Dalja nga Traktati i Varshavës, kalimi në gatishmëri dhe ndryshimet programore e strukturore në shkollën “Skënderbej”

1282
Pjesë nga libri “Skënderbegasit ndër vite….”, i autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla që promovohet në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” dhe 28 marsit, 73-vjetorit të hapjes së shkollës “Skënderbej”
(Nga historiku zyrtar i shkollës “Skënderbej”)

(Vijon nga numri i kaluar)
Pas 10 ditësh, një kompani me kërkesë të shtabit qendror të aksionit u zhvendos në qafën e Bordolecit. Në krye të kompanisë ishin shokët Riza Zeraliu dhe Ylli Themeli. Pas një marshimi prej 6 orësh, kompania arriti në vendin e caktuar. U caktua vendi ku do të flinin. Pas një pushimi të shkurtër filloi puna për rregullimin e kapanonit, gjendja e të cilit ishte shumë e keqe. Vrulli me të cilin punuan skënderbegasit bëri që për pak kohë ambienti të pësojë një ndryshim të madh. U rregulluan shtretërit prej purtekash ahu, u shkruan parulla për aksionin, për Partinë e shokun Enver. Rreth kapanonit u krijua lulishte me plisa. Puna e skënderbegasve dhe ambienti i kulturuar, të cilën e krijuan ata, tërheq vëmendjen e komandantit të aksionit të sektorit të Bordolecit, i cili mblodhi të gjithë aksionistët për të parë dhe për të marrë shembull nga të rinjtë skënderbegas. Sektori i punës ishte 1.5 orë larg. Një masiv i madh shkëmbor kishte prerë rrugën dhe po u rezistonte forcës së aksionistëve, por ai nuk mundi t’i rezistonte dot forcës së skënderbegasve . Ata punuan me guxim, të lidhur me litarë, e përdornin pistoletën si një lodër në duart e tyre dhe gradualisht hynin në zemër të këtij masivi shkëmbor. Natyrisht, këtu nuk qe pistoleta apo forca e eksplozivit që i prishi qetësinë shekullore të shkëmbit të madh, por ishte forca e trupit dhe mendjes së skënderbegasve, të cilët pa përfillur rrezikun punonin pa pushim. Ata e arritën këtë rezultat, se e vlerësonin politikisht hapjen e rrugës, se kjo do të çonte kulturë, qytetërim në bjeshkët e Malësisë, dikur të namuna. 

Krahas punës, skënderbegasit merreshin edhe me argëtim. Brenda pak ditëve, ata krijuan një grup teatral dhe dhanë shfaqje nëpër sektorët e ndryshëm të aksionit. Pjesëtarët e tyre u duartrokitën nga mijëra aksionistë, duke treguar se ata mësojnë mirë, punojnë mirë dhe zhvillojnë lëvizjen kulturore shumë mirë. 

Në përfundim të aksionit skënderbegasit merituan flamurin qendror të aksionit për gjithë kohën e punimeve, në Malësinë e Madhe. Për të gjitha këto, më 23 shtator 1968, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH dekoron organizatën BRPSH të Shkollës Ushtarake “Skënderbëj”, me “Urdhrin e Punës” të Klasit I, me motivacionin ”Ka manifestuar një frymë të lartë gatishmërie për të kapërcyer pengesat. Ka punuar në frontet më të vështira dhe ka vullnetarë që merrnin pjesë në ndërtimin e rrugës në Malësinë e Madhe. Ka qenë shembull në organizimin e një pune të vazhdueshme ideopolitike, duke e kthyer aksionin në një vatër të madhe për edukimin komunist të rinisë”. Gjithashtu për punë të palodhur u dekoruan me medalje punë 14 skënderbegas dhe oficerë, Ylli Themeli e Luftar Jaho. 

