Bashkim Pitarka: Ju tregoj dhuratën që më bëri Nënë Tereza. Sherri në OKB , qeveritë e SHBA dhe ftesa nga Vatikani

481
Sigal

Ju tregoj dhuratën e çmuar që më bëri Nënë Tereza

 Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

Vetëm 12 orë do të duhej që radiogramet shifër të udhëtonin nga rezidenca shqiptare e Manhatenit, për në selinë e Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Dhe prej andej për në Komitetin Qendror, ku Ramiz Alia në zyrën e Sekretarit të Parë mendohej, se cilat do të ishin hapat e tjera që do të hidhte për t’i dhënë frymëmarrje vendit të izoluar prej 40 vjetësh diktaturë. Nuk kishte as dy muaj që nga koha kur 5.600 shqiptarë e kishin braktisur atdheun socialist duke kërkuar strehim nëpër ambasadat e huaja të kryeqytetit. E në këto çaste, vizita e Nënë Terezës ishte një ogur i mirë…

..Jeton në Amerikë, ka pasaportë amerikane, e vlerëson Amerikën, por gjithmonë si shqiptar e në favor të Atdheut të tij. Kjo është e gjitha. Ish-ambasadori pranë OKB-së për 5-së vite me radhë, Bashkim Pitarka, thotë se në fund të fundit vizita e Nënë Terezës në Shqipëri kishte dhe nxitjen e politikës amerikane:

Kur e lajmëruat Nënë Terezën për pranimin e vizitës së saj në Shqipëri?

Ditën e 80- vjetorit të lindjes së saj. Unë e mora në telefon për ta uruar. Natyrisht doli sekretarja. U prezantova. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Nënë Terezës, e cila ia ka marrë nga dora sekretares së saj receptorin.

Çfarë ju tha gjatë bisedës?

Biseda nuk ishte e gjatë dhe u zhvillua në anglisht. Ajo më tha tekstualisht: “Ambasador, u bëfsha zog me flatra që të vij aty e të t’i puth duart, sepse me ato duar ke vënë lule në varrin e nënës time”. Ajo më tha gjithashtu se Zhanet Petri e kishe informuar mbi të gjithë takimin tonë. Në fund më tha vetëm këto fjalë shqip “Të bekoftë perëndia”.

Si do të mbërrinte Nënë Tereza në Shqipëri?

Unë nuk e ndoqa vizitën e saj, por më çuditi fakti se sa rrëmbimthi u bë kjo vizitë. Kur Nënë Tereza mbërriti në Shqipëri, unë ndjeva një kënaqësia të veçantë që më në fund ishte ndërmarrë një hap i tillë historik. Nënë Tereza i duhej Shqipërisë dhe frymës së re demokratike që po trokiste në vendin tonë. Ajo sigurisht nuk fliste për demokracinë, por fliste për paqen dhe dashurinë njerëzore, të cilat aq bukur ishin mishëruar në shpirtin zemrën e saj, në Kalkutë dhe në të gjithë botën.

Si do të ndikonte kjo vizitë tek ju si diplomat?

Të them të drejtën edhe si diplomat ndihesha i çliruar, sepse Shqipëria jo rrallë dënohej në rezolutat e ndryshme që bëheshin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Në parantezë, a kishte shumë debate mbi Shqipërinë kur flitej për liritë e njeriut?

Eh sa herë na duhej ne diplomatëve shqiptarë të kërcenim përpjetë në sallat e konferencave ndërkombëtare kur Shqipëria kritikohej apo përmendej për shkeljen e të drejtave themeltarë te njeriut dhe jo rrallë herë mosdhënien e vizës për hyrjen në Shqipëri të Nënë Terezës, gruas së mençur e të famshme dhe veprimtares së shquar të paqes e dashurisë njerëzore. Dhe duhet të dimë se mbi të gjitha Nënë Tereza ishte ambasadorja më e madhe e kombit shqiptar në botë. Sepse ajo kudo që shkonte deklaronte: Jam shqiptare. Pra gëzohesha që u realizua vizita e Nënë Terezës në Shqipëri dhe që diplomatët shqiptar nuk do të ishin më i detyruar të punonin për të zhdukur sadopak efektet akuzuese e propagandistike të moslejimit të të madhes Nëne Tereza në Shqipëri.

Ju ishit ndërmjetësi i vizitës së saj në Shqipëri. Por a jeni takuar ndonjëherë me të?

Në vitin 1991, kur unë isha kthyer në Atdhe, pas kërkesës time këmbëngulës, për arsye familjare që të lija detyrën time si ambasador në OKB, një ditë morra rrugën dhe shkova tek qendrës bamirëse të morave të Nënë Terezës. Rezidenca e saj ishte vendosur në një lagje të vjetër tiranase dhe në atë kohën Nënë Tereza ndodhej aty. Fillimisht u vura në pozitë të vështirë dhe u detyrova të mbaj radhë për t’u takuar me të.

