Beshir Çoçka-gurqosheja e kuvendit, gur me peshë i Labërisë

872
Agron MEMA

Malet pas furtunës shkëlqejnë më shumë
Koha, në rrjedhat e saj nxjerr, jo vetëm heronj, por edhe burra të kuvendit, të fjalës, urtësisë e mençurisë, që lenë gjurmën e tyre, këndojnë dhe u këndohet këngë. Një nga këta burra të rrallë të krahinës së kurveleshit, nga oxhaku i Golëmit, është edhe Beshir Çoçka, dekoruar me medaljen e “Çlirimit” dhe të “Trimërisë, “Nder i komunës së Picarit” dhe “ Nder i shoqatës”Bilal Golëmi”. Është veprimtaria e tij e nisur që në rini në aktivizimin e çetave territoriale partizane të LANÇ-it, ku shpesh iu desh të rrezikonte edhe seriozisht jetën, ku një nga ngjarjet më kritike të tij është përballja me skuadrën gjermane në ngjitje të Rehovës sëbashku me Rait Çakon, si i ngarkuar me detyrën e korierit partizan. Plumbave gjermanë arrin tu shpëtojë për mrekulli, falë shkathtësisë së tij. Trimëria dhe guximi i tij vijuan edhe pas çlirimit ku spikatën dhe shfaqen aftësitë e tij organizuese, sidomos me rininë në mobilizimin e tyre si pjesëmarrës në aksionet kombëtare e lokale, ngritjen dhe zgjidhjen e problemeve të fshatit e zonës deri në qeverinë shqiptare të kohës. Bashkëkohës të tij tregojnë me respekt se aty nga viti 1982, në një takim me ish-kryeministrin Adil Çarçani, kohë kur kish dalë vendimi i qeverisë shqiptare për heqjen e linjave të autobuzave të fshatrave, duke i lënë vetëm një ditë në javë, me arsyetimin absurd se largoheshin njerzit nga puna duke lëvizur për në qytet. Beshiri i drejtohet ishkryeministrit me bejte: “Shoku Adil , mirseerdhe! Pleqtë kërkojnë korieve, Takohu me babaxhanë, Mos harro për sa thamë…” Që nga ajo ditë autobusët e fshatrave që lidheshin me qytetin u vendosën gjashtë ditë të javës. Por Beshiri zgjidhi edhe problemin e ujitjes së tokave bujqësore dike ndërmjetësuar ndërtimin e rezervuarit në fshatin Golëm, përmirësimin e rrjetit të ujit të pijshëm me zëvendësimin e tij të tubave prej çeliku. Negocioi me Haki Toskën për zgjerimin e kullotave dimërore si dhe realizoi kurorën e gjelbër me pisha rrotull fshatit të tij. Në shtëpi të tij, krahas figurave të LANÇ-it, udhëheqsave të socializmit, pinë kafe e kuvenduan edhe liderat e demokracisë si Azem Hajdari e Genc Ruli, aq sa Azem Hajdari i mahnitur nga zgjuarsia dhe kuvendimi i Beshirit, u shpreh se në oxhakun e Beshir Çoçkës do kohë të gjatë që të rrishë e të kuvendosh. Të gjithë politikanët, kur shkonin në Golëm dhe krahinën e Kurveleshit e kërkonin Beshirin me fjalët: “Ku është bilbili i Golëmit?” Gojëtaria dhe aftësitë folklorike të tij, një burrë i zakoneve tradicionale, i pijes dhe i dollisë, e bënin Beshirin të pranishëm në ç’do tryezë sebepesh, në fshat e në krahinë. Pati detyra të larta në parti dhe pushtetin lokal, duke i shfrytëzuar ato në të mirë të fshatit e zonës së tij, për zhvillim dhe ngritje të mirqënies së banorëve. Si një njeri me profil publik e personalitet të lartë, jeta e tij do të kishte ulje-ngritjet. Nata fatale e kurthit të pabesë, nata e përballjes me diversantët në shtëpinë e Dine Shoshes në Golëm, do t’i kushtonte dënimin me heqje lirie, por mund t’i kishte marrë edhe jetën, ashtu siç prapaskenistët kishin planifikuar për të. Por