Dalja nga traktati i Varshavës kërkonte rritjen e gatishmërisë dhe vigjilencës revolucionare. Efektivi i shkollës dënoi agresionin sovjetik në Çekosllovaki dhe me të gjitha forcat u solidarizua me daljen nga traktati i Varshavës dhe në përkrahje të saj skënderbegasit rritën gatishmërinë ushtarake. Në vitin mësimor 1968-1969, para efektivit të shkollës dilnin detyra të rëndësishme, realizimi i të cilave kërkonte një thellim të mëtejshëm në mësimet e shokut Enver dhe në materialet e plenumit të 8-të të KQ të PPSH. E rëndësishmja, ndër këto detyra, ishte realizimi i boshtit ideologjik në të gjitha lëndët, i cili kërkonte para së gjithash, formimin e botëkuptimit shkencor materialist e dialektik te nxënësit nëpërmjet lëndëve që zhvillohen në shkollë. Për këtë qëllim, nga ana e Partisë dhe Drejtorisë në shkollë u organizuan seminare ideologjike me temë nga materializmi dialektik e historik, si: “Botëkuptimi materialist dialektik dhe rëndësia e studimit të filozofisë”, “Dialektika si e vetmja metodë e studimit shkencor e njohjes së botë”, “Raporti dialektik midis teorisë dhe praktikës”, “Klasa dhe lufta e klasave në etapën e dytë të ndërtimit të socializmit në vëndin tonë”, “M-L mbi rolin e masave”, “Format e ndërgjegjes shoqërore” etj. Nga seminaret u kalua në një sesion shkencor, ku u punuan tema të ndryshme për shkëmbim eksperience mbilidhjen dialektike ndër lëndore. Materialet u punuan nga mësuesit Flutura Xoxe, Bujar Llagami, Bajram Shamku, Aleksandër Gjollma, Isak Mezini etj. Këto përbënin një aspekt tjetër që tregoi sukseset e para të vënies në jetë të arsyetimeve të Partisë në forcimin e boshtit ideologjik në procesin mësimor. 

Që në fillim të vitit shkollor 1968-1969, drejtoria bëri tematikën e Këshillit Pedagogjik në të cilën shtroheshin probleme të rëndësishme si: 
1- T’i jepet prioritet edukimit ideologjik në procesin mësimor dhe edukativ, 
2- Parimet e dialektikës të ndriçojnë shkencat e natyrës, 
3- Si duhen ndërtuar marrëdhëniet mësues-nxënës-oficer. 

Në muajin janar dhe shkurt 1969, skënderbegasit e viteve të treta, zhvilluan fushimin dimëror 5-ditor në Qafë-Mollë. Fushimi u ngrit me çadra. Stërvitja zhvillohej në kushte të vështira terreni dhe moti, por kjo gjë ndikoi edhe më shumë në plotësimin me sukses të detyrës së fushimit. Skënderbegasit treguan vullnet të fortë qëndrueshmëri të lartë. Gjatë këtij viti mësimor, nën drejtimin e Partisë e duke u mbështetur gjithmonë e më shumë në forcat e veta, shpërthyen një sërë iniciativash revolucionare që çuan akoma më përpara rezultatet e shkollës sonë. Të tilla ishin: “Të përgatitemi në mënyrë shembullore ushtarakisht”, “Të ndërtojmë banesa me kontribut vullnetar”, ”Të forcojmë disiplinën dhe rrisim vigjilencën revolucionare”. Po këtë vit u morën iniciativa për kalueshmëri 100% dhe të kaloheshin dy klasa brenda një viti shkollor. Këto iniciativa ishin të vështira, kërkonin një punë të lodhshme e të vazhdueshme nga skënderbegasit dhe mësuesit. Por këto vështirësi nuk i penguan ata për t’i arritur qëllimet e tyre. Ato punuan ditë dhe natë pa u lodhur dhe skënderbegasit; Agron Çibuku, Flamur Lalo, Kujtim Kullolli, Kleanthi Gjipali, Preng Qosja, Kastriot Tusha, Qani Kaja, Qemal Zyla, Aleks Jaho, Petrit Zogu dhe Filip Shehu, e bënë realitet fjalën e dhënë para Komitetit të Partisë dhe kolektivit. Në fund të vitit mësimor 1969, ata dhanë provimet në të gjitha lëndët dhe morën klasën e tretë e të katërt. Kjo tregonte se skënderbegasit të çfarëdo periudhe qofshin, vazhdimisht i ruajnë dhe i forcojnë traditat pozitive të paraardhësve të tyre. Gjithashtu me punën e palodhur të të gjithë efektivit, u realizua edhe iniciativa tjetër, ku në fund të vitit mësimor 1968-1969 arriti kalueshmërinë 98% dhe në sesionin e dytë përqindja ishte 100% me një mesatare të lartë për maturën. Gjithashtu u rrit edhe numri i nxënësve të dalluar. 

