Këngëtarja e mirënjohur Mirela Deda: Këto ditë do hedh në treg një kolazh të Shqipërisë së Mesme

731
Sigal

 

  • Kënga e parë “Doli goca n’penxhere” të këngëtares Merita Halili

Mësuesja dhe këngëtarja e mirënjohur Rakipe Karaj, më ndriçoi rrugën e këngës

  • Viti 2008 shënon njohjen time zyrtare si këngëtare në tregun muzikor pas konkursit në Eurostar
  • Disku im i parë me titull “Vika deti” mban vulën e kompozitorit të mirënjohur Adi Hila

– Më vjen keq kur shoh se si muzika popullore dalëngadalë po humbet esencën, por dhe ekzistencën

-“Zbulo sekretin” e Greta Koçit, nuancat e zërit tim i kanë dhënë këngës ngjyrën e duhur

– Nuk harroj bashkëpunimet me Altin Shira, Altin Sulku, Bujar Qamili, Irma Libohova, Meda, Irini Qirjako…

Gazeta Telegraf

Gjithmonë ka qenë e lidhur me muzikën që në fëmijëri. Edhe emri i saj përbëhët nga notat muzikore MI RE LA. Muzika tek ajo ka ardhur krejt natyrshëm. Personi i parë që kuptoi veshin e saj muzikor ka qënë motra.Vite më vonë, në klasën e pestë ka patur fatin e mirë të kishte mësuese muzike  këngëtaren e mirënjohur Rakipe Karaj, ishte ajo që e bëri pjesë të grupit artistik, ishte ajo që i dha mundësinë që për herë të parë të këndonte me një mikrofon të vërtetë në një skenë të vërtetë: në festivalin e fëmijëve. Në këtë Festival ka kënduar një këngë për të rritur të Shqipërisë së Mesme “Doli goca n’penxhere” të këngëtares Merita Halili. Duke vijuar më pas si pjesë e koncerteve të çiftit Ylli dhe Rakipe Kalaja(Karaj), të cilët i falenderon pa masë.

 

Këngëtarët gjithmonë në lëvizje. Çfarë solli Pandemia tek ju? A e ndjetë izolimin dhe largësinë nga spektatori?Realizuat ndonjë këngë të re?                                                                                                           

Pandemia, së pari solli rëndesë psikologjike me informacione dhe lajme sa stresuese aq dhe pesimiste mbi situatën e krijuar në vend e në mbarë botën, të dhëna nga mediat e ndryshme. Përveç kësaj, solli izolimin, largimin nga profesioni dhe si pasojë dhe rënien ekonomike. Në njëfarë mënyre artisti ushqehet me duartrokitjet dhe emocionet që i dhuron publiku, është lidhje e ngushtë reciproke ndërmjet njëri-tjetrit. Të jem realiste, kjo situatë nuk më ka frymëzuar aspak për realizimin e  një kënge të re, por pasioni për muzikën dhe shtyesa nga miq, koleg e fansa ka ndikuar tek unë shumë pozitivisht. Meqenëse më parë jam prezantuar me këngë nga Shqipëria e jugut kësaj here do të vij së shpejti me një kolazh të Shqipërisë së Mesme realizuar me shumë profesionalizëm nga “Artstudio” me një ndër klarinetistët më të mirë si Artur Qerimi, I mirë menduar shumë kohë më parë, si dhe një nga kërkesat e publikut nga koncertet e mia jashtë vendit, që unë të vija me një kolazh të tillë.

