjerë poligone ishin ai i alpinizmit, i maskimit dhe në krye të të gjithave ishte një kullë e madhe nga ku vrojtoheshin të gjitha poligonet e stërvitjes, që e zbatoi Ahmet Neziri, një kuksian e që ne i thërrisnim xha Ahmeti nga që ishte më i madhi aty. Projektin dhe katalogun e poligonit të qitjes i kishte marrë Taqua, thoshin, në Austri. Më madhështori ishte qyteti sportiv, me mjedise atletike, gjimnastikore, mundjeje, sampoje, fushë basketbolli e volejbolli, kullë për ushtrim force në ngjitje, që kapte një hapësirë 100×75 metra.

Në Zallherr u ndërtua një qytet jete dhe stërvitjeje. Dhe aty është edhe sot, eficent dhe i pa dëmtuar. Nuk kishte deri atëherë asnjë repart tjetër që të kishte atë pasuri poligonesh, thoshin se barazohej me shumë poligone të cilat i kishin parë jashtë vendit në perëndim, ku kishin vjedhur modelet e tyre. Madje edhe modelin e fortifikimit të vendit shteti ynë e mori në Austri, oficerët tanë, si Adem Çopanin me shokë, shkuan atje e morën përvojën, e sikurse kishin bërë ata për mbrojtjen, bëmë edhe ne, me ndërtimin e poligoneve në Zallherr. Unë nuk shikoj edhe sot ndonjë ndryshim të madh, qoftë të bazës material për stërvitje, qoftë edhe në teknikat që ushtrohen, sepse jepen emisione e ne i shikojmë, vetëm sofistika është shtuar, si arma, dylbia, telefoni, jeleku mbrojtës nga plumbi, etj. Kam parë edhe një film se si stërviten sot forcat komando malore e amfibe të shteteve të fuqishëm dhe nuk kam gjetur ndonjë diferencë të madhe nga ato që bënim ne atëherë. Edhe ne nga ata i kishim marrë, pavarësisht se i shanim. Ndërsa ajo që më ka befasuar në stërvitjen e komandove, që kam pasur rastin ta shoh me shokë në Zallherr tash vonë, ishin qitjet me tepër precizion, pashë që të goditej me plumb koka e rrëmbyesit që qëndronte ngjitur me atë të robit. Por edhe mrekulli të tjera pashë dhe u krenuam.

