Kur marinari Ilia Kici Dashi, digjej në anijen rimorkiator “Sami Frashëri”

1796
Sigal

Detari nga Durrësi nuk kishte vepruar sipas instruksionit për te vaisur kollodokun e makinës

 Gëzim Llojdia

1.

Anija “Sami Frashëri” në verën e vitit 1976 , bëhet protagoniste e një ngjarje të rëndë. Në 19 korrik në anijen rimorkiator bie zjarr. E vërteta si pas rrëfimit të oficerit  shpërtheu  një pajisje (pompa e mazutit ishte ndërruar me pompe uji, anija ishte riparuar asokohe thuhej me frymë revolucionare) të cilën nuk e thanë në version zyrtarë ,mirëpo oficeri që ma rrëfeu e dinte se ku qëndronte e vërteta dhe  gabimi  dhe përse zjarri shpërtheu atë verë të viti 1976, kur marinari  I.K.Dashi humbi tragjikisht,  jetën . Përse kjo ngjarje u mbyll? Ngase në rrethanat e kohës, po trokiste Kongresi i PPSH, kongresi i shtatë dhe Kina kishte nisur një seri investimesh në bazat ushtarake shqiptare, mes tyre edhe baza detare. Çfarë kishte ndodhur në 18 korrik, që solli ngjarjen e një dite më pas. Ja si e rrëfen nënoficeri Stefan P.Miho :

Detari nga Durrësi nuk kishte vepruar sipas instruksionit për te vaisur kollodokun e makinës me avull. Nga temperatura e larte, shkriu babiri dhe bëri të ndalonte makina me avull e rimorkiatorit detar. Këto gjëra i nxorëm mbrapa në një analize teknike të bërë me inxhinierin Sali Sala, oficer kompetent për zanatin dhe një njeri i mirë që në atë kohë më ndihmoi për të nxjerre përfundimet e nevojshme, ku pak a shumë megjithëse isha komisar, prapë se prapë vija nga sektori teknik  silurues dhe kisha njohuri teknike. Kryemekaniku më njoftoi se, situata po bëhej edhe me dramatike. Anija ndodhej në mes te detit dhe kolovitet sa në një drejtim në një tjetër. Tani ndodheshim në mëshirën e fatit, ku të na shpinte era. Kërkova nga shturmanet për të me qartësuar vendndodhjen, por më kot, ata vazhdonin stërvitjen sikur të mos kishte ndodhur gjë. I raportova zëvendës komandantit, por edhe Ferdinandi mbajti qëndrim indiferent. Dikush duhej te komandonte. Atëherë dhashë komandën:-Bocman hidh spirancën! Bajrami mu drejtua:-Ka shumë thellë komisar! Hidhe. -Ku të kapë le të kapë. U lëshua spiranca dhe u siguruam që të mos dilnim në cekinë. Shkova në urën e komandimit, iu afrova radios 105, lëviza dorezën dhe në vënien diku midis 364-365, kapa radistin e Polumbares së Durrësit. Ajo vazhdonte detyrën e saj në bregdetin e Durrësit. Nëpërmjet këtyre rreshtave i shpreh mirënjohjen time më të madhe, atij marinari radist që na ndihmoi për t’i transmetuar Operativit të Flotës, shqetësimin tonë për defektin, që na ndodhi në mes të detit. I them detarit me zë për t’ia sqaruar Operativit ngjarjen tonë dhe defektin e ndodhur në makinën me avull. I raportova se nuk mund ta riparojmë me forcat tona, prandaj kërkojmë rimorkim. Detari radist i anijes, transmetoi urdhrat e mija dhe shqetësimin për ngjarjen. Në orën 15-00 të mesditës Porti na dërgoi rimorkiatorin e vet, i cili u mundua të na rimorkionte, por më kot. Fuqia e tij ishte e vogël. Ora po shkonte 11.00 e natës dhe ne po diskutonim si t’i parandalonim këto ngjarje. Anije të tilla, kur nuk drejtohen në përputhje me kërkesat e disiplinës teknike, bëhen si fuçi baruti, mbasi rimorkiatori ku ne ishim, kishte cisterna të mbushura me mazut, karburant, i cili ka një fuqi të madhe në djegie.