shpejt, me dekret të posaçëm, del i pafajshëm dhe do t’i kthehet jetës aktive si më parë, duke u kthyer në një ikonë të një burri me vlera. Por përbaltja e tij vijon edhe sot nga pasardhësit e atyre qi i planifikuan vdekjen dhe e degdisën prapa hekurave të burgut. Ata që i krijuan fatkeqësinë me falsifikim të fakteve, me kurthe të pabesa, vijojnë edhe sot po me të njëjtën mënyrë, megjithëse Beshiri ka vite i larguar nga jeta. Dhe ky është një problem dhe shqetësim intelektual. E vërteta është e domosdoshme të thuhet e të shkruhet, por nga pena e njerëzve të shquar e atdhetarë dhe vizionarë që kërkon, vënien në vend të padrejtësisë në rrafshin historik, për ngjarje e figura të denigruara apo atyre të mitizuara, duke u mbështetur në të vërtetën dhe vetëm në të vërtetën dhe, jo nga pena e smirëzinjve, e atyre që penën e kthejnë në gjuhë nepërke, dashakeqësve dhe shtrembëruesve të së vërtetës, siç bëhet kohët e fundit me figurën e Beshirit, nga një botim ordiner. Detyra e historisë është të na tregojë si njerëzit e së kaluarës kanë jetuar, ç’mendime kanë pasur për jetën, ç’ndjenja kanë provuar dhe për këtë arsye duhen analizuar me kujdes të dhënat historike, siç është rasti i përballjes së Beshirit me diversantët, kur të vërtetën e di i gjithë Kurveleshi. Ndaj historia duhet bërë mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve, pasi historia nuk është gjë tjetër, veçse hedhja në vepër e dokumenteve. E kundërta e kësaj lë me turp autorin. Në shtëpinë e të afërmve të Beshirit po përjetohet keq kjo fasadë mashtruese. Ata të thonë, se si familje fisnike, nuk duan ta bëjnë gojën pis me emrin e autorit dhe se nuk e kuptojnë atë me këtë mllef të shfrenuar dhe pse ka marrë përsipër t’i hedhë vetes një turp të tillë? Ata shprehen me retorikë, se pse gruaja e natës së zezë përhapi fjalët se Beshiri do kthehet i vdekur dhe kush fshihet pas saj? Pse njëri nga bashkëpunorët dhe strehuesit e diversantve piu ampulën në jakën e xhaketës, kush ia dha dhe ç’do të thotë kjo? Po t’u përgjigjet saktë këtyre, nuk ka nevojë shumë për komente. Po kjo dashakeqësi është e trashëguar, -thotë i biri, Kujtimi, – por malet pas fërtunës shkëlqejnë më shumë. Siç e përmendëm më lart, Beshiri kishte edhe vlera si krijues popullor, këngëtar e vjershëtor, valltar e orator. Ndaj këtë shkrim duam ta mbyllim me këtë veti të tijën; këngën. Si njeri që këndoi dhe i kënduan këngë. Janë me qindra vargjet e krijuara prej tij, por po ilustrojmë me katër prej tyre: 

“O Golëm i Labërisë,
Në majë të maleve, 
Dimrit mbuluar me borë,
Në verë plot me kope…”
E po me qindra janë vargjet e krijuara kushtuar figurës së tij, Beshir Çoçkës: 
“Beshir Çoçka, hijerëndë,
Ajk’ e burrit, e Golëmit, 
E gdhende portretin tënd, 
Gurqosheja i kuvëndit. 
Lerë në portë atdhetarie, 
Rritur në mjedise nderi, 
Kuvendimi ç’të ka hije, 
Sup-harkuar si qemeri” 
Por Gëzim Bega, fabulist i mirënjohur i Golëmit shkruan një fabul për këtë figurë të ndritur të Labërisë e Kurveleshit: 
“Breshka dhe Shqiponja:
Dua fluturimin tënd! 
Breshka Shqipes i bën zë: 
E Ngriti fiu mbi shkëmb,
Prej samarit s’doli më” 
Ky qe njeriu këngë, Beshir Çoçka, një kujtimin dhe veprën, bashkëkohësit ja përjetësuan në këngë. 


Sigal