Bashkim Koçi: Xhevahir Spathara, luftëtari që ekzekutoi gjeneral Gjilardin, arratia në Itali dhe kërkesa e Zogut

434
Sigal

XHevahir Spathara, luftëtari patriot që ekzekutoi gjeneral Gjilardin-

Njeriu që dëshmoi se dashuria për vendin tregohet përmes sakrificave

Xhevahir Spathara: Si u arratisëm në Itali dhe kërkesa e Zogut për të na kthyer

–Për kushtet e këqia në biruca na kërkuan t’i bëjmë telegram Duçes

Nga Bashkim Koçi

Kujtimet e shkruara dhe të mbajtura me kujdes, nga kushdoqoftë dhe për çdo periudhë kohe, përbëjnë thesare të çmuara, thesare që diktojnë për t’i ruajtur “të kyçura” në mendje, por sidomos në “dosjet” ku qëndron historia e së shkuarës. Jo nga frika se mos i humbasim, por për t’i trajtuar si të jenë kujtesë të të gjitha gjërave që kanë ngjarë e që vlerësohen si të rëndësishme. Jam njohur këto ditë me ca shënime të shkruara dekada më parë nga një luftëtar, nga Xhevahir Spathara, emrin e të cilit e kam ndeshur e gjetur të përfshirë në shumë ngjarje të rëndësishme, para dhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Xhevadir Spathara është ndarë nga jeta më shumë se tri dekada më parë, por e bija, Vjollca Hoxha (Spathara), i ka rujatur ato kujtime si një amanet të babait, por edhe sepse aty fshihen shumë kujtime e shumë dhimbje të asaj familje të madhe me kontribute të çmuara për vendin.

Xhevahir Spathara (Arapi) ishte nga fshati Spatharë i Skraparit, fshat që kufizohet me Cerovën, Veleshnjen, Vëndreshën dhe Tëndën e Qypit. Që andej kanë dalë emra të shquar patriotësh, të cilët e kanë dëshmuar dashurinë për vendin përmes sakrificave që u është dashur të bëjnë për të. Çuditërisht disa nga këta patriotë të mëdhenj si Riza Cerova, Zylyftar Veleshnja, Tajar e Tofik Vëndresha e ndonjë tjetër, mbajnë për mbiemër emrat e fshatrave nga vijnë, duke e tretur lavdinë e tyre me trojet ku u lindën e u rritën. Kjo gjë ka ndodhur edhe me patriotin Xhevahir Spathara (Arapi). Ai lindi në 13 shkurt të vitit 1906 në një familje ku trashëgimia në breza njerëzish konsistonte në mbajtjen ndezur të zjarrit të patriotizmit. Ai ishte vetëm 18 vjeç kur iu bashkua lëvizjes Fanoliste, Revolucionit Demokratik të Qershorit të virit 1924, duke i besuar fjalëve të mikut të tij të moshës së rinisë, Riza Cerovës, me të cilin ishte njohur në Çorovodë në prag të fillimit të Lëvizjes për rrëzimin e regjimit antipopullor të Zogut. Sigurisht dështimi i Revolucionit Demokratik nuk mund të themi se nuk e dëshpëroi djaloshin 18 vjeçar, por tek ai dominuan endërrat dhe kjo gjë do të thoshte se ai shpresonte shumë për ndryshimin që do të sillnin vitet.