Të gjitha poligonet që u ndërtuan atje, në Zallherr në vitet 1969-1972, u mbaruan në një kohë të shpejtë, në dy vjet. Në fund u organizua një mësim tregues madhështor ku erdhi e gjithë Byroja Politike e kryesuar nga Hysni Kapo, vetëm Enver Hoxha e Mehmet Shehu nuk erdhën. Për ardhjen e tyre u hap edhe një rrugë e re nga uzina e artilerisë në Tufinë e që e lagëm gjithë natën me ujë, duke zbrazur bote. Mbaj mend se në pishinë, gjatë demonstrimit, ndodhi edhe një e papritur, një zhytës durrsak, njëri me mbiemrin Troplini, një notar klasi që e kishte kaluar pishinën me zhyt pesëdhjetë metra me qindra herë, aty humbi, mbeti në fund e nuk doli, Cen Sharra, që e kishte bërë zakon t’i numëronte ushtarët kur dilnin nga uji, e ndjeu dhe e shkumoi pishinën me trupin e tij të madh si një balenë, pas tij u hodhën ushtarët e tjerë e ecuria u prish, Hysni Kapo u ngrit në këmbë, në këmbë brofën të gjithë. E nxorën pa ndjenja ushtarin duke i dhënë ndihmën mjeku Lufti Balili e të tjerë që shpejt e sollën në jetë, dhe shpërtheu një duartrokitje, ushtari vazhdoi me shokët, kështu që ajo stërvitje u mbyll në mënyrën më të mirë. Bëmë edhe një fotografi të gjithë, Beqir Balluku, Ministër i Mbrojtjes atëherë i tha Hysni Kapos që të përshëndeste, ndërsa Hysni Kapo urdhëroi ministrin. Beqir Balluku foli jo me atë ton me etusiazëm që ne ia njihnim nga që së bashku me Petrit Dumen vinin shpesh tek ne, madje kishin ndërtuar edhe një vilë modeste te një liqen peshku, pa bënin edhe ndonjë shëtitje me kalë përmes pyllit; e nga ajo fjalë e ftohtë, ne kuptuam diçka që na u duk si një gjendje jo e mirë fizike e ministrit, por që kishte qenë më shumë se aq e që e morëm vesh më vonë pas 15 korrikut 1974. Ishte 10 korriku i vitit 1973, kurse në 12 korrik të 74-s do të arrestohej Beqir Balluku. Atëherë u bënë edhe diskutime në parti e në to u përfshiva edhe unë, sepse isha i Organizuar në parti, por me aq sa kisha parë e sa dijeni kisha nuk kisha vërejtur të këqija tek ata njerëz. Ata ishin kuadro të Luftës e punuan me përkushtim, sa ishin ushtrinë e mbajtën në këmbë. Pati që ngritën edhe probleme kot se pse kishte qen gjahu në repart Beqir Balluku? Po në se kishte ai, po Mehmet Shehu me cilët zagarë e bënte gjuetinë, ku i mbante ata? Edhe insinuatat e akuzat ndaj tij si tradhtar, një fiasko ishin, sepse ai me shokë e kishin çliruar Shqipërinë me armë në krahë, ishte ai Beqir Balluku që i tha ambasadorit rus se, “Do të të djeg brenda në ambasadë si miun, nëse pëson gjë delegacioni ynë në Moskë!”

Mbaj mend në një rast se. B. Ballukut iu bë një drekë në repart e gatoi për të një kuzhinier i tij barkaluc, që i kishin përgatitur edhe një tavë dheu. Ai pothuaj se nuk piu e nuk hëngri gjë, e mori tavën dhe ia drejtoi Hysen Sharrës duke i thënë: “Merre Ceno”! Ceni nuk e preku për druajtje, por ai i foli përsëri plot afri: “Rruje Ceno, rruje! S’ta dhashë t’i rrishë gatitu, jemi në bukë këtu”. Për Hysen Sharrën do të shkruaja më vonë:

Ti burri kokulur me malin mbi shpinë,
Njeriu i urtë, që kurrë s’u përkule
Dredhoje ndër ujëra si një delfin
Dallgëzonte pishina në kreshta shkume.

Për secilin që ka shërbyer në Detashmentin e Zbulimi të Ushtrisë Shqiptare, pavarësisht shumë apo pak kohë, ka se ç’të tregojmë, atje është rinia jonë, e kur e kujtojmë, sikur rinohemi, sikur jemi edhe më të fortë. Kam punuar 20 vite oficer e 23 vite mësues i letërsisë, njëra punë që donte këmbë e gjunjë të fortë e tjetra mushkri, por sikur të kthehesha pas, unë do të bëhesha ushtarak, sepse tek vështirësia është edhe bukuria, tek vështirësia është epika dhe lirika e jetës, vuajtjet gjithmonë i kanë miqësuar e afruar njerëzit. Jakov Xoxe, tek libri i tij “Lumi i vdekur” jep një detaj të tillë: “Familja e kosovarit ishte zbuar nga Serbi dhe e myzeqarit nga beu, e të dy në rrugë. I thotë kosovari myzeqarit: “Kur jemi bashkë ndjehemi mirë, ty të ka zbuar begu e mua krajli”.Për ato stërvitje të lodhshme tërë jetën do të thurja poezi, sepse poezia thonë, është rruga për në qiell. 

Sytë hapur, gojën kyçur
Çizmja shkel e thërmon borën
Zëri i lehtë e fare mbytur:
Ec vëlla, mos prish kolonën! 
Sikur t’i kisha gjetur ato blloqe shënimesh! Por…, që mbase edhe i gjej.
Sigal