Duke vijuar rrëfimin e tij S.P.Miho:

”Në orën 11.15 të datës 19 korrik 1976 u dëgjua një shpërthim i madh në anijen tonë. Mekaniku Qamil Trimi doli i pari, mbas tij komandant Festimi. Në drejtim të derës ku rrija u fut gjuha e flakës, mbasi përballë saj, dera e lokalit të kaldajës u hap nga shpërthimi (dera e pjesës së prapme të avarisë). Komandant Festimi dhe Qamili ishin të veshur, ndërsa unë isha i zhveshur dhe i shtrirë. Rrëmbeva dokumentet dhe rrobat. Përballë nesh u shfaq Ilia, i cili digjej i tëri nga flakët. Raportoi se në kaldajë shpërtheu zjarri dhe pastaj u hodh në det për të shuar flakët që kishin përfshirë trupin e tij. Komandant Festimi e urdhëroi të notonte në drejtim të pjesës fundore të anijes. Në pjesën fundore u kap nga vardallaku prej gome dhe qëndroi atje për një moment se ju prenë fuqitë. Për efektivin ishin momentet e para të hutimit, prandaj komandova disa nga marinarët për të ndihmuar Ilian.

2.

S.P.Miho:

-Ngrijeni marinarin!Dy marinarët e kapen nga duart. Ilia bërtiti. -Kapeni nga sqetullat  dhe ngrijeni! Ashtu bën. Pasi e ngritën lart e shoqëruan me këmbët e tij për në zyrën e komandës. Veprimi i shpejt, i shkathët dhe profesional i kryemekanikut Qamil Trimi bëri që flaka të shuhej, por vatra zjarri vazhdonin përsëri në lokal. Aty, Ilias i hoqëm rrobat, e mbështollëm me një çarçaf dhe e nxorëm në Mol. Zisin e parë, që ishte aty, e nisëm te shoqëruar me nënoficer Bajram Nebiun për në spitalin e Durrësit. Në të njëjtën kohë spitali njoftoi doktorin specialist për djegiet që ndodhej me pushime në konvaleshence. Ai la pushimet për t’u paraqitur në detyre dhe bëri të pamundurën, që Ilia të shpëtonte. Ndërkohë mekaniku i anijes raportoi se zjarri ishte nën kontroll. Ai kishte hapur plotësisht rubinetet e avullit. Efektivi veproi duke shtrire pajisjet zjarrfikëse për të fikur edhe vatrat e zjarrit të mbetura në disa cepa të kaldajës. Kur u binda se zjarri qe fikur, mora komandantin e anijes dhe bëmë raportimin te Operativi i Brigadës së nëndetëseve: Në orën 11.15 të datës 19 korrik në rimorkiatorin detar shpërtheu zjarr. U morën masa të menjëhershme nga kryemekaniku i anijes dhe efektivi dhe u arrit, që zjarri te vihej nën kontroll. Eliminuam vatrat e fundit të zjarrit dhe tani në anije çdo gjë është në normalitet. Nga veprimet fillestare u dogj marinari i shërbimit, Ilia Dashi, të cilin e transportuam për në spitalin e Durrësit. Oficeri operativ më tha:-Stefan do na informosh nëse është rende marinari! Na njofto që të vëmë në dijeni familjen!Mesa mbaj mend ka qenë zëvendëskomandanti i Brigades Ferdinad Myzeqari. Lash telefonin dhe shkova ne spital. Aty kërkova takim me Ilian. Infermierja e shërbimit më tha:-Ja ku është, por nuk komunikon dot, sepse ka rën në koma. Është në reanimacion.Ndërkohë më kapi për krahu një djalë i ri rreth të 40-ve duke më pyetur se ç’lidhje kisha me Ilian. I thashë emrin.

