Kadare: Ka mbështetje kriminale për policët që qëlluan mbi njerëzit

923
ARKIVA IX / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990

TAKIMI ME INTELEKTUALËT
“Telegraf” vijon botimin e pjesës së nëntë të bisedës së Ramiz Alisë me intelektualet, zhvilluar më 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes padyshim që të çonte në mendimin se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër ore në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektuale, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. 
Në këtë pjesë, diskutohet mes Ramiz Alisë, Ismail Kadaresë dhe Sali Berishës, lidhur me kritikat ndaj aktivitetit të Partisë së Punës dhe disa strukturave shtetërore. Në mënyrë të veçantë shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, përqëndrohet në punën e organeve shtetërore dhe të informacionit, lidhur me aspekte të ndryshme sociale dhe politike.
Ismail Kadare: “Për inteligjencën, besoj se nuk ka, është një gjë absolute që inteligjenca shqiptare është për lirinë dhe pavarësinë e vendit pa asnjë diskutim dhe për këtë shtet që ekziston dhe është për stabilitetin e tij që të vazhdojë gjithmonë. Megjithatë, duhet pranuar se ka njerëz në Shqipëri që mendojnë të kundërtën e saj. Mendojnë nga padija disa, por gjithashtu kjo shtresë njerëzish që e mendojnë këtë nga padija, ose nga dashakeqësia e lindur. Ka një skenar të vjetër që për inteligjencën dyshohet shumë lehtë, goditet shumë lehtë inteligjenca. Zakonisht ku ta gjejmë, e gjejmë tek inteligjenca. Është e vjetër kjo, shekullore. Por, besoj se historia e vendit tonë e ka treguar, të parët të paktën dhe aq më tepër këto 50 vjet sa e interesuar është inteligjenca shqiptare, sa ajo e ka lidhur veten me këtë strukturë shoqërore dhe me këtë komb dhe nuk ka ku të mbështetet në asnjë bazë tjetër. Dhe në qoftë se ajo kërkon ndryshim gjërash, evoluim, zhvillim, i kërkon vetëm në emër të saj dhe të asgjëje tjetër. Tani, tek në ka disa herë gjëra çorientuese që shkaktojnë më duket mua dhe një nga këto që ndodhen kohët e fundit, një cilësim që mund t’i bëhet fjalës se sa këtij çorientimi. Çorientim në shtresa të ndryshme të popullsisë. Çorientimi është qoftë nga influencat, nga dëgjimi i radiove të huaja, nga thashethemet, por qoftë edhe nga kuadrot tona nga brenda. Të folurit kontradiktor dhe pa përgjegjësi, me duket mua ka, shkaktuar shpeshherë, i ka ushqyer këto luftëra thashethemesh që kanë qarkulluar në të gjithë vendin. Të folurit pa përgjegjësi bëhet për disa arsye, por një pjesë e kuadrove i bëjnë për t’u dukur ultrarevolucionarë dhe kanë shkaktuar mendoj dëme të mëdha. Me disa biseduam edhe në pushim lidhur me Peres de Kuelarin, që mendoj unë filloi një proces mosbesimi, ose u ushqye procesi i mosbesimit te masat që po merrte, masat demokratike, pikërisht mbi të folurin pa përgjegjësi që bënë shumë kuadro kundër Peres de Kuelarit. Pa asnjë testim nga Shqipëria. Si të thuash, ishte hapi i parë, por që ishte për mua fatal. Për të mbjellë kudo, domethënë, për të shpërndarëe ca e kanë bërë me qëllim, ca pa qëllim, ca nga injoranca, ca nga për t’u dalluar, nuk e di pse. Ama kjo ndodhi”. 

Ramiz Alia: “A është kaq e saktë kjo, që për Peres de Kuelarin qenka folur kudo kundra? E kanë dëgjuar të gjithë njerëzit?”
Ismail Kadare: “Të gjithë auditoret e kanë dëgjuar”.
Ramiz Alia: “Është folur gjetiu?”
Ismail Kadare: “Është biseduar në tërë Shqipërinë”.
Ramiz Alia: “Nuk e di, mbase”.
Ismail Kadare: “Tamam në procesin e demokratizimit të këtij debati, të pluralizmit, të mendimit, të kemi mendime të ndryshme ndaj të njëjtit qëllim, për shembull, të thirret gazeta ‘Drita’ dhe i thuhet këtë debat do ta mbyllësh, para tre apo katër ditësh. Me urdhër. Debat për Mesjetën e letërsisë shqiptare”.
Ramiz Alia: “Unë nuk jam për të mbyllur debatin. Por, domethënë, ai lloj debati nuk është debat”.
Ismail Kadare: “Tjetër punë”.
Ramiz Alia: “Tjetër problem”.
Ismail Kadare: “Duhet sqaruar”.
Ramiz Alia: “Se gazeta ‘Drita’ bënte thirrje që të vazhdojë debati. Madje, bënte thirrje që të dëgjojmë dhe kosovarët çfarë thonë për këtë çështje. Se pse e kërkonte këtë nga kosovarët, nuk e di. Po të kemi parasysh se aty janë të tërë. Është gabim, sepse nuk kemi ne pse të pyesim. Jo, jo, nejse mos i hyjmë atij muhabetit se është i largët”.

(Ka ndërhyrje nga salla mbi këtë çështje)
Ismail Kadare: “Mendoj se çdo popull, sidomos populli shqiptar, është shumë i ndjeshëm ndaj ndjenjës së drejtësisë, kur vendoset drejtësia në vend. Një nga themelet e stabilitetit të vendeve ka qenë gjithmonë që kush forcë drejtuese ka marrë namin me të drejte ose pa të drejtë që e ka vendosur drejtësinë. Kjo ka qenë gjithmonë e njohur në histori, që ky hyri si respektues i ligjeve, ky që nuk i respektoi ligjet, ky i mori nëpër këmbë, ky s’i mori. Domethënë edhe populli jonë e ka shumë të theksuar këtë ndjenjën e drejtësisë. Prandaj ajo që kërkohet nuk është as për hakmarrje, as për meskinitet, që kërkohen disa përgjegjës për punën edhe pse nuk janë përfshirë direkt, por të marrin dënim, sepse kjo krijon një kënaqësi të madhe në popull, krijon një siguri, krijon një qetësim shpirtëror. Kurse e kundërta krijon një acarim shumë të madh. Prandaj, hezitimi disa herë i solidaritetit, disa janë në rrethe ku kryhen këto padrejtësi. Për shembull, unë kalova një ditë, ju e përmendet atë drejtorin e policisë që ishte shkarkuar nga puna, e kishin hequr nga puna, e pashë në rrugë prapa “Dajtit”, e përqafonin njerëz në mënyrë agresive, në mënyrë të shëmtuar dhe ai i veshur me rroba civile ngjante ndryshe dhe ishte rrethuar nga ish-kolegë a kolege të tij për t’i treguar një lloj mbështetje. Këtë unë e quaj një lloj mbështetje kriminale, në qoftë se ai është hequr për një gjë të shëmtuar, ka kapërcyer ato kompetencat e policisë, ka qëlluar me armë, ka plagosur apo ka vrarë. Këta njerëz hiqen akoma se janë militante, me ç’të drejtë? Se kjo gjë rrezaton kudo pastaj. Prandaj mendoj unë, kjo nuk është aspak një ndjenjë meskine, sepse populli nuk u gënjeka fare. Di vetëm që filani ka shtënë, filani ka dhënë urdhër të keq, filani është i dalluar për egërsi, ai kënaqet dhe di që filani u shkarkua për këtë gjë. Dhe mendoj unë që diçka në shtyp nga kjo, një pjesë e këtyre rasteve, duhet të dalë, sepse ndihmon dhe nuk sjell asnjë të keqe. Mendoj se në vendin tonë është krijuar një, një… domethënë trajtimi me realizëm i asaj që përmenda vetëm ndihmon në stabilitetin e njerëzve. Aq sa të gjykohet. Nuk jam për lajme sensacionale, as për të shuar kuriozitetin e sëmurë të njerëzve, por ama një minimum realist dhe solid i informacionit patjetër që duhet te jetë.

(Vijon nesër)
Sigal