Dr. Arqile Veshi/ Disa nga bëmat dhe gjëmat e Ahmet Zogut

1259
Sigal

Gjatë periudhës që ai ushtroi pushtetin në Shqipëri, ishte objekti i më se 50 atentateve

Duke lexuar librin e Blendi Fevziut “Presidenti që u bë mbret”, krijon një vizion më të plotë për figurën e Ahmet Zogut, mbasi ke përpara një material më të sistemuar por jo shumë të dokumentuar në materiale me burime të mirëfillta arkivore. E pavarësisht nga këto, për opinionin e gjerë që ka pak informacion për këtë figurë shumë emblematike në Historinë e Shqipërisë, e ndihmon atë që të mësojë më shumë gjëra si për fëmijërinë, shkollimin, karrierën, figurën morale, kontributin shoqëror për vendin, por edhe shpërdorimet e mëdha për luksin personal e familjar dhe për format e marrjes dhe mbajtjes së pushtetit. Referuar strukturës së librit në mënyrë kronologjike, të bie në sy që si datëlindja dhe emri e mbiemri kanë pasaktësi dhe ndryshime si Muhtari, Zogolli, Zogu, Zogu I-rë etj. Jetoi dhe punoi në shumë vende si në Perandorinë Osmane, Austro-Hungareze, në Itali, Jugosllavi, Greqi, Turqi, Francë, Britani dhe Egjipt. Të dhënat për shkollimin e tij, flasin që studioi në një gjimnaz në Stamboll si dhe në një shkollë ushtarake por nuk dihet se sa vazhdoi dhe ç’ diploma e ç’ gradë mori. Pas 7-vjetëve në Stamboll, që nuk del e qartë se me se është marrë dhe se çfarë ka bërë, më 12 gusht 1912 kthehet në fshatin e lindjes, në Burgajet, në moshën 17-vjeçare, periudhë të cilën Fevziu e quan edhe dita e karrierës së tij politike, gjë e cila nuk është shumë e besueshme që një djalë 17-vjeçar të impononte vullnetin politik në një vend të trazuar dhe kaotik që ishte Shqipëria në atë periudhë. Gjithashtu, aludonte se Ahmet Zogu ka marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, por firmë në dokumentin përkatës nuk ka dhe citimet që janë bërë nuk kanë ndonjë referencë me burim arkivor e si të tilla nuk janë dhe shumë të besueshme. E megjithatë, ai, si njeri me tendenca të theksuara karrieriste, gjatë periudhës 1912-1920 punoi me forma e kontribute të ndryshme dhe nga Kongresi i Lushnjës më 31 Janar 1920 u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, nga ku fillon edhe karriera e tij politike pasi tani ishte jo vetëm Ministër i Punëve të Brendshme, por më 30 Prill 1922 edhe në listën për deputet e më vonë u bë President dhe më 1928 u vetë shpall Mbret. Sipas rrëfenjave të Blendi Fevziut në librin “Presidenti që u bë mbret” dalin në pah prapaskenat dhe dredhitë që ka përdorur Ahmet Zogu për t’u ngritur në karrierë e për të marrë sa më shumë pushtet, bëri edhe shumë kundërshtar prandaj edhe gjatë periudhës së pushtetit që ai ushtroi në Shqipëri është bërë edhe objekti i më se 50 atentateve, veprime këto që tregojnë se ai nuk ka gëzuar konsideratë e simpati si nga bashkëpunëtorët e tij dhe populli. Kjo bëri që më 25 shkurt 1924, Ahmet Zogu dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe më 16 qershor 1924 zgjidhet Fan Noli kryeministër, i cili ndoqi një politikë të ashpër ndaj kundërshtarëve të qeverisë. Kështu më 12 dhjetor 1924 Ahmet Zogu u dënua me vdekje bashkë me Iljaz Vrionin dhe Shefqet Verlacin. Ky dënim e shtyu atë dhe përkrahësit e tij të shpejtonin lëvizjet kundër qeverisë së Fan Nolit dhe me mbështetje nga brenda vendit dhe me përkrahjen politike e ushtarake dhe ekonomike të jugosllavëve, Ahmet Zogu më 24 dhjetor 1924, mbërrin në Tiranë dhe më 6 Janar 1925 zuri postin e Kryeministrit të vendit dhe më 31 janar 1925 Shqipëria u shpall Republikë dhe Ahmet Zogu u zgjodh President me 60 vota nga 62 të vlefshme. Pra, kuptohet se sa demokratike e të lira janë bërë ato zgjedhje.

Me dëshirën e Ahmet Zogut dhe miratimin e italianëve, më 29 Gusht 1928, formalisht  u mblodh Asambleja Kushtetuese dhe vendosi që forma e regjimit në Shqipëri të kthehej në monarki dhe mbreti të shpallej i vetmi kandidat, që ishte Ahmet Zogu, i cili donte t’i ngjante Jul Çezarit dhe Napoleonit. Fillimisht nga ky akt përfitoi privilegje të papara, familja e tij e cila sipas rregullave u quajt “Familja Mbretërore”, e si e tillë trajtohej politikisht, moralisht dhe e ekonomikisht në mënyrë specifike e duke bërë shpenzime marramendëse si brenda dhe jashtë vendit.