Të rëndësishme për edukimin e skënderbegasve, për rritjen e dashurisë për Atdheun dhe për njerëzit e punës kanë qenë edhe vizitat në një numër të madh qendrash pune në qytetin e Tiranës dhe qytete të tjera të vendit tonë. 

Në vitin 1969 doli në qarkullim teksti i Historisë së PPSH, i cili u bë një armë e fuqishme për edukimin komunist të të gjithë masave tona punonjëse. Në të gjitha organizatat shpërtheu iniciativa për studim Historisë së PPSH.

Periudha 1969-1975 (Revolucionarzimi i shkollës)
Pas pushimit të gushtit në Karpen, në shtator1969 filloi procesi mësimor 1969-1970. Ky vit fillonte me një kohë kur kishte mbaruar diskutimi popullor në të gjithë vendin, mbi arsimin në bazë të materialit të plenumit të 8 të KQ të PPSH dhe ishin bërë konkluzionet përfundimtare nga Byroja Politike. Që në fillim, Komiteti i Partisë dhe Drejtoria e Shkollës filluan punë për materializimin e vendimeve të Byrosë Politike të KQPPSH mbi revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës sonë. Këtë vit mësimor, klasat e viteve të para filluan mësimin sipas programeve të reja të cilat përmbanin trekëndëshin revolucionar mësim-punë prodhuese-edukim fizik e ushtarak. Në këtë mënyrë, në shkollën tonë po hidhej hapi i dytë për revolucionarizimin e shkollës. 

Viti mësimor 1969-1970 e gjeti shkollën me një bazë të pasur materiale për mësim. Mbaroi ndërtesa e re, kabinetet dykatëshe në krahun e majtë të bllokut të klasave, ku u krijuan një numër i madh kabinetesh e laboratorësh të lëndëve të ndryshme që ishin në gatishmëri të plotë për fillimin e mësimit, mbi 10 kabinete të tillë. Janë katër kabinete për fizikën, dy për gjeografinë, tre për kiminë, një për biologjinë, një për historinë e PPSH, një për dituri makinash, një kabinet gjitharmësh ku ekzistojnë të gjitha armët me të cilat zhvillohet mësimi, një kabinet MKK, një kabinet taktik, dy për vizatim teknik dhe xhenio, një për ndërlidhje, një për mjekësi, një kabinet i gjuhëve të huaja. Të gjitha këto luajtën një rol të madh në krijimin e përfytyrimeve të drejta mbi njohuritë e marra në lëndët e ndryshme. Gjatë këtij viti mësimor, rëndësi e madhe, krahas boshtit ideologjik të programeve për specifikën e shkollës sonë, iu kushtua përgatitjes fizike. Kjo gjë si edhe rritja e efektivit të shkollës, nxori nevojën e zgjerimit të këndit sportiv të ushtrimeve gjimnastikore e të fushave për lojërat me top. Për këtë qëllim në mars 1970, filloi puna për ndërtimin e qytetit të ri sportiv. Në muajin shtator-tetor-nëntor 1969, krahas procesit mësimor, shkolla kryente përgatitjen për paradën e 25-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Stërvitja intensive dhe këmbëngulëse i siguroi shkollës “Skënderbej” parakalim të mirë më 29 Nëntor 1969. Megjithëse për mungesë të efektivit të paradës mori pjesë edhe viti i parë që nuk kishte më shumë se tre muaj që kishte veshur uniformën e gjelbër, shkolla zuri vend nderi mes pjesëmarrësve në paradë. U çel për herë të parë klasa e instrumentistëve që përgatiteshin sipas programit të shkollës së mesme të muzikës. 

Viti 1970 ishte viti jubilar i 25-vjetorit të krijimit të shkollës “Skënderbej”. Në kuadrin e këtij jubileu, Komiteti i Partisë së Shkollës caktoi një sërë objektivash si 
1-Studimi i HPPSH dhe i veprave të shokut Enver për të njohur thellë rrugën revolucionare të Partisë sonë të lavdishme. 
2-Të çojmë përpara revolucionarizimin e procesit mësimor dhe edukativ të shkollës. 
3-Të luftojmë për të revolucionarizuar stërvitjen ushtarake në shkollë. 
4-Të luftojmë për një regjim të fortë kursimi”. Realizimi i këtyre objektivave kërkonte nga i gjithë efektivi një mobilizim të gjithanshëm masiv. 