-Jam komisar i Repartit i sapoemëruar në detyrë! Do më flasësh hapur për gjendjen shëndetësore të tij, – i them. Nëse nuk do të mbyllej burimi i zjarrit, ai do të vazhdonte dhe do të shpërthenin cisternat e mazutit. Atëherë katastrofa do te ishte shume e madhe, por ajo nuk ndodhi, falë aktit heroik te detar Ilias. Doktori atëherë me tha:

-Shoku komisar, ky detar ka bërë ndonjë veprim të mirë, që u dogj kaq shumë? —Doktor, -i them, – ai ka bërë një akt që rrallë e bëjnë të tjerët. Mjeku më dëgjoi me vëmendje dhe më tha:-Dëgjo komisar! Ai djalë është djegur në 70 për qind të trupit të tij! Për mua si specialist teorikisht është i vdekur! Praktikisht se çfarë mund të bëjë natyra le të shpresojmë. Prindërit e tij gjithashtu bënë  mirë, që t’i njoftosh. Në atë moment me thënë të drejtën nuk e mbajta veten, por u zbeha në fytyre mbasi i humba shpresat dhe nga natyra shumë i ndjeshëm u largova disa metra i përlotur dhe u ktheva përsëri ku doktori me afrohet dhe me thotë.-Mos u mërzit se unë do bëjë të pamundurën. Ai ka një trup fizik të fortë. U ndamë me të si miq të përhershëm. Ai u largua në detyrë për të bërë, procedurat për transferimin e tij në spitalin ushtarak pas dy ditësh. Përkëdhela në koke Ilian, e mblodha veten duke thënë:-Jam krenar, që pata në efektivin e repartit tim një djalë që bën sakrificat e fundit për mbrojtjen e shokëve dhe pronës ushtarake. Dola dhe njoftova Komandën:-Detar Ila Dashi është djegur rende prandaj është mirë të njoftohet familja e tij. Komanda e Repartit menjëherë të nesërmen u nis së bashku me xha Kicin, babain e Ilias, në drejtim të Durrësit. Herët në mëngjes e prita në spital xha Kicin. Atë mëngjes shkuam dhe komunikuam edhe me Ilian në krevat. Ai fliste, por pa lidhje logjike nga dhimbjet, megjithatë me të atin komunikoi më shume, ku i tha:-Për një guarnicion prej amianti ,që duhej t’i vihej’ pompës!

3.

