Brigada IV Sulmuese në përvjetorin e 75-të të saj

2349
Sigal

Ing. Myfit GUXHOLLI*

Më 28 dhjetor 1943, me Urdhër të Shtabit të Përgjithshëm formohet një nga njësitë më të mëdha e të organizuara të luftës partizane

  • Brigada IV S i dha atdheut 274 dëshmorë, ndërmjet tyre N/komandant i Brigadës Pano Xhamballi, Xhafer Cenko Lubonja, komandanti trim Riza Taçi etj; të cilët prehen të qetë në altarin e lirisë së atdheut. Vetëm në luftën për çlirimin e Tiranës ranë në fushën e nderit 98 partizanë. Brigada IV S në 321 ditë të jetës së saj ka përshkruar 2200 km rrugë (në këmbë, jo me makina) duke kryer 265 luftime e operacione dhe duke i shkaktuar armikut mbi 2000 të vrarë e 200 robër (shumë ushtarë gjermanë) si dhe dëme të mëdha materiale e armatime

Në qarkun e Korçës deri në dhjetor 1942 ishin formuar 18 çeta partizane, midis të cilave ajo e Mokrës (Pogradec), e Gorë-Oparit etj. Ndërsa nga tetori ’42 deri në maj 1943 numri i çetave partizane u rrit akoma. Më vonë, me rritjen e numrit të forcave të kryengritjes së armatosur nga çetat u krijuan batalionet partizane si Batalioni i Mokrës, Gorës, Kolonjës, Rrëzes, Malit të Thatë, Batalioni “Shqiponja” etj.

Si rezultat i luftimeve të ashpra të këtyre batalioneve me forcat armike u realizua çlirimi i zonës malore të Qarkut të Korçës.

Në gusht 1943 formohet njësia më e madhe luftarake e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Makrezë të Vithkuqit me partizane e partizanë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, me komandant Mehmet Shehun, komisar Tuk Jakovën dhe zv/komandant Tahir Kadarenë. Ndërsa, më 28 dhjetor 1943, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm formohet Brigada e IV-të Sulmuese. Në përbërje të saj ishin batalionet me përvojë luftarake, si “Hakmarrja”, “Reshit Çollaku”, “Shqiponja”, “Fuat Babani”, batalioni Gorë-Opar si dhe “Rinia antifashiste dhe punëtore” nga qyteti i Korçës. Në fillim Brigada kishte 550 partizanë e kuadro të organizuar në katër batalione: batalioni 1 me komandant Zija Kambo, i 2-të me komandant Petrit Dumen, i 3-të me komandant Spiro Moisiu e komisar Vaskë Gjinon, i 4-ti me komisar Andrea Ziu. Intendent i Brigadës ishte Raqi Qirinxhi. Brigada IV Sulmuese, një repart i armatosur, me 265 luftimet dhe operacionet e saj u konfirmua si një njësi luftarake e aftë për të kryer detyra akoma më të mëdha. Ajo u rreshtua në Divizionin e I-rë Sulmues, të cilit iu ngarkua një detyrë e rëndësishme, siç ishte kalimi në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut dhe çlirimi i tyre nga okupatori nazist e kolaboracionistët e tij. Faqe lavdie e trimërie tregoi Brigada e IV-të S në Operacionin armik të Dimrit 1943-1944. Ajo zhvilloi luftime të përgjakshme dhe shpërtheu rrethimin që nazistët gjermanë kishin përgatitur gjatë këtij operacioni. Luftimet u kryen në kompaktësi bashkëveprimi mes batalioneve të brigadës. Në një kohë që forcat armike mendonin të shkatërronin forcat partizane të saj dhe forcat e Beratit, Brigada e IV-të S, e drejtuar nga shtabi i saj me në krye komandant Nexhip Vinçani e komisar Pëllumb Dishnica çau rrethimin në Qafën e Becit, duke kaluar në zonën e Beratit.

Mbas çarjes së rrethimit, brigada u kompaktësua dhe për një muaj rresht, me luftime sulmuese dhe në bashkëveprim me batalionet “Hakmarrja”, “Shqiponja”, “Reshit Çollaku”, “Fuat Babani” e forcat sulmuese të fshatrave të qarkut çliroi shumë fshatra, duke filluar nga Arrëzi (Devoll), Malësia e Kolonjës, Vithkuqit, Gorë-Oparit, Shënepremte. Në pranverë, gjatë mësymjes pranverore, në bashkëpunim me batalionet “Reshit Çollaku” dhe dy batalione të Brigadës së I-rë S çliruan Pogradecin dhe Rrëzën e tij, Starovë, Tushemisht, Hudënisht, Piskupat, Grabovë. Mbas gjithë këtyre sukseseve, Brigada mblidhet në Lozhan për të bërë bilancin e luftimeve në 9 maj 1944. Numri i partizanëve ishte shtuar. Gjatë muajit maj brigada çliroi fshatrat në fushën e Korçës, Rrëzës, Gor-Opar duke përfshirë dhe zonën e Mokrës, Pogradecit, Malit të Thatë, Pojan etj.