Jeta për Xhevahir Spatharën ishte gjithmonë diçka e vënë garant ku të mundej dhe si të mundej, pra si çështje e të priturit të momentit të duhur për të vepruar për realizimin e ëndrrës. Dështimin e Lëvizjes të vitit 1924, nën udhëheqjen e Fan Nolit, edhe pse qëndronte larg përgjegjësisë për dështimin e saj, nuk mund ta harronte e madje ta konsideronte veten si pjesë të “humbësve”. Fiks pas një dekade atij i erdhi momenti që të mund të shfaqej ai që ish, trim i çartur, nga ata djem që nuk i trembej rrezikut. Dhe prapë do të gjendej aty ku do kërkonte shoku i armëve, luftëtari dhe patrioti i palëkundur skraparas, Riza Cerova. Por kur dikush e dëshiron me të vërtetë diçka, ashtu siç luftonte për të realizuar ëndrrën Xhevahir Spathara, i gjithë “universi” bën plane për ta ndihmuar që të realizojë atë. Përvoja e tij në punë në strukturat e xhandarmërisë në shumë qarqe të vendit si Shkodër, Burrel, Gjirokastër, Librazhd e Shijak i dha mundësinë të njihej me elementë përparimtarë, me ata që ishin bërë pjesë e frontit antizogist. Ndoshta ishte flladi i kësaj rryme që Xhevahir Spathara në tetor të vitit 1934 të njihej, “t’i hapte zemrën” e t’i tregonte gjërat që i duhej t’i mbante sekret, revolucionarit më me emër të atyre viteve në Tiranë, Asim Vokshit.

 

Përgatitja për të organizuar e realizuar Kryengritjen e Fierit për Xhevahir Spatharën nuk mund të ishte diçka që të konsiderohej mister. Takimi me Riza Cerovën në maj të vitit 1935 në Skrapar, u bë rast nga ku do të njihej me hollësi rreth planit të Kryengritjes, por edhe me udhëzimet e detyrat për çdo hallkë nga ku do të shkohej tek përmbysja e regjimit. Ishin këto lidhje e këto kontakte të vazhdueshme që gjithçka të shkonte në harmoni të plotë, duke mbajtur hapur sy e vesh, ashtu si e kërkonte puna të ishe përpara një pushteti pa kufi e që kishte evuluar në apsolutizëm. Në vazhdën e kryerjes të këtyre detyrave më 11 gusht të atij viti Xhevahir Spathara mbriti përsëri në Skrapar për t’i njoftuar Riza Cerovës datën dhe orën e fillimit të Kryengritjes. E njoftoi se në datën 14 Gusht, në orën 21 do të fillonte ajo e shumëpritura, dita që do të sillte mrekullinë .

Më 12 gusht Xhevahir Spathara u kthye përsëri në Fier, aty ku mbante lidhjet me organizatorët e që orë pas ore e çast pas çasti edhe me komandën që do të drejtonte Kryengritjen, në mënyrë që gjithçka të realizohej sipas planit të parashikuar. Në kujtimet e këtij luftëtari të bindur dhe të ngarkuar me urrejtje ndaj regjimit, vihen re aftësitë e tij për t’i parë zhvillimet realisht, që dita e sotme nuk i ngjante asaj që vinte më pas, duke menduar se njëra prej tyre do të kishte fatin të futej në histori për çka do të shënonte rrëzimin e një pushteti kriminel e anadollak.

Nëse ndiqet moment pas momenti veprimtaria e Xhevahir Spatharës në ato ditë gushti të viti 1935, ku pritej të ndodhte diçka e madhe, e padëgjuar deri atëherë, vërehet se ky luftëtar e trajtonte çdo situatë si të ishte unike dhe nuk mbështetej tek opinionet apo recetat e të tjerëve. Ky virtyt i tij u shfaq i kompletuar e i plotë atëherë kur krejt papritur u përball me Gjeneral Leon De Gilardin, i cili ishte personalitet i lartë i Mbretërisë dhe përfaqësonte figurën e tretë në hierarkinë ushtarake shqiptare. Në kujtimet e tij Xhevahir Spathara spjegon në detaj ngjarjen dhe që është varianti më i besueshëm, sepse ka qenë dëshmitar okular dhe personi i vërtetë që kreu këtë mision të mirëpritur nga kryengritësit.

Situarta e atyre ditëve në kujtimet e atentatorit përshkruhet kështu: Gjenerali sapo kthehej nga Berati u përball me turmën e revoltuar në sheshin përpara N/prefekturës dhe, ashtu fuqiplotë e si ndër më të përkëdhelurit e krahut të djathtë të Ahmet Zogut, pyeti sejmenët që i rrinin mbrapa: ç’është kjo mbledhje këtu, para nënprefekturës?