Shqetësime këto ku me vone nga analizat e bëra zbuluam defektin qe shkaktoi zjarrin ne lokalin e kaldajës. Kur e zbërthyem pompën që transportonte mazut për në kaldaje, ajo në kapakun e saj kishte guarnicion pre) llastiku, i cili nuk mund ta përballonte dot presionin dhe viskozitetin e mazutit. Mazuti kërkon hermetizim të madh nëpërmjet guarnicionit prej amianti  dhe me që jemi këtu po e shpjegoj se cfarë kishte ndodhur. Se bashku me inxhinier Sali Salen dhe mekanikun e anijes arritëm në përfundim se ishte shkelur disiplina teknike. Anija u riparua me forcat e vetë efektivit dhe me frymë revolucionare, siç thuhej rendomë atëherë, e cila pati pasoja. Nga analiza e bërë me inxhinier Sali Salen (kompetent për anijet dhe agregatet përkatëse të tyre) konstatuam se gjatë riparimit të anijes i qe ndërruar pompa e vjetër e mazutit, pompë nafte e prodhimit Sovjetik. Kapaku i saj hermetizohet nga guarnicion amiantit dhe mbërthehet me gjashtë bulona. Në vend të saj u vendos pompë uji e re e prodhimit kinez, në kapakun e së cilës ku bëhet hermetizmi i dhomës ku kalonte mazuti me presion ishin te vendosur katër bulona dhe guarnicioni ishte prej llastiku. Në mes, që të mos hapej ky guarnicion, ishte në forme kryqi. Nga ana e jashtme pompa, qe e re e paraqitshme, por e destinuar për ujë dhe jo për mazut. Ky qe gabimi teknik me pasoja. Pompa kishte rezistuar gjate lundrimit te saj të pare dhe guarnicioni kishte shpërthyer, por sprucimi i mazutit kësaj radhe nuk qe në drejtim të furrave, por në të kundërtën dhe nuk kishte ndodhur asgjë. Vetë efektivi e kishte hapur kapakun e pompës, i kishte bërë asaj një guarnicion tjetër llastiku, kuptohet, në mënyrë artizanale, pa kryq në mes, e mbyllën atë me mendimin se puna do të vazhdonte normalisht. Sinjali, se ishte bërë një gabim njerëzor dhe se ishte shkelur një rregullore teknike, qe dhënë me pare, por paaftësia për njohjen e ligjeve të teknikes çoi ne ngjarjen e jashtëzakonshme, e cila mori një jete njeriu. Ja pra zëvendësimi gabim i pompës, çoi në shpërthimin dy herë të garnicionit prej llastiku. Per riparimin e guarnicionit herën e parë ku nuk pati pasoja, kishte punuar vetë Ilia, por shpërthimi i dytë u bë në drejtim të furrave dhe ndodhi ajo, që nuk duhej të ndodhte. Ajo ishte pompë uji. Nqse do te kishte një guarnicion amianti mundet edhe të mos kishte shpërthyer, megjithatë ajo nuk kishte siguri për shumë lundrime. Para se te vija në spital me komandant Festimin dhe kryemekanikun e anijes zbritëm ne lokalin e kaldajës për të parë se ç’kishte ndodhur me shpërthimin e zjarrit. Guarnicioni i pompës që dërgonte mazut nëpërmjet sprucatoreve në kaldajë, kishte shpërthyer në drejtim të grykës së furrës së parë, në lokalin e kaldajës. Temperatura e lartë dhe përzierja e gazrave të mazutit bëri që të merrte zjarr në formë shpërthyese i gjithë lokali. Ilia, pasi bllokoi furrën e parë e të dytë, të tretën nuk arriti ta bllokonte. Pa e humbur toruan nga shpërthimi, në dalje nëpërmjet shkallëve, arriti të mbyllë rubinetin kryesor të mazutit, pastaj filloi të ngjitej nga shkallët kryesore dhe jo nga shkallët e avarisë nga mbrapa që në raste të tilla janë më të sigurta. Flakët e dogjën në gjithë pjesën e sipërme të gjoksit dhe duart, por edhe një pjesë të kurrizit. Ai ishte i veshur me kanotiere, për shkak të temperaturës së lartë në lokal.Në kafene morëm me xha Kicin nga një gotë konjak dhe në vend që t’i jepja unë kuraje atij për djalin, më jepte ai mua. Në bisedat që zhvilloja me të më tha:

-Dëgjo Komisar! Kur më njofti  komanda dhe me thirri të hipja në mikrobus për të ardhur këtu më thanë se djali im është aksidentuar duke qënë në  detyrës dhe se me veprimin e tij ai ka bërë  një akt heroik duke shpëtuar shokët dhe anijen. Unë atëherë i thashë:

-Nëse  do të ishte një djalë tjetër t’i kishte ndodhur sic i ndodhi djalit tim a do te ishte në  këtë sedije ndonjë prind tjetër?-Ata më thanë se po, do te ishte një prind tjetër.

-Meqenëse  është kështu, me rastisi mua që të ulem në këtë sedije. Jam krenar, se djali im nuk më ka turpëruar, por ka bërë detyrën, ashtu sic i ka bërë djalit të familjes sonë.Me la një përshtypje të thellë qëndrimi i xha Kicit.

-Ilia, -i them, -do të shkojë  në Tiranë për trajtim special mjekësor.E vërteta është se nga trajtimi special që ju bë Iliës në Tiranë, mundi te jetonte edhe pesë dite. Ditën e pestë shkova në Tiranë dhe për çudi Ilia ishte kthyer ne “normalitet” dhe me pyeti për shokët. Iu përgjigja, se:-Ata janë shumë mirë dhe presin, që të dalësh i shëruar që këtej.Me vete kisha marrë një vazo komposto të asaj kohe dhe i them:-Ilia ç’fare dëshiron?