Në kuadrin e 25-vjetorit të krijimit të shkollës u zhvillua një aktivitet i gjerë artistik. Sipas objektivave të Komitetit të Partisë, u zhvilluan konkurse midis grupeve artistike të nënreparteve. Më vonë, me elementët e zgjedhura u krijua grupi artistik i shkollës me një repertor të pasur e të larmishëm. U zhvillua në prag të 28 marsit konkursi i HPPSH, ku morën pjesë një masë e madhe nxënësish dhe treguan nivel të lartë të përvetësimit të njohurive. Më 28 mars 1970, shkolla ndodhet në festën e saj tradicionale. Në festë merrnin pjesë shumë ish-skënderbegas të periudhave të ndryshme që sjellin me vete urimet dhe gëzimet e ish-skënderbegasve të brezave të ndryshëm. Në përshëndetjet e tyre ndihej dashuria dhe respekti për shkollën ushtarake “Skënderbej”, ku u rritën dhe u edukuan nën kujdesin e vazhdueshëm të Partisë. Pas mbledhjes solemne, grupi artistik dhe shfaqje me aspekte nga jeta në shkollë. Me rastin e 25-vjetorit të krijimit të shkollës Ushtarake “Skënderbej” u dekoruan me urdhrin e shërbimit të klasit III oficerët; Hasan Veli Gjata, Dhori Kristo Tenko, Miço Sotir Duni, me motivacionin: “Për shërbime dhe drejtime të shquara në nënrepartin ku punojnë e drejtojnë, për rezultate të larta dhe punë të ndërgjegjshme në zbatimin e programit të përgatitjes politiko-ushtarake si dhe për edukimin e pa reshtur të skënderbegasve”. Me medaljen “Shërbimit Ushtarak” u dekoruan oficerët Baki Ibrahim Nazifi, nënoficerët Baçi Ali Braka e Çerçiz Sulo Alikaj, oficerët Dhanil Vangjel Reveli, nënoficer Novruz Xhaferri, oficer Shyqyri Lohja, nënoficer Hazis Mustafaraj me motivacionin: “Për një organizimin dhe drejtim të mirë të punës në sektorin ku shërbejnë, për arritjen e rezultateve të larta në drejtim të edukimit, përgatitjes politiko-ushtarake të skënderbegasve”. Me medaljen “Ylli i kuq” u dekoruan skënderbegasit; Enver Halili, Sulo Tajari, Abaz Kaleci dhe motivacionin “Për merita të veçanta në organizimin dhe drejtimin e punës në sektorin përkatës për përcaktimin e zbatimin e programeve mësimore dhe përgatitjen politiko-ushtarake”. Me “Urdhrin e punës”u dekoruan punonjësi Qirjako Kllopi me motivacionin: “Për drejtim dhe organizim të mirë të punës në sektorin që drejton, për kursim dhe mirëmbajtje të mjeteve të punës si dhe për një kujdes të vazhdueshëm për shëndetin e skënderbegasve”. Me “Medaljen e Punës” u dekoruan Azife Murati, Besim Gashi, Bedrie Duka, Liri Xhaxhiu, Liri Jani, Novruz Baza, Sulltana Muçollari dhe Sherif Çiçiku me motivacionin: “Për punë të mirë në realizimin dhe tejkalimin e planit, për kursime të dukshme, për kujdesin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e mjeteve të punës si dhe për aftësi në drejtimin e sektorit ku punojnë”. Me Urdhër “Naim Frashëri” u dekoruan Gjylyzare Çiço me motivacionin: “Për punë të mirë për edukimin e skënderbegasve, për zbatimin e metodave pedagogjike dhe për rezultate të larta të arritura në punën mësimore-edukative me nxënësit”. Me medaljen “Naim Frashëri” u dekoruan mësuesit Avdi Xhuglini, Bajram Shamku, Bejkush Birçe, Lluka Nikollari, me motivacionin “Për punë të dalluar në edukimin e brezit të ri në zbatimin e metodave pedagogjike, në zhvillimin e përhapjen e kulturës, edukimit komunist të skënderbegasve”. 