Kishte shumë njerëz që donin ta takonit?

Ishin me qindra njerëz, të cilët ishin futur në radhë për të takuar Nënë Terezën dhe motrat e saj. Kishte që donin ta takonin për qëllime fetare, por kishte dhe të sëmurë që kërkonin ndihmën dhe bekimin e saj.

Qëndruat gjatë në radhë?

Mund të kisha qëndruar gjatë. Por për fat një kolegia ime e Ministrisë së Jashtme, Natasha Haznedari, e cila ishte shoqëruese dhe përkthyese e Nënë Tereza në vizitat e saj në Shqipëri, më pa dhe më thirri. Ajo më çoi drejt e brenda në qendër dhe njoftoi për mbërritjen time. Mbas pak Nënë Tereza zbriti shkallët me shpejtësi dhe e gëzuar që po më shikonte më në fund m’u drejtua me urimin “Të bekoftë perëndia ambasador Pitarka”. Ajo më mori për dore, më shoqëroi kudo për të parë dhomat e misionit, si dhe më prezantoi me motrat e saj duke përdorur lëvdata dhe elozhe për implikimin tim mbi ardhjen e saj për herë të parë në Shqipëri.

Çfarë mbani mend tjetër nga ky takim?

Kur u largova, me dorën e saj mbi kokën time, ajo më bëri dhe një dhuratë, më dha një palë “rozare” apo rruaza, duke më uruar shëndet dhe sukses. Ky ishte dhe takimi im i parë dhe i fundit me Nënë Terezën.

Nënë Tereza, shqiptare dhe në Kalkuta

“Më lejoni të bëj një digresion, si ish-diplomat e politikan dhe të paraqes nja dy mendime modeste lidhur me propozimin e kryeministrit Sali Berisha për të kërkuar nga India eshtrat e Nënë Terezës dhe varrosjen e tyre në mëmëdheun e saj. Si patriot shqiptar e vlerësoj lart gjestin, këtë kërkesë patriotikë të kryeministrit Berisha. S’ka përse të mos përshëndetet kjo kërkesë që del nga zemrat e shqiptarëve. Por unë jam i mendimit se edhe nëse autoritetet dhe populli i Indisë do t’ia bënin këtë dhuratë të madhe popullit shqiptar, është më mirë që varri i saj të mbetet përgjithmonë në Kalkuta. Siç thotë një fjalë e urtë e popullit tonë; “Guri i rëndë në vend të vet”. Edhe fama e nderi i Nënë Terezës janë tepër të rëndë atje, në Kalkutën e Indisë, ku ajo e nisi dhe e mbaroi jetën e saj si bamirëse, sepse me zemrën e madhe dhe veprimtarinë e saj i bëri nder të madh kombit. Por edhe tani me varrin e saj, bota do të kujtohen më shumë për origjinën shqiptare të Nënë Terezës.”

Falënderimi

“Dua të them se si për ardhjen në Nënë Terezës në Shqipëri ashtu dhe për ngritjen e madhështisë së emrit të saj një meritë të pamohueshme ka jo vetëm Vatikani por edhe qeveritë amerikane. Ato kurdoherë e kanë ngritur lart rolin e saj dhe i kanë nxitur hapur veprimtarinë bamirëse me mesazhin: “Bëni mirë, që të gjeni mirë”. Vetë populli i madh amerikan, jo vetë për nga popullsia, por nga shembulli dhe roli i tij për paqen, liritë e demokracinë në botë, ka shoqata humanitare të panumërta në ndihmë të popujve të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine. Por unë mendoj se ne shqiptarët kemi shumë arsye t’i falënderojmë amerikanët dhe qeveritë e tyre për ndihmën e madhe që i kanë dhënë e po i japin kombit tonë. Në çastet më historike të kombit shqiptar pranë na janë gjendur Presidenti Uillson, apo presidentët Bush, i famshmi Klinton e sot presidenti Obama”.

Si u futëm në sherr me jugosllavët në sallën e OKB-së

Ai është i rezervuar në rrëfimin e tij, por gjithsesi dëshiron të tregojë një ngjarje, e cila ndodhi gjatë kohë që ishte ambasador i Shqipërisë pranë OKB-së, ngjarje që dashur padashur lidhet dhe me Nënë Terezën:

