Bashkim KOÇI/ Kur kujtojme Selman Ajazin …

1219
Sigal

“Njeriu nuk është i përjetshëm, por le të përpiqet  të jetë e pavdekshme ajo që thotë e ajo që bën”. Kur citoj këtë fjalë të urtë, me përmbajtje të thëllë, por dhe që kurrë nuk del jashtë mode, më vjen ndër mend emri i një njeriu, Selman Çerçiz Ajazit nga Gramshi, i cili, edhe pse ka rreth dy dekada që është ndarë nga jeta, “ kuvendon e këshillohet” me ne të gjallët,  si të ishte libër që nuk ka fund, që mbaron së lexuari.

Veprimtaria  e tij si  personalitet i veçantë në fushat ku punoi e drejtoi, i përket shekullit të kaluar, shekull që, për çka i solli njerëzimit, vendit tonë, e bëri jetën e Selman Ajazit, ta fillonte me luftë e ta mbyllte, po me “luftë”.  Një 15 vjeçar i ditëve të sotme, fjala vjen, nuk mund, e ka të vështirë të fus në imagjinatë, të përfytyrojë, që një vërsnik si ai, të ketë qënë luftëtar në radhët e formacioneve  partizane.  E shumta, e shumta, e mendon  “luftën”  përpara kompjuterit, me armik imagjinar. Selman Ajazi ishte luftëtar, madje në rretana tepër të vështira, sepse u ndesh me armik pushtues, të armatosur deri në dhembë.

 Sigurisht, kur njihesh me rrënjët e familjes, me bëmat dhe veprimtarinë patriotike të gjyshit të tij, grabovarit Rrapo Kardhashi; me historitë po kaq mbresëlënëse të të atit, Çerçizit, nuk ka si të mos na shkojë mendja që ky njeri i nisi “lojrat e fëmijërisë”, duke kopjuar të parët e tij, brez pas brezi, si të ish një amanet i shkruar me rruaza gjaku. Sepse Selman Ajazi lindi e u rrit në një familje të madhe grabovare, me histori luftrash nëpër këmbë, të ushqyer mendje e  zemër me ndjenja patriotike. Gjyshi, Rrapo Kardhashi (Grabova), emri i të cilit na kujton luftëtarin legjendë, Rapo Hekalin e Mallakastrës, u shkollua dhe shërbeu në ushtrine e Perandorisë Osmane ku edhe  iu dha mundësia të jepte ndihmesën e tij për çështjen shqiptare, në krah të  patriotit Vaso Pasha, i cili në atë kohë ishte Guvernator i përgjithshëm i Libanit. Po kaq  “i marrë”, i përbetuar për Atdhe e Flamur ishte edhe i ati, Çerçizi, të cilit, siç shkruajnë gazetat e kohës “i mbeti tërë jetën arma në krah”. Dhe jo nga ata kaçakët dosido, që zinin prita e të vrisnin hajduçe. Jo! Çerçiz Ajazi ishte pjesë e historisë luftarake të çetave të Spiro Ballkamenit, Shahin Matrakut, Kajo Babienit e Mahmut Xhelilit të Gramshit etj. Gjurmët e Çerçiz Rrapo Kardhashit të çojnë akoma më tutje, tek njësitë luftarake të komanduara nga patrioti Sali Butka në vitet 1913-1914, kundër pushtuesve grekë.

 Ndonjëherë ajo çka ndodh brënda pak ditësh, ose edhe në një ditë të vetme, mund të ndryshojë rrjedhën e një jete të tërë. Me Selman Ajazin ka një histori të tillë, apo e ngjashme me një “kataklizëm” që i dha shtysën për të mos u ndalur asnjëherë në drejtimin që mori, andej nga kish shkelur në shekuj fisi me emër i Ajazëve. Ishte viti 1940,  moti kur Selmani nuk i kishte mbushur ende 13 vjeç e që, mallkuar qoftë ajo ditë, ai do të merrte “plagën me shënjë”, duke humbur tre gishtat e dorës. Zhvillohej lufta Italo-Greke në trojet shqipëtare, një çudi e madhe kjo, e që fëmija me emrin Selman do të mbetej sakat për tërë jetën. Mbeti sakat nga dora, por, pot ë shikojmë atë çka ndodhi më pas,  kjo u bë nxitje, shërbeu si një thirrje për të shkuar në luftë, pa kthim prapa, kundër armiqve pushtues. Dhe nga ky çast pinjolli i grabovarëve u bë me emër, djaloshi që “mori mallet”, duke u nisur nga një thënie e moçme “hakmarrja më e mirë është të fitorja mbi armikun”. Në mars të vitit1942, pra vetëm15 vjeç, u  rreshtua me armë në dorë në çetën e Grabovës të komanduar nga Shyqyri Kardhashi. Pas tre mujësh, në qershor, partizani njomzak Selman Ajazi u bë pjesë në goditjen që iu bë karabinierëve në Malin e Kamjanit. Beteja tjetër e radhës ishte ajo që iu bë postës fashiste italiane në Shenepremte, duke vijuar më tej në një përleshje pak të veçantë, siç ish ajo e goditjes së postës së Snomsit e të Bulçarit ku, për ta veçuar pak si ngjarje, Ajazasit morën jesë familjerisht. Në prill të ’44-ës Selman Ajazi, si pjesmarrës në mbledhjen krahinore në Snoms, të drejtuar nga komandanti i Brigatës së I-rë Sulmuese, Mehmet Shehu, u caktua të punonte me rininë dhe të bëhej efektiv i batalionin partizan Vërçë-Sulovë.