Në vitin shkollor 1970-1971, organizata e Partisë dhe drejtoria e shkollës kanë pasur në qendër të vëmendjes dhe u përpoqën në mënyrë të vazhdueshme që të arrihej kalueshmëri e lartë, të përmirësoheshin format dhe metodat e mësimit dhe të edukimit, duke vënë të gjitha forcat e kolektivit për realizimin me sukses të trekëndëshit revolucionar “Mësim-Punë prodhuese-Edukim fizik dhe ushtarak”. Rëndësi të madhe iu kushtua aktiviteteve sportive. Si në çdo vit, edhe gjatë 1970-1971, midis nënreparteve u zhvilluan kampionatet në futboll, volejboll, basketboll. Këto kampionate kishin për qëllim aktivizimin e sa më shumë skënderbegasve në llojet e ndryshme të sportit, për ta bërë sportin sa më masiv, në të njëjtën kohë, të nxirrnin edhe elementë të mirë për skuadrën e shkollës dhe të të rinjve të Klubit Sportiv “Partizani”. Në vitin 1965-1970, një numër i madh skënderbegasish kishin veshur fanellën e skuadrës “Partizani” dhe shpesh kanë përfaqësuar vendin tonë dhe në takime ndërkombëtare. Kësaj periudhe i përkasin sportistët e mirënjohur Pëllumb Shaqiri, Ilir Batho etj. Masivizimi në aktivitetet sportive dhe puna e palodhur e gjithë efektivit ka bërë që shkolla ushtarake “Skënderbej” të zërë vendin e nderit në aktivitetet kombëtare midis shkollave të mesme. Në janar të vitit 1971, vitet II, III dhe IV, kryenin fushimin dimëror 15 ditë në Mamurras. Stërvitja zhvillohej në kushte të vështira tereni e moti dhe iu arrit plotësisht qëllimit që kishte fushimi. Gjatë këtij viti nga trupi pedagogjik iu kushtua një rëndësi e madhe thellimit të mëtejshëm të edukimit ideologjik e klasor-revolucionar të skënderbegasve. Këtij qëllimi i kanë shërbyer edhe temat e shumta të punuara prej tyre si: “Pasqyrimi i luftës së klasave në folklor”, “Figura e ushtarit në lartësinë tonë”, “Puna sistematike e mësuesit për të lidhur mësimin e Historisë së PPSH me aktivitetin, siguron përgatitje të përditshme në formim të shëndoshë të nxënësit”, “:Formimi i botëkuptimit materialist-dialektik të nxënësve nëpërmjet lëndës së kimisë”, “Formimi i botëkuptimit materialist te nxënësit nëpërmjet lëndës së gjeografisë”, “Konceptet matematikore janë pasqyrimi i botës reale, ato janë një domosdoshmëri e lindur nga nevojat e prodhimit” dhe shumë tema të tjera të kësaj natyre. Në maj të vitit 1971 u përgatit dhe u zhvillua një sesion shkencor nga vetë nxënësit, ku u punuan shumë tema të ndryshme të HPPSH mbi traditat partizane, mbi studimin e veprave të shokut Enver Hoxha etj. . 

Në qershor të vitit 1971, shkolla kreu punën prodhuese në ndërtimin e një poligoni stërvitjeje gjitharmëshe me të gjitha elementët e nevojshëm. Puna qe e vështirë, se punohej me dy dhe tre turne në hapje tuneli. Viti mësimor 1971-1972 filloi në pragun e Kongresit të VI të PPSH dhe mobilizimi për fillimin e tij qe i madh. Trupi pedagogjik, një vëmendje të madhe i kushtoi procesit mësimor-edukativ. Në këtë drejtim do të ndihmonte dhe shtimi i bazës materiale dhe përdorimi i saj me sa më shume efektivitet. Gjatë këtij viti mësimor funksiononin disa rrethe shkencore, që ishin ngritur vite më parë, si ai i matematikës, kimisë, fizikës, historisë, letërsisë, gjeografisë, i recituesve etj. Punimet e Kongresit u ndoqën me interesim të madh nga i gjithë efektivi. Raporti i shokut Enver Hoxha dhe i shumë materialeve të tjera të kongresit u bënë program pune për të gjitha organizatat e Partisë, rinisë e për drejtorinë. Këto materiale u vlerësuan me vëmendje të madhe dhe u caktuan drejtimet konkrete të punës. Në lëndë të ndryshme, interpretimi i temave dhe problemeve të ndryshme bëhej mbi bazën e materialeve të Kongresit të VI të PPSH. Po këtë vit u bënë përpjekje për futjen e mjeteve teknike në procesin mësimor që të ndihmonte drejtpërdrejt në modernizimin e metodave e formave të mësimdhënies dhe në saktësimin e shumë nocioneve të lëndëve të ndryshme në shkencat e natyrës dhe ato ushtarake. Vend të rëndësishëm në aktivitetin e trupi pedagogjik zuri problemi i gërshetimit të lëndëve të kulturës së përgjithshme me elementët e përgatitjes ushtarake. Këtij qëllimi i shërbyen edhe temat e shumta që u punuan nga vetë mësuesit e ndryshëm si: 