Si vazhdoi rrugëtimi dhe kush ishin mbështetësit tuaj?                                                        

Në rrugëtimin tim sa të bukur dhe të vështirë, vlen të përmend mbështetjen e veçantë në vitin 2008 të radios Eurostar, atë kohë shpalli një konkurs për zërat më të mirë dhe për fituesin ishte realizimi i një disku muzikor i sponsorizuar nga Eurostar dhe i punuar, orkestruar në studio nga kompozitori i mirënjohur Adi Hila, të cilin gjej rastin ta falenderoj. Kur kam hyrë për herë të parë në studion e profesorit për të më njohur si vesh muzikor, fjalët e shprehura prej tij nëpërmjet përfaqësuesit të Eurostar ishin: Është kënaqësi të punoj me një këngëtare si Mirela”. Nga fjalët e shprehura jam ndier shumë e lumtur. Viti 2008 shënon njohjen time zyrtare si këngëtare në tregun muzikor.

Në sa koncerte keni marrë pjesë deri tashmë dhe cili ka qenë më i rëndësishmi për ju?

Tashmë u bënë më shumë se 10 vite si këngëtare duke qenë pjese e shumë koncerteve në Greqi, Itali apo dhe  gëzimeve famijare në Diasporë. Nuk mund të veçoj, cili ka qenë më i rëndësishmi pasi përgjegjësia mbetet e njëjtë për çdo event, por di të them që përtej lodhjes kam marrë shumë kënaqësi kur shikon që publiku të do.

 

Cilët janë kompozitorët dhe poetët me të cilët bashkëpunoni? Cilët janë këngëtarët/et që bashkëpunoni?                                                                                                           

Disku im i parë me titull “Vika deti” mban vulën e kompozitorit të mirënjohur Adi Hila duke vijuar më tej me kompozitorët e tjerë bashkëpunues të këngëve të mia: Artur Qerimi, Spartak Kurtishi (Taku), Genti Lako duke qënë bashkëpunuese në këngën me titull “Zbulo sekretin” të Greta Koçit, nuancat e zërit tim i kanë dhënë këngës ngjyrën e duhur. Disa nga këngët e realizuara nga unë (përveç këngëve të tabanit me tekst nga populli) mbajnë emrin e tekstshkruesit të mirënjohur Alfred Trebicka.

Ndër vite kam bashkëpunuar me shumë kolegë në dasma ashtu si dhe në koncerte me, Altin Shira, Altin Sulku, Bujar Qamili, Irma Libohova, Klodian Rama, Meda, Arjan Korkaj, Irini Qirjako, Landi Roko, Eri Qerimi, Klodi Yzeiri, Prena Beci, Gëzim Kaso, Gjin Dona, Aldi Zhurda, Rudi Hasanllari etj. Siç shihet bashkëpunime me këngëtarë nga jugu në veri.

Ju këndoni vetëm këngë të Shqipërisë jugore apo dhe të trevave të tjera shqiptare?

Nuk këndoj vetëm këngët e Shqipërisë jugore, pasi që në vogëli kam imituar shumë këngëtarë, të cilët më kanë pëlqyer pa dallim jug apo veri! Ajo që është e bukur mbetet e bukur. Nëse vitet e fundit shumë këngëtarë të muzikës popullore kanë filluar të këndojnë nga “nevoja” për të patur punë të gjitha trevat, unë jam përshtatur me  këtë mënyrë me shumë dëshirë  vite më parë.

 

A mund te jetohet sot me këtë profesion?

Kjo është një temë që vlen të trajtohet më vete, do kisha dëshirë të dëgjoja një emision të tillë. Në mënyrën se si po menaxhohet muzika sot, mendoj se nuk mund të jetohet me këtë profesion.Arti është i bukur, por sa kohë luhet nga artistë, më tej e humbet kuptimin. E jo vetëm në muzikë, por në të gjitha fushat e tjera. Me këtë problem duhet të merren persona kompetentë për t’i thënë  stop këtyre prurjeve të tilla që vetëm artist nuk mund të quhen. Më vjen keq kur shoh se si muzika popullore sot dalngadalë po humbet esencën, por dhe ekzistencën.

 

 

Këngëtaret femra sot janë më të preferuara se meshkujt a është e vërtetë dhe pse?

Jo nuk ka lidhje, të dy palët janë të  preferuar.