-Komisar dua të më japësh një gotë me komposto me një kokërr kumbull brenda, ashtu si në anije.Ia përgatitëm dhe ja dhamë. E piu pak dhe e la me premtimin se do ta pinte me avash. Më habiti kthjelltësia e mendimit në ditën e fundit. Ika me një rreze shprese. Por, jo! Pasditen e datës 24 korrik 1976, Ilia ndërroi jetë duke ngelur një pishtar për të gjithë efektivat e Flotës dhe më gjerë, por sidomos për atë të Grupit të anijeve ndihmuese. Ilia Dashi Hero i Popullit dhe komunist pas vdekjes. E përcollëm trupin e tij, për në Vlorë. Atë natë nuk ngeli njeri pa ardhur te familja e xha Kicit për ngushëllim. Në datën 25 korrik 1976, Mehmet Shehu si Ministër i Mbrojtjes i dërgon këtë telegram familjes:“Me hidhërim të thellë mësuam për rënien në krye të detyrës, të djalit tuaj të dashur, dhe bashkëluftëtarit tonë, detarit trim Ilia Dashi. Ndarja para kohe e Ilia nga gjiri i juaj është një humbje e madhe dhe e dhimbshme për ju, për ekuipazhin e anijes:” Sami Frasheri”, ku ai militonte dhe për të gjithë efektivin e Flotës Luftarake Detare.Detari trim dhe anëtari i Bashkimit të Rinisë, Ilia Dashi, punoi pa u lodhur, për të zbatuar detyrat e ngarkuara nga Partia dhe Komanda, duke mos kursyer asgjë për çështjen e popullit, atdheut dhe socializmit. Ai qëndroi kurdoherë besnik i mësimeve të udhëheqësit tonë të dashur shokut Enver, duke mos u përkulur para vështirësive deri në çastet e fundit të jetës së  tij. Vepra e tij do të mbetet shembull frymëzimi për detarët dhe kuadrot e Flotës Luftarake Detare.Ministri i Mbrojtjes Popullore, Mehmet Shehu.Tiranë: 25 korrik 1976.”Telegrami i Ministrit u lexua para familjes e të ftuarve, pjesëmarrës në Ceremonine Mortore. Në muajin gusht Ilia Dashi u nderua me dekret të veçantë me titullin më të lartë: “Hero i Popullit”në të cilin thuhet:“Iia Kici Dashit, I jepet titulli :”Hero i Popullit”.Më poshtë:Dekret për dhënie titulli:Në mbështetje të nenit 58, pika 8 të Kushtetutës: Me propozimin e Byrosë Politike të KQ.PPSH, Presidiumi i Kuvendit Popullor i jep titullin Hero i Popullit, Ilia Kici Dashit, mbas vdekjes me këtë motivacon:I edukuar nga Partia me frymën revolucionare të vetëmohimit për çështjen e popullit dhe të socializmit, i pajisur me ndjenjën me të lartë të përgjegjësisë, me disiplinë të hekurt e të ndërgjegjshme me shpirtin e iniciativës dhe të sakrificës, me vendosmërinë revolucionare karakteristikë të njeriut tonë të ri, për mbrojtjen e pronës socialiste dhe për vënien e interesit të përgjithshëm mbi gjithçka, me dashurinë luftarake të pakufishme për shokët e punës e të luftës, më 19 korrik 1976, bie përleshje me flakët e zjarrit që shpërthyen papritur në anijen luftarake ku shërbente, duke uhedhur përnjëherësh me trupin e vet mbi burimin e zjarrit, ra heroikisht në krye të detyrës luftarake, duke shpëtuar anijen dhe duke mbrojtur shokët nga rreziku i zjarrit. Tiranë; më 14.8.1976. Numri i dekretit, 54-26.”

4.

