Cano Nora: Historia e Doktor Kalivopullit, që vdiq në grevë urie në burgun e Burrelit dhe shërbeu si mjek për të burgosurit

27
Sigal


Rrëfen Florendi, nipi i një prej doktorëve më të famshëm që ka njohur Shqipëria

 Djali nga Bularati i Dropullit, që jetoi në dy shekuj, Aleksandër Kalivopulli, u bë një prej mjekëve më të njohur në Shqipërinë e Jugut, në ato vite të vështira jetese. Lindi në vitin 1885 dhe me rritjen e tij, hap pas hapi ngjiste shkallët e diturisë nga njera shkollë në tjetrën. Filloren e bëri në Bularat (1891-1897), të mesmen e vazhdoi ne gjimnazin e Kadiçoit në Stamboll (1897-1904) dhe studimet e larta i bëri për mjekësi në Athinë, kryeqytetin Helen (1904-1910). Me përfundimin e studimeve pasuniversitare, mori dhe gradë shkencore, e cila i bënte të mundur dhënien e leksioneve për studentët e mjekësisë në universitetin e Athinës. Por për çudinë e të gjithëve, Doktori më i ri, Kalivopulli, zgjodhi që të kthehej në vëndlindjen e tij dhe t’u shërbente të sëmurëve në Dropull dhe në Gjirokastër. Gjatë kohës që ushtronte profesionin e tij më të dashur, mjekësinë, kreu dhe disa studime që do ta lartësonin më shumë emrin e tij si mjek, studime që kishin të bënin me epidemitë e atyre viteve, të cilat u botuan dhe në revistat shëndetësore të huaja të asaj kohe. Për të më folur për jetën dhe punën pasionante të Doktor Kalivopullit, i mora këtë intervistë Florendit, nipit të tij, president i Federatës Shqiptare të Boksit.

Zoti Florend! Çfarë dini për gjyshin tuaj, doktor Kalivopullin?

Gjyshi im ka lindur shumë herët, në fshatin Bularat. S’kam arritur që ta njoh kursesi, por për të kanë folur bashkëkohësit e tij në kujtimet e tyre që kanë lënë, më ka folur hollësisht im At, Sokrati djali i tij që u bë inxhinier i hidrocentraleve shqiptare si dhe hallat e mija. Gjyshi im studionte shumë dhe i kishte vënë vetes për qëllim që të bëhej një mjek që t’ju shërbente me përkushtim të sëmurëve në Shqipërinë e atyre viteve, e cila e ndjente shumë mungesën e mjekëve. Gjyshi e dashuronte profesionin e mjekut që ishte ëndrra e parë dhe e fundit për Të, prandaj iu lut prindërve për t’i plotësuar dëshirën për të vazhduar studimet për mjekësi. Autoritetet e përzgjodhën pas studimeve me rezultate të shkëlqyera,të jepte leksione në Universitetin e Athinës, gjithashtu kishte edhe shume mundesi të tjera pune në vendet perëndimore, por ai s’pranoi që s’pranoi. Mendonte për njerëzit e tij në Bularat, në gjithë Dropullin dhe më gjerë, për të gjithë ata që do të kishin nevojë për të. Zgjodhi të punonte si mjek këtu në vëndlindje dhe Athinën e shtetin helen i mbajti vetëm në kujtimet e tij.

Si arriti që të bënte vizita në Dropullin e atyre viteve, kur s’kishte asnjë mjet për të lëvizur?

Ai s’bënte vizita vetëm në fshatin e lindjes në Bularat, por në gjithë Dropullin dhe në krahinat e tjera. Marrja e gradës shkencore në universitet jashtë vëndit, ndikoi për mirë në njohjen e shpejtë të tij si një mjek i zoti. Gjer në vitin 1920 ai e kryente veprimtarinë e tij duke qendruar në Bularat dhe duke u shkuar pacientëve të tij me mjetet rrethanore të kohqs.



Po pastaj?

