Damian Gjiknuri: Do të vazhdojmë transformimin e Elbasanit

450
Sigal

Në Elbasan vijon puna për rikonstruksionin e rrugëve “Isak Shehu” dhe “Mahmut Hakani” në rajonin 2, të cilat i vijnë në ndihmë mbi 500 banorëve të lagjes dhe nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Jeronim de Rada”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, bashkë me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja inspektuan punimet e kryera në këto rrugë.

Gjiknuri që është dhe drejtues qarku tha se, ndryshimi në Elbasan është konkret me investime që kanë sjellë më shumë investim.

“Ka qenë një fjalë e dhënë nga kryetari. Siç edhe e thonë banorët, këtu ka një ndryshim njëqind për qind, sepse këtu ishte një terren ku ishte e vështirë të ecej. Për më tepër i shërben edhe shkollës. Këto janë punë konkrete, ndryshimi është konkret. Unë e kam parë në çdo lagje të Elbasanit. Kryetari i ka dhënë prioritet edhe këtyre zonave që kanë qenë më pak të urbanizuara”, tha Gjiknuri.

Ai siguroi banorët se, puna për transformimin e Elbasanit do të vijojë dhe se kryebashkiaku Llatja do të ketë mbështetjen e qeverisë për këto punë të mira.

Numri dy i socialistëve theksoi se, qytetarët e Elbasanit dinë të bëjnë dallimin mes atyre që punojnë përditë dhe atyre që duan ta kthejnë qytetin në bunker politik.

Gjiknuri tha se, PS-së është e vendosur për të punuar.

“Qytetarët nuk janë të verbër. Dinë të zgjedhin, kush është ai që punon për Elbasanin dhe kush është ai që do ta kthejë në bunker politik. Ne nuk duam bunkerin politik, ne duam punën”,- u shpreh Gjiknuri.

Kryebashkiaku Gledian Llatja siguroi se, investimet do të vijojnë në të gjithë zonat e qytetit.

“Me planin që kemi, investimet do të shpërndahen në të gjithë bashkinë e Elbasanit, jo vetëm në qendër të qytetit, jo vetëm në rajonin 1, 2 dhe 4, por në të gjithë qytetin. Faza tjetër është shtrirja në të gjithë lagjet e Elbasanit, përfshirë edhe infrastrukturën shkollore. Këtu afër kemi edhe shkollën “Onufri” e cila është në rikonstruksion total”, tha Llatja.

Rruga e re ishte një kërkesë e banorëve dhe e nxënësve të shkollës “Jeronim de Rada”. Ndërkaq, pas rehabilitimit të shkollave “Sali Çeka”, “Ali Myftiu”, “Bardhyl Popa” dhe “Jeronim de Rada”, bashkia e Elbasanit po ndërhyn dhe në dy shkollat e tjera “Konstandin Kristoforidhi” dhe “Onufri”.