Rruga e jetës është drejtësia, ndaj mos u ndaj nga ajo për të hyrë nëpër rrugica. Selman Ajazi nga kjo pikpamje ishte dhe mbeti gjatë gjithë jetës “dru i drejtë” edhe pse kish dëgjuar, jo rrallë, në kuvende burrash që “pemët më të drejta zgjidhen të parat për t’u prerë”. I ri, fare i ri, atëhere që ende nuk i kish dirsur faqja, ai u emërua kryetar e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Gramshit. Ishte 23 vjeç. Ne dëgjojmë edhe sot emra djemësh e vajzash që mbajnë poste ministrash, apo detyra të tjera të rëndësishme, por që, për hir të realitetit të dhimbshëm që përjetojmë, zhgënjehemi shumë shpejt, madje dëshpërohemi e qortojmë veten dhe njëri-tjetrin “kujt ia paskemi dhënë votën”, kur marrim vesh që këta monstra  pasurohen në mënyrë marramendëse në rrugë korruptive brënda muajit, brënda një vitit. Personazhi ynë, i dalë nga fronti i luftës, nuk e mësoi kurrë këtë zanat, por mbeti kristal, modeli i njeriut dhe intelektualit të ndershëm. Në rrethet Gramsh e Mat, ku ai la vitet e rinisë së herëshme dhe ata të pleqërisë së thellë, njerëzit, apsolutisht të gjithë, e mbajnë në gojë togfjalëshin “qelibar si Selman Ajazi”.

Thuhet se njeriu në jetë ka nevojë për “një fixhan dituri”, për “një shishe kujdes” e për “një oqean durim”. Sesa e vërtetë është kjo, më duhet të sjell si shembull njeriun të cilit i kushtuam këto rradhë, Selman Ajazin. Nëse ai mbeti model i njeriut këmbëngulës, që nuk tërhiqej, që e mbante fjalën deri në fund, qoftë edhe të rrezikonte diçka nga vetja, ishte dhuntia për të qënë i duruar. Jo thjeshtë për të ilustruar këtë çka po them, por është rast i rrallë, që numurohet me gishtat e dorës, fakti që ai i filloi studimet e larta, në Institutin e Lartë, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës, në moshë madhore, burrë “me një vatër fëmijë”, plot 36 vjeç.

 Një njeri që guxon të shpërdorojë kohën, qoftë dhe një orë të vetme të jetës së tij, nuk ka kuptuar vlerën e vërtetë të jetës. Këtë nuk e them unë, por është konkluzion e Darvinit, shkencëtarit të madh rus, i cili i “nxori shpirtin” kohës sa qe gjallë. Në jetën e përditëshme ndeshemi shpesh me të tillë kampionë dhe, kur mësojmë për çka kanë arritur e ç’synojnë të bëjnë, mbetemi me gojë hapur. Më vjen mirë të them që edhe personazhi ynë diti ta vlerësojë jetën, i konsideroi, si i thonë fjalës, “flori në mushama”. Në të gjitha postet drejtuese që i dhanë në 41 vite punë të jetës së tij, si shef seksioni, drejtor, Kryetar Komiteti në rrethet Gramsh, Peqin e Mat, mbeti “syri i pagjumë”, ndër kuadrot e intelektualët më seriozë të kohës.

Njeri i madh është ai i cili kur është me gradë të lartë, tregohet modest; kur ka forcë në dorë, fal; kur është i nevrikosur, vepron me drejtësi. Selman Ajazi i kishte të trija këto cilsi: njeri modest, që dinte të falte dhe shumë i drejtë. Bashkëkohësit, ata që patën rastin të punonin me të, tregojnë jo një rast, por me dhjetra, që ai na paskësh qënë i kompletuar me virtytet më të mira të njeriut.

Burri nuk matet me pëllëmbë, por me zemër, me vendosmërinë dhe kurajon që ka për të prishur mure e për të ndërtuar ura, për të mbetur shembull referimi për breza të tërë njerëzish. Selman Ajazi ishte dhe mbeti një i tillë. Na u desh të çfletojmë kujtime të autoriteteve, të bashkëkohësve me të cilët ai punoi e drejtoi në sektorë të vështirë e me probleme të ekonomisë, dhe,  si të paskësh qënë një magji, të gjithë, pa përjashtim, përgjërohen, e përmendin emrin e tij si të një personazhi të suksesshëm, i cili, për aq sa jetoi,  arriti  atë që desh.  “Ti je djalë i zoti dhe e njeh mirë zonën tënde”- ka qënë vlerësimi i Enver Hoxhës kur i komunikoi një detyrë të lartë;  “Ti je trim, nuk ta kam frikën”- i pat thënë Mehmet Shehu, kur bëhej fjalë për një masakër  që mund të bënte krimineli Hamit Matjani; “Një Mat i tërë, burra e gra, përgjërohen për Selman Ajazin”- ishte vlerësimi i Hysni Kapos; “Ata dy djemtë që takuam në lagjen e Kuqe të fshatit Grabovë, dhe që na u lutën për të na kthyer në shtëpi, ishin vëllezrit e Selmanit”- ishin fjalët e Kadri Musajit, kur i propozi Enver Hoxhës për ta ngritur Selman Ajazin në një detyrë me përgjegjësi shtetrore.

Nuk ka jastëk më të butë për njeriun sesa një ndërgjegje e pastër dhe e qetë. Selman Çerçiz Ajazi e pati si pronë të vetme këtë “jastëk të butë”, duke mbetur sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes, person me vlera të larta për rrethin e Gramshit e më gjërë. Ai ishte veteran i nderuar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe gëzonte vlerësimet më të larta me Urdhëra e Medalje, dhënë nga Institucionet e larta të shtetit. Kohët e fundit bashkia e Gramshit i ka propozuar Presidentit të Republikës që Selman Ajazit t’i jepet Urdhëri “Mjeshtër i Madh”.