Theksoj se si fjalët e përmbajtjes, ashtu edhe të formës, si në motivacionin e Dekretit, ashtu edhe ne atë të Telegramit, ishin informacionet që u dërguam me shkrim ne nga Durresi, si dhe motivacionin e vendimit të organizatës baze te partisë qe ne morem per ta pranuar Ilian, komunist mbas vdekjes. Të gjitha fjalët e shkruara në Vendim u cuan lart dhe ato sot ndodhen në arshivat e Komitetit Qendror të Partisë. Po kështu në hyrje të lokalit, të kaldajës, në anijen rimorkiator u vendos pllaka përkujtimore me mbishkrimin:”Këtu shërbeu dhe dha jetën në moshë të re Ilia Kici Dashi më 19.7.1976.”Gjithashtu, me qenë se ngjarja ndodhi në prag të Kongresit, Enver Hoxha, do ta përmendte aktin heroik të Ilia Dashit ,në raportin e vet si shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë, që shërbenin në forcat e armatosura. Për të vërtetuar se ngjarja e ndodhur nuk ishte veprimtari armiqësore mu desh të përballesha me një akt hetimor prej katër orësh. Fillimisht erdhën hetuesit e Degës së Brendshme të Durrësit për të hetuar ngjarjet në anije duke marrë një nga një efektivin, pastaj kuadrin. Sëbashku kaluan të gjithë në filtër u dhanë informacionet e nevojshme dhe secili i binte fyellit në një vrimë: Atë të veprimtarisë armiqësore pa treguar shkakun e vërtetë të shpërthimit të zjarrit. Atë e dinim vetëm unë dhe Sali Sala. Nuk e treguam sepse kërkonte kohë dhe një komision ekspertesh, prandaj dhashë urdhër të vendosej pompa e vjetër, e cila ishte në gjendje të mirë pune. Rimorkiatori u kthye në bazë me këmbët e veta dhe nuk doli më. Nuk mbaj mend se ç’u bë me fatin e tij, por me siguri, që ka pasur fatin e anijeve të tjera, që u mbytën nga uragani regresiv i trazicionit shqiptar. Defekti i parë dhe defekti i dytë me pasoja në njerëz në anijen:”Sami Frasheri”, kishte si shkak gabimin njerëzor. Brenda këtij gabimi njerëzor, pavarësisht se isha i ri në detyrë dhe i sektorit politik, nuk e shkarkoj veten nga përgjegjësia. Për t’i bërë probleme e për të marrë masa, pranova të punoja për eliminimin e tyre dhe të mos ndëshkoja njeri. Raportova për ato çka ndodhën në Hetuesi të rrethit Durrës. Nga Reparti erdhi punonjësi i sigurimit, Agron Kapaj, i cili bëri hetim të hollësishëm, duke i mëshuar fort aktit heroik ,që kreu Ilia. Të gjitha këto i deklaruam edhe para hetuesve të Tiranë,s që erdhën në Degën e Durresit. Ata hapën një proces të veçantë  për kryemekanikun Qamil Trimi, por që me ndërhyrjen time u mbyll, ndonëse me vonesë. Mbyllja e problemit i shërbeu situatës. Vendi ishte në një bum të madh ekonomik, për shkak të investimeve të mëdha që ishin bërë nga Kina. Akti i Ilia Dashit në këto momente i duhej Partisë për ta theksuar në Kongresin e Shtatë si shembull pozitiv të punës e luftës për ruajtjen e pronës së përbashkët, qoftë kjo edhe me sakrifica me sublime atë të dhënies së jetës. Shkrimtari ushtarak i marinës Fadil Zeqiri, do ta përjetonte aktin heroik të Ilia Dashit në një libër, ku ndërmjet të tjerash thekson: “Ai ishte i pranishem në cdo apel në anijen Sami Frasheri.” Poeti Demokrat Anastasi do ta përjetonte në vargjet e tij kështu aktin heroik të Ilias:Në  emër të Atdheut në gazetën :’Drita’ 5 gushtë 1976.