Në këtë vit erdhi në Gjirokastër ku dhe u martua me Znj. Melpomeni Papadhopulli, e cila rridhte nga një derë fisnikësh e patriotësh në qytetin e Gjirokastrës e më pas filloi punë në spitalin e këtij qyteti. Sëmundjet ngjitëse, si malarja e dizanteria ishin të gjithpushtetshme. S’kishte ilaçe dhe paisje. Me studimet dhe punën e tij shkencore, bëri të mundur që këtyre sëmundjeve vdekjeprurëse t’i ulte në nivele të papara dhe dëgjuara deri atëhere. Në periudhën 1925-1926 emërohet drejtor i spitalit të Gjirokastrës, detyre nga e cila dorëhiqet siç edhe ai shkruan në shënimet e tija, për arsye mosmarrveshjesh me autoritetet shtetërore të kohës. Nga kjo kohë e në vazhdim do punonte si mjek privat. Me pushtimin e vëndit nga Italia fashiste, Doktorin e internuan në Itali në vitin 1941 gjer në vitin 1942, në Pezaro, në Italinë e Veriut me shumë shqiptarë të tjerë. Me përfundimin e internimit kthehet në qytetin e Gjirokastrës duke vazhduar profesionin e tij të mjekut në klinikën që kishte në shtëpinë e tij aty ku banonte në “Pazarin e Vjetër”. Doktori kishte një logjikë të fortë në përcaktimin e diagnozave dhe në mjekimin e të sëmurëve. Në fund të çdo konsulte ishte Doktor Kalivopulli që do jipte mendimin përfundimtar dhe do të vinte pikën mbi i. Në vitin 1944 i afruan detyrën e shefit të pathollogjisë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1960. Aziz Ndreu, i cili punoi për disa vite resht si infermier në kampin e internimit në Tepelenë, krahas disa mjekëve të ardhur nga Tirana, në kujtimet e veta nuk munguan dhe vlerësimet për Doktor Kalivopullin. Ai binte në sy për seriozitetin në punë, kishte vizituar e shpëtuar nga vdekja me dhjetra të internuar që i binin nga kampi i Tepelenës për në spitalin e Gjirokastrës. I vizitonte, u gjente diagnozën dhe u jepte ilaçe për t’u shëruar sa më shpejt. Në ato vite, në kampin e Tepelenës, tifoja dhe dizanteria u kishte mërzitur shpirtin. Doktor Kalivopulli ishte njeri prej mjekëve të të mbijetuarve nga kampi i vdekjes në Turan të Tepelenës. Fëmijtë ishin ata që u prekën më shumë nga tifoja e dizanteria, në atë kamp të regjimit komunist, që qindra njerëzve u mori dhe jetën.


A ka marrë falenderime Doktori prej të sëmurëve në vite?

Doktori edhe pse ishte i lidhur ngushtë me pacientët dhe shërimin e tyre e konsideronte detyrë, përsëri një fjalë e mirë nuk e dobësonte lidhjen mes tyre. Në verë të vitit 1953, u sëmur rëndë dhe rrezikohej jeta e nënës së ish mësuesit Lazaratas, Zija Basha, i cili sot është me banim në SHBA. E hipën në një makinë dhe e sollën në shtëpinë e Doktor Kalivopullit, atje ku sot është rezidencë e konsullatës greke në Gjirokastër, në fund të sheshit të Çerçizit. E priti Doktori, e vizitoi shpejt e shpejtë, duke lënë të tjerët të mbanin radhën jashtë derës së klinikës. Përfundimi: Kishte mbledhur ujë në brinjë. Ia hoqi një sasi uji, me shiringë.Vazhdoi dhe disa ditë të tjera, gjersa gruaja e sëmurur rëndë u shërua plotësisht se e kapi dhe e trajtoi në kohë . Ajo nënë jetoi 98 vite dhe prej gojës së saj shprehte falenderimin e ligjshëm:” Jetën e kam nga Doktor Kalivopulli”! Në vitin 1960, qeveria e asaj kohe, i dhuroi spitalit të Gjirokastrës një xhip të bardhë sovjetik të destinuar për Doktor Kalivopullin dhe një veturë tip “moskov” për Doktor Vasil Labovitin. Pak muaj me pas ai do të arrestohej dhe burgosej për mos të dalë më kurrë prej andej.

Kur erdhi me familje në qytetin e Gjirokastrës?
Sic thame edhe me lart Doktor Kalivopulli erdhi me banim në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1920. Shtëpia ishte në Sheshin e Çerçizit ku është akoma edhe sot. Në shtëpinë e madhe të tij në katin e pare. Doktori ndërtoi edhe klinikën e vet. Gjatë luftës së dytë botërore familjen Kalivopulli e shpërngulën nga banesa e tyre, e cila u mor nga pushtuesit duke pasur parasysh pozicionin e mirë që kishte dhe për t’u kthyer në zyra. Në vitin 1944 do të rikthehej në shtëpinë e tij, por përsëri mbas disa kohësh i lëvizën nga shtëpia e tyre për t’i transferuar në shtëpinë e Asllan Mezinit në lagjen “Pazar i Vjetër”.
Si e përjetuan familjarët dënimin e doktor Kalivopullit ?
Në atë familje të madhe, në shtëpinë e Doktorit me emër, Kalivopullit, si të kishte rënë zia. Nuk ishte e lehtë. Ai tjetri bën mirë dhe gjen keq. Mbas viteve 90 ne u kthyem në Gjirokastër. Mbaj mend që me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Doktor Kalivopullit, babai im hapi dyert e shtëpisë tashmë të rimarrë prej nesh për të pritur qytetarë të pafund të Gjirokastrës dhe jo vetëm të cilët erdhën për disa ditë rresht për të shprehur ngushëllimet e tyre për Doktor Kalivopullin si dhe duke na uruar mirseardhjen tonë në Gjirokastër. Miqtë e shumtë të cilët na kishin munguar gjatë, kujtonin miqësinë dhe lidhjet që mbante familja Kalivopulli me gjirokastritët e tjerë, por ata shprehnin dhe gëzimin, që ndjenin për të dy djemtë e Kalivopullit, të cilët ecën në gjurmët e të Atit. Kristua u bë mjek, ndërsa Sokrati inxhinier i zoti, heroi i hidrocentraleve, që regjimi komunist nuk e shpërbleu kurrë për punën që bëri.