Edhe pse fare i ri dhe pa përvojë për të kryer veprime paksa “të jashtëzakonëshme”, siç ishte përgjigja që i duhej t’i jepte për pak minuta, flakë për flakë, Gjeneralit, i erdhën ndermend diçka nga filozofia e jetes së tij si njeri i aksionit: mos e lejo shansin të të rrëshqasë, të të ikij nga duart. Veçse, duke qenë edhe i informuar për çdo gjë rreth vendimeve që kishte marrë Komisioni i Kryengritjes, midis të tjerave edhe eleminimin fizik të Gjeneral Gjilardit, Xhevahir Spathara e mori vendimin në çast, më shumë me instiktin e urrejtjes sesa me vullnetin e ndërgjegjshëm. Kështu ai vepronte në përputhje me natyrën e tij si njeri i drejtë dhe i vendosur për atë çka bënte, por edhe se vetëm kështu do të gjente paqe shpirtërore. “Unë i thirra që të dorëzohej, por ai refuzoi dhe tentoi të nxirrte armën për të më qëlluar me revolverin e tij. Unë në këtë moment e qëllova dhe e vrava.”, ka shënuar në kujtimet e tij Xhevahir Spathara.

Më këtë veprim, pra duke e eleminuar fizikisht Gjeneral Gjilardin, Xhevahir Spathara mbeti një emër i ndritur, e madje ndoshta ndër të vetmit si i tillë që la gjurmë prej luftëtari e patrioti në Kryengritjen e Fierit. Sigurisht ai me këtë goditje që i bëri Mbretërisë dhe Nalmadhnisë, Ahmet Zogut, do të përcaktonte edhe fatin e tij, fat ku bëhej pazar me jetën. Nga ai moment ai u vu në shinjestër të regjimit për ta eleminuar si person i rrezikshëm për Mbretërinë. Por ky luftëtar e kishte shporrur frikën. Ai vërtet vendimet që merrte i vendoste me kokën e tij, por aty merrte pjesë edhe vendimi që i jepte zemra e që do t’ja dominonin shpirtin sa qe gjallë. Në libra historikë të autorëve të ndryshëm evidentohet fakti se Gjenerali u ndodh aty “rastësisht”, se demek ai ishte i ftuar dhe po udhëtonte nga Berati për në Fier me destinacion Apoloninë, ku ishte ftuar nga arkeologu Leon Rei, drejtues i misionit arkeologjik francez.” Mirë, po e marim të mirëqenë këtë fakt, por Xhevahir Spathara në kujtimet e tij shkruan diçka tjetër të bazuar në fakte. “Pas ekzekutimit të Gjeneral Gjilardit, shkruan ai, u krijua një komision me në krye Zenel Hekalin dhe bënë kontrollin e makinës së Gjeneralit ku u gjet një valixhe dhe në xhepat e tij u gjet një bllok me shënime ku ai paguante oficerët rezervë të Zogut në Kavajë, Lushnje, Berat etj. Ju gjetën 300 napolona të verdha në valixhe dhe 200 napolona letër në xhep. Gjilardi kishte thënë se do të shkonte në Pojan, por faktet treguan se ai nuk ishte ngarkuar të shkonte në Pojan.”

Po ç’përfaqësonte  Gjenerali me origjinë hungarezo-kroate Leon de Gjilardi? Dikush është përpjekur për ta bërë hero këtë personazh paksa enigmatik, madje për t’i bërë e nderuar ndoshta edhe me një monument, duke e konsideruar “emër që meriton respekt dhe lule”. E vërteta qëndron ndryshe. Jo vetëm që nuk meriton respekte e as lule, por duhet të konsiderohet ashtu si edhe ka qënë, krahu i djathtë i regjimit më antipopullor të satrapit Zog. Sesa dashuri e afërsi pikpamjesh  kishte Gjenerali  me Ahmet Zogun, e shpreh mjaftueshëm dedikimi i shkruar në kororën e përcielljes të Gjeneral Gjilardit: “Ghilardit shokut dhe ushtarit tim shum trim e të vlefshëm, Zogu i I”. Po Ahmet Zogu ç’përfaqësonte ndër shqiptarë? Të gjithë e dimë që ai konsuderohet se sundues i turpit. Veç personaliteteve të shquar atdhetarë e patriot, diçka rreth tij e ka thënë shkurt dhe shkoqur Faik Konica: Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie. Është i pangopur, egoist, zemërgur, i pandershëm. I urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kjo kulturë, prejardhje familjare, pasuri apo ndonjë aftësi në çfarëdo fushe, ose vetëm e vetëm pse janë atdhetarë të ndershëm”.  Pas kësaj çka solla, le ta gjykojë vet lexuesi nëse bëri mirë apo keq Xhevahir Spathara që ekzekutoi në mes të qytetit të Fierit Gjeneral Gjilardin.