1- Edukimi i elementëve të edukatës ushtarake nëpërmjet HPPSH, 
2- Edukimi i elementëve të edukatës ushtarake nëpërmjet lëndës së kimisë, 
3- Edukimi i skënderbegasve ushtarakë nëpërmjet lëndës së gjeografisë, 
4- Edukimi nëpërmjet lëndës së matematikës, 
5--Edukimi nëpërmjet lëndës së historisë, 
6- Edukimi nëpërmjet fizikës. 

Komiteti i Rinisë për vitin 1971, mori një sërë iniciativash si 
1- Organizata shembullore në mësime, 
2- Të përsosim figurën morale të të riut tonë skënderbegas, 
3- Për kalueshmëri 100% dhe cilësi notash mbi 7 etj. Shumë organizata rinie i realizuan këto iniciativa. 

U zhvillua konkursi i këngës rreshtore midis togave e kompanive. Për përsosjen e figurës morale të skënderbegasve, u zhvillua një diskutim masiv me pjesëmarrjen e të gjithë skënderbegasve që zgjati 3 muaj. Midis klasave dhe kompanive, si çdo vit, u zhvilluan konkurse artistike që e gjallëruan më tej lëvizjen kulturore. Lufta kundër liberalizmit në shkollën tonë është zhvilluar gjithmonë e mprehtë. Tendencat liberale dhe pikëpamjet armiqësore të Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, nuk mundën të depërtonin në metodat e punës, në organizatat e rinisë në shkollë. 

Për të forcuar më tepër traditat tona u caktua data e edukimit të rinisë, në të cilën zhvilloheshin tema me karakter politik, biseda me veteranë të Luftës Nacionaçlirimtare, lojëra popullore etj… Këtë vit, fushimi dimëror u krye në Qafë-Shtamë. Mori pjesë vetëm matura. Terreni ishte i vështirë, por këto nuk i pengonin shënderbegasit të stërviteshin sa më mirë dhe sa më afër kushteve të luftës. 
Përgatiti faqet: Ëngjëll Musai, Drejtor i “Telegraf”

NESËR DO TË LEXONI:
Shtator-tetor 1972. Aksioni kombëtar i skënderbegasve për taracimin e Ksamilit. Skënderbegasit, banorët e parë të qyyetit të sotëm të Ksamilit.
Shtator 1973. Skënderbegasit në aksionin kombëtar për ndërtimin e hekurudhës Librazhd-Pogradec.
Dhjetor 1974-mars 1975. Situatë e tensionuar në shkollën “Skënderbej” pas zbulimit të ‘Grupit armiqësor’ të gjeneralëve Beqir Balluku, Petrti Dume, Hito Çakos etj.

SHËNIM: Njoftohen të gjithë ish-skënderbegasit, ushtarakët dhe të interesuarit e tjerë se pas disa ditësh do bëhet në Tiranë promovimi i volumit të tretë të “Skënderbegasit ndër vite…”, aktivitet që bëhet rastin e 73-vjetorit të çeljes së shkollës “Skënderbej” dhe që përfshihet në aktivitetet zyrtare që zhvillohen në kuadër të ‘Vitit të Skënderbeut-2018”. Koha dhe vendi i promovimit do të lajmërohet dhe në gazetë.
Sigal