Përse e akuzuan Doktor Kalivopullin?
Për agjitacion e propagandë. Kjo ndodhi në vitin 1960. Doktori më i famshëm i Jugut, ai që sakrifikonte dhe veten për të sëmurët, që punoi më shumë se kushdo tjetër, për ata që jetën e kishin në rrezik, në përballjen me epidemitë, papritur Doktorin e ulën në bangën e të akuzuarit si “Armik i popullit” E arrestuan për agjitacion e propagandë, siç e përmënda dhe më lartë, si spiun të asfalisë greke. Për dy vite e mbajtën dhe i kryen hetime speciale. Në vitin 1962, gjykata ushtarake e Tiranës, e dënoi për tradhëti ndaj Atdheut si agjent i zbulimit grek.

Ku e kreu dënimin?

Gjyqi iu bë me dyer të mbyllura disa herë gjersa në 05.01.1962, e dënuan me 18 vite burg dhe me konfiskim të plotë të pasurisë. Dënimin e kreu në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Bashkëvuajtësit e tij tregojnë se aty shërbeu si mjek për të sëmurët e burgosur, por mëndjen e kishte tek shokët në qeli, 24 orë, tek gjëndja e tyre e rëndë, tek shëndeti i përkeqësuar i tyre që për ta s’kujdesej njeri. Me datën 14 Shkurt 1964 Doktor Kalivopulli duke parë dhe duke qenë i bindur që nuk do dilte më i gjallë nga ai burg shpall grevën e urisë. Siç edhe janë shprehur edhe bashkvuajtësit e tij, kjo greve e tij përveçse personale ishte edhe në mbështetje për gjithë të burgosurit e tjerë në kushtet çnjerzore në të cilat ata jetonin. Doktori ishte i vendosur për këtë grevë pavarësisht moshës së thyer që kishte. Veprimi i tij çuditi të gjithë të burgosurit e tjere, të cilët qëndronin pa lëvizur përpara infermierisë ku ai qe i shtruar dhe po kryente grevën e urisë. Ata e inkurajonin dhe e mbështetnin Doktor Kalivopullin, që nuk u dorëzua për asnjë moment duke u bërë një shembull i jashtzakonshëm edhe për qindra të burgosur të tjerë. U shua në ditën e 13 -të grevës së tij të urisë dhe pikërisht më datën 27.02.1964

Po babai yt si u trajtua nga ai sistem?

Disa vite pas arrestimit të Doktorit dhe emri i tij përmëndej rrallë e kujtohej më shumë nga më të moshuarit e lagjes “Pazar i Vjetër”, apo në qytet, edhe atëherë mbyturazi e nën zë, se kishin frikë prej përgjimeve të sigurimit të shtetit, emri i Sokratit, djalit të Doktorit edhe pse me baba të burgosur, direkt apo indirekt, zinte vënd në faqet e gazetave dhe në emisionet e radios. Im At, Sokrati, përmëndej me epitetin “Luani i hidrocentraleve” të Bistricës, të Vaut të Dejës, të Komanit, si njeriu që përballej dhe sfidonte kapriçot e natyrës. Në përurimet e shumta që bëheshin inxhinierin, do ta përmëndnin edhe Sekretari i parë i asaj kohe, Enver Hoxha apo Kryeministri Mehmet Shehu. Në dimrin e vitit 1963, u bë dhe një kinoditar me titull:”Bistricë 1963″, i realizuar nga regjisori i shquar Viktor Gjika, që u shfaq në kinemanë e qytetit. Njëkohësisht doli edhe romani i famshëm i kohës i Dhimitër Xhuvanit “TUNELI”. Në to trajtohej puna që bëhej në ndërtimin e hidrocentralit të Bistricës në përgjithësi dhe hapjen e tunelit si dhe çbllokimin e tij nga gurët që kishin zënë vënd e që s’lejonin largimin e ujrave lirshëm, për vazhdimin e punimeve. Nga inxhinierët që luftuan me natyren dhe me jetën për realizimin e asaj vepre ishte edhe im At, Sokrati, djali Doktor Aleksandër Kalivopullit. Të gjithë atëherë mendonin se Doktor Kalivopullin do ta nxirrnin prej burgut, por ishin të zhgënjyer, se Doktori e vazhdoi kalvarin e vuajtjeve gjer sa mbylli sytë njëherë e përgjithmonë në burgun e ferrit në Burrel.