Pasi Kryengritja e Fierit dështoi, dhe shkaqet përse ndodhi kështu janë të shkruara në faqet e historisë, Xhevahir Spathara u dënua me vdekje, me pushkatim (në mungesë),  ashtu si edhe 42 kryengritës të tjerë. Nga dënimet me vdekje u ekzekutua vetëm një me varje në litar, të Hekuran Maglliçit dhe 11 të tjerë u pushkatuan. Dënimet e tjera nuk u arrit të ekzekutoheshin sepse opinioni ndërkombëtar i dënoi ashpër reprezaljet dhe masat e padëgjuara deri atëherë që mori qeveria zogiste, duke e kërcënuar haptazi, madje i dhanë paralajmërim për ta izoluar Ahmet Zogun ndërkombëtarisht.

Si vajti puna me fatin e Xhevahir Spatharës? Unë, së bashku me Musa Kranjin, Kol Çekrezin, Zenel Hekalin e Arshi Shehun, shkuam në Karavasta, kujton Xhevahir Spathara. Atje gjetëm një benzinat të shoqërisë italiane që transportonte peshk në rrugën detare Karavasta-Durrës. Megjithëse ishin rojet e kufirit, ne i gënjyem, duke u thënë se ishim inxhinjierë të ujrave shqiptare e italiane, e se “ne jemi sigurimi i tyre dhe do të kalojmë në det për në Durrës”.

Hipëm në benzinat, kujton ai, dhe drejtuesin e saj i detyruam të na nxirrnin në ujrat ndërkombëtare. Pastaj menduam që të mund të gjenim ndonjë mjet detar për të shkuar në Greqi, Ai na nxorri në ujrat ndërkombëtare,, por atje, në mes të detit, nuk gjetëm  asnjë mjet tjetër detar për të vazhduar rrugën drejtë Greqisë. Ç’të bënim? Me forcë nuk e detyronim dot sepse ishim përpara ishulli të Sazanit ku ndodheshin italianet e ai mund të jepte ndonjë sinjal që për ne do të ishte asgjësues. Pra ishim përpara rrezikut. Kështu vendosëm për ta lanë në dorë të tij. Kur ai u gjend i gatshëm na tha: “Unë mundem t’ju përciell, por vetëm për në ltali”. Dhamë pëlqimin që ashtu të bëhej.

Zbritëm në molin e Barit dhe, meqë nuk kishim dokumenta, na arrestuan dhe ndërkohë lajmeruan karabinerinë e Barit. Ata   erdhën e na morën dhe na shpunë në burgun e Madh të Barit. Megjithëse rregjimi i Zogut bëri kërkesë për të na dorëzuar e të na kthenin në Shqipëri, pala italiane nuk na dorëzoi sepse Kol Çekrezi, kur ishim në karabineri, i bëri     telëgram gjeneral Parjanos në Romë ku e lajmëronte “Jemi në Bari”.    Dy javët e para na mbajtën në një dhomë të pestë. Me një shtator     na futën nëpër biruca. Kushtet ishin shumë të këqia, por akoma më keq e bënte fakti që ne ishim të pa veshur, me rroba të grisura, gati lakuriq. Këkuam që të blinim rroba, por  ata na përgjigjeshin se duhet t’i        drejtoheshim me shkrim Duçes sepse, sipas tyre, ishte ai i jepte urdhërat për kategoritë e emigrantve politikë si puna jonë.