“Në një nga sesionet e Asamblesë, përfaqësuesi i përhershëm i Jugosllavisë në OKB mori fjalën në një nga Komisionet, për t’ju kundërpërgjigjur deklaratës time me akuzat për shkeljen e të drejtave dhe krimet e ushtruara ndaj kosovarëve nën Jugosllavi. Në të drejtën e tij të përgjigjes, ambasadori Jugosllav ndër të tjera akuzoi rëndë Shqipërinë për shkeljen e të drejtave të njeriut duke përmendur ndër të tjera si argument: Këta që shajnë të tjerët nuk i japin vizë as të famshmes Nënë Tereza për të bërë homazhe në varret e nënës dhe të motrës së saj eshtrat, e të cilave janë në Shqipëri. Në kundërpërgjigje të tij unë marr fjalën. Brenda kohës limit prej 10 minutash, i dhashë përgjigje përfaqësuesit jugosllav duke u përqendruar në shkeljet e rënda e flagrante në të drejtat themelore të popullit të Kosovës për tanket e lëshuara kundër rinisë patriotike të Kosovës, për vdekjet e shpeshta të fëmijëve shqiptarë në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi duke iu referuar me fakte dhe citime shtypit të huaj për këto çështje. Në fund duke ju drejtuar sallës thashë: U kufizova shkurt dhe kush të dëshirojë ne kemi tonelata të dhënash e dokumentesh që akuzojnë rëndë Jugosllavinë. Ambasadori jugosllav në të drejtën e dytë të përgjigjes, 5 minuta, vazhdoi me akuzat e tij për ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë për nxitjen e akteve terroriste në Kosovë etj.. Unë nuk e pashë më të arsyeshme të bëja përgjigje të tjera, por shkoja e vija në sallën e komisionit dhe vura re se sa herë hyja unë në sallë, delegati shkonte me vrap thërriste ambasadorin jugosllav”.

Rastësia

Sllobodani: “Do e doja Shqipërinë mike”

Për koeçidencë pas shumë vitesh unë dhe zv/përfaqësuesi i përhershëm jugosllav i asaj kohe në OKB, Sllobodan Kotevski, u ndodhëm ballë për ballë pranë njeri-tjetrit, por këtë radhë si anëtarë të Komisionit për Organizimin e Referendumit në Saharanë Perëndimore që ishte organi kryesor politik i misionin e OKB-së, MINURSO, i cili ende zhvillon veprimtarinë e vet në këtë vend. Zoti Kotevski, në një takim shoqëror në kafene u tregoi kolegëve tanë të huaj konfrontimin tonë të lartpërmendur dhe si me shaka theksoi se: “Ambasadori Pitarka ka qenë ‘terribël’ dhe më ka mbajtur të kyçur në tavolinën e komisionit, sepse mendonim se sa herë që hynte në sallë do të na kundërpërgjigjej”. Ai tha gjithashtu: “Do të dëshiroja që marrëdhëniet në Ballkan apo ato midis Shqipërisë e Jugosllavisë të ishin si marrëdhëniet tona në frymën e bashkëpunimit e të paqes, në kuadër të punës, që kemi këtu në OKB”.

Kërkesa

Ftesa nga Vatikani për lumturimin e humanistes

“Gjashtë vjet më parë, kronistja Zhanet Petri, e cila kohë më parë më kishte dërguar si kujtim dhe kronikën në kasetë-video mbi vizitën e parë në Shqipëri të Nënë Terezës, më njoftoi për zhvillimin e ceremonisë së madhe në Vatikan, ku humanistja shqiptare do të lumturohej nga Papa Gjon Pali II. Ajo më kërkoi adresën time ekzakte, ku do të më dërgonte një ftesë zyrtare me qëllim praninë time në atë ceremoni. Unë e falënderova me përzemërsi dhe i thashë: “Së pari mua nuk më takon të jem atje sepse duhet të jenë personalitete nga Shqipëria dhe së dyti për shkak të impenjimeve të mia në misionin e OKB-së nuk mund të largohesha nga detyra. Por me mendje dhe me zemër unë do të jem atje me ju”. Ajo pati mirësinë të më thoshte: “Ju jeni pjesë e historisë së Nënë Terezës dhe si një ndër aktorët i vizitës së saj historikë në Shqipëri, por dhe mik i vjetër i familjes së saj ju takon të jeni atje”. Atëherë unë e falënderova përsëri dhe me lot në sy ndoqa nëpërmjet valëve të televizionit ceremoninë e Lumturimit të së madhes Nënë Tereza”

Konkluzioni

“Më lejoni të theksoj se, Nënë Terezën nuk e solla unë në Shqipëri. As edhe Ramiz Alia vetë nuk mund ta pretendojë këtë gjë të tillë, ndonëse ishte aktori kryesor për zhvillimin e kësaj vizite. Por ishte epoka, ajo periudhë historike e ndryshimeve të mëdha që vinte për Shqipërinë tonë. Ishte roli i madh që luanin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i sjellë këto ndryshime në Shqipëri. E në këtë kontekst Nënë Tereza konsiderohej nga ata si një lajmëtare e lirive, paqes dhe lumturisë në atdheun e saj”.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

Si u përgatit vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, De Kuelari në Shqipëri

Përpjekjet për të luftuar lobin grek dhe serb që kërkonin ta siluronin këtë vizitë