Gjatë Operacionit Armik të Qershorit 1944, batalionet e Brigadës IV S zhvilluan luftime të ashpra në Qafë Thanë me forcat e Divizionit malor gjerman. Luftime të ashpra u zhvilluan në Maliq, Grabovë, Plloçë, Guri i Kamjes, Krosnisht, Moçan, Osojë, Gjinikas, Malin e Dusharit, Qafa e Gjarpërit, në Bitinckë e Bilisht.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NCÇl lëshoi Urdhrin, më 28 Maj 1944 për kalimin në Mësymjen e Përgjithshme. Brigada IV S, pasi kishte kaluar një rrugë të suksesshme luftarake dhe në çlirimin e një territori të madh në Qarkun e Korçës, u inkuadrua në Divizionin I Sulmues të UANÇl. Gjatë luftimeve në përbërje të këtij divizioni (brigada IV dhe V) çliroi Qarrishtën, Zerqanin, Matin, Homesh-Sofraçan, Fushë Alie, Grevë, Melan, në kazermat e Dibrës, kundër forcave gjermane e kolaboracioniste në Mirditë; çliroi Peshkopinë etj. Në dy javët e fundit të shtatorit Brigada e IV-të S zhvilloi luftime brenda në Elbasan dhe organizoi disa prita në rrugën Librazhd-Elbasan-Qafë Kërrabë.

Nga krahinat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut populli u bind për luftën e drejtë kundër okupatorit dhe veglave të tij; u rreshtuan në radhët e partizanëve deri 2000 veta. Midis tyre kishte dhe disa partizanë italianë dhe armenë, të cilët kishin hyrë në UANÇl mbas kapitullimit të Italisë në shtator 1943.

Brigada e IV S shkroi faqe faqe lavdie gjatë operacionit për çlirimin e Tiranës. Ajo, së bashku me Brigadën e I-rë S, Brigadën e VIII-të dhe Brigadën e XVII-të sulmoi në një rajon tepër të fortifikuar; duke filluar nga kodrat pranë Kombinatit Tekstil në veriperëndim të Tiranës, deri tek kodra e Kopilit (sot sanatoriumi- varret e dëshmorëve të kombit).

Po ashtu mori pjesë në luftimet tek varrezat e dëshmorëve të kombit, në Pallatin e Brigadave, tek ish Kisha e Shën Prokopit (në veri të Liqenit Artificial, ish-kazermat e Shkumbinit (qyteti i nxënësve, brenda në qytet tek pallatet e Moskatit dhe të Shallvares dhe deri tek Banka).
Brigada IV S, në betejën historike të Mushqetas (duke filluar nga Qafë Kërraba-Mushqeta) luajti një rol të rëndësishëm në shpartallimin dhe asgjësimin e forcave të mëdha gjermane. Brigada e IV-të S në operacionet për çlirimin e Tiranës tregoi vlerat e saj si njësi luftarake e suksesshme dhe e denjë për emrin që mbante, duke përmbushur me nder detyrat e ngarkuara.
Aftësitë e kuadrove, partizanëve e partizaneve spikatën si çlirimtarë të suksesshëm. Rruga luftarake e Brigadës IV S, trimëria, heroizmi i luftëtarëve të saj në luftë për çlirimin e vendit, janë sot një burim i madh frymëzimi për popullin dhe veçanërisht për brezin e ri.

Brigada IV S i dha atdheut 274 dëshmorë, ndërmjet tyre N/komandant i Brigadës Pano Xhamballi, Xhafer Cenko Lubonja, komandanti trim Riza Taçi etj; të cilët prehen të qetë në altarin e lirisë së atdheut. Vetëm në luftën për çlirimin e Tiranës ranë në fushën e nderit 98 partizanë. Brigada IV S në 321 ditë të jetës së saj ka përshkruar 2200 km rrugë (në këmbë, jo me makina) duke kryer 265 luftime e operacione dhe duke i shkaktuar armikut mbi 2000 të vrarë e 200 robër (shumë ushtarë gjermanë) si dhe dëme të mëdha materiale e armatime.

* Nënkryetar i OBVL – Ish-partizan i Brig. IV S