Në Tetor të po atij viti erdhi një i dërguar i fashizmit nga Roma e na mori në pyetje se me kë kishim lidhje, në shërbim të kujt shteti ishim. Unë nuk kasha informacion për të tjerët se çfare deklaruan, pasi na morën një nga një në pyetje. Mua më morën nëpyetje, duke përdorur si përkthyes një kalabrez. Me kë ke patur lidhje, më pyeti fashisti, me Greqinë, Jugosllavinë apo ltalinë. Iu përgjigja shpejtë dhe i vendosur për çka thoja:

-Nuk    kemi    patur    lidhje   me asnjë shtet. Ne u larguam nga vendi ynë sepse kërkuam dhe kërkojmë të vendosnim një qeveri demokratike për popullin, pa diktatin e të huajve.

Për të bindur, pra që unë të pranoja se ishim në shërbim të Italisë, më tha: Në konferencen e Londrës u vendos që Italia të përkrahte e      të ndihmonte Shqiperine. Kështu dhe kufijtë e Shqipërisë u caktuan       nga një komision me në krye një general  italian dhe se Italia gjithmonë e ka ndihmuar popullin shqiptar.

Pra ai ngulmoi deri në fund që unë të deklaroja se ne kishim lidhje me ltalinë. Mbas 2 orësh debat me të, ja preva shkurt: Sikur tërë natën të më mbash, unë do të them të njëjtën gjë, që ne nuk kemi lidhje me ltalinë dhe se ju jeni një shtet që kërkoni të na okuponi.

I zëmëruar keqas, fashisti urdhëroi karabinierët, e ata më çuan në bodrum. Mbas 2-3 ditësh Kol Çekrezin, Musa Kranjin dhe Arshi Shehun i nxorrën nga bodrumet, duke i sistemuar në një dhomë të veçantë me të gjitha   komoditetet. Ushqimi u vinte nga jashtë burgut e në dispozicion të  tyre vunë një shërbëtor. Vetëm nga ky trajtim që po u bëhej, kuptova se ata ishin deklaruar pro kërkesave që u kishte parashtruar i dërguari fashist nga Roma.

Unë dhe Zeneli mbetëm në bodrum deri në Janar 1936, ka shënuar në kujtimet e tij Xhevahir Spathara. Kur na nxorrën, na dëbuan si të padëshirushëm për ltalinë dhe na nxorën në kufirin francez, në Alpet e Veriut. Pra ata kërkuan të na kalonin nëpërmjet Alpeve në këmbë, por ne protestuam e kështu i detyruam që të na përcillnin deri në kufirin francez. Aty takuam një xhandar francez i cili do të na shoqëronte deri  në doganë. Kur i thamë se ishim refugjatë politikë shqiptarë, ai na çoi te komisari i kufirit. Ky i fundit komunikoi me autoritetet dhe ata e urdhëruan të na linin të lirë. Qëndruam atë natë në hotel e të nesërmen u nisëm me tren për në Paris. Megjithëse u kishim dërguar telegram disa shokëve të shoqërisë “Bashkimi” që të na prisnin në stacionin e trenit të Parisit, atje na priti policia francize, të cilët na morën e na dërguan në një hotel, duke  na dhënë adresën e Sejfulla Llambasit e Rexhep Mitrovicës e këta na strehuan në hotel.

Ne kishim me vete vetëm nga 25 napolona secili. Nga 400 napolona që kishim kur u nisëm, 275 na i mbajtën italianët.

Mbetëm mes katër rugëve, kujton Xhevahir Spathara. Aty kërkuam punë, por nuk na siguruan asgjë, qoftë edhe një ditë. Atëherë ndërhyri kryesia e organizatës “Bashkimi Kombëtar” të emigracionit në Paris pranë ambasadës Jugosllave që ne të shkonim në Jugosllavi.

Në Paris qëndruam 3 muaj.  Aty gjeta rastin të takoja Halim Xhelon i cili, kur më pa të mërzitu më pyeti nëse ky konstatim të ishte i vërtetë. Po, i thashë, jam mërzitur shumë. Pastaj i kërkova të më ndihmonte të shkoja atje ku kishte shqiptarë, që të mund të meresha vesh sepse nuk dija asnjë fjalë frëngjisht.