 

Cilët kanë qenë idhujt tuaj në muzikë?

Emra të tillë ka shumë, të cilët unë i kam kënduar dhe i kam imituar me shumë kënaqësi që fëmijë. Këto emra janë: Merita Halili, Fatmira Breçani, Bujar Qamili, Eli Fara, Artjola Toska etj.

Mund të them se janë ata, të cilët më kanë bërë të tillë sot. Fakti që kam imituar ato dikur më ka bërë të jem sot një këngëtare, së cilës njerëzit  ende nuk i dinë origjinën, por gjithmonë më pyesin. Kur kam prezantuar një ndër këngët e mia të jugut, në një komunikim në rrjetet sociale një organizatore koncertesh më pyet:…Nga je ti moj, që herë të dëgjoj jug e herë veri?!

 

Kur je ndier më keq në këtë rrugëtim?Po dita më e bukur?

Që jam ndier keq…..Në një koncert të organizuar në Itali natën e ndërrimit të viteve, kjo si shkak i gjëndjës time jo të mirë shëndetësore pasi mora një ftohje gjatë rrugës. Megjithatë askush nuk e kuptoi gjëndjen time, përkundrazi të gjithë mbetën shumë të kënaqur pasi në fund të eventit më kanë falenderuar pa masë për kënaqësinë që morën. Momentet më të bukura janë ato organizimet e koncerteve në prag të festave të fundvitit, pasi për koincidencë data 31 Dhjetor përkon me ditëlindjen time. Kur më kanë uruar për herë të parë jam ndjerë shumë e surprizuar. Kjo ndjesi kaq e bukur më bën të harroj gjithë lodhjen e  mbrëmjes.

 

Veshja dhe ushqimi i preferuar?

Në veshje jam natyrë që më pëlqejnë nga sportivja deri tek klasikja, kuptohet sipas situatës. Sa i përket të ushqyerit, meqënëse kam përfunduar studimet e larta si Teknologe Ushqimore duke qënë njohëse shumë e mirë e kësaj fushe në përgjithësi preferoj ushqimet e lehta si sallatërat, peshkun, filetot e pulës etj.

 

Kur ndihesh më mirë kur ju thonë je e bukur apo këndon bukur?

Nuk e mohoj, më pëlqen kur më thonë je e bukur, sepse jo vetëm në art por në çdo profesion bukuria është e rëndësishme. Në fillim këtë fakt nuk e kam vënë re te vetja, por më vonë si nga shoqëria dhe nga njerëz të artit ma kanë vënë në dukje. Në universitet studentët e grupit dhe pedagogët e mi më thonin…. Mirela jemi në prag të zhvillimit të konkursit të bukurisë “Miss Albania”, përse nuk merr pjesë. Ka pasur raste që në rrjetet sociale më kanë thënë, epo domosdo që e bukur je, sepse nuk keni lënë gjë pa bërë. ( ndërhyrje estetike). Unë përgjigjen time për këtë pjesë e kam dhënë, por po e theksoj, deri tani nuk kam bërë asnjë ndërhyrje estetike, megjithatë kur ta bëj do ta them, këtu nuk ka asgjë të keqe.

Falë pamjes fizike më janë hapur shumë dyer të, cilat më kanë ndihmuar në rrugën time të artit dhe jo vetëm. Përveç muzikës jam ftuar të jem pjesë dhe në pasarela mode.

Nëse nuk do të kishe ndjekur profesionin e muzikës, çfare do të ishte Mirela sot.

Duke qenë se kam mbaruar studimet e larta në UBT dega Teknologe Ushqimore, besoj se do të isha një teknologe shumë e mirë. E them me krenari se kam ndjekur të njëjtën degë, të cilën ka përfunduar dhe babai im vite më parë, falë të cilës ka qenë një kuadër i shkëlqyer. Më thoshte shpesh:” Njeriu duhet të jetë largpamës, përse mos ta kesh edhe këtë degë, si suport për të ardhmen?”