Megjithëse, rikthimi në monarki dhe shpallja e Ahmet Zogut mbret, në aspektin politik ishte një kthim mbrapa, por për situatën e krijuar pati edhe disa vlera pozitive si: unifikimin përfundimtar i territorit, kontrolli i plotë mbi të dhe shtrirja e autoritetit të shtetit në çdo cep të vendit; ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe portuale. Pas shpalljes së Tiranës në vitin 1925 kryeqytet nisi punën për të bërë atë një kryeqytet modern; ngriti Bankën e Shqipërisë si autoriteti financiar në vend, ndërsa në fushën legjislative hartoi Kodin Penal dhe Kodin Civil, u ngritën dhe funksionuan gjykatat në të gjithë vendin si dhe ndërmori disa reforma modernizuese për kohën. Këto e të tjera tregojnë atë që thotë Historiani Kristo Frashëri se: “Ahmet Zogu në vija të përgjithshme e stabilizoi shtetin. Kjo nuk ka si i mohohet. Ai e mori pushtetin pavarësisht ambicies së vet, po ambicia e vet i shërbeu edhe shtetit”. Ashtu si njihet nga historiografia, që gjatë periudhës 2-3 vjeçare pas marrjes së pushtetit në dukje u panë disa rezultate pozitive, por që në fakt ai gaboi shumë politikisht me firmosjen e traktatit Italo-Shqiptar më 26 nëntor 1926. Kjo konfirmohet edhe nga Koloneli Andre Ordion, ish komisioneri i Francës që mori pjesë në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë gjatë viteve 1922-1925, i cili në librin “Një oficer francez në Ballkan” ndër të tjera shkruan: “E dini më mirë se kushdo se ç’ keni hequr për ta bërë Shqipërinë autonome dhe të pavarur, për më tepër ajo është sot me kufij të caktuar mjaft mirë… Prandaj, përdorini të gjitha burimet tuaja për të krijuar shkolla, për të bërë rrugë dhe ura, për të ndërtuar hotele, që ju mungojnë, orientoni përpjekjet drejt një Shqipërie të re, punëtore, që të bëhet “Zvicra e Ballkanit”. Këto fjalë të mençura nuk u dëgjuan por me mendjelehtësi të Ahmet Zogut u lidh traktati midis  Italisë e Shqipërisë i cili i lejonte dorë të lirë Italisë për të vepruar mbi Bankën Kombëtare, në fushën e tregtisë, në fushën e lundrimit, në fushën e ndërtimeve, në fushën e shfrytëzimit të pasurive nëntokësore, të diplomacisë, ushtrisë, xhandarmërisë etj. Pra Italia ishte bërë zoti i vendit derisa më 7 Prill 1939 u bë edhe pushtimi ushtarak i Shqipërisë. Pra, Ahmet Zogu dhe mbretëria e tij mbasi firmosi traktatin e miqësisë me Italinë, vuri gati çdo gjë nën diktatin e Italisë dhe ai vetë përdori pushtetin e sidomos atributet që i dha shpallja e vetvetes mbret, vetëm për të bërë qejfe me paratë e Shqiptarëve. Kjo vërtetohet me të shkruarat e Blendi Fevziut i cili trajton kapitull më vete marrëdhëniet e Zogut me gratë, dhe shpenzimet marramendëse për qejfe të shfrenuara, shpenzime për familjen dhe oborrin mbretëror e plot marrëzira të kohës, të cilat i hoqën vëmendjen nga drejtimi i vendit sa që natyrshëm erdhi momenti që Italia i vuri “litarin në fyt” dhe ai më 7 Prill 1939 largohet me turp nga pushteti i pamerituar, duke e lenë popullin dhe vendin e tij në dorë të pushtuesve italianë. Dhe jo vetëm kaq por pa asnjë të drejtë mori pasuri aq të shumta sa që me tërë oborrin që e shoqëroi, jetoi në hotele luksoze në vende të ndryshme të Europës dhe Azisë për një periudhë shumë të gjatë kohore.

Duke e parë në kompleks bëmat dhe gjëmat  që Fevziu përshkruan në librin që i dedikon Ahmet Zogut, të krijohet bindja se ai, përderisa ka drejtuar vendin për një periudhë të caktuar kohore, mbetet një figurë me karakter historik, por duke parë gjithashtu figurën e tij nga pikëpamja morale, jo atdhetare dhe shpërdorues i pasurisë së popullit e plot zullume, mendoj se vlerësimet që i bëhen figurës së tij aktualisht janë të pa merituara, prandaj u mbetet detyrë historianëve që ta studiojnë në kompleks figurën e tij duke nxjerrë në pah anën pozitive e negative për ti dhënë atë që i takon realisht si shtetas shqiptar dhe kontributin për Shqipërinë. Bazë për këtë është edhe mendimi i Faik Konicës (cituar nga Blendi Fevziu në faqen 130) i cili, ndër të tjera thotë: “E kam ndjekur që kur ishte tetëmbëdhjetëvjeçar, por se kam dëgjuar njëherë të thotë të vërtetën. Se ka mbajtur kurrë fjalën e dhënë. Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie. Është i pangopur, egoist, zemërgur, i pandershëm. I urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kjo kulture, prejardhje familjare, pasuri apo ndonjë aftësi në çfarëdo fushe, ose vetëm e vetëm pse janë atdhetar të ndershëm”.