Halim Xhelo u tergua i gatshëm. Më mori menjëherë e më çoi në Grykën e Parisit, atje ku ishte një lagje me shqiptarë, të cilët kishin ikur nga Shqiperia kur u rrëzua qeveria e Fan Nolit në qershorin e vitit 1924.. Më zuri hotel për një muaj dhe më shëtiti jashtë Parisit në një lagje të vogël ku u takuam edhe me një himarjot, i cili punonte si bakallëk e që mbante pije e ushqime. Ai e porositi  të më jepte ushqim e sa për të paguar do ta shlyente Halim Xhelo.

Qëndrova dy javë në hotel, por kur një ditë u ngatërrova me një person , i cili shërbente aty, ika dhe shkova te himarjoti. Po atë ditë erdhi edhe Halim Xhelua. Mbasi i tregova për ç’kishte ngjarë, ai më tha të mos mërzitesha se këto punë kështu e kishin për derisa nuk ishe në vendin tënd. Sakaq më mori e më çoi në lagjjen Egen të Parisit ku më zuri një dhomë në një vile. Aty do të qëndroja deri në muajin Prill 1936, ditën kur na njoftuan nga ambasada jugosllave për t’u nisur për në Jugosllavi.

Unë shkova në Valevo, ka shënuar në kujtimet e tij Xhevahir Spathara,  ndërsa Zeneli shkoi në Zagreb për të vazhduar shkollën e lartë. Tjetri, Arshiu, shkoi në Bosnje.

Në Valevo na jepnin një ndihmë fare të vogël, sa për bukë. Megjithatë, kujton Xhevahir Spathara, hapa një dyqan të vogël ku tregëtoja perime e bulmet. Më vonë në Valevo erdhi edhe Zylyftar Veleshnja nga Greqia. Kur isha në Francë Halim Xhelua më dha adresën e Zylyftarit dhe unë komunikoja me të.  Në momentin kur unë u stabilizova në Valevo, e njoftova Zylyftarin, i cili  erdhi menjëherë. Ishte viti 1937.

Dyqanin e zgjeruam edhe me një restorant të vogël. Kemi ndihmuar e mbajtur disa shokë që kishin ikur nga Shqipëria e që kishin qënë oficerë e ishin dënuar nga qeveria e Zogut siç ishin Preng Uli nga Shkodra, Zini Murati nga Konispoli, Hamdi Frashëri nga Permetit, Meqez Qoni nga Kurveleshi, Kajo Karafili nga Pogradeci etj. Të gjithë këta i veshëm e i mbajtëm me ushqim deri në kohën që ne ikëm.

Në bashkëpunuam me Partinë Komuniste  jugosllave, kishim lidhje me nje mjek, i cili ishte komunist. Ai na rregulloi dokumentat për një nga shokët, të Zini Muratit, për të shkuar në luftën e Spanjës. Ne i shkruam Halim Xhelos që të nisnim edhe luftëtarë të tjerë për në      Spanjë, pra të shkonim edhe ne në atë luftë, por ai na shkroi dhe na thoshte prerë: Nuk ka nevojë të shkojmë në Spanjë, por duhet të shkojmë në Shqipëri. Kujtoj se duke ndjekur situatën politike, Zylyftar Veleshnja në fund të vitit 1938 u kthye në Shqipëri ndërsa unë mbeta atje edhe për faktin se ishta i dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut.

Kështu deri në vitin 1939 qëndruam në Jugosllavi. Nga mesi i prillit të atij viti vendosëm dhe erdhëm në Shqipëri. Më kujtohet kur dolëm në Konçë studentët e Liceut të Konçës ishin ngritur në demonstratë.Të nesërmen shkova në Këlcyrë ku kishin dalë edhe njerëzit e familjes që më prisnin. Atje pyeta nëse kish organizim nga populli për të kundërshtuar pushtimin italian, por më thanë që nuk kishte dhe se italianët kishin ardhur në Tepelenë. Shkova në fshatin tim të lindjes, në Spatharë.