A u vlerësua ndonjëherë Kalivopulli si mjek ndër vite?
Nga qytetarët dhe pacientët e shumtë, çdo orë e çdo çast ka qenë i respektuar dhe një mjek i mirë dhe i dashur, por në vitin 1993, Presidenti i Republikës e nderoi A.Kalivopullin (pas vdekjes) me medaljen “Martir i Demokracisë” me këtë motivacion:”I dalluar për bindje të thella patriotike e demokratike dhe i papërkulur deri në fund të jetës së tij” Me vendim të këshillit bashkiak të qytetit të Gjirokastrës, rruga nga shtëpia e tij, që vazhdon për në Pazar të Vjetër, ka marrë emrin “Rruga Doktor Kalivopulli”.

Arritët që të gjeni eshtrat e Doktorit?

Doktori e mbylli jetën e tij aty ku vuante dënimin, në burgun e sigurisë në Burrel. U varros si “Armik i Popullit” te Qershia e famshme qe ishte dhe pema rreth së cilës varroseshin pa protokoll dhe shënime qindra të burgosur që ndërronin jetë. Pas viteve 90 im At, Sokrati, heroi i hidrocentraleve, u bë kryetar i Këshillit të Rrethit Gjirokastër. Ne fillim të atyre viteve babai im shkoi disa herë në Burrel duke kërkuar për eshtrat e Doktor Kalivopullit, por qe e pamundur që të gjendeshin. Asnjë shenjë dhe asnjë shënim se ku mund të ishte varri i tij. Në këto kushte duke mos pasur zgjidhje tjetër, unë vite më vonë kur ndërroi jetë im At, e varrosa atë pranë nënës së tij duke vendosur në shenjë kujtimi në varrin e tyre edhe një fotografi të Doktor Kalivopullit. Kështu e mendova, që pavarësisht mungesës së eshtrave të tij, në mënyrë simbolike, Ai të prehej përgjithmonë në vëndin e tij të lindjes, aty ku punoi dhe mendoi çdo çast për të shpëtuar jetën e dropullitëve, të qytetarëve gjirokastrit, të internuarve të kampit të Tepelenës, dhe për këdo….


Kur u thye heshtja në shtëpinë e Doktor Kalivopullit?

Shtëpia ku banonte Kalivopulli, aty në një vënd të dukshëm dhe që e kishte gjysmën e qytetit në pëllëmbë të dorës, në fund të sheshit të Çerçizit, shtëpia me katet që ngriheshin një mbi një drejtë qiellit, kur u dënua Doktori vetëm heshti. As hynte dhe as dilte më njeri. Shumë nga gjitonët e jetës u distancuan. Në atë godinë të kapardisur dhe të lakmuar nga të tjerët, që atëherë gjithçka fliste nën zë, dhomat poshtë e ato lart, biblioteka e boshatisur, oborri e gjer tek porta e drurit me hark që kishte filluar të çahej, kishte ngelur vetëm madhështia e emrit të saj. Pas arrestimit të gjyshit, vetëm vajzat e tij nuk u ndanë prej gjitoneve dhe prej miqve të jetës. Ato shpesh dilnin dhe vështronin nga dritarja vajzat e lagjes që bënin shëtitje dhe dëgjonin zërat e tyre nga larg. Tani që kësaj interviste po i vjen fundi e falenderoj Florendin , nipin e Doktor Kalivopullit, Presidentin e Federates Shqiptare të Boksit, që më ndihmoi në realizimin e kësaj interviste, për Doktorin që vdiq në burgun e Burrelit dhe për të Atin e tij, inxhinierin që bashkoi të dy hyrjet në tunelin e Bistricës , qytetarin e nderit të Shkodrës si dhe Tituj të akorduar nga Presidentë të ndryshëm të Republikës, “Mjeshtër i Madh”, mbajtësin e Dekoratës së Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Sokrat Kalivopulli, që drejtoi këshillin e qarkut të Gjirokastrës prej vitit 1992 gjer në vitin 